Hervin Çuli: Olldashi, po"hëngri"
Bashën, e "ha" edhe Berishën

TIRANË -  “Beteja” Basha – Olldashi për kreun e Partisë Demokratike nxiti një debat të fortë në studion e tv “A1Report” ndërmjet dy gazetarëve Sami Neza e Soni Kurani me regjisorin Hervin Çuli.

Çuli ka mbrojtur me tone të larta, kandidatin Sokol Olldashi, duke e konsideruar atë si një njeri me kurajo, që e dallon nga kandidati tjetër Basha, pas të cilit realisht qëndron Berisha, siç tha ai. “Kush do jetë kryetari i PD-së, Basha apo Berisha? Sepse Olldashi po “hëngri” Bashën, “hëngri” dhe Berishën. Të paktën Olldashi ka një grimë kurajoje më shumë se ata, pati kurajon ta akuzojë Ilir Metën, gjë që asnjë nga ata të dy s’e ka bërë, ” theksoi ai.
 
Përkundër Çulit, një qëndrim më të moderuar kanë mbajtur dy gazetarët Neza dhe Kurani, të cilët kanë vlerësuar të dyja figurat në garë por pa mbështetur asnjerin prej tyre.  Neza tha: “Basha dhe Olldashi janë njësoj të sponsorizuar në PD, por Basha, duke ardhur më vonë në PD, është sponsorizuar për një betejë tjetër, atë në bashki, ku është përforcuar. Ne nuk shohim asnjë sjellje të Berishës të mbajë anë të ndokujt dhe i gjithë procesi po kryhet paanshmërisht.
 
Pse duhet të jetë më i rëndësishëm perceptimi sesa fakti?! Ne duhet të shikojmë faktin.  Kryetari i PD-së është  ai që i nevojitet më shumë asaj, është ai që merr konsensusin me mbi 50% të votave dhe ky është ai që i duhet anëtërësisë. Nuk ka asgjë më të ligjshme sesa kjo. Berisha deri tani s’ka deklaruar asgjë dhe nuk ka sjellje të tij ndaj njerit apo tjetrit.”
 
Po për këtë çështje, Kurani tha: “Unë do thoja se vetë heshtja e z.Berisha është perceptuar si një mbështetje e heshtur ndaj z.Basha, por përsa i përket perceptimit unë po ju them se në 23 qershor u zhduk gjithçka dhe askush nuk besonte se rreth 1/7 e parlamentit do ta merrte LSI-ja.
 
Unë mendoj se PD është në telash të madh për riorganizimin dhe mbijetësën e saj dhe për shqiptarët, sepse një opozitë e dobët do të krijonte probleme. Pra, opozita që do të vijë tani në shtator ka një mision të dyfishtë: rimëkëmbjen e saj si dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve nëse ato do rrezikohen. Por, ndryshe nga Çuli, ne nuk i japim vetes të drejtën të deklarohemi pro njerit apo tjetrit kandidat kur procesi sapo ka nisur,” – përfundoi ai.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)