Shqipëria 'në flakë' nga veriu në jug! Zjarret vijojnë prej ditësh, në terren zbret dhe ushtria! Pamje me dron nga Kurora e gjelbër e Semanit (VIDEO)

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në pyllin e Semanit dhe atë të Rubikut prej disa ditësh. Edhe pse është kërkuar ndërhyrje nga ajri për shkak të terrenit të vështirë, kjo gjë ende nuk ka ndodhur, ndërsa zjarrfikësit po punojnë me mjete rrethanore.

Kurora e gjelbër e Semanit vijon të digjet duke shkrumbuar dhjetëra hektarë. Në shuarjen e flakëve janë angazhuar të gjithë strukturat e Bashkisë Fier, ndërsa vatrat e zjarrit janë lokalizuar me anë të dronit.

Në ndihmë të forcave zjarrfikëse u kanë ardhur dhe forcat ushtarake, pasi terreni i vështirë dhe era favorizojnë zjarrin duke shkaktuar vështirësi në ndërhyrje në shuarjen e flakëve.

Deri tani flakët kanë përpirë 20 hektarë pyje e shkurre, ndërsa vijon puna për vënien e nën kontroll të zjarri dhe shuarjen e tij.

Zjarri vijon edhe në pyjet e fshatit Katund i Vjetër në Rubik, edhe pse intensiteti ka rënë. Në këtë zonë për shkak të terrenit të vështirë është kërkuar ndërhyrje nga ajri, por ende nuk ka asnjë reagim nga shteti.

Shuarja e flakëve nga zjarrfikësit po bëhet me mjete rrethanore, ndërsa kërkohet ndihmë nga ushtria dhe emergjencat civile.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:25
Pamje me dron të pishave e shkurreve të bëra shkrumb e hi nga pushteti i zjarrit në Seman (VIDEO)

Report Tv siguron pamje me dron të sipërfaqeve të djegura nga zjarri në Godull të Semanit. Pamjet nga lart tregojnë sipërfaqe të mbjella me pisha të vogla dhe shkurre. Forca të ushtrisë dhe punonjës të bashkisë për shkak edhe të terrenit  të vështirë  po punojnë me mjete rrethanore për  të shuar flakët. Atje ndodhet edhe Cako, drejtori  i emergjencave civile.

Ora 15:34
Kodra me ullinj e vreshta përfshihet nga zjarri në Hekal të Mallakastrës (VIDEO)

Një faqe kodre me ullinj është përfshirë nga zjarri në Hekal të Mallakastrës. Përveç ullinjve zjarri ka marrë përpara edhe vreshta e shkurre. Në vendin e ngjarjes  ndodhet një zjarrfikëse, por terreni i vështirë dhe era e forte ka favorizuar zjarrin. Ende nuk është përcaktuar shkaku i rënies së tij dhe po punohet për shuarjen e flakëve.

Ora 15:34
Situatë anormale me zjarret në Kukës, Rexha: 46 raste në korrik, 90% të qëllimshme

Vatrat e zjarrit janë kthyer në një problem të madh këtë verë në qytetin e Kukësit. Gafurr Rexha,  drejtor i shërbimit zjarrfikës pranë bashkisë Kukës thotë se situata e zjarreve gjatë muajit korrik nuk ka qenë normale krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të kaluara. Sipas tij në korrik ka pasur një intensitet të rënies së zjarreve në zonat pyjore dhe shërbimit zjarrfikës i është dashur që të ndërhyje në 46 raste. Rexha thekson se 90% e këtyre rasteve sipas ekspertizës piroteknike ka qenë e qëllimshme ndërkohë që 7 raste bashkia Kukës i ka referuar pranë prokurorisë. Edhe muaji gusht ka nisur me 4 raste të rënies së zjarreve në territorin e bashkisë Kukës. Kukës. Shqetësuese është se zjarret po përfshijnë edhe kurorën e gjelbër të qytetit ndërkohë që deri tani asnjë person nuk është ne ndjekje penale.

Ora 14:46
25 ushtarë drejt Lezhës për shuarjen e zjarreve! Ndreu: Po punohet në dy vatra,në malin e Renxit dhe të Kakarriqit

Zjarri në Lezhë

Në dy vatrat e zjarrit të rënë në Lezhë në malin e Kakarriqit dhe në malin e Renxit  kanë mbërritur forcat ushtarake për të ndihmuar në vënien në  kontroll të flakëve.

Janë 25 ushtarë se të cilët së bashku me punonjësit e bashkisë po punojnë për shuarjen e flakëve me mjete rrethanore për shkak të terrenit të vështirë për të ndërhyrë zjarrfikësja.

Kjo u konfirmua edhe nga kreu i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu i cili tha se në malin e Kakarriqit aktualisht po punojnë 14 grupe pune dhe 10 ushtarë që po vënë në  kontroll flakët.

