Fondet e investimeve alternative u rritën vitin e kaluar

Fondet e investimeve alternative u rritën vitin e kaluar

Foto ilustruese

Viti 2022 nuk ishte shumë i mirë për fondet e investimit në instrumente financiare, por ka sjellë zhvillime pozitive për fondet e investimeve alternative.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar për herë të parë edhe statistikat për ecurinë e këtyre fondeve. Në fund të vitit 2022, totali i aktiveve të fondeve të investimeve alternative arriti në rreth 4.7 miliardë lekë, në rritje me 10.6% krahasuar me një vit më parë.

Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuara dy fonde të investimeve alternative, Sea Land Investment Fund dhe Green View Alternative Investment Fund. Të dyja fondet administrohen nga shoqëria administruese Credins Invest.

Asetet e këtyre fondeve janë të investuara kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe rritja e vlerës së këtyre pronave ka dhënë efekt pozitiv në totalin e aseteve të këtyre fondeve. Sipas burimeve, fondet e mësipërme zotërojnë disa toka pranë zonës ku po ndërtohet Aeroporti i Vlorës. Projekti vlerësohet se po sjell edhe rritjen e vlerës së pasurive të paluajtshme në zonat pranë tij.

Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që hyri në fuqi në Qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për Fondet e Investimit Alternative, fonde ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar.

Ligji përcakton si klientë profesionistë subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj.

Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë.

Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.

Fondet e Investimeve Alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, të tilla siç janë pasuritë e paluajtshme.

Këto fonde krijojnë mundësi për diversifikim të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri dhe japin më shumë alternativa për investitorët profesionistë.

Ndërkohë, segmenti më i rëndësishëm i tregut të fondeve të investimit, ai i fondeve klasike që investojnë në instrumente financiare, vitin e kaluar pësoi një goditje të fortë nga rritja e shpejtë e normave të interesit. Kjo solli rënie të ndjeshme në vlerën e drejtë të titujve financiarë të zotëruar nga këto fonde, kryesisht instrumente borxhi të qeverisë shqiptare.

Sipas statistikave të AMF-së, asetete neto të këtyre fondeve (përjashtuar fondet e investimeve alternative) pësuan një rënie me pothuajse 47% gjatë vitit të kaluar. Rritja e normave të interesit uli vlerën e aktiveve dhe ndikoi negativisht kthimet nga investimi. Për këtë arsye, shumë investitorë zgjodhën të likuidonin kuotat në këto fonde dhe t’i investonin direkt paratë në ankandet e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Numri i anëtarëve të fondeve të investimit pësoi rënie me gati 28% për vitin 2022. /Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

PD: Të shpallet kampi i Burgosurve në Spaç, bashkë me kampin e internimit Tela me Gjemba në Tepelenë Muze Kombëtar

PD: Të shpallet kampi i Burgosurve në Spaç, bashkë me kampin e internimit Tela me Gjemba në Tepelenë Muze Kombëtar