Pavarësisht bisedimeve diplomatike të udhëhequra nga SHBA-të që synojnë një marrëveshje të re armëpushimi Izrael-Liban, forcat izraelite nuk i ndalën sulmet në Liban. Gjatë 24 orëve të fundit ministria e shëndetësisë në Bejrut raportoi për 29 viktima nga bombardimet ajrore izraelite në jug dhe lindje të Libanit. Bashkimi Europian i ka bërë thirrje Izraelit të tërheqë trupat nga territori libanez dhe të respektojë plotësisht marrëveshjen. Zëdhënësi i KE për çështjet e Jashtme Anouar El Anouni i bëri thirrje edhe Hesbollahut të tërhiqet nga zona në veri të lumit Litani.
Pas ndalimit për të hyrë në territorin francez të ministrit izraelit Ben Gvir, Parisi ka vënë në shënjestër një tjetër ministër të kabinetit të Netanjahut. Ministri i jashtëm francez, Barrot deklaroi se Franca i ka mbyllur kufijtë e saj për ministrin izraelit Smotrich, pasi sipas tij, ai promovon në mënyrë aktive aneksimin e Bregut Perëndimor duke pretenduar hapur rikonolizimin e Gazës dhe kolapsin ekonomik të autoritetit palestinez.
Ndërkohë që Trump po përpiqet të frenojë Izraelin dhe Iranin për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit, duket se rrëzimi i një helikopteri amerikan nga iranianët teksa po patrullonte në Ngushticën e Hormuzit, ka shtuar tensionet. Presidenti amerikan ka deklaruar se SHBA-të do t’i përgjigjen këtij sulmi, ndërsa informon se dy pilotët në bordin e helikopterit Apache, nuk janë lënduar.
Më herët Trump tha se një marrëveshje me Teheranin mund të arrihet "brenda 2-3 ditësh ". Diplomacia amerikane është në "fazat e saj të fundit" për të arritur një marrëveshje me Iranin dhe për t'i dhënë fund konfliktit të Gjirit, deklaroi ai.
Edhe Pakistani, në rolin e ndërmjetësuesit mes SHBA dhe Iranit, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e përfshira për të arritur një marrëveshje deri në fund të javës.

Presidenti Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara "duhet t'i përgjigjen" rrëzimit nga Irani të një helikopteri Apache, i cili ishte në një mision patrullimi në Ngushticën e Hormuzit.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump tha se
"Sapo u informova nga ushtria jonë e shkëlqyer se mbrëmë iranianët qëlluan një nga helikopterët tanë shumë të sofistikuar Apache, ndërsa po patrullonte Ngushticën e Hormuzit", njoftoi presidenti i SHBA-së, duke theksuar se dy pilotët që ishin në bord, të dy kanë dalë "të sigurt dhe të padëmtuar".
"Megjithatë, Shtetet e Bashkuara duhet t'i përgjigjen këtij sulmi", shtoi Trump.
Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe Norvegjia kanë vendosur sanksione të reja kundër kolonëve të dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor.
Një paketë e re, e koordinuar bashkërisht nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe Norvegjia, është miratuar për të vendosur "sanksione të reja kundër atyre që janë përgjegjës për intensifikimin e aktivitetit të vendbanimeve dhe dhunës në Bregun Perëndimor", njoftoi Ministri i Jashtëm Francez Jean-Noël Barrot.
Kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor po ndërtojnë vendbanime atje në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare, duke përzënë popullsinë vendase palestineze.
Foto: Antonio Guterres
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shprehu "shqetësimin e tij për përshkallëzimin e ri në Lindjen e Mesme" dhe bëri thirrje që "të gjitha sulmet të ndalen menjëherë", duke theksuar se "armëpushimet në Liban, Iran dhe Gaza duhet të respektohen plotësisht".
Guterres shtoi se "çdo veprim që mund të rrezikojë përpjekjet diplomatike të vazhdueshme duhet të shmanget".
"Jam thellësisht i shqetësuar nga vendimi i Izraelit për të mbyllur kalimet kufitare me Gazën dhe përsëris thirrjen time për rihapjen e menjëhershme të të gjitha kalimeve për të siguruar kalimin e shpejtë, të sigurt dhe të papenguar të ndihmës humanitare në shkallë të gjerë në të gjithë Gazën", tha ai.
Duke folur për Ngushticën e Hormuzit, Guterres nënvizoi se "ushtrimi i të drejtave dhe lirive të lundrimit, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duhet të respektohet".
"Të gjithë duhet të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të marrin të gjitha masat paraprake të mundshme për të mbrojtur civilët. Sepse, nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktet në Lindjen e Mesme. E vetmja rrugë përpara është dialogu dhe negociatat. I bëj thirrje të gjitha palëve të interesuara të punojnë drejt zgjidhjeve diplomatike që promovojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare", tha Guterres.

Foto: Donald Trump
Trump ka deklaruar të paktën 37 herë se një marrëveshje me Iranin ishte e afërt ose se Teherani ishte në prag të pranimit të një të tille, por ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare, sipas një analize të CNN.
Sipas medias amerikane, Trump ka vazhduar të pretendojë publikisht për më shumë se dy muaj se një marrëveshje është afër, pavarësisht se negociatat ende nuk kanë dhënë rezultate konkrete.
Më 7 prill, duke njoftuar armëpushimin me Iranin, presidenti shkroi në mediat sociale se palët ishin "shumë të avancuara" në bisedime dhe se dy javë do të ishin të mjaftueshme që "marrëveshja të finalizohej".
Që atëherë, vëren CNN, nuk është arritur asnjë marrëveshje, por Trump ka vazhduar të përsërisë se një marrëveshje tani është afër. CNN thotë gjithashtu se nuk ka prova që sugjerojnë se palët janë më afër një zgjidhjeje sot sesa ishin në prill.
Që më 23 mars, presidenti foli për negociata të supozuara paqeje, duke pretenduar se "pothuajse të gjitha pikat e marrëveshjes" ekzistonin, ndërsa të nesërmen ai deklaroi se besonte se konflikti do të përfundonte së shpejti.
Të paktën nëntë persona u vranë në një sulm ajror izraelit në një zonë të banuar popullore në qytetin jugor libanez Tyre.
Ndërkohë njëzet e tetë persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmi ndodhi menjëherë pasi ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi për qytetin.

Foto: J.D. Vance
Teherani dhe Uashingtoni janë pranë një marrëveshjeje që "Izraeli mund të mos e pëlqejë", por është "në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara", tha zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance në një intervistë me Fox News.
"Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë shumë interesa të përbashkëta, por ka edhe situata ku interesat tona ndryshojnë. Mendoj se presidenti ka qenë shumë i qartë se, ndërsa Izraeli padyshim ka disa objektiva, objektivi kryesor i SHBA-së në Iran është të sigurojë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore", tha ai.
Vance shtoi se "gjatë një viti e gjysmë të fundit, ne kemi krijuar hapësirën e nevojshme që presidenti të besojë - dhe mendoj se ai ka të drejtë - se ne mund të arrijmë një zgjidhje afatgjatë për çështjen bërthamore iraniane".
“Izraelit mund t'i pëlqejë ose jo. Por në thelb, ne besojmë se kjo është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", përfundoi ai.
Komente







"Marreveshja mund te nenshkruhet brenda dy-tre ditesh" !? Vertet mendoni se kete rradhe do te ndodhe ?? Gazhina Mishit
Përgjigju