Gripi i shpendëve, Zv.ministrja e Bujqësisë: Kanë ngordhur 300 shpendë, rastet e konfirmuara nëpër ferma të vogla shtëpiake! Njerëzit s'rrezikojnë të infektohen

Një ditë më parë, Ministria e Bujqësisë bëri me dije se janë konstatuar rastet e para të Gripit të Shpendëve në vendin tonë, të tipit H5N8, ndërsa zv.ministrja Ermira Gjeçi thekson se situata është nën kontroll. Për gazetaren e "Report Tv", Eliza Gjedikun, Gjeçi është shprehur se rastet e konfirmuara janë në ferma të vogla shtëpiake dhe se deri më tani kanë ngordhur 270-300 shpendë.

Sipas Gjeçit, njerëzit nuk rrezikojnë infektim nga ky virus, ndërsa shton se janë marrë masa, duke ndaluar importin e shpendëve të gjalla dhe produkteve të mishit, nga Kosova, rajone të Greqisë Veriore, Polonia, Sllokvakia, Hungaria, Gjermania, Ukraina, Izraei, Belgjika, Rumania, Çekia, Danimark, etj..

"Në tre vatrat e konstatuara kanë ngordhur 270-300 shpendë. Rastet e konfirmuara janë nëpër ferma të vogla shtëpiake, pula, rosa e pata. Prejardhja e gripit dyshohet nga shpendët e egra migratore. Është ndaluar importi i shpendëve të gjalla dhe produkteve të mishit, Kosovë, rajone të Greqisë Veriore, Poloni Sllokvaki, Hungari, Gjermani, Ukrainë, Izrael, Belgjik, Rumani Ceki, Danimark etj., me qëllim  shmangien e infektimit. Situata është nën kontroll, janë izoluar vatrat dhe janë nën monitorim. Njerëzit nuk rrezikojnë infektim nga gripi i shpendëve", tha Gjeçi.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sëmundja është e pranishme vetëm në 3 vatra, që ndodhen respektivisht në Fushë- Krujë, në Dajt dhe Bujan. 

Intervista e plotë e zëvendësministres së Bujqësisë Ermira Gjeçi 

Një ditë më parë jemi njoftuar nga Ministria e Bujqësisë se në vend janë konfirmuar rastet e para të gripit të shpendëve. Çfarë po ndodh konkretisht?

Dje kemi marrë konstatimin përfundimtar nga instituti i sigurisë ushqimore dhe veterinarisë për prezencën e gripit të gripit të shpendëve apo influencës aviare H5N8 në tre vatra në Shqipëri që janë tre oborre, që janë shpendë të fermave të vogla. Përkatësisht në njësinë administrative Dajt, Fushë-Krujë dhe Bujan. Por përpara se të konstatoheshin tre vatrat në Shqipëri ne jemi informuar nga organizata botërore e shëndetit të kafshëve për prezencën e këtij gripi në një masë të madhe në Evropë, dhe konstatimin e rasteve të para në vendet tona fqinje, Kosovë dhe Greqi. Sapo jemi informuar Ministri i Bujqësisë nxori një urdhër në bazë të së cilëve ndalohet importi i shpendëve dhe nënprodukteve të shpendëve në republikën e Shqipërisë, kjo për të penguar përhapjen e sëmundjes në vend. Paralelisht kemi ngritur qendrën kombëtare të krizës në Ministrinë e Bujqësisë me pjesëmarrjen e varësisë. Kemi informuar institucionet e tjera Ministria e Shëndetësisë dhe të Turizmit  sepse pretendohet se ky lloj gripi ka ardhur nga shpendët e egra migratore dhe aty nuk ka asnjë mjet kontrolli. Po ashtu autoriteti kombëtar i veterinarisë ka marrë masat e menjëhershme për të monitoruar situatën. Tre vatrat janë izoluar, janë të ndara sipas procedurave quhet zona e mbrojtur 3 kilometra nga vendi ku është evidentuar dhe zona e mbikëqyrur 10 kilometra. Në zonën e mbikëqyrur merren masa për monitorimin e situatës duke marrë mostra të shpendëve, për të monitoruar të gjithë situatën.

