Frrok Çupi: E hollë kjo lëkura jonë me Perëndimin

Frrok Çupi: E hollë kjo lëkura jonë me Perëndimin

Albin Kurti

Besoj se asgjë të mirë për kombin shqiptar nuk menduan qeveritarët e Kosovës kur ngritën policinë e vendit për të ndezur zjarrin në Veri. Ka qenë data 29 maj, para nëntë ditësh. Ende nuk po mbyllet plaga e asaj dite, edhe pse fuqitë më të mëdha të Perëndimit, BE dhe SHBA, janë kthyer prapë në Kosovë thuajse si në vitin 1999, veçse në invers. Tashmë Perëndimi, në Kosovë po menaxhon krizën, nuk i kanë lënë vend për të menaxhuar prosperitetin. Brenda ditës u plagosën 80 ushtarë të NATO-s. Atë ditë, siç ka shkruar dje ‘The Economist’, pritej vetëm një vrasje; sikur NATO të vriste vetëm një dhunues të manipuluar si ‘protestues’ serb, atëherë Rusia  do të gjente rastin të sulej drejt Europës, duke shkelur mbi Ukrainë. Ja kjo ishte ajo gjëja e tmerrshme ku hyri qeveria e Kosovës pa u menduar aspak se çfarë dëmi të paimagjinueshëm po i bënte shtetit të vet dhe mbarë kombit shqiptar. Akti i tmerrshëm ndodhi ‘në qiell të pastër’, sa hap e mbyll sytë, veç  sa u provokua nervi i dikujt, qoftë edhe kryeministër.

Dhe pyetja: Pse? Qeveria e Kosovës, prej nëntë ditësh, para BE- SHBA nuk po mund të shpjegojë arsyen pse e kreu aktin e provokimit që i hapi shtegun interesave Lindore. Shpjegimi është i thjeshtë, fatkeqësisht: Në lëkurën e politikës shqiptare, qindra herë ka ndodhur që mjafton një gërvishtje e vogël dhe aty zbulohet plaga e Perëndimit. Njësoj si fëmijët kur lahen në rezervuarin e fshatit dhe prindërit i zbulojnë me një gërvishtje të vogël në lëkurë. Sapo preken interesat sunduese të disa pushtetarëve shqiptarë, aty zbulohet se me Perëndimin kanë ‘luajtur’ veç sa për t’u dukur si pro-perëndimorë. Ende nuk dimë botërisht cili ishte projekti i kryeministrit Kurti me ndezjen e  krizës në Veri, por të paktën  dimë qartë dy gjëra:

E para, që fuqitë e Perëndimit u tronditën dhe u instaluan në Veri të Kosovës ku kanë investuar përkujdesjen më të madhe të shekullit.

E dyta, është krejt e qartë se Kosova nuk është më ajo që ishte para të premtes, në 29 Maj.

Se për ku po e drejtonte vendin e vet, Kosovën, qeveria Kurti; këtë ende nuk mund ta themi. Ka vëzhgues që mendojnë se po e bëjnë gati si satelite të Rusisë, por kjo nuk duket e realizueshme. Ka të tjerë që mendojnë se për qeverinë është më me interes një shtet i dobët, i llojit B&H, gjë që mund të ketë ndonjë lidhje. Ndonjë lidhje mund të ketë edhe presioni që besohet se ushtrojnë mbi qeverinë grupet radikale Islamiste të cilat ishin grupuar edhe në shërbim të Shtetit Islamik; por edhe kjo ditën e fundit nuk mund të funksionojë…

Në qindra raste devijimi i orientimit të qytetarisë shqiptare nga Perëndimi drejt të kundërtës, nuk ka funksionuar; edhe pse ka ekzistuar si rrezik. A mund ta dëbojë Perëndimin qeveria Kurti nga hapësirat e Kosovës?

Me gjithë dyshimet, duket e pamundur.

Nga vijnë dyshimet?

Kjo që ndodhi në Veri na zgjon kujtesën e viteve të fundit. Kujtesa na sjell para syve fantazmën ‘Kurti’ gjatë qeverisjes së parë, tek vërtitej mbi Shqipëri me qëllimin që të rrëzonte rendin kushtetues në vend. Tentoi krijimin e një fronti që e quajti ‘partia VV’ për të prishur rendin dhe sigurinë… Pastaj thërriti për ‘revolucion’ duke u bazuar në vendosjen e traut të autostradës në Kalimash… pastaj edhe një spektakël në Korçë ku këndonte një këngëtar serbo- boshnjak. Në të gjithë udhëtimin e tij, Kurti ecte dorë përdore me Berishën dhe Metën- njëri i shpallur i padëshiruar për SHBA dhe tjetri luftëtar i vetëshpallur kundër SHBA…

Ende Berisha i dërgon Kurtit telegrame kuraje ‘qëndro në Veri’ kundër Perëndimit. Kujtesa na çon në plot ngjarje historike kur pushtetarë shqiptarë e kanë shumë afër nën lëkurë qëndrimin anti-perëndimor. Sigurisht që edhe pse në momente rreziku, këta nuk kanë mundur ta devijojnë orientimin kombëtar pro- perëndimor. Këta pushtetarë ‘i marrin hov Perëndimit kundër’, por nuk e bëjnë dot. Shikoni çfarë po ndodh në Tiranë, me të dy ata që kanë qenë në krye të shtetit… Por ende nuk ‘po iu ndez’. A kemi ndonjë instrument që vetë shteti duhet ta korrektojë ose ta përsosë? Kriza në Veri të Kosovës pikërisht këtë po na sjell në sy. Duhet përsosur ligji si arsye e kombit dhe shteti si institucion i natyrshëm i kombit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Autoriteti Palestinez formon kabinetin e ri

Autoriteti Palestinez formon kabinetin e ri