Gjinushi për Report TV: Nëse s'do ishin marrë masat, bilanci do ishte 2-3 fish më i rëndë! Të gjithë të sillemi sikur jemi me COVID-19 (VIDEO)

TIRANË- Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, shprehet se qytetarët duhet të sillen të gjithë sikur janë të prekur me koronavirus, kështu do të mbrojnë veten, por edhe të tjetër. Për Gjinushin, nëse nuk do të ishin marrë masat apo nuk do të ishin respektuar në pjesën më të madhe të tyre, do të kishim një bilanc 3-4 fish më tragjik. Në një intervistë për Report Tv, Gjinushi vë theksin se 90% e përballimit të kësaj situate është në dorën e njerëzve, 10% nga personeli mjekësor apo shkenca.

"Lufta kryesore është luftë shifrave. Përhapja e pandemisë në çdo vend varet nga dy faktorë nga shkalla e ngjitshmërisë apo përhapjes dhe nga mobilizimi i popullsisë, pra se sa shkëmbehen qytetarët me njëri-tjetrin. Ne të parën nuk mundemi ta bëjmë, nuk e ngadalësojmë dot, atëherë jemi të detyruar të bëjmë kufizimet sociale. Sot mund të ishim në 3-4 fish të shifrave që jemi, nëse do e kishim lënë sëmundjen natyralisht, nëse shoqëria do bënte një jetë normale, pa kufizimet, pa higjienë. Sot do ishim minimumi te 3-4 fishi, këtë e tregon përvoja e Kinës apo në Itali, ku numrat janë rritur në shumfish në Lombardi, por kanë qenë shumë të kontrolluar në Venecia, se janë respektuar më shumë masat. Të gjithë duhet ta konsiderojnë veten si mbartës të virusit dhe duhet të mbrojnë veten e tij dhe të tjerët. Dhe kështu bie fluksi dhe puna e bluzave të bardha. Ritmin e rritjes e përcakton sjellja e qytetarëve. 90% e kemi në dorë vetë, 10% nga efikasiteti i kujdesit shëndetësor", tha Gjinushi, teksa vuri theksin edhe tek rëndësia e fondeve.

"Vendosja në kontroll është kryesorja. Fondet pastaj janë të domosdoshme, për mbrojtje të personelit mjekësor, por edhe për të minimizuar humbjet e jetës. Më pas duhet mbrojtja e atyre që janë në kontakt me shërbimet sociale, fonde dhe për të zhvilluar më shumë teste, që të mos varen shpresat tek kufizimi, por edhe tek zbulimi', tha kreu i Akademisë së Shkenca për Report Tv.

Ai ka lexuar edhe deklaratën e Akademisë së Shkencave lidhur me situatën e krijuar nga virusi SARS-COV-2 në vendin tonë dhe punën e bërë deri më tani nga kjo Akademi dhe komisionit të shëndetësisë, në varësi të saj.

Deklarata e plotë e Akademisë së Shkencave
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka ndjekur prej disa javësh në mënyrë sistematike dhe proaktive situatën e krijuar nga virusi SARS-COV-2 në vendin tonë. Akademia e Shkencave, nëpërmjet komisionit të shëndetësisë, është duke shkëmbyer dhe analizuar të dhëna nga burime të specializuara ndërkombëtare, si dhe të dhëna laboratorike, spitalore e epidemiologjike të vendit tonë. Në këtë kontekst, anëtarë të komisionit të shëndetësisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sikurse prof. Alban Ylli, prof. Arjan Harxhi, prof. Edvin Prifti, prof. Genc Sulçebe, prof. Perlat Kapisyzi etj., që në fillim kanë qenë të përgjegjshëm dhe aktivë për sensibilizimin e opinionit publik e të institucioneve kompetente, për shpërndarjen e informacionit shkencor dhe thjeshtimin e këtij informacioni për popullatën, duke dhënë sugjerimet e duhura për përballimin sa më mirë të pandemisë, si dhe për shkëmbimin e informacionit shkencor me insititucionet më serioze ndërkombëtare.

Mbështetur në informacionin e pasur, shkencor dhe serioz të komisionit të shëndetësisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë vlerëson t’i drejtohet drejtpërsëdrejti publikut të gjerë, pasi konstaton se Shqipëria tashmë ka hyrë në fazën më kritike të qarkullimit intensiv në popullatë të virusit SARS-COV-2 dhe se masa më efikase në këtë periudhë është izolimi i virusit nëpërmjet kufizimeve sociale e ndërgjegjësimit të çdo individi për respektimin maksimal të tyre. Për këto arsye Akademia e Shkencave, komisioni i shëndetësisë pranë saj, mbështesin plotësisht masat e marra nga Qeveria e Shqipërisë për të përballuar gjendjen e pandemisë dhe njëherësh nënvizojnë se, në mungesë të tyre, situata do të kishte qenë shumë më e vështirë dhe me pasoja jashtëzakonisht të rënda për shëndetin e popullatës dhe gjithë shoqërinë shqiptare.

Shifrat flasin vetë. Me ecurinë normale të pandemisë sot tek ne do të kishte tashmë mbi 500 të infektuar me SARS-COV-2 nga 146 që kemi tani, në saje të kufizimeve të ndërmarra. Përvoja e vendeve të tjera dëshmon qartë se rritja e infeksionit është deri katastrofike për sa kohë që nuk zbatohen kufizimet e masat sociale, ndërsa pandemia mbahet nën kontroll kur masat respektohen. Ecuria e përhapjes së virusit në 10 ditët e ardhshme varet vetëm prej nesh, me një armë të thjeshtë: Duke ruajtur veten, të afërmit e kolegët nga kontaktet e drejtpërdrejta fizike. Ngujimi në shtëpitë tona kërkon ndërgjegjësim të gjithsecilit prej nesh për rrezikun e madh që na kanoset si individë, por dhe si komunitet, për të mos përjetuar pësimet e të tjerëve. Këto ditë janë përcaktuese për përballimin e pandemisë me sa më pak humbje njerëzore.

Akademia e Shkencave, komisioni i saj i shëndetësisë, janë në mbështetje të kolegëve të tyre, të mjekëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të shërbimit shëndetësor, të gjithë atyre që janë në vijë të parë të konfrontimit me COVID-19, të cilëve u drejtojmë një falënderim të veçantë, ashtu si dhe policisë së shtetit, forcave të armatosura, reporterëve dhe punonjësve të tjerë që janë në detyrë dhe i shërbejnë me përkushtim gjithë popullatës në vendin tonë. Duke vlerësuar maksimalisht përkushtimin e profesionalizmin e tyre në përballimin e situatës, u bëjmë thirrje gjithë strukturave shtetërore dhe qytetarëve të jenë sa më të kujdesshëm në mbrojtjen e tyre nga infeksioni, duke i ruajtur e pajisur ata në vazhdimësi me mjetet e nevojshme.

Akademia e Shkencave e komisioni i saj për shëndetësinë vlerësojnë se në vijimësi masat do të duhet të përshtaten me dinamikën e situatës në vend dhe me përvojën ndërkombëtare më të mirë. Për këtë do të bashkëpunojmë me institucionet e specializuara shkencore dhe me kolegët e vijës së parë për marrjen dhe transmetimin e informacioneve dhe të praktikave më të suksesshme. Akademia e Shkencave dhe komisioni i saj i shëndetësisë do të punojnë në vazhdimësi për vlerësimin e situatës, duke mbledhur dhe interpretuar çdo informacion në lidhje me SARS-COV-2 që shkakton COVID-19; raportime shkencore dhe përvoja të reja mbi terapitë e mundshme, në mënyrë që t’u japë mundësi shkencës dhe dijes të luajnë rol aktiv në mbështetje të institucioneve qeverisëse dhe të atyre joqeveritare të angazhuara në luftën ndaj pandemisë. Kjo do të jetë një luftë jo e shkurtër, por shkenca do të triumfojë në favor të Njerëzimit.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Akad. Skënder Gjinushi         Kryetari i komisionit të shëndetësisë
Akad. Anesti Kondili
Anëtarët e komisionit të shëndetësisë
Prof. Alban Ylli
Akad. Anesti Kondili
Prof. Anila Godo
Prof. Arjan Harxhi
Akad. Bashkim Resuli
Akad. Besim Elezi
Prof. Edvin Prifti
Prof. Genc Sulçebe
Prof. Mentor Petrela
Akad. Nestor Thereska
Prof. Perlat Kapisyzi

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 26/03/2020 13:16

    Bravo shoku Gjinushe, partia të ka bire!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Dasmë në Big Brother, Heidi dhe Romeo do të martohen

Dasmë në Big Brother, Heidi dhe Romeo do të martohen