Ish kompleksi “Partizani” shikohej si një aset i domosdoshëm për zhvillimin e sportit në vitin 2008 por qeveria e Berishës nuk e begenisi strategjinë e ekspertëve, duke vijuar me shpejtësi procedurat për privatizim.

Para togave të zeza të GJKKO, ish drejtoresha e sporteve në ministrinë përgjegjëse në qeverisjen Berisha, Violeta Shqevi, e bëri të qartë që ekspertët ishin totalisht kundër privatizimit dhe tjetërsimit të ambienteve.

“Qëllimi i strategjisë ka qenë zhvillimi i sportit elitar , sportit masiv, sigurisht që do arrihej me disa mekanizma të rëndësishme, siç ishte rritja e infrastrukturës në vend. Për ne ishte shumë e rëndësishme zhvillimi i aktivitetit sportiv, Klubi Sportiv ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë. Drejtoria e sportit ka qenë e qartë dhe e prerë, kemi kërkuar rritje të infrastrukturës. Nuk u miratua strategjia për shkak të mungesës së fondeve gjatë 2008”, tha ajo.

Shqevi thotë se u kërkua të zbatohej ligji dhe ish pronarëve pronat t’i ktheheshin në ambiente të tjera por kjo nuk u pranua.

“Propozuam që të zbatohej ligji rumun që thonte ministria përgjegjëse për sportet dhe qeveria do duhej ti zëvendësonte ato në një vend tjetër.  Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive, pa ndryshim destinacioni. Nuk ishim ne vendimmarrësit, ne kërkuam zbatimin e ligjit”, dëshmoi ajo.  

Mbrojtja e Jamarbër Malltezit, të pandehur për korrupsion e pastrim parash, e pyeti për ndryshimin e ligji për sportin, që i hapi rrugë ndërtimeve në ish kompleksin “Partizani”.

“Unë përfaqësoja drejtorinë e sportit, kam paraqitur mendimin tim dhe aktoreve qe punuam, donim ndërtimin e një qendre dhe rritjen e infrastrukturës sportive, ne kërkuam mbrojtjen e sportit. Eprorët e dinin. Luftuam qe te mos ndryshohej destinacioni, por varianti përfundimtar i ligjit u miratua me ndryshim destinacioni”, vijoi ajo.

Thuajse të gjithë avokatët e mbrojtjes e morën në pyetje Shqevin, me ish drejtoreshën që përsëriste se s’ka nënshkruar kurrë asnjë shkresë për privatizim.

Në dosjen e SPAK thuhet se ligji për “Sportin” ndryshoi disa herë, derisa u qep si kostum për planin e Malltezit për të ndërtuar 19 kulla në territorin e ish klubit sportiv.

Fillimisht ligji nuk lejonte privatizimin dhe dhënien me koncesion, në të dyja rastet pa iu ndryshuar destinacioni. Pango dhe dikasteri që ai drejtonte e ndryshuan ligjin, duke e ndaluar privatizimin, por disa muaj më vonë me ndërhyrje të Berishës bëhet një tjetër ndryshim ligjor. Tashmë do të lejohej jo vetëm dhënia me koncesion por edhe privatizimi i plotë në favor të pronarëve, madje duke i dhënë të drejtën atyre që të ndryshonin destinacionin. Ashtu siç në fakt ndodhi në ambientet e ish klubit Partizani, ndërtimi i dhjetërave kullave.

 

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:02
Si u ndryshua me urgjencë ligji që i hapi rrugë privatizimit të ish-klubit Partizani, dëshmon ish-drejtoresha e Sporteve: Donim që të mos ndryshonte destinacioni, ligji u miratua ndryshe

Ish-drejtoresha e Sporteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Violeta Shqevi, deklaroi në gjyqin për aferën Partizani se Drejtoria e Sportit kishte kundërshtuar ndryshimin e destinacionit të objekteve sportive dhe kishte kërkuar që zhvillimi i sportit të mbështetej përmes rritjes së infrastrukturës, por varianti përfundimtar i ligjit e miratoi.

Në dosjen e SPAK thuhet se ligji për “Sportin” ndryshoi disa herë, derisa u qep si kostum për planin e Malltezit për të ndërtuar 19 kulla në territorin e ish klubit sportiv.  Fillimisht ligji nuk lejonte privatizimin dhe dhënien me koncesion, në të dyja rastet pa iu ndryshuar destinacioni. Pango dhe dikasteri që ai drejtonte e ndryshuan ligjin, duke e ndaluar privatizimin, por disa muaj më vonë me ndërhyrje të Berishës bëhet një tjetër ndryshim ligjor. Tashmë do të lejohej jo vetëm dhënia me koncesion por edhe privatizimi i plotë në favor të pronarëve, madje duke i dhënë të drejtën atyre që të ndryshonin destinacionin. Ashtu siç në fakt ndodhi në ambientet e ish klubit Partizani, ndërtimi i dhjetërave kullave.

