Franca akuzon SHBA-në dhe Australinë: “Gënjyen” për paktin e sigurisë! Macron e Biden në pritje të telefonatës për nëndetëseve

Presidenti amerikan Joe Biden ka kërkuar që të flasë me homologun e tij francez Emanuel Macron pas anulimit të kontratës për nëndetëset e Australisë. Mes dy liderëve do të zhvillohet një bisedë telefonike në ditët në vijim, njoftoi zëdhënësi i qeverisë ditën e sotme. Nga ana e tij, Emanuel Macron do të bëjë një kërkesë për sqarim, sipas asaj që tha Gabriel Attal në një deklaratë për BFMTV. “Ne duam shpjegime për atë që duket si një thyerje e madhe e besimit,” shtoi ai.

Më herët ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka akuzuar Australinë dhe Shtetet e Bashkuara se kanë gënjyer për një pakt të ri të sigurisë, që ka nxitur Parisin t’i thërrasë për konsultime ambasadorët e tij në këto shtete. Marrëveshja, e njohur si Aukus, ka rezultuar me anulim të një marrëveshjeje disa miliarda dollarë që Franca ka nënshkruar me Australinë.

Ndërkohë kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se ai ka vepruar sipas interesave kombëtare të shtetit të tij. Ai ka insistuar se Qeveria franceze “ka pasur secilën arsye të di se ne kemi pasur shqetësime të thella” se marrëveshja në vlerë të 37 milionë dollarëve, e nënshkruar në vitin 2016, “nuk do të përmbushte interesat tanë strategjikë”.

“Natyrisht se është çështje e zhgënjimit të madh për Qeverinë franceze, andaj e kuptoj zhgënjimin e tyre”, ka thënë ai. Aleanca, e njohur si Aukus, në të cilën përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar, do t’i mundësojë Australisë që të ndërtojë nëndetëse me kapacitet bërthamor, si mënyrë për t’u përballur me ndikimin e Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Franca është informuar nga aleanca vetëm disa orë pasi është bërë njoftimi zyrtar. Në një intervistë për televizionin France 2, Le Drian ka thënë se ekziston “krizë serioze” në mes të aleatëve. Kina, në anën tjetër, ka akuzuar tri fuqitë e paktit, për “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.

M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me rekomandimin e Komitetit të Imunizimit për dozë të tretë vaksine për mbi 60 vjeçarët?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Rusia lavdëron përpjekjet e talebanëve për të stabilizuar Afganistanin, paralajmëron për terrorizmin