Ndërsa në zjarrin që po i afrohet Ranës së Hedhun kanë mbërritur 10 ushtarë dhe 2 grupe pune të pyjeve, zjarrfikëset dhe emergjencat civile për shuarjen e flakëve.

Ora 12:43
Zjarri në Shëngjin vijon të jetë i fuqishëm, i afrohet zonës turistike Rana e Hedhun

Zjarri i rënë prej disa ditësh tek mali i Renxit vijon të jetë një vatër aktive e fuqishme. Ajo është duke iu afruar zonës turistike Rana e Hedhun në Shëngjin.

Zjarri ka një intensitet të lartë dhe favorizohet nga era, ndërsa ndërhyrja për shuarjen e tyre është thuajse e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.

Ora 11:47
Vijojnë prej 5 ditësh flakët e zjarrit në pyllin e Semanit, ndërhyjnë edhe forcat e ushtrisë

Në zonën e pyllin të Semanit vijojnë flakët prej 5 ditësh në vendin e quajtur Godull.

Janë angazhuar të gjitha forcat zjarrfikëse për shuarjen e flakëve nga Fieri, Patosi dhe Roskoveci. Ndërkohë që prej mbrëmjes së djeshme kanë mbërritur edhe forcat e ushtrisë. Flakët vijojnë ende për shkak të favorizimit nga era dhe temperaturat e larta.

Dëmi përllogaritet deri në 20 ha sipërfaqe shkurre, ferra dhe pisha të vogla.

Ora 11:38
Zjarr i madh në Fushë-Krujë, rrezikohen varrezat e fshatit dhe banesat përreth

Një sipërfaqe e madhe prej më shumë se 5 hektarë e pyllëzuar me pemë të ndryshme dhe shkurre është përfshirë nga flakët në fshatin Kullasë të Fushëkrujës.

Zjarri është ndihmuar nga era duke përfshirë sipërfaqe të mëdha toke. Për shkak të përhapjes së zjarrit përveç zjarrfikëses së Krujës është dashur ndërhyrja e një zjarrfikëseje private, e cila operon në zonën e Niklës.

Mësohet se flakët e zjarrit po i afrohen varrezave të fshatit. Sipas zjarrfikësve zjarri është i qëllimshëm. Jo shumë larg zjarrit janë disa banesa, të cilat rrezikohen nëse flakët nuk do të lokalizohen. Kjo është edhe arsyeja pse u kërkuar ndihma e zjarrfikëses private.

Ora 08:50
Shuhet zjarri në Gramsh, pemët shekullore bëhen shkrumb e hi! Ja çfarë lanë pas flakët

Pas dy ditësh lufte me flakët, zjarrfikësit e Gramshit kanë mundur të shuajnë zjarrin në pyllin e malit të Koshnicës, njësia Skëndërbegas.

Ajo që la pas zjarri është një pamje e dhimbshme, pyjet të djegura, pemë të shkrumbuara duke krijuar një pamje të trishtë, kur nuk shikon më kurorën e gjelbër të pyjeve.

Flakët përpinë me dhjetëra hektarë pyje, pisha, pemë shekullore dhe shumë gjallesa e kafshë që pyllin e gjelbra e të gjallëruar nga jeta, e kishin shtëpinë e tyre. Sot kjo ka mbetur vetëm në fantazinë tonë, pasi pamja e mbetur është e shkretë, pa jetë.

Në këtë zonë është hera e dytë që bie zjarr dhe ka qenë i qëllimshëm. Autoritet i bëjnë thirrje njerëzve të tregohen të përgjegjshëm, pasi një gjest i vogël i pamenduar, kushton me dhjetra e qindra hektarë të djegur pyje. Në skenarin më të keq, rrezikon banesat dhe shtëpitë e banorëve.

Terreni malor, distanca e madhe, era e fort favorizuan zjarrin e rënë, por në fund gjithçka mbaroi.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 04/08/2020 16:12

    Zonja Xhacka Shqiperia ne terrenin e veshtire malor ,ne shumicen e rasteve ,kerkon nderhyrje nga ajri, ndryshe demet do jene me temedha.pse nuk shkojne helikopteret me kova kur kerkohen ne raste te tilla? Kush e mban pergjegjesine per koston e larte qe shkaktojne djegjet e pyjeve ? Zjarrvenesit te denohen si vrases te mjedisit dhe te cdemtohen demet qe jane sjelle prej tyre

    Përgjigju
  • Free: 04/08/2020 09:25

    Po si nuk kapet nji here kta ndyrsira dhe ti beni shembull ne burg me pune te detyruar per gjith jeten.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rafael Nadal rikthehet pas 103 ditësh, fiton pastër në Barcelonë

Rafael Nadal rikthehet pas 103 ditësh, fiton pastër në Barcelonë