Partia Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka festuar në orët e vona të mbrëmjes dje në sheshi ‘Skënderbeu’ së bashku me mbështetës pas daljes së rezultateve paraprake të votimit.

Nga Prishtina, Kurti deklaroi se gjatë javëve në vijim do të mbajë takime me partitë e tjera politike. Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e koalicionit do të bashkëpunojë me secilën parti.

“Natyrisht se gjatë javëve në vijim do të komunikojmë, do t’i takojmë e do të bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Referuar rezultateve paraprake, LVV ka marrë sërish mbështetjen më të madhe në votime, me rreth 43.05% të votave, por kësaj radhe në parlament do të hyjë me 9 deputetë më pak se në dhjetorin e kaluar.

Forcë e dytë mbetet PDK me 21.23% të votave e rritur shumë lehtë në vota. LDK paraprakisht llogaritet se ka fituar 17.68 % të votave me një rritje prej gati 4%.

LDK, lista e së cilës u drejtua nga ish-Presidentja Vjosa Osmani, ka parë rritjen më të madhe nga partitë e opozitës. Ajo sipas DNV do të çojë në parlament 20 deputetë, 5 më shumë sesa legjislatura e fundit.

Ish-Presidentja Osmani, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka deklaruar se emri i saj nuk do të bëhet kurrë pengesë për formimin e institucioneve demokratike të Kosovës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:29
Ish-Presidentja Osmani: Ringritja e LDK, mundësi për vendosjen e balancave demokratike! Emri im s’do bëhet kurrë pengesë për formimin e institucioneve të reja në Kosovë

1780925430_fgjhkkl.jpg

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se emri i saj nuk do të bëhet kurrë pengesë për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Komentet Osmani i bëri përmes një reagimi në rrjetet sociale, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të ditës së djeshme në Kosovë, ku tha se i gjithë kontributi i saj do të jetë i fokusuar në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të reja.

Osmani ka falënderuar qytetarët që mbështetën Lidhjen Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e jashtëzakonshme Parlamentare, duke bërë që kjo parti të shënonte rritjen më të madhe, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Vetë Osmani garoi në një listë të përbashkët me LDK-në. Sipas ish-Presidentes, rritja e LDK-së në zgjedhje është një mundësi për rikthimin e balancave demokratike në Kosovë.

Reagimi i Osmanit:

Të dashur qytetarë të Kosovës,

të dashur mbështetës e votues të LDK-së,

Nga zemra, ju faleminderit.

Faleminderit për mundësinë që na dhatë, për çdo votë, për çdo fjalë inkurajuese, për çdo dorë të shtrirë dhe për çdo hap që e bëtë bashkë me ne në këtë rrugëtim.

Gjatë këtyre javëve e muajve, patëm nderin të takonim mijëra qytetarë anembanë Kosovës. Dëgjuam shqetësimet tuaja, ëndrrat tuaja dhe shpresën tuaj për një vend më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar. Kjo shpresë ishte forca jonë më e madhe.

Ndihemi mirënjohës për secilin prej jush që besoi se politika mund të jetë dinjitoze, se debati mund të jetë i civilizuar dhe se e ardhmja mund të ndërtohet mbi vlera, dije dhe përgjegjësi.

Faleminderit të rinjve që na dhanë energji, grave që na dhanë forcë, mërgatës që nuk e harroi atdheun dhe çdo qytetari që doli në votime duke besuar në demokraci.

Ky rezultat nuk është fundi i një gare. Është vazhdimi i një misioni. Një mision për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, me ndershmëri dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallim.

Në këto zgjedhje kam marrë pjesë me qëllim që të ndihmoj në ringritjen e LDK-së dhe për t’i dhënë vendit mundësi te riktheje balansat demokratike e të krijojë institucionet sa më parë. Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracine, kushtetutën dhe aleancat.

Rruga vazhdon. Bashkë.

Ora 10:50
Zgjedhjet në Kosovë, Begaj: Urime Albin Kurti! E rëndësishme që të gjitha forcat politike të angazhohen në funksion të stabilitetit

Foto: Bajram Begaj dhe Albin Kurti

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në rrjetet sociale për zgjedhjet e parlamentare në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i shtetit teksa ka uruar Albin Kurtin për rezultatet e arritura, ka theksuar se  të gjitha forcat politike duhet të angazhohen për zhvillimin e mëtejshëm të vendit.

Begaj nënvizoi gjithashtu se vendi ynë do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian.

“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës!

Përgëzoj qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik, që dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe të kulturës demokratike të shtetit të Kosovës.

Në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës.

Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Ora 09:18
Zgjedhjet parlamentare/ Kos: Që Kosova të përparojë në rrugën drejt BE-së, nevojiten kompromise nga forcat politike

1778692962_martakos.jpg

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë thirrje për unitet politik dhe kompromis në Kosovë, duke theksuar se stabiliteti institucional është kyç për avancimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Kos, në një postim në platformën sociale amerikane X ka uruar Kurtin për fitoren në zgjedhjet.

“Urime @albinkurti

për fitoren e zgjedhjeve në Kosovë, dhe, më e rëndësishmja, për procesin e qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt të votimit. Që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike tani duhet të bashkohen dhe të gjejnë kompromise për të ndërtuar stabilitet institucional. Pres me padurim të kthehem në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur për të përshpejtuar punën për integrimin e Kosovës në BE dhe për të vazhduar punën për financimin e Planit të Rritjes”, shkruan Kos.

K.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Qershor, 21:08

    A e mbështesni protestën kundër investimit në Zvërnec?