Gjermania dhe SHBA së bashku kundër krizës ushqimore pas luftës në Ukrainë

Gjermania dhe SHBA së bashku kundër krizës ushqimore pas luftës në Ukrainë

1656104198_62252325303.jpg

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit) dhe homologu i saj amerikan Antony Blinken duan të bëjnë më shumë së bashku kundër krizës ushqimore që kërcënon pas luftës në Ukrainë. "Mesazhi ynë si G7 është i qartë. Ne nuk do të lejojmë që lufta e agresionit rus ta zhysë botën në zi buke. Ne po veprojmë së bashku," tha Baerbocku të premten në Berlin gjatë një takimi me Blinkenin. Ai po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare për sigurinë ushqimore pak para samitit të G7 në Elmau.

Vendet më të fuqishme të industrializuara në botë po veprojnë me përgjegjësi të veçantë, edhe nëse nuk e shkaktuan këtë krizë urie, e cila po përkeqësohet me luftën ruse të agresionit, tha  Baerbocku. "Ne veprojmë së bashku, si partnerë të G7-ës, me miqtë tanë ndërkombëtarë, ndërsa Rusia, me luftën e saj cinike të grurit, godet qëllimisht çmimet e ushqimeve për të destabilizuar vende të tëra."

Blinken falënderon Gjermaninë për rolin drejtues

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e falënderoi Gjermaninë për rolin drejtues në këtë çështje. "E vetmja arsye që kjo po ndodh tani është agresioni i Rusisë kundër Ukrainës dhe bllokimi i grurit dhe produkteve të tjera ushqimore nga Rusia që do të eksportohen nga Ukraina”, tha ai. "Ne jemi të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta. Ne jemi të bashkuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar”, shtoi ai.

Blinkeni theksoi se për shkak të luftës së shkaktuar nga Rusia, këtë vit kërcënohen nga uria 40 milionë njerëz të tjerë.

Baerbocku dhe Blinkeni folën në kuadër të një konferencë ndërkombëtare mbi sigurinë ushqimore. Në konferencën për sigurinë ushqimore të mbajtur në kryeqytetin gjerman Berlin marrin pjesë më shumë se 50 delegacione.

Konferenca organizohet nga Ministria e Jashtme e Gjermanisë, Ministria e Bujqësisë dhe Ndihmës Zhvillimore. Sipas Baerbockut, në mbarë botën aktualisht vuajnë nga mungesa e madhe e ushqimit 345 milionë njerëz. Kjo është një situatë "që po krijohet para nesh si një valë kërcënuese për jetën", tha ajo në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Bujqësisë Cem Özdemir dhe Ministren e Ndihmës Zhvillimore Svenja Schulze.

Lufta e agresionit të Rusisë tani "ka kthyer një valë në një cunami", tha Baerbocku. Ajo tha se nevojitet një ndihmë emergjente prej 44 miliardë eurosh. Komisioni Evropian ka kërkuar ndihmë, por është siguruar vetëm gjysma e saj./DW


Lajmi kryesor:

Lufta në Ukrainë/ Blinken: Bllokimi i grurit është vendim politik rus! Lavrov: BE dhe NATO, si Hitleri! Po përgatisin luftë kundër Rusisë


A.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Arrestimet në bashkinë e Tiranës, deputeti socialist në 'Frontline': Ja lumsha SPAK-ut, të korruptuarit atje ku e meritojnë

Arrestimet në bashkinë e Tiranës, deputeti socialist në 'Frontline': Ja lumsha SPAK-ut, të korruptuarit atje ku e meritojnë