Gjermania para një recesioni? Ç'mendojnë ekonomistët?

Shefi i ri i këshillit të ekspertëve për vlerësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik parashikon një recesion të rëndë sivjet, por jo rënie me më shumë se dhjetë përqind. Kështu u shpreh Lars Feld të martën (24.03) pas konsultimeve me kryeekonomistët dhe ministrin e Ekonomisë, Peter Altmaier. Instituti i Mynihut, Ifo ka përllogaritur skenarë me humbje deri në minus 20 përqind për vitin 2020. Por, sipas ekspertit Feld një rënie me më shumë se dhjetë përqind është mjaft pesimiste. Lars Feld nga Freiburgu është shef i të ashtuquajturit këshilli i „kokave të ekonomisë", që këshillon qeverinë.

Feld deklaroi se këshilli do të bëjë një ekzaminim të posaçëm për pasojat e krizës Corona. Altmaier pas video-konferencës tha, se humbjet ekonomike parashikohet të jenë më të mëdha se gjatë krizës financiare në vitin 2009. Atëherë ekonomia gjermane ra me 5,7 përqind. Qeveria me një paketë ndihme prej miliardash ka hedhur hapin e parë për zbutjen e pasojave ekonomike. Por duhet të ndërmerren edhe masa të tjera, që ta nxjerrin Gjermaninë nga kriza.

Synohet që të mos humbasë nga fokusi një hop i ri pas krizës Corona dhe që të nxiten forcat e zhvillimit ekonomik, kur të ulet numri i infeksioneve dhe kufizimet në  jetën publike mund të shfuqizohen. Shefi i „kokave të ekonomisë", Feld, tha, se pas „zbehjes" së masave për mbrojtjen e shëndetit nevojiten „shkëndija" në drejtim të tatimeve. Shumë gjëra do të varen, se sa shpejt Gjermania do të dalë nga kriza ekonomike dhe nëse më 2021 do të mund të ketë një hop të shpejtë si pas krizës financiare.

Altmaier kundër bonove Corona

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmeier më parë i refuzoi prerazi borxhet e përbashkëta të vendeve të Euros për të luftuar pasojat ekonomike të pandemisë Corona. „Ne jemi të gjithë të vendosur, ta pengojmë me gjithçka është e mundur një krizë të re borxhesh në Europë ", i tha ai gazetës Handelsblatt. "Por këshilloj për kujdes, nëse prezantohen gjoja koncepte të reja, gjeniale, të cilat shpesh janë përsëritje e koncepteve të refuzuara kohë më parë." Për zbutjen e pasojave ekonomike nga përhapja e virusit Sars-CoV-2 në nivel të BE-së po diskutohet për të ashtuquajturat bono Corona. Këto janë kredi të përbashkëta të dhëna nga institucionet e BE-së.

Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen të premten e kaluar (20.03) u shpreh e hapur për të tilla bono. Altmaier në të kundërt e konsideron të rëndësishme, që të forcohet aftësia e konkurrencës në Europë. "Inovacioni është më i rëndësishëm se subvecioni, dhe pikërisht për këtë ne do të vendosim piketat", i tha ai gazetës Handelsblatt. Qeveria gjermane vazhdimisht në të shkuarën ka qenë kundër të tilla kredive duke argumentuar, se prej tyre krijohet kolektivizimi i borxheve dhe riskut./ DW

b.l./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A e ka menaxhuar në mënyrën e duhur sistemi shëndetësor emergjencën e krijuar nga koronavirusi?

Komento