Pjesë nga dëshmia (pyetje-përgjigje)

Mbrojtja: Ishit dakord me ndryshimet ligjore?

Violeta Shqevi: Unë përfaqësoja Drejtorinë e Sportit. Kam paraqitur mendimin tim dhe të aktorëve që punuan në këtë proces. Ne synonim ndërtimin e një qendre sportive dhe rritjen e infrastrukturës sportive. Kërkuam mbrojtjen e sportit sipas modelit rumun.

Mbrojtja: Ia paraqitët eprorëve këto qëndrime?

Violeta Shqevi: Po. Të gjitha janë të dokumentuara. Ia kemi paraqitur ministrit dhe zëvendësministrit.

Mbrojtja: Ju mendonit që të mos ndryshonte destinacioni i objekteve? Apo që pronarët të mos përfshiheshin në proces?

Violeta Shqevi: Ne kërkuam që të mos ndryshonte destinacioni. Gjithashtu kërkuam që të zbatohej ligji për kompensimin e metrave katrorë.

Mbrojtja: Ka një relacion për dërgimin e projektligjit të Sportit kur u çua në kuvend, është realizuar qëllimi i ministrisë suaj?

Shqevi: Qëllimi ishte të rritej cilësia sportive për zhvillimin e klubeve.

Klodian Skënderi, avokati i Malltezit: Keni pasur dijeni se në territorin e klubit ka pasur familje informale?

Violeta Shqevi: Po, kishim dijeni, por nuk e dinim numrin e tyre. Gjithashtu, nuk njihnim statusin juridik të pronarëve të parcelave të ndryshme.

Klodian Skënderi: A kishit dijeni për procedurat e privatizimit?

Violeta Shqevi: Nuk kisha asnjë informacion. Kishim shqetësime lidhur me lejet e ndërtimit, por nuk kishim asnjë informacion zyrtar për procedurat e privatizimit. Asnjë të dhënë për leje ndërtimi apo zhvillimi.

***

Mbrojtja sjell nje dokument, memo, me firmë te deshmitares, ku vetë ka shkruar shqetësimet

Violeta Shqevi: Nuk më kujtohet në detaje përmbajtja, por memoja mban firmën time. Kam pasur shqetësime dhe kam kërkuar regjistrimin e pronave të kompleksit “Partizani”, pasi ato nuk ishin të regjistruara.

Violeta Shqevi: Kjo shkresë është firmosur prej meje dhe është hartuar mbi bazën e shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e klubit. Në të citohet edhe një vendim i KRT-së i vitit 2007 për një shesh ndërtimi.

Mbrojtja: Kjo shkresë ndodhej në ministri. A keni komunikuar ju për këtë çështje?

Violeta Shqevi: Nuk kam nënshkruar asnjë shkresë që lidhej me privatizimin. Kam qenë në territorin e klubit dhe gjendja ishte e rënduar, pasi prej vitesh nuk kishte pasur investime.

Ora 11:28
Afera Partizani/ Dëshmon ish-drejtoresha e Sporteve: Synonim zhvillimin e sportit elitar, ‘Partizani’ kishte asete, ishte i rëndësishëm për Shqipërinë

1779282937_dosjapartizani.jpg

Në gjyqin e aferës Partizani, dëshmoi ish-drejtoresha e Sporteve Voioleta Shqevi e cila është thirrur bashkë me ish-ministrin Ylli Pango, nga të cilët SPAK synon të zbardhë se si të dy u vunë në dispozicion të urdhrave të Berishës për të bërë gjithçka për privatizimin e “Partizanit” dhe pse e ndryshuan disa herë ligjin për “Sportin” derisa u qep si kostum për planin e Malltezit për të ndërtuar 19 kulla në territorin e ish klubit sportiv. Para trupës gjykuese, Shqevi tha se se ka qenë koordinatore e strategjisë së sportit 2008-2020, duke thënë se qëllimi i kësaj strategji kishte synim zhvillimin e sportit elitar.

Sipas saj, Klubi Sportiv Partizani kishte një rëndësi të veçantë për sportin shqiptar dhe dispononte asete të konsiderueshme, ndërsa qëllimi i Ministrisë së Sporteve ishte zgjerimi i infrastrukturës sportive dhe jo ndryshimi i destinacionit të objekteve.

Pjesë nga dëshmia e Violeta Shqevit

Përgjigjja e Shqevit për SPAK

Violeta Shqevi: Kam qenë e punësuar pranë Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, fillimisht si juriste në vitin 2007, më pas si drejtoreshë. Kam qenë në rolin e kryetares dhe koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.

Qëllimi i strategjisë ka qenë zhvillimi i sportit elitar dhe i sportit masiv, gjë që do të arrihej përmes disa mekanizmave të rëndësishëm, siç ishte rritja e infrastrukturës sportive në vend. Në atë kohë, klubet sportive ishin persona juridikë publikë. Synohej modernizimi i klubeve sportive, të cilat do të kishin një qasje të re dhe duhej të ishte e qartë mënyra se si do të zhvilloheshin. Na ishte lënë një afat dyvjeçar.

Klubin Partizani e njoh si klub sportiv. Në atë kohë ne menaxhonim të gjithë klubin shumësportësh, me përjashtim të futbollit. Klubi kishte asete që nuk ishin në përgjegjësinë tonë të drejtpërdrejtë dhe për këtë arsye u shfaqën shqetësime nga drejtuesit.

Asetet ndodheshin në qendër të klubit. Zona ishte pranë shkollës “Naim Frashëri”, poshtë rrugës “Frosina Plaku”. Sipër palestrës së gjimnastikës kishte një palestër tjetër, ndërsa në një godinë tjetër zhvillohej mundja dhe disa sporte të tjera. Për ne ishte shumë i rëndësishëm zhvillimi i aktivitetit sportiv. Klubi Sportiv Partizani ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë.

Në tetor 2007 kam qenë pjesë e stafit të Drejtorisë Juridike. Sigurisht që shihej një qasje e re për zhvillimin e sportit. Shteti kishte vendosur një afat dyvjeçar për transformimin e klubeve sportive në shoqëri aksionare. U pa si e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të merreshin në konsideratë format e koncesionit.

Në vitin 2008 u ngrit një grup teknik për përcaktimin e disa objektivave strategjikë për zhvillimin e sportit, një prej të cilëve ishte infrastruktura. Drejtoria e Sportit ka qenë e qartë dhe e prerë; ne kemi kërkuar rritje të infrastrukturës sportive dhe kemi bërë përpjekje për sigurimin e sipërfaqeve, pasi ekspertët teknikë ishin shprehur se sipërfaqja sportive për frymë në Shqipëri ishte 0.008.

Ne propozuam që të zbatohej modeli rumun, sipas të cilit ministria përgjegjëse për sportin dhe qeveria do të duhej t’i zëvendësonin këto sipërfaqe në një vend tjetër. Ky ishte vendim i qeverisë, por ne duhej të ishim konsekuentë në mbështetjen e grupit teknik.

Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive, pa ndryshuar destinacionin e saj. Nuk ishim ne vendimmarrësit; ne kërkuam zbatimin e ligjit.

Përgjigjja e Shqevit për mbrojtjen

Violeta Shqevi: Kompetencat e mia ishin organizimi i drejtorisë përkatëse, hartimi i politikave dhe detyra të tjera në përputhje me legjislacionin. Ne nuk kishim lidhje me pasuritë e paluajtshme. Klubi sportiv, sipas ligjit, është një organizatë sportive që funksionon si shoqëri aksionare pas vitit 2005. Objektet sportive janë objektet sportive të mbyllura.

Strategjia për të cilën po punonim vazhdonte të trajtohej pranë Ministrisë së Financave. Kjo e fundit pretendonte se kostot ishin të larta. Për këtë arsye strategjia nuk mori miratimin e Ministrisë së Financave. Strategjia nuk u miratua për shkak të mungesës së fondeve gjatë vitit 2008.

Çfarë thuhet në dosjen e SPAK për Shqevin?

Violeta Shqevi, përveç çështjes së ndryshimeve në ligjin për Sportin, në dosjen e SPAK përmendet edhe për një shkresë më datë 26 nëntor 2008 përmes së cilës i thoshte ministrit Pango dhe drejtuesve të tjerë të dikasterit se edhe klubi sportiv Partizani por edhe klubi i futbollit me të njëjtin emër funksionin normalisht dhe aktiviteti i tyre duhet mbështetur.

Pra, megjithëse të dy klubet kanë funksionuar, nuk janë marrë masa për privatizimin e aksioneve të klubeve por është proceduar sikur këto klube nuk kryenin ndonjë aktivitet me interes publik, nuk ekzistonin, duke i hapur rrugë fillimisht kthimit dhe kompensimit të pronave e më pas edhe privatizimit.

Një tjetër moment i Shqevit që evidentohet është një tjetër memo që ajo i dërgonte Pangos më 14 prill 2008, e njoftonte titullarin e saj për një konflikt në ambientet e klubit “Partizani”. Në këtë kohë, megjithëse nuk ishin privatizuar ende objektet, kjo gjë nuk e ka penguar shoqërinë Kontakt sh.p.k. për fillimin e punimeve. Shqevi thoshte se vendi i ish fushave të basketbollit, është rrethuar për të filluar punimet. Ndër të tjera i sjell në vëmendje zënien forcërisht të shumë pronave të këtij klubi. Prandaj i propozon se duhet të kryhet regjistrimi i pronës sipas VKM nr. 7843 datë 13.07.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" dhe të përcaktohet një person për ndjekjen e procedurës së regjistrimit.

K.B/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Qershor, 21:08

    A e mbështesni protestën kundër investimit në Zvërnec?