Gjiknuri takim me banorët në Himarë dhe Qeparo: Mos çoni asnjë votë dëm te PD-LSI! PS është alternativë e sigurt

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Vlorës, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga kandidati për deputet Niko Kuri dhe nga Kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, zhvilloi takimet elektorale në Himarë dhe Qeparo.

Në Himarë, Gjiknuri u ndal te investimet e realizuara gjatë dy mandateve të qeverisjes, ku tha se çështja e regjistrimit fillestar të pronave, një problematikë e kthyer në gangrenë shumëvjeçare për Himarën, tanimë është në rrugën e duhur, falë bazës ligjore.

Gjiknuri u shpreh se pas përfundimit të regjistrimit të pronave në Iliaz dhe Gjilekë, pritet të nisë procesi në Livadh, Himarë dhe Dhërmi, deri në pajisjen e të gjitha fshatrave të jugut me certifikatën e pronësisë.

"Kandidati i PD, që nuk ka asnjë lidhje me Himarën, ka deklaruar se të gjitha projektet e implementuara në Qarkun e Vlorës do t'i kthejnë pas. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Partitë e tjera nuk kanë lidhje me këtë krahinë. Ata nuk kanë një kandidat që t'ju përfaqësojë juve e jo më të dinë hallet tuaja. Në Bashkinë Himarë partitë e tjera  nuk duhet të marrin asnjë votë pasi nuk i lidh asgjë me Himarën. As Omonia nuk ofron më asgjë pasi në të kundërt do ta kishin një kandidaturë përfaqësuese, por ashtu siç të gjitha partitë e tjera kanë zero interes për Himarën, kanë dhe zero kandidaturë përfaqësuese për këtë zonë" theksoi Gjiknuri.

Ai nuk la pa "shigjetuar" as opozitën, duke e konsideruar ofertën e tyre politike si "të papërshtatshme", ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që ta konsiderojnë referendum votën e 25 Prillit në mbështetje të projekteve transformuese për qarkun.

"Partia Demokratike nuk ju solli asnjë përfaqësues, mos i jepni asnjë votë ndërsa LSI- së që vijnë t'ju kërkojnë vota për pushtet e për të sistemuar në punë njerëzit e tyre përgjigjuni vetëm me vota për PS-në. T'ia japim Ilir Metës referendumin që kërkon duke nxjerrë 9 mandate për Qarkun e Vlorës, si mbështetje masive e gjithçkaje të nisur. Është kjo arsyeja përse vota juaj duhet të shkojë vetëm për numrin 12, për Partinë Socialiste, për të bërë më të mirën për Himarën dhe për gjithë qarkun e Vlorës", u shpreh Gjiknuri.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Donald Trump në gjyqin e parë penal ndaj një ish Presidenti

Donald Trump në gjyqin e parë penal ndaj një ish Presidenti