Hasan Bello: Lëvizja e Fierit 1935, si dështoi një kombinacion agjenturor për grusht shteti

Hasan Bello: Lëvizja e Fierit 1935, si dështoi një kombinacion agjenturor për grusht shteti

Riza Cerova

Në historinë moderne të shtetit shqiptar janë realizuar disa grushte shteti. Por skenari më perfekt është Lëvizja e Fierit në vitin 1935. Kjo për shkak të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm të cilët e organizuan.

Me faktorë të brendshëm kemi parasysh disa grupime që për një arsye apo një tjetër ishin të pakënaqur me regjimin zogist duke lidhur ndërmjet tyre një aleancë të panatyrshme. Ajo kishte vetëm një qëllim: rrëzimin e Zogut dhe marrjen e pushtetit me dhunë.

Po cilët ishin këta faktorë të brendshëm?

1.Në grupin e parë bënin pjesë disa bejlerë filoitalianë që kishin mbetur të pakënaqur nga reforma agrare dhe që shtrirjen e sovranitetit të shtetit e shihnin si zvogëlim të influencës së tyre lokale. Tre personalitetet kryesore në këtë grup ishin Shefqet bej Vërlaci, ish-bashkëpunëtor dhe vjehërr i Zogut, i cili kishte akumuluar për të një urrejtje patologjike. Në fakt, ai kishte dhe një arsye më personale. Prej kohësh politika italiane e miklonte dhe i premtonte postin e kryeministrit.

Dy bejlerë të tjerë që do të luajnë rol aktiv në Lëvizjen e Fierit janë Nuredin bej Vlora dhe Qemal bej Vrioni. Sipas deponimeve të të arrestuarve në procesin gjyqësor që u organizua pas dështimit të kësaj lëvizje, i pari do të zgjidhej President, ndërsa i dyti Kryeministër.

2.Në grupin e dytë bënin pjesë ish-oficerët njohur si Ali Fehmi Kosturi, Ali Shefqet Shkupi, Ramiz Dibra etj, të cilët kishin aftësitë e nevojshme për organizimin e forcave ushtarake. Sipas informacioneve konfidenciale, në këtë lëvizje bënin pjesë edhe disa oficerë aktivë nga radhët e xhandarmërisë dhe ushtrisë.

3.Në grupin e tretë bënin pjesë komunistët, revolucionarët dhe majtistët e të gjitha rrymave, si: Hasan Reçi, Kostandin Çekrezi, Mustafa Gjinishi, Asim Zeneli, Zenel Hekali, Mustafa Kaçaçi etj. Por edhe ish-oficerë si Riza Cerova, i cili pak muaj më parë ishte falur dhe ishte kthyer në atdhe. I përgatitur nga shërbimi sekret sovjetik (NKGV) për sabotime dhe grushte shteti, Riza Cerova ishte dërguar me misione sekrete në Iran ku ishte arrestuar pas një atentati kundër Shahut; në Pakistan, Turqi e deri në Mançurinë e largët. Megjithëse Zogu e fali, agjentët e shërbimit sekret shqiptar u udhëzuan që ta mbanin nën kontroll.

Sipas kujtimeve të Koço Tashkos, komunistët shqiptarë me urdhër të Kominternit ishin udhëzuar që në Lëvizjen e Fierit të merrnin pjesë individualisht dhe jo në grup. Kjo synonte mbrojtjen e tyre pas një dështimi të mundshëm.

4.Në grupin e katërt bënin pjesë elementë heterogjenë, të cilët u bashkuan me Lëvizjen e Fierit rastësisht, ose për shkak të njohjeve që ata kishin me faktorët e mësipërm.

Kjo organizatë e fshehtë e cila do të realizonte grushtin e shtetit përveç Tiranës kishte shtrirje në disa qytete, si në Fier, Lushnjë, Skrapar, Mallakastër, Berat, Elbasan, Peqin, Krujë etj.

Përsa i përket faktorëve të jashtëm, të cilët ndikuan në këtë lëvizje ato ishin: Italia (me bejlerët), Jugosllavia (me Kostandin Çekrezin etj) dhe Bashkimi Sovjetik (me komunistët).

Si u dekonspiruan drejtuesit e këtij grushti shteti?

Në fakt ende dhe sot e kësaj dite nuk dihet me saktësi se cilët ishin indikatorët e shtetit shqiptar që çuan në zbulimin e kësaj organizate. E sigurtë është se atmosfera e elektrizuar politike, angazhimi i konsullatave e legatave italiane dhe jugosllave në lëvizjet antikushtetuese e kishin detyruar Zyrën Sekrete të mbante nën mbikqyrje diplomatët dhe elementët e lidhur me ta. Informacionet që vinin tregonin se diçka po përgatitej. Gjithësesi, kjo mbetet enigmë e botës së nëndheshme të spiunazhit. Alibia e përfolur nga vetë protagonistët thotë se, rol kryesor për këtë ka luajtur kroati Rudolf Franjo Lendriç, i cili në spitalin e burgut ishte miqësuar me komunistët Mustafa Gjinishi dhe Kosta Kolumbi. Në mirëbesim e sipër ata i kishin treguar kroatit disa nga planet dhe bashkëpunëtorët e tyre. Por, ai për të shpëtuar nga burgu informoi autoritetet shqiptare.

Çfarë parashikonte skenari i këtij grushti shteti?

Për shkak të pjesmarrjes së ushtarakëve me përvojë në këtë organizatë skenari ishte hartuar në mënyrë perfekte. Ai parashikonte që goditja kryesore të përqëndrohej në kryeqytet, ku ndodhej mbreti dhe institucionet kryesore. Sipas planit, një kolonë e artilerisë do të  sulmonte gardën dhe pallatin mbretëror. Kolona e dytë e përbërë nga forcat e xhenjos dhe ndërlidhjes do të sulmonte xhandarmërinë dhe Zyrat Qendrore të Post-telegrafës nëpërmjet së cilës do të njoftoheshin prefekturat dhe nënprefekturat për grushtin e shtetit. Ndërsa kolona e tretë e cila përbëhej nga autoblindat do të hynte nga rruga e “Durrësit” dhe do të sulmonte Komandën e Xhandarmërisë, duke i ardhur në ndihmë kolonës së dytë. Po kjo kolonë do të sulmonte edhe Bankën Kombëtare.

Në skenarë parashikohej që paraprakisht të organizoheshin një sërë atentatesh ndaj drejtuesve më të lartë të shtetit dhe ushtrisë. Për këtë ishin caktuar persona të posaçëm.

Takimi në Hotel “Kontinental” dhe tërheqja e bejlerëve

Rivaliteti mes njerëzve të Italisë dhe Jugosllavisë për të kapur kreun e shtetit pas kësaj lëvizjeje, ishte gjithmonë prezent. Kjo ndikoi në fillimin e parakohshëm dhe si rezultat në dështimin e saj. Italia e cila në këtë periudhë filloi luftën në Abisini e kishte përqëndruar të gjith vëmendjen atje. Por mbi të gjitha shërbimi sekret italian krijoi bindjen, se njerëzit e Jugosllavisë brenda lëvizjes kishin fituar avantazh.

Konsullatat jugosllave e italiane në Vlorë dhe në Shkodër, si dhe legatat respektive në Tiranë, jo vetëm që mbikqyrnin njëra-tjetrën dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë që do të drejtonin këtë grusht shteti, por konkurronin për të dominuar situatën.  Për këto arsye Roma udhëzoi bejlerët që të mbanin një qëndrim pritës. Në takimin që ata organizuan më 12 gusht 1935 në Hotel “Kontinental” në Tiranë, Shefqet bej Vërlaci kërkoi me insistim, që lëvizja të fillonte në një moment më të përshtatshëm.

Ky spostim i prishi të gjitha planet. Nga ana tjetër, pjestarët e lëvizjes komuniste dhe të grupimeve të tjera e kuptuan se autoritetet shtetërore kishin rënë në gjurmët e tyre dhe vendosën që ajo të fillonte përpara datës së parashikuar më 24 gusht. Kjo krijoi konfuzion dhe shpërthimin e saj më 12 gusht.

Diplomatët jugosllavë vepruan si gjithmonë. Disa çaste përpara se të fillonte lëvizja apo grushti i shtetit ata lajmëruan autoritetet shqiptare, për të treguar se nuk kishin gisht. Epiqendra e lëvizjes u bë Fieri jo vetëm të influencës së Vrionasve, por edhe për shkak të rrjetit të spiunazhit jugosllav.

Lëvizja e Fierit u shtyp brenda disa orësh sepse shteti shqiptar i kishte marrë të gjitha masat. Pjesa dërrmuese e të arrestuarve (242 veta) u dënua në varësi të implikimit. Qeveria shqiptare u gjend përpara presionit ndërkombëtar. Prandaj shumë prej tyre u amnistuan. Përjashtim bën ushtarakët aktivë dhe ndonjë person i cili kishte qëlluar mbi kufomën e gjeneral Gilardit (hungarez që shërbente që nga koha e princ Widit).

Propaganda zyrtare e paraqiti atë si lëvizje komuniste, për shkak të opinionit të Perëndimit kundër kësaj ideologjie dhe se prapa saj fshiheshin disa shtete. Por në fakt, përveç bazës sociale, kjo tentativë për grusht shteti ishte një kombinacion agjenturor.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Biku: 03/09/2023 14:08

    Ja dhe nje "historian" tjeter qe kerkon me cdo kusht te reabilitoj figuren e zogut.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Rey Manajn e kërkojnë dy klube të La Ligas në Spanjë

Rey Manajn e kërkojnë dy klube të La Ligas në Spanjë