Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Tri opsione për arritjen e kompromisit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Grupi Ndërkombëtar i Krizave: Tri opsione për arritjen e kompromisit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Foto ilustruese

Janë tri mundësi rreth kompromisit të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerëson Grupi Ndërkombëtar i Krizave (GNK). Këtu përfshihet njohja e Kosovës nga Serbia, autonomia për serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Serbi si dhe shkëmbimi i territoreve. Ky grup thotë se deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që do të zgjidhte të gjitha çështjet kryesore sa i përket pavarësisë së Kosovës, megjithatë, rruga është e “turbullt, por edhe e ngushtë”.

Në raportin e titulluar “Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi” të publikuar të hënën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se pavarësisht se Kosova dhe Serbia, që nga viti 2006 bisedojnë – me disa ndërprerje – të dy vendet janë pajtuar në shumë çështje, por edhe kanë mospajtime për çështjen kryesore: Pavarësinë e Kosovës.

Sipas këtij grupi, deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse mund të arrihet nëse Prishtina dhe Beogradi zyrtar ndryshojnë qasjen.

“Kushtetuta e Serbisë kërkon që çdo marrëveshje që i jep pavarësinë Kosovës duhet të miratohet përmes një referendumi, por udhëheqësia politike nuk ka bërë asgjë që të përgatisë votuesit për kompromiset që duhen të bëhen që të arrihet marrëveshja. Kosova nuk ka kërkesa të tilla kushtetuese, por udhëheqësit e saj mund të vendosin që ta vënë në votim marrëveshjen për hir të legjitimitetit dhe në çdo rast do të duhej të përgatisnin publikun kosovar për koncesionet që duhen bërë për të arritur një gjë të tillë (marrëveshjen)”, thuhet në raport.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se nëse Serbia njeh pavarësinë Kosovës, atëherë kjo me gjasë mund të përfshijë një infuzion të ndihmës ndërkombëtare, autonomi më të madhe për serbët e Kosovës apo edhe shkëmbim territoresh – ose fuqizim të mbështetjes në kombinim me njërën nga këto dy opsione”.

Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në ndërmjetësimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 2018, në publik është shfaqur ideja për ndryshim e kufijve, si një zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo ide ka nxitur reagime për dhe kundër në Prishtinë dhe Beograd, por edhe në mesin e komunitetit ndërkombëtar.

Por, Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se Bashkimi Evropian, – ndërmjetësuesi i procesit të dialogut politik – pavarësisht shqetësimeve të legjitimitetit nuk duhet ta përjashtojë asnjë zgjidhje që është në përputhje me të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar.

“Paralelisht, SHBA-ja duhet të krijojë një pozicion të suksesshëm të negocimit në elitën e çrregulluar politike të Kosovës dhe partnerët e Kosovës duhet të ndihmojnë atë që të ketë marrëdhënie më të mira dypalëshe dhe shumëpalëshe në pritje të një marrëveshjeje”, thuhet në raportin “Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi”.

Si do të mund të dukej një marrëveshje gjithëpërfshirëse?

Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, janë tri opsione kryesore se si do të mund të dukej një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një mundësi do të ishte që Serbisë t’i jepej një mbështetje për zhvillim nga donatorët dhe përshpejtimi i rrugës për anëtarësim për njohje – si një çmim për njohjen e Kosovës. E dyta, do të ishte këmbimi i njohjes nga Serbia për krijimin e rajoneve autonome të serbëve në Kosovës dhe për shqiptarët që jetojnë në Serbi dhe opsioni i tretë, do të ishte rikthimi i qasjes për shkëmbim territoresh, që ishte elementi kyç i draft-marrëveshjes së vitit 2018.

“Asnjëri nga këto opsione nuk është as për së afërmi ideal”, thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Për opsionin e parë, ky grup thotë se duke pasur parasysh dinamikat e brendshme, thjesht mund të jetë e pamundshme që BE-ja të premtojë përshpejtim të procesit të anëtarësimit. Në mes të këtyre opsioneve, në raport thuhet se opsioni i autonomisë duhet si “zgjidhje më e mirë”.

