Speciale/ Guri Madhi si nuk e patëm njohur, rrëfimi prekës i të birit, Pandi Madhi!

Një artist në panteonin e pikturës shqiptare. Kështu e kanë përcaktuar një pjesë e studiuesve, kolegëve dhe kritikëve të artit  Guri Madhin.

I talentuar, i lindur me një shpirt krijues e fantazi të ndezur, me prirje drejt arteve moderne, Guri Madhi e kishte e pamundur të mposhtte dëshirën për të bërë vepra e kompozime origjinale, të cilat dilnin shpeshherë jashtë kornizave të artit soc-realist.  

Kjo nuk do t’ia bënte të lehtë jetën piktorit, që numëron sot mbi 400 vepra. Duke vizituar studion e tij, ku na presin tablotë si dritare të hapura, këtë herë do të çelim një faqe të panjohur të biografisë së piktorit. Guri Madhi u lind në Korçë më 15 maj të vitit 1921 dhe u  largua nga jeta në vitin 1988 në Budapest në rrethana të paqarta.

Piktori i madh ishte nisur drejt Budapestit për një operacion të tiroideve, i vetëm, sepse regjimi nuk lejonte shoqërues. Ndërsa familja priste shërimin e tij, e mëson ndarjen tragjike nga jeta shumë më vonë se të kishte ndodhur. Djali i Guri Madhit, Pandi Madhi, në një intervistë ekskluzivisht për Report TV rrëfen jetën e artistit të madh në Shqipërinë e diktaturës, brenda e jashtë mureve të studios së tij....

Intervista

Duke parë një retrospektivë të gjithë pikturës shqiptare, sidomos të asaj që është krijuar para viteve ‘90, ku ne përfaqësohemi me një plejadë artistësh të shquar, nuk mund të mos kujtojmë edhe babanë tuaj, i cili është një nga piktorët më në zë, më të mirë të traditës; i vlerësuar nga kritika e kohës, i vlerësuar nga kritika e sotme, i vlerësuar shumë edhe nga kolegët që janë edhe emra të mëdhenj të pikturës shqiptare. Tashmë jemi këtu pranë veprave të tij të larmishme. Jemi në studion e tij, për ta kujtuar, për ta sjellë në jetë atë, bashkë me veprën që është si të thuash e pavdekshme. Çfarë veprash kanë qenë të fundit të babait tuja në këtë studio?

-Krijimtaria e Guri Madhit përfshin një periudhë mbi 30-vjeçare. Po quajmë këtu vitet mbasi përfundoi Akademinë e Arteve të bukura në Shën Petërburg, të cilin e  mbaroi shkëlqyeshëm dhe deri kur ai u largua nga kjo jetë në vitin 1988 në qershor të atij viti.  Nga fillimi i viteve ’80, ai ndryshoi stilin e tij, dhe këtu janë disa nga pikturat e fundit të tij, që nga ky peizazhi këtu, apo dhe këto natyra të qeta, apo portrete, por edhe disa kompozime, që ai përgjithësisht trajtoi tema të lira në vitet e fundit.

Ju ka na folët se ky ndryshim ka nisur në periudhën e fundit, por ne dimë që përpjekjet e tij për të një art të lirë kanë qenë më të hershme, dhe ka pasur edhe probleme me kritikën e kohës, me politikën e  kohës, apo me ideologjinë e kohës që i mëshonte një pikture të njëtrajtshme uniformiste. Mund të na tregoni historinë e viteve ’70, çfarë ka ndodhur me ekspozitën e tij?

-Patjetër. Ai ka patur një jetë të vështirë si shumë artistë të tjerë. Ne kemi dëshmi të veprave të tij, që flasin qartë për tendencat e tij, apo dëshirat e tij për të punuar një pikturë moderne, abstrakte. Kuptohet që këto piktura që ai ka bërë në vitet ’60, nuk mund t’i ekspozonte. I kam ruajtur në studio. Për fat të mirë, ato i kemi dhe sot. Gjatë prezantimit të veprave të tij, ai u ballafaqua me probleme. Mund të përmend disa nga kompozimet, ku ai vërtetë edhe u kritikua shumë, siç ishte për shembull kompozimi “Pëllëmbë e gjak”, që është ai partizani i plagosur që mbahet nga shokët. Aty pati shumë kryeka për frymën pesimiste që përcillte vepra apo edhe për aludimin që po bunte si pikturat e Karavaxhos që përshkruanin momentin e zbritjes së Krishtit nga kryqi. Kështu që këto ishin çështje të cilat krijonin shumë probleme në atë periudhë. Ky autor i ka pasur problemet. Edhe për arsye të temperamentit të tij, disa vite pikturat e tij nuk ekspozoheshin, disa prej pikturave të tij edhe janë zhdukur, të cilat vërtetë do të ishin një dëshmi tjetër edhe përpjekjeve të tij për të bërë diçka ndryshe në artin e atyre viteve.

Të kthehemi sërish në ato vite, më konkretisht, më hapur, duke folur ashtu siç ka qenë. Çfarë ndodhte me një artist që dilte nga kornizat?

-Në konsekuencat që ai pati në ato vitet e kritikave të shumta, çuan në përjashtimin e tij nga anëtar i Partisë Komuniste të asaj periudhe. Në vitin 1966 ishte një lëvizje e madhe në luftën kundër burokratizmit dhe shumë kuadro nga Tirana shkuan nëpër rrethe. Një nga këta ishte Guri Madhi që shkoi në Gjirokastër, dhe e caktuan në  garnizonin e Gjirokastrës në Grehot.

Unë kam qenë atje dhe e kam parë. Ishte në kushte skandaloze, ku qëndroi një vit dhe pak muaj dhe e braktisi pastaj. Dhe në atë moment që përjashtuan nga Partia, ai e braktisi garnizonin ku ishte dhe u kthye në Tiranë. Ishte i papunë pastaj. Ndenji rreth dy vjet pa punë dhe më pas e futën në punë në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore, ku bënte  objekte mësimore për shkollat. Qëndroi disa vite atje deri në vitin 1971.

Pastaj në vitin 1971 atij iu ngarkua Reforma Agrare, që është një pikturë shumë e madhe, katër metra e gjysmë me tre metra. Që të rikthemi tek ekspozita e fundit, duke qenë se ai punoi disa vite me këtë stilin e ndryshuar që po shkonte drejt impresionizmit e sidomos fovizmit, par të gjithë këtë krijimtari të viteve të fundit ai donte ta prezantonte para publikut, mirëpo ndeshi në pengesa që në prezantimin e parë të këtyre veprave.  Duhet të them edhe rolin pozitiv që kanë pasur edhe institucionet e veçanta. Për shembull, Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve, unë e mbaj mend shumë mirë kur ka  ardhur këtu në studio, kur kanë ardhur Petro Kokushta, ishte sekretar i Lidhjes me Zamir Matin , edhe ai punonjës i Lidhjes së Shkrimtarëve. Flasim për vitin 1987. Ata u entuziazmuan duke e nxitur për të hapur ekspozita sa më shpejt. Mirëpo, i bëri një kërkesë Galerisë Kombëtare, Galeria Kombëtare i ktheu përgjigje negative që nuk mund të hapen ekspozita të autorëve të veçantë. Ky ishte justifikimi. Më pas u bisedua me drejtorin e Pallatit të Kulturës, i cili pranoi që të hapej, por pasi të kalonte këto hallkat e komisioneve të asaj kohe.

Pati individë e struktura ta caktuara, të cilat kundërshtuan hapjen e ekspozitës, pasi nuk i konsideruan si vepra të realizmit socialist.  Kjo bëri që të mblidheshin komisionet e larta shtetëror të asaj kohe dhe pas shumë mbledhjesh, kjo histori zgjati mbi një muaj, dhe më së fundi në një mbledhje të qershorit. Ishte një qershor jashtëzakonisht i nxehtë në Tiranë atë vit në ’87-n.

U vendos që të hapej ekspozita dhe  ka pasur një publik shumë të madh. Është hapur në një sallë anash Pallatit të Kulturës, ku është Biblioteka Kombëtare sot. Ekspozita e arriti qëllimin e vet. Qëndroi rreth një muaj e hapur. Ishte një lloj sinjali për artin shqiptar, me thënë të drejtën.

Ajo që na bënë kurioz është qëndrimi i komisionit për vepra të veçanta, mënyra si interpretohej...

-Komisionet ishin një hallkë shumë e vështirë në atë periudhë dhe vërtetë ishin profesionistë shumë të mirë nëpër komisione. Unë do të përmend disa emra: Sali Shijaku, Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Vilson Kilica, Shaban Hadëri, etj.

Disa prej pikturave edhe u përjashtuan nga ekspozimi, siç ishte çifti i partizanëve apo dhe kompozimi, “Kur nuk shkoj në stadium”. Kështu të njëjtën histori patën edhe disa piktura. Ja për shembull, Portreti i Aidës që i kishte duart të papunuara pllaka. Autori jo pa qëllim i kishte lënë ashtu që njerëzit të shikonin portretin, të shikonin pikturën, të mos merreshin me gishtat. Mirëpo komisioni sugjeroi dhe babai mori penelat me vete për t’i ribërë tek salla. Po kështu edhe Autoportreti i tij kur ishte i ri. Babai kishte qejf favoritet e gjata dhe ashtu e kishte bërë pikturën, por ata i sugjeruan t’i shkurtonte dhe ai i shkurtoi. Ndërsa kur erdhi piktura në shtëpi, ia zgjati sërish. Pra kërkoheshin absurditete, por e tillë ishte koha...

Mbas vitit 1974 ka pasur një periudhë më të qetë për Guri Madhin. Në atë periudhë me sa duket kjo qetësi ndikoi tek ai që të ndërtonte stilin e vet.

Është kontradiktore kjo qetësi, sepse në vitin 1972, filloi një sulm i madh ndaj artit, rrymave moderne, artistëve!

 

-Sepse në ‘73-shin Guri Madhi u përjashtua nga Partia. Mendo Guri Madhi dhe Odise Paskali ishin në prag të burgut. Ky jo aq shumë sa Odiseja, se Odisenë e dinin që nuk e donte komunizmin.  Enver Hoxha në Plenumin e Katërt, këta të dy i përmend për mirë. Pra përmend Odise Paskalin, Kristaq Ramën dhe Guri Madhin. Shpëtuan këta.... Pastaj në vitin 1976 Guri Madhi u bë Artist i Popullit drejtpërdrejtë. Atëherë duhej të bëheshe njëherë Artist i Merituar, pastaj Artist i Popullit. Ky është i pari artist i gjallë në Shqipëri.

Cilat ka qenë një nga figurat ikonike ka qenë ajo që e risolli në vëmendje të asaj periudhe, në vëmendje të komisioneve, të Partisë dhe të Diktaturës, për ta rikthyer dhe për ta rehabilituar Guri Madhin?

-Ka patur disa vepra, por po e filloj me “Kthimin e Fitores së Skënderbeut në Krujë”. Në 1968-n, u paraqit për herë të parë kjo pikturë në ekspozitën shumë të madhe të organizuar me rastin e 500-vjetorit të Vdekjes së Heroit Kombëtar. Guri Madhi në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike. Ishte i papunë.  S’kishim mundësi të paguanin energjinë elektrike. Dhe ai e bëri pikturën për rreth një muaj nën dritën e qirinjve. Ishte dimër. Ishte dhjetor i vitit 1967. Ka qenë një dimër shumë i fortë. E mbaj mend, ka rënë dhe borë në atë dimër, dhe aty me zjarr, me dru me qiri dhe ai arriti të bëjë atë pikturë, që edhe sot është simboli i përpjekjeve të heroit tonë. Edhe kjo pikturë, “Kthimi i Fitores së Skënderbeut” u kritikua për pamjen madhështore të kështjellave.

Vemi tek një pikturë interesante, meqë jemi tek pikturat me temë Skënderbeut,  pikërisht tek ajo që ka qenë në zyrën e  Enver Hoxhës për vite me radhë?

-U porosit në atë kohë, meqenëse ishte datëlindja e Enver Hoxhës, pra 65-vjetori i lindjes së tij, pra u porosit që për zyrën e tij të bëhej një portret i Skënderbeut. Dhe babai e bëri. Skënderbeu paraqitej pa flokë. Ishte një variant tjetër i Skënderbeut dhe dora e djathtë e Skënderbeut ishte e papunuar. E kishte lënë vetë më qëllim të papunuar.

Ka qenë tetori i vitit 1968. Guri Madhi ishte përsëri pa punë. Dhe në këto rrethana, ai e bëri pikturën, pra e dorëzoi. Komisioni po diskutonte për një kohë shumë të gjatë, lidhur me këto dy probleme; pra të flokëve të Skënderbeut dhe të dorës së tij. Në atë kohë ka ndërhyrë sekretari i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, dhe u tha se çfarë po bënin, dhe ata i folën për këto probleme. “Ashtu?! -u tha ai. “-Këtë portret e ka pëlqyer Enver Hoxha dhe kot që e diskutoni!”.  I mbyllën ata diskutimet, dhe piktura shkoj drejt e në zyrën e  tij. Po të shohësh dokumentarët e kohës, do të duket piktura e Skënderbeut që është në muret e zyrës së tij.

Sa piktura i kanë humbur babait tuaj që kanë qenë edhe të një rëndësie e vlere të veçantë?

-Kanë humbur disa piktura të rëndësishme të krijimtarisë së tij. Unë do të përmend tre prej tyre; së pari një kompozim, me të cilin ai fitoi për herë të parë Çmimin e Parë në një ekspozitë kombëtare siç ishte ajo e vitit 1959. Kompozimi titullohej “Ali Kelmendi” dhe ishte në ambientet e një dyqani, Ali Kelmendi me disa punëtorë. Kemi një fotografi shumë të dobët të asaj pikture dhe nuk dihet se ku ka përfunduar. Një pikturë tjetër që ka humbur e rëndësishme është 1966, “Para pushkatimit”, një kompozim shumë i madh. Edhe ai ka humbur. Kjo pikturë nuk u pranua në ekspozitë, sepse u konsiderua makabre e rëndë për publikun, dhe për këtë arsye u hoq nga ekspozita e 1966-s. Në atë kohë, hapeshin edhe ekspozita me punët e paekspozuara. Shumë interesante për atë periudhë. Dhe unë e mbaj mend që u hapën këto punë dhe u prezantua.  Hera e parë dhe e fundit që është paraqitur kjo pikturë. Ishte shumë e madhe. Tre metra me dy metra. Ishte shumë e madhe. Dhe e treta është “Beteja e Mushqetasë” e vitit 1976. Ishte në bashki, në sallën e Këshillit bashkiak, bënë bashkia restaurimin. Shkoj unë për të parë pikturën. E shoh pikturën në tarracë. E kishin lënë atje tre muaj atje dhe sapo e kishin djegur.

Është vërtetë një dhimbje. Në fakt janë vepra të bërë me përkushtim. Unë shoh dhe lot në sytë tuaj, dhe ju kini shumë të drejtë. Por si për të kompensuar këtë humbje, le të flasim për veprën e madhe që ka lënë. Kë keni më për zemër nga veprat që kanë mbetur?

-Kur e pyesnin babanë se kë ka pikturën më për zemër, ai përgjigjej, se “pikturat janë si fëmijët”, nuk mund të ndash një pikturë nga tjetra, por megjithatë në fakt edhe ai vetë bënte përzgjedhjet e veta. Edhe unë bëj ato përzgjedhjet e mia në ato piktura që janë më autentike dhe që vërtetojnë talentin e piktorit, dëshmojnë stilin e tij. 

Piktura e nënës tuaj me kostumin e dardhares..., sigurisht që është një nga më të dashurat?

-Ajo është pikturë nga të vjetrat. Është e vitit 1956. Ka pozuar mamaja me kostumin dardhar, që është edhe një dëshmi e traditave të familjes dhe e traditave më të mira të kostumografisë popullore.

Është edhe një dëshmi  e filimeve të mira të vetë artistit, çfarë ju kujtohet tjetër nga historia e veprave?

-Unë do të them një gjë që nuk është thënë, por është e vërtetë kjo pikturë abstrakte  e Guri Madhit, është një nga piktura e fundit që është bërë në qershor të vitit 1988. Madje, siç e shihni, firma e tij është peneli i fundit që ka lënë. Siç ju e dini, ai ka vdekur në Hungari në Budapest në një vdekje tragjike dhe ai kishte parashikuar se pasi të shërohej, do të bënte një ekspozitë në Korçë si mirënjohje për vendlindjen dhe fillimet e krijimtarisë së tij dhe për profesorët e parë të tij, si Spiro Xega e Vangjush Mio. Ishin ata që insistuan që Guri Madhi të bëhej piktor. Mirëpo vdekja i ndërpreu ëndrrat, por ne djemtë e tij e çuam amanetin në vend, dhe kjo pikturë atje u ekspozua për herë të parë. S’pati asnjë vërejtje, ndoshta meqë autori kishte vdekur, por mund  të themi se është piktura e parë moderne që është ekspozuar në diktaturë....

*  *  *

Pra ky ishte Guri Madhi, artisti që ka krijuar në të gjitha format, duke iu dhënë tablove energji dhe ekspresion, dhe duke këmbëngulur që arti i tij t’i dilte nga duart njësoj si të ishte krijuar në liri.

Guri Madhi pati fatin të mësonte vizatimin për dy vjet në shkollën e  mesme italiane të Korçës, por gjatë viteve të luftës ajo u mbyll. Pas vitit 1942, Guri Madhi, kur Korça ziente nga lëvizja antifashiste, u përfshi për ta ndihmuar.

Pas luftës punoi si piktor në shtëpinë e kulturës. Me pas si ndihmës -skenograf në Teatrin e Korçës, ku për fatin e tij të mirë, skenografi ishte piktori i shquar Vangjush Mio.   Talenti i tij spikati dhe në vitin 1950 iu dha e drejta të ndiqte studimet e larta për pikturë në Bashkimin Sovjetik, në Akademinë e Arteve në Shën Petersburg, në atë kohë Leningrad. I mbaroi studimet në vitin 1956 me rezultate të shkëlqyera.

Kur u kthye në Shqipëri e  emëruan inspektor pranë Ministrisë së Kulturës dhe në vitin 1958 e emëruan pedagog në Liceun Artistik në Tiranë. Në vitin 1961, Guri Madhi ishte një nga tre pedagogët që themeluan Institutin e lartë të Arteve Figurative në Shqipëri. Me një jetë të trazuar, plot privime nga diktatura dhe mes sfidave  të lirisë krijuese, Guri Madhi është i vetmi artist shqiptar që u përjashtua nga Partia  Komuniste dhe më vonë në vitin 1976 u nderua me titullin Piktor i Popullit. Arti i tij edhe sot ngelet tërheqës, i pakontestueshëm për nga vlerat, modern, me nuanca të fovizmit, ekspresionizmit e simbolizmit.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Befasi në Champions League, Dortmund - PSG në gjysmëfinale! Francezët përmbysën 1-4 Barcelonën, gjermanët 4-2 Atl. Madridin

GOLAT/ Befasi në Champions League, Dortmund - PSG në gjysmëfinale! Francezët përmbysën 1-4 Barcelonën, gjermanët 4-2 Atl. Madridin