Historia e Gjuhës Shqipe e kërkuar në veprat e De Radës

Historia e Gjuhës Shqipe e kërkuar në veprat e De Radës

Jeronim De Rada

De Rada është poeti më i madh arbëresh dhe njëri prej klasikëve të letërsisë shqiptare, njëkohësisht publicist e filolog, folklorist e veprimtar, figurë qendrore e Rilindjes sonë kombëtare.  Emri i tij është i lidhur me njërën nga periudhat më të vështira, por edhe më të lumnueshme të Italisë e të Shqipërisë, meqenëse ai luftoi për të dyja këto vende. E ka nisur veprimtarinë e tij kur lëvizja e Rilindjes Shqiptare ishte ende në hapat e saj të parë dhe për 70 vjet me radhë qe shpirti frymëzues i saj. Ai ka qenë një përfaqësues i  denjë i ndërgjegjes dhe i rizgjimit kombëtar të shqiptarëve, një simbol sakrifice për Atdhe e Liri, një rreze shprese që po lindte për një Shqipëri të lirë e të pavarur.

     Vepra e tij është një kontribut i çmuar edhe për historinë e shqipes. Në të gjejmë fjalë, shprehje, trajta e konstrukte, që pasqyrojnë një stad më të hershëm të gjuhës; si rrjedhim, ato kanë një rëndësi të veçantë për studimin e historisë së saj. Nga kjo anë, interesi që paraqesin veprat e poetit më të madh arbëresh për studimin e historisë së shqipes e ka burimin në faktin se ato janë shkruar në dialektin arbëresh, që ka ruajtur mjaft tipare arkaike, për arsye të shkëputjes së tij që në shekullin XV nga trungu i gjuhës-nënë. Kësaj duhet t’i shtohet fakti se De Rada ka pasur një frymëzim spontan, gjë që e bën veprën e tij një pasqyrë mjaft besnike të së folmes së vendlindjes dhe të krahinës përreth.


Jeronim De Rada

     Kontributi që paraqet vepra e De Radës për studimin e historisë së shqipes mund të shqyrtohet në disa aspekte. Nga ana leksikore, De Rada përdor mjaft fjalë të vjetra, arkaizma, që zgjojnë interes për etimologjinë e tyre. Në aspektin fonetik, poeti nxjerr në dritë tipare dialektore, që i gjejmë edhe në treva të tjera ku flitet shqipja, tek arbëreshët dhe në viset përkëtej Adriatikut, më shumë në vise jugore por nganjëherë edhe në vise veriore, si rezultat i përzierjes së emigrantëve nga krahina të ndryshