'Gucci Grace'-at shqiptare dhe, në anën tjetër, Linda Rama

'Gucci Grace'-at shqiptare dhe, në anën tjetër, Linda Rama

Kur Robert Mugabes iu mor pushteti në Zimbabve, krahas lajmeve për të, flitej edhe për gruan e tij, Grace Mugaben. Ajo ishte bërë sensacion në mediat botërore. Zonja Mugabe njihej edhe me nofkën “Gucci Grace”. Emër i fituar për shkak të fetishit me shopingun dhe shpenzimeve marramendëse. Luksi i ndejave të saj ngjasonte në banketet e romakëve të vjetër ku testoheshin limitet e kënaqësisë dhe shfrenimet deri në dëlir ishin të obligueshme. Derisa me hedonizmin e tepruar trajtonte qejfet e zemëruara të parealizuara në të kaluarën, deficitin e vet intelektual e trajtonte me organizimin e eventeve të bamirësisë. Për botën perëndimore tregimi kishte ardhur si i pazakontë. Për botën shqiptare diçka e parë.

Hedonizmi pa kurrfarë intelektualiteti i grave të politikanëve në Kosovë e Shqipëri shqiptarët e njohin mirë. Në dy vendet tona të varfra ka gra politikanësh që standardin e kanë edhe më të lartë se të “Gucci Grace”. Derisa për të plotësuar ciklin snobist edhe në këto anë kemi parë “angazhime” të tilla të ahengjeve të bamirësisë ku kërkohet luftimi i varfërisë me çanta lëkure “Bottega Veneta” në duar e diamante në qafë.

Në perëndim, familjet e politikanëve, sidomos gratë e tyre, janë nën llupën e njëjtë të gjykimit si vetë liderët politik. Për shembull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Zonja e Parë është institucion në vete. Jo rrallë përfshihen me opinionet e tyre edhe në tema politike. Profesori amerikan, Robert D. Putnam, në një intervistë tregonte se si një herë ishte ftuar nga presidenti George W. Bush për t’ia shpjeguar një shqetësim akademik të tij, rreth rritjes së dallimeve në të ardhura në mes shtresave shoqërore në SHBA, por presidenti nuk e kapte dot. Më pas kishte ndërhyrë gruaja e tij, Laura Bush, e shkolluar në Shkencat e Edukimit, duke ia sqaruar burrit të saj se ku ishte problemi. Putnam tregon se ajo e kishte shpjeguar akoma më mirë se vetë ata të gjithë problematikën, prandaj më vonë kur kishin vazhduar studimin, shpjegimit të zonjës së parë iu kishin referuar si “Hipoteza Laura Bush”.

Njëjtë mund të merret shembulli i Michelle Obamas, gruas së Barack Obamas, një avokate e zonja e diplomuar në Harvard, për të cilën, siç kishte treguar edhe një profesor që u kishte ligjëruar të dyve në Harvard – “ishte shumë më e zonja se Barack, por mos i tregoni presidentit”.

Fjalimet e Michelle në Konventat e demokratëve mbahen mend si nga më inspirueset kohëve të fundit. Prandaj një pjesë e madhe e suksesit të Obamas i atribuohet – me të drejtë – gruas së tij.

Kjo është arsyeja që në Amerikë e trajtojnë jetike ekspozimin e faktit se para votuesit në këtë rrugëtim janë bashkë me gratë e tyre (ose burrat). Për më tepër bashkëshortët e politikanëve garues janë pjesë integrale dhe tejet e rëndësishme e kampanjave politike. Ata udhëtojnë, mbajnë fjalime, marrin pjesë nëpër emisione, madje pyeten edhe për politika të caktuara. Shoqëria puritane amerikane e do një familje të shëndosh në zyrat dhe funksionet e shtetit.

Ndryshe nga SHBA-të dhe vende të tjera demokratike, në Shqipëri ka qenë për një kohë të gjatë e kundërta. Familjet e politikanëve dhe veprimtaritë e tyre janë shkëputur çuditshëm dhe pakuptueshëm nga ta.

Jo vetëm votuesit, edhe vetë politikanët kanë menduar se aktivitetet e familjarëve të tyre të ngushtë nuk përbejnë ndonjë domethënie në rrugëtimin e tyre politik.

Për shembull, Sali Berisha ka akuzuar gjithçka dhe gjithëkë, por asnjëherë s’ka marrë mundin të jap një arsyetim për veprimtaritë dyshuese të djalit të tij – as kur veprimtari të tilla kanë prodhuar skandale katastrofale siç ishte Gërdeci.

Veprimet e familjarëve për një kohë të gjatë janë amnistuar dhe madje as s’janë diskutuar nga mediat. Ata kanë shijuar të mirat e pushtetit, statusin që vjen me të. Kanë abuzuar shumë shpesh me benefitet, por shumë pak janë gjykuar. Është krijuar distancë nga kritika dhe puthitje për privilegjet.

Por, Shqipëria ka ndryshuar dhe siç kuptohet lehtësisht ndryshimi nuk është veç estetik, paçka se edhe i tillë është.

Shqiptarët sot nuk votojnë më vetëm për “burrin me mustaqe” që sjelljen e ka si ligjëruesit e korruptuar fetarë me frazën nonshalante “bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”.

Shqiptarët e kanë kuptuar që ambienti privat i politikanëve është tregues i rëndësishëm i sjelljes së tyre publike. Janë bërë kërkues – me të drejtë – të standardit familjar të secilit që u futet në familje për t’ua kërkuar besimin politik.

Prandaj, përkundër se mund të duket krejt e papërfillshme në vlugun e madh të arsyeve, Edi Rama ka një përparësi të konsiderueshme në këtë drejtim.

Ai ka tetë vjet në politikë si kryeministër dhe të vetmet sherre që ka mundur t’i bëjë familja Rama kanë ardhur nga vetë Edi.

Familja jo vetëm që nuk i bën dëm kryeministrit aktual, por kuptohet si një anë e fortë e tij.

Ata dhe veçanërisht tash familja e ngushtë e tij, që pak a shumë i bije gruaja Linda, qëndrojnë mirë në të dyja drejtimet karshi rreziqeve të degjenerimit nga pushteti.

Jo që nuk prodhon ndonjë skandal, por as nuk ka degraduar në snobizëm, siç lehtësisht mund të ndodhë në vende si Shqipëria kur për një kohë të gjatë me mirëkuptim është ruajtur keqkuptimi se familjet e liderëve që udhëheqin u dashka të gëzojnë ndonjë lloj statusi mbretëror.

Linda Rama ka rrugëtimin e saj jetësor dhe mendimin politik. Ka intelektualitetin brenda profesionit dhe shfaqjen e ka me takt. Është e vetmja bashkëshorte, ndër bashkëshortet e presidentëve dhe kryeministrave shqiptarë, që ka titull doktore e shkencave. Titull i fituar kur ishte vetëm 32 vjeçe.

Në media paraqitet, por për të dhënë mendimet e personale. Është pjese e betejës për një Shqipëri më të mirë, por brenda betejës ka luftën e vet për një Shqipëri më të mirë për gratë shqiptare. E zëshme dhe racionale edhe në kritika në raport me vetë bashkëshortin e saj, për të cilin, siç kuptohet edhe nga fjalimet publike, di ta bëjë dallimin mes burrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Edhe në fjalimin e saj në Kongresin e PS-së një vit më parë ajo vuri në siklet Ramën, duke shfaqur besim në partinë socialiste, por kërkuese gjithashtu.

“Kjo është opozita ime më e fortë”, pati thënë Rama pas fjalimit të Lindës. Fjali e formuluar për të prodhuar të qeshura, por  jo pa siklet.

Prandaj, për mandatin e tretë ka merita të mëdha, besojmë, edhe Linda, sepse ajo i dha lirinë Ramës dhe ndërgjegjen publike. Nuk e bëri vetëm rolin e gruas së kryeministrit, por shumë më tepër gruan e Edi Ramës, duke e shkëputur nga arroganca që vjen nga pushteti i burr(ave)it./Albanian Post

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv

Nga 'tkurrja' e kërkesave të opozitës te hetimet e SPAK, ndiqni sonte në 21.00 Frontline në Report Tv