Flamuri grek i ngjyrosur me bojë të kuqe dhe himni turk në dron! Incidenti alarmon Greqinë, i kërkon Turqisë të dënojë aktin

Greqia i bëri thirrje të dielën Turqisë të dënojë dhe hetojë atë që tha se ishte një fyerje ndaj flamurit të saj kombëtar në ishullin grek të Kastellorizos.

Media greke raportoi se flamuri kombëtar bardh e blu që valëvitej mbi një kodër, ishte ngjyrosur me bojë të kuqe. Ishulli Kastellorizo ndodhet shumë pranë bregdetit turk. Autoritetet nuk kanë ende informacion rreth përgjegjësve mbi incidentin.

“Dënojmë hapur fyerjen e flamurit grek në Kastellorizo", thuhej në një deklaratë të dielën të ministrisë së Jashtme greke. "Presim që autoritetet turke ta dënojnë dhe hetojnë menjëherë incidentin, në mënyrë që fajtorët të dalin para drejtësisë. Veprime të tilla të papranueshme duhen parë vetëm nën dritën e zbutjes së tensioneve mes dy vendeve", thuhej gjithashtu në deklaratë.

Autoritetet turke nuk kanë bërë ende asnjë koment mbi incidentin. Një zyrtar tha se policia greke ka nisur hetimet. Media greke njoftoi gjithashtu se një dron i pajisur me një altoparlant nëpërmjet të cilit dëgjohej himni kombëtar turk, fluturoi të shtunën mbi ishullin Kastellorizo.

Greqia dhe Turqia nuk bien dakord mbi një sërë çështjesh, përfshirë këtu atë që lidhet me shtrirjen e shelfit të tyre kontinental. Tensionet u ndezën muajin e kaluar pasi Turqia dërgoi një anije për kërkime sizmike në ujërat e pretenduara nga të dyja palët shoqëruar nga anije të vogla luftarake, me qëllim planifikimin e shpimeve të mundshme për naftë e gaz në një zonë që mendohet të jetë e pasur me burime energjetike. Këto zhvillimeve çuan në një përplasje në det mes një anije luftarake turke dhe një greke. Që atëherë, Turqia e ka tërhequr anijen Oruc Reis dhe të dy vendet kanë rënë dakord të rinisin bisedimet mbi çështje që lidhen me eksplorimin në det./VOA

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet