Fituesi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda janarit! Balluku: Interesi është i lartë, pas hapjes së kantierit nisim me atë të Sarandës, e Kukësi fluturime drejt Europës veriore (VIDEO)

Në një kohë që procedura tenderuese për Aeroportin e Vlorës, është stopuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në një intervistë për Report TV thotë se përsëri brenda janarit gara do të ketë përfunduar nga ana procedurale.

“Për shkak të një ankese legjitime KPP ka pezulluar punën për 10 ditë ose ndoshta më shumë dhe ne do të kemi në datë 11 janar në dijeninë time porsa i përket ofertave për këtë projekt. Pra në ditët e para të janarit ne do të kemi edhe aeroportin e Vlorës të përfunduar nga ana procedurale për të shkuar  menjëherë tek nënshkrimi i kontratës”, sqaron ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku.

Ministrja sqaron se tenderi është rihapur pasi ka pasur interes, pavarësisht se aviacioni është në vështirësi financiare si pasojë e pandemisë COVID-19. Balluku thotë se në garë nuk mund të marrë pjesë një kompani që nuk ka eksperiencë në këtë fushë.

“Ka pasur shumë interes dhe ne e hapëm garën se kishte interes pasi përndryshe gara nuk do të niste për shkak se aviacioni vijon në kushte të vështira por kishim shumë kërkesa nga operator të ndryshëm, duke qenë se për të marrë pjesë në garë kompania nevojitet që të jetë një financuar dhe konstruktor por edhe operator. Pra nuk mund të vij një kompani e madhe e huaj që nuk ka pasur eksperiencë, pasi ne kemi vendosur disa limite porsa i përket numrit të përpunimit të pasagjerëve gjatë vitit dhe për të pasur në vend një operator me një eksperiencë të mirë”, pohon ministrja.

Ministrja zbulon në Report TV se në aeroportin e Vlorës do të ngrihet biznesi i hangarëve ose i mirëmbajtjes së avionëve, dhe për këtë ka një kompani të interesuar.

“Përveç kësaj në aeroportin e Vlorës edhe zhvillimi i shumë bizneseve do të jetë shumë i rëndësishëm siç është rasti i zhvillimit të biznesit të hangarëve pra të mirëmbajtjes të avionëve. Ne e kemi një kompani të interesuar e cila do të vihet menjëherë në kontakt me fituesit për të krijuar edhe një lloj tjetër biznesi i cili do të risi kapacitetet e punësimit dhe do të krijojë një industri të re në Shqipëri atë të avionëve e cila është shumë e rëndësishme potencial i rritjes ekonomike dhe pse jo zhvillimit të një sektori që vjen nga fusha e aviacionit, që shkon nga inxhinierët e avionit qoftë të teknikëve të një kategori më të ulët që janë shumë të rëndësishëm në këtë industri”, theksoi ministrja në intervistë.

Pasi të jetë ngritur kantieri për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, do të nisin procedurat për të hapur tenderin për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.

“Ne jemi shumë gati për aeroportin e Sarandës por ideja është që kemi vendosur që të kemi një skedulë kohore e cila shkon hap pas hapi në plan zhvillimi me aviacionin në Shqipëri. Ndërsa në pranverën e vitit 2021 aeroporti i Kukësit bëhet gati për operim, dhe menjëherë pasi ne ti japim start aeroportit të Vlorës i vjen radha aeroportit të Sarandës, që është edhe i fundit i planit të aeroporteve në fushën e aviacionit. Aeroporti i katërt është një aeroport sezonal, i cili do të jetë i destinuar vetëm për turizëm dhe plan biznesi i tij do të jetë i njëjtë me ato të Korfuzit. Janë aeroporte që e nisin punën në fillim të pranverës dhe mbyllet para nisjes së dimrit maksimumi deri në nëntor”, u shpreh Balluku.

Katër aeroporte në vend për ministren do të kenë shumë ndikim pozitiv tek qytetarët dhe ekonomi.

“Kushti i parë dhe elementi më i rëndësishëm është konkurrenca e pastër. Kalimi nga një treg monopol në një treg konkurrence është vetëm benefit për qytetarët. Konkurrenca është prezente dhe do të ulë çmimet dhe do të rris cilësinë e shërbimit padyshim. Nga ana tjetër duke qenë se të gjitha këto aeroporte kanë tipologjitë ndryshme, pra aeroporti i Kukësit është rajonal që i përgjigjet kërkesës rajonale dhe jo vetëm Shqipërisë së veriut por edhe Kosovës e më gjerë”, tha Balluku.

Sa i takon aeroportit të Kukësit ai nuk do të jetë ndërkombëtar por rajonal dhe do të jetë i fokusuar në destinacionet e Evropës veriore.

“Edhe destinacionet që do të nxiten nga ky aeroport do të lidhen me diasporën e veriut të Shqipërisë dhe zonave përreth. Do të jenë destinacionet të Evropës veriore kryesisht pra do të jetë Londra, Hamburgu, Zyhriu apo destinacionet të tjera të këtij lloji. Ndërkohë i Tiranës mbetet i kryeqytet por me probleme teknike, pasi ka një pistë të shkurtër nuk është e mundur që të kryhen fluturime trans-oqeanike nga ky aeroport dhe sigurisht është një aeroport që sot ndodhet në limitet e përpunimit të kapaciteteve, pra në verën e vitit 2019 unë kam dalë publikisht jo vetëm për sigurinë e aeroportit por edhe për arsyet e kapaciteteve sa i takon numrit të pasagjerëve. Aeroporti i Tiranës mbetet ndërkombëtar por duhet investim që ti përgjigjet tregut”, pohoi Balluku.


Lajmi kryesor:

Ministrja Balluku 'dhuratë' qytetarëve për Vitin e Ri: Autostrada Tiranë-Durrës pa pagesë, s'do jepet me koncesion! Punimet në sheshin 'Shqiponja', qarkullimi hapet në mars 2021


E.M./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Sulmet e Metës ndaj SPAK, avokat Beqiri: Në hall të madh, po i shtrëngohet laku! Do të shpëtojë miliardat, kreu i PL-së pronar i kompleksit në Velipojë

Sulmet e Metës ndaj SPAK, avokat Beqiri: Në hall të madh, po i shtrëngohet laku! Do të shpëtojë miliardat, kreu i PL-së pronar i kompleksit në Velipojë