“Veçanërisht, liderët e Kosovës duket se e kundërshtojnë këtë, ndoshta sepse shqetësohen se kjo mund të çojë në një qeverisje sklerotike që ata e kanë parë në Bosnje e Hercegovinë, ku shumica e vendimeve kërkojnë që dy nga tre entitetet të votojnë për”, thuhet në raport.

Raporti po ashtu thekson se për këtë opsion, disa qeveri evropiane – veçanërisht Gjermania – kanë shqetësime legjitime lidhur me të, pasi ata argumentojnë se rishkrimi i kufijve në Ballkan mund të jetë precedent destablizues.

Sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave për këtë opsion duhet të ketë mbështetje të publikut, andaj BE-ja dhe SHBA-ja “kanë një rol në këtë përpjekje”.

“BE-ja duhet të vendosë nëse do të ndryshojë pozicionin e saj të përbashkët, në mënyrë që të përcaktojë në mënyrë të qartë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare bazuar në njohjen reciproke (diçka që pesë shtetet mosnjohëse të BE-se e kanë kundërshtuar deri më tani) dhe të sqarojë se si ndërmjetësuese nuk do të përjashtojë mundësinë që të bisedohet edhe për autonominë apo mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Ndërkaq SHBA-ja duhet të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar një strategji negociuese, bazuar në atë që njohja është e mundur, por kërkon koncesione”, thotë ky grup.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave paralajmëron se si hap i fundit, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës po ashtu duhet të përgatiten për mundësinë që dialogu të përfundojë pa asnjë zgjidhje.

“Nën këto rrethana, strategjia më e mirë do të ishte që të shikohen mundësitë që do t’i lejonin Kosovës të vazhdojë integrimin në institucionet ndërkombëtare, të zhvillojë ekonominë si dhe të forcojë marrëdhëniet e sigurisë dhe politike me pjesën tjetër të botës. Po ashtu, ata mund të ridrejtojnë investimet dhe ndihmën e tyre dedikuar Ballkanit drejt Prishtinës zyrtare. Kjo gjë po ashtu do të shërbente si përkujtues për Beogradin se nuk ka veto të përhershme për të ardhmen e Kosovës”, thotë Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Në raportin “Rinisja e dialogut Kosovë-Serbi” po ashtu theksohet ndikimi që vazhdon të ketë Serbia në komunitetin serb në Kosovë. Aty theksohet se zonat e banuara me shumicë serbe, veçanërisht katër komunat në veri të Kosovës, të cilat mbesin pjesërisht të integruara dhe paraqesin “pikë e mundshme për dhunë”. Në raport thuhet se serbët e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës dhe ata që emërohen në poste qeveritare, hapur ndjekin urdhrat që marrin nga Beogradi zyrtar.

Dialogu politik Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ky dialog, është thënë se ka për synim normalizimin e raporteve. Për 20 muaj – që prej fundit të vitit 2018 – bisedimet u ndërprenë për shkak se Prishtina zyrtare vendosi taksë për produktet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Me heqjen e taksës dhe masave të reciprocitetit, dialogu rinisi në korrik të vitit 2020. Por, palët shprehën mospajtime për një çështje: Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kosova thotë se ky asociacion do të krijohet në bazë të marrëveshjeve paraprake të arritura në kuadër të dialogut të Brukselit, por Serbia insiston që ai të ketë kompetenca ekzekutive.

Raunde të reja bisedimesh, në kuadër të nivelit politik, u ndërprenë, për shkak të, siç thanë në BE, shqetësimeve lidhur me pandeminë e koronavirusit. Por, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit 2020 dhe zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 14 shkurt, prej nga do të burojë një qeveri e re. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut./ REL

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet