Hera e dytë, si pasardhës kufomash

Hera e dytë, si pasardhës kufomash

Në vitin 2004, Ilir Meta ja doli të mbledhë socialistët e zhgënjyer nga Fatos Nano dhe humbja e rregullave të lojës brenda socialistëve, për të formuar një parti të re, në emër të integrimit të socialistëve.

Lëvizja Socialiste për Integrim ishte një bashkim i shumë figurave të vjetra të Partisë Socialiste, dhe një brezi të ri që nuk po integrohej dot brenda saj. Të parët ishin mbështetës të fortë të ish- diktaturës, ose figura emblematike të Partisë Socialiste, që Fatos Nano i kishte spostuar në emër të ndryshimeve në Partinë Socialiste.

Falë tyre, Ilir Meta pretendonte të ngjallte vlerat e së majtës tradicionale, duke bërë një aliazh të fanatikëve të komunizmit, me një brez të ri pragmatist, që në fakt donte një vend pune, ose protagonizëm në shoqëri.

Dalja e tij e bëri politikën tripolare, dhe falë tij, Sali Berisha arriti të nxjerrë në opozitë Partinë Socialiste më 2005 dhe ta ruajë fitoren falë koalicionit me LSI më 2009. Ky ishte dhe momenti kur LSI, u zhvesh nga figurat e së majtës tradicionale që e kishin mbështetur, në emër të idealizmit të tyre, për të majtën e braktisur nga Fatos Nano.

LSI mori identitetin e saj real, si një parti pragmatiste, që po tentonte të bëhej pakicë e artë në jetën politike, duke vendosur për fitimtarin.

Pasi kaloi disa momente dramatike në koalicion me PD, siç ishte shfaqja e kasetës më 11 janar 2011 dhe 10 ditë më vonë protesta popullore që çoi në katër të vrarë, Ilir Meta dhe Sali Berisha u bënë bashkë deri në momentin që drejtësia e çliroi Ilir Metën nga akuzat. Pas kësaj, Ilir Meta filloi të hedhë spirancën nga një aleancë e re me socialistët, duke llogaritur se nuk bëheshin më numrat për një shumicë me Partinë Demokratike.

Qeverisja e re me socialistët e rriti në numër dhe në peshën e pushtetit. Por bashkë me të forcoi dhe identitetin e një partie gjahtarësh, që tentonin të prodhonin elektorat me vende pune dhe favorizime pushteti.

Fillimi i Reformës në Drejtësi, me mbështetje të fortë të SHBA dhe BE, ishte momenti kur Ilir Meta filloi të dyshojë tek Edi Rama dhe ta shikojë reformën si një skenar të tij për ta hequr qafe. Pas shumë haluçinacionesh e paranojash, shpesh të forta dhe në publik, Ilir Meta ishte në mëdyshje para zgjedhjeve të 2017, nëse duhej të mbështeste një revolucion kundër Ramës, apo të pranonte ofertën e tij për President. Dhe vendosi t’i bëjë të dyja. Lulzim Bashën e nxiti të hynte në çadër dhe vetë shkoi u strehua në Presidencë.

Pas zgjedhjeve, Lulzim Basha mbeti në rrugë, ndërsa ai në zyrë, për t’i dhënë jetë operacionit të dytë të jetës së tij politike. Atë që kishte bërë me Fatos Nanon dhe Partinë Socialiste më 2004, tani filloi ta mendojë si një përsëritje kundër Partisë Demokratike.

Duke lënë në rrugë Lulzim Bashën, me një parti të dobët, me pakënaqësi të mëdha nga strukturat e vjetra të PD, ai e nxiti atë në disa akte të tjera radikale. Një vit pas zgjedhjeve, opozita doli nga Parlamenti, duke djegur mandatet, dhe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Ilir Meta është tani i vetmi opozitar në pushtet, së bashku me Avokaten e Popullit.

Në gjithë Shqipërinë nuk ka më asnjë këshilltar lokal të zgjedhur nga populli, që i takon opozitës, asnjë deputet apo zyrtar në pushtet. I vetmi është Ilir Meta.

Në këto kushte, kur opozita po degradon dita- ditës, kur njerëzit janë lodhur dhe kanë doza të mëdha mosbesimi si nga rruga radikale, ashtu dhe nga ajo e një alternative qytetare, Ilir Meta ka vendosur të bëjë hapin final.

Ai po tenton të dalë në rrugë, tani në emër të një të djathte radikale.

Njësoj si më 2004 kur e formoi LSI në emër të vlerave të së majtës tradicionale, tani po tenton të formojë një parti të re konservatore, nacionaliste, ksenofobe, e cila tenton të bëjë kontrast me profilin e butë të Lulzim Bashës dhe tentimin e tij për t’u moderuar si një lider i qetë me alternativën e tij.

Ilir Meta është i qartë se LSI është shkatërruar dhe e majta nuk ka më vota për të. Shpresa  e vetme është përçarja e së djathtës dhe hutimi që ka opozita mes radikalizmit verbal të Berishës dhe qetësisë së Lulzim Bashës.

Shpresa e Ilir Metës është të shkëpusë një copë nga e djathta, me shpresë se kështu mund të mbijetojë në emër të aleancës me Berishën.

Tri ditë më parë, ai ka trokitur në zyrën e Sali Berishës në mbasdite, për t’u ankuar për Lulzim Bashën që nuk po e mbështet. Takimi i tij larg kamerave dhe jo zyrtar, u shoqërua me thirrje nga shtypi i familjes Berisha, që Lulzim Basha të mbështesë protestën e Metës.

Në këtë klimë presioni, Basha ka dhënë një mbështetje formale, por pa urdhëruar strukturat të veprojnë. Thjesht është shprehur se mbështet protestën e presidentit, por ka theksuar se në pushtet vihet me zgjedhje të lira, me reformë zgjedhore, dhe me një alternativë më të mirë. Fiks gjërat që i ngrenë nervat Ilir Metës.

Ilir Meta tani ka shansin të provojë muskujt për të bindur të djathtën, se duhet të shkojnë në luftë pas tij, në emër të vlerave të Berishës, dhe jo pas Lulzim Bashës.

Herën e parë, më 2004, gjeti plot ish- socialistë tradicionalë, madje nga ata që besonin ende tek Enver Hoxha, dhe i bindi se ishte pasardhësi i duhur i tij. Tani po përpiqet të gjejë mbështetës të Berishës, nga ata që duhet të besojnë se Berishën mund ta zëvendësojë vetëm ky. Nuk e ka keq këtë skemën si pasardhës kufomash.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Haha: 24/02/2020 21:55

    .... nuk e ka keq kete skemen si pasardhes kufomash... po vet eshte nje kufome

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Atentat avokatit në Memaliaj, i shpëton breshërisë së kallashnikovit: U qëllova për shkak të detyrës! Arrestohet autori

Atentat avokatit në Memaliaj, i shpëton breshërisë së kallashnikovit: U qëllova për shkak të detyrës! Arrestohet autori