Garancia e dytë sovrane ende jo efektive! 'Financat' dhe bankat s'kanë firmosur marrëveshjen (VIDEO)

Garancia e dytë sovrane prej 150 milionë dollarësh, ende nuk është efektive kjo për shkak se Ministria e Financave dhe sektori bankar ende nuk kanë firmosur Marrëveshjen e Garancisë, që i hap rrugën edhe këtij procesi. Bizneset do të kenë mundësi të marrin 300 milionë lekë, për investime dhe likuiditet, por me mosmiratimin e kësaj marrëveshje procesi ka mbetur pezull dhe kredia sovrane ende nuk është funksionale.

Më 13 maj Këshilli i Ministrave miratoi garancinë e dytë sovrane në vlerën e 15 miliardë lekëve, me normë interesi 5%, por pas thuajse tre javësh ende nuk është efektive. Kjo garanci sovrane kishte një sërë kushtesh dhe kriteresh që duheshin plotësuar nga biznesi. Shteti, ndryshe nga garancia e parë të cilën e mbuloi 100 përqind,  tek e dyta merr përsipër vetëm 60% të vlerës së kërkuar si kredi, ndërsa 40% mbulohet nga bankat. Sektori bankar do të realizojë edhe analiza risku për bizneset që do të aplikojnë.

Këto subjekte duhet të sigurojnë edhe kolateral që të jenë përfitues. Për bizneset analizat e riskut, konsiderohen pengesë, pasi ata nuk do të mund të kapërcejnë kushtet e bankave sepse pandemia i ka dëmtuar financiarisht. Burime nga sektori bankar thonë se disa banka të nivelit të dytë e kanë firmosur marrëveshjen e garancisë, ndërkohë të tjera janë në proces shqyrtimi, ndërsa nga Ministria e Financave shprehen, se kredia do të jetë funksionale javën e parë të qershorit.

Ndërkohë një garanci e tretë mund të miratohet përsëri në muajin qershor. Në muajin qershor pritet të kemi rishikimin e tretë të buxhetit të shtetit për vitin 2020, pasi do të krijohet paketa e rimëkëmbjes, për t’ju dhënë ndihmë bizneseve që janë dëmtuar nga COVID-19, për të rimarrë veten dhe për të vijuar normalisht aktivitetin e tyre.

Pjesë e paketës së rimëkëmbjes pritet të jetë edhe një garanci e tretë sovrane, për të cilën ende nuk janë bërë të ditura detajet apo sektorët se cilët mund të mbështesë kjo garanci e tretë. Sa i takon garancisë së parë prej 11 miliardë lekësh që jepet për deri në tre paga mujore për punonjësit, deri tani kanë aplikuar 674 biznese dhe ju është miratuar 342 aplikime. Pra aktualisht kredia sovrane pa normë interesi është miratuar vetëm për rreth 50% të bizneseve.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman