Frederik Stamati, restauruesi që ndriçon thesaret 2300-vjeçare të Durrësit (FOTO)

Frederik Stamati, restauruesi që ndriçon thesaret 2300-vjeçare të Durrësit (FOTO)

Sa shumë thesare arkeologjike janë zbuluar në Durrës deri më sot! Ka nga ato që janë mbi 2300-vjeçare, e të tjera vetëm 500-vjeçare. Janë nga ato thesare që përshkruajnë gjenezën, mitet, dhe historinë tonë, duke na identifikuar përherë e më tepër si pasardhës të ilirëve.

Por këto thesare, pasi dolën në dritë duheshin ndriçuar; që mund ta shihnim qartë në  dritën e diellit një Pegaso me flatra apo një Herakli në  monedhat e argjendit, ose një mbret ilir apo romak, ose një klerik apo mbret bizantin.

Kush e njeh zejen e vështirë të restaurimit, e kupton sesi duhet të sfilitesh në punë të vështira. E si t’ua heqësh grimcë pas grimce baltën dhe ndryshkun e dhjetëra shekujve, e në fund të dish t’i thuash ndal erozionit të kohës.

Kështu, Frederik Stamati, mjeshtri i restaurimit, duket se e hedh rishtas pas krahëve mundin e madh, para kënaqësisë sublime, që ai së bashku me kolegët e tij përmes këtyre monedhave na japi ne të gjithëve mundësinë që lexojmë qindra faqe historie. Kështu Stamati, pasi ka punuar gjatë me këto restaurime, na rrëfen historinë sesi u zbuluan ato dhe çfarë mesazhesh historike shfaqnin në çdo ndriçim të sipërfaqeve të tyre origjinale, si më poshtë:

“Të lexosh” mite e histori në 137 monedhat e Durrësit

Frederik Stamati: “Një thesar me monedha argjendi i zbuluar në Durrës. Përbëhet nga 137 cope, ndër të cilat dy janë të prera nga Aleksandri i Madh për kujtim te babait të tij, Filipi II, (Fotoja e tretë). Janë më shumë se 2300 vjet të vjetra. 
Mbas zbulimit u analizuan me disa metoda si radiografi të rrezeve X, SXRF (Spektroskopi e Fluoreshencës së Rrezeve X), mikroskopi optike, etj. Përbërja kimike e monedhave është argjend me pak bakër.
Rezultoi se thesari ishte futur në një traste, e pastaj ne një arkë të vogël prej druri, e cila u fut në një gropë pranë një banese dhe u mbulua me një rrasë prej guri. U zbulua si një bllok i formuar nga produktet e korrozionit (Fotoja e dytë). Zbërthimi i bllokut u bë kimikisht dhe zgjati dy javë. Edhe pastrimi i tyre u bë me rruge kimike. Stabilizimi nga korrozioni u bë gjithashtu me koncepte kimie, duke u analizuar kimikisht për largimin e joneve që korrodojnë metalet dhe deri ne përcjellshmëri elektrike konstante ne kufijtë 7-8 mikrosiemens. Është zier e ftohur në ujë të distiluar 280 here. E gjithë puna zgjati rreth 2 muaj.
Monedhat kanë nga një anë kokën e Herakliut,i cili mban mbi krye lëkurën e luanit të Nemeut. Herakliu është simbol i Dyrrahut si pjesëtar i grupit që themeloi qytetin dhe në anën tjetër Pegasin.
Ka edhe shumë kuriozitete të tjera, si monogramet e pritanit, nëpunësi që ishte përgjegjës për prerjen e monedhave, një germë të gërvishtur, ndoshta e poseduesit të thesarit, etj.
Kanë kaluar disa vjet nga zbulimi dhe restaurimi dhe thesari vazhdon të ruhet shumë mirë, gjë që dëshmon për një pune të një niveli të lartë, të kryer në ish Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë, i cili operonte në nivelet më të larta, të krahasueshme me ato që kanë laboratorët e tjerë të avancuar në botë.”

Një thesar raguzian në amfiteatrin e Durrësit

Frederik Stamati: “U zbulua ne vitin 2006 gjate gërmimeve arkeologjike. Thesari prej 549 cope monedha argjendi ishte futur ne një poce qeramike te glazuruar. Pocja ishte e thyer, sic edhe shihet ne foton e parw. Thyerja nuk është e tanishme.
Rezulton që thesari te ketë patur një histori interesante. Nga radiografitë me rreze X rezultoi se monedhat ishin hedhur në "dy duar". Pastaj ishin fshehur poshtë dyshemesë së dhomës. I zoti i thesarit vdiq pa e treguar vendin. Me kohë shtëpia u shemb. Ata që ndërtuan më vonë gërmuan themele të reja. I shkuan përbri poces, por që nuk e vunë re nga hedhurinat e ndërtimit. Dhe ashtu e lanë, të groposur. Po të kishin gërmuar 2-3 gisht më anash, do ta kishin gjetur. Përsëri pati shembje dhe thesari nuk u gjet, deri sa u ra për hise arkeologëve.
Monedhat janë shumë të brishtëzuara nga qëndrimi në tokë, thyhen edhe po të duash t'i pastrosh me penel të butë. Argjendi është i përzier me bakër. 
Problemet e restaurimit ishin të shumta dhe të komplikuara. U "përzien" shumë shkenca, si kimia, fizika bërthamore, metalurgjia, etj. Puna ishte shumë-shumë delikate, si rikthimi i strukturës, pastrimi, konservimi, etj, etj. Por, u arrit.
Thesari është me monedha të Raguzws, të qarkulluara gjatë viteve 1510-1530. Pra, në atë kohë Durrësi zhvillonte tregti me Raguzën. Në monedha, në njërën anë paraqitet shën Blazius, shenjti mbrojtës i Raguzës, që mban në dorë maketin e portit, njëlloj si ai që vizitojmë sot.
Monedhat e thesarit tashmë ruhen shumë mirë në tabaka të posaçme, me folezësa të veshura me pelush, punë e bërë me shumë përkushtim nga numizmatja Shpresa Gjongecaj Vangjeli.”

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

KF Tirana në ankand prej borxheve, Eduard Prodani: Aksionet t'i kthehen bashkisë së kryeqytetit, futbolli shqiptar në batak

KF Tirana në ankand prej borxheve, Eduard Prodani: Aksionet t'i kthehen bashkisë së kryeqytetit, futbolli shqiptar në batak