Në këto tre vatra që ju keni konstatuar sa është numri i shpendëve që kanë ngordhur?

Është diku mes 270-300 numri i shpendëve.

Janë shpendë migratore apo vetëm të oborreve (shtëpiake)?

Kur flasim për oborre janë shpendë shtëpiak. Një nga oborret e konfirmuara, është një kompleks miks që ka edhe pata, rosa dhe pula. Kurse 2 të tjerat janë vetëm me pulat.

Shpendët pas infektimit mund të shpëtojnë apo ngordhin?

Ky gripi i shpendëve nuk është hera e parë që shfaqet rasti i parë në Shqipëri ka qenë në vitin 2006, dhe ka qenë edhe në gjithë botën. Shpendët ngordhin menjëherë sapo shfaqin shenjat e para, kurse shpendët që dyshohen që mund të kenë pasur kontakt, ekzaminohen me analizën e gjakut ose PCR që konfirmon nëse është pozitiv apo negativ dhe më pas ndiqet procedura deri në fund. Ne kemi aprovuar një plan veprimi që ndiqet nga Ministria e Bujqësisë dhe institucionet e varësisë për të gjitha hapat me qëllim për të mos lejuar përhapjen e gripit.

Nga cilat shtete mendoni se mund të jetë përhapur gripi apo nga fqinjët tanë?

Mund të jetë nga fqinjët, mund të jetë nga shpendët e egër, këtë nuk mund ta themi nga ka ardhur. Përderisa ka ardhur deri në kufi dhe ka një përhapje në të gjithë Evropën dhe është infektuar gjithë bota nuk mund të themi gjë.

Një gjë është e rëndësishme, produktet me origjinë shtazore nga shpendët në këtë rast si veza apo mishi, nuk përbëjnë asnjë lloj problematike për njerëzit. Ministria e Bujqësisë gjithmonë rekomandon që gatuhen me temperatura mbi 70 gradë, e themi për të gjitha rastet me origjinë shtazore për të shmangur problematikat.

Pra nga gripi i shpendëve nuk rrezikojnë konsumatorët/qytetarët?

Jo. Konsumi i produkteve nuk krijon asnjë problem. Zonat e kuqe janë vetëm 3 vatra dhe janë nën monitorim nuk do të thotë se aty vazhdon tregtia apo do të ketë. Ndërsa zonat jeshile do monitorohen nga shërbimi veterinar që ne të konstatojmë rastet në kohë. Ne e bëmë publike gjendjen për ti bërë thirrje fermerëve që në rast se ndeshen me problematika të tilla të njoftojnë institucionet përkatëse. Kemi bërë publike emrat e veterinerëve zyrtar sipas bashkive bashkë me numrat e telefonit dh adresat e email për të qenë në kontakt.

E rëndësishme është që tregjet tona furnizohet nga komplekset intensive që janë me masa të larta të biosigurisë dhe janë masa të standardeve të BE. Të gjithë konsumatorët duhet të drejtohen tek tregjet e sigurta dhe tregjet e sigurta janë të kontrolluara dhe shoqërohen nga certifikatat përkatëse.

Ju keni bllokuar importin e produkteve shtazore të shpendëve dhe nënprodukteve porsa kohë mund të qëndroj masa në fuqi apo është në varësi të gripit?

E para nuk mund të përcaktohet sepse varet me situatën e çdo vendi. Porsa kohë edhe Shqipëria që ka bërë njoftimin e Organizatës Botërore të Kafshëve, u jepen detaje të situatës të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet e tjera. Por nga ana tjetër është një proces dinamik që do të monitorohet në vazhdimësi. Se sa do të zgjasë këtë mund ta themi deri sa të sigurohemi që jemi të pastër.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës

Macron i përmend Kurtit Asociacionin teksa flet për rrugën e Kosovës në Këshillin e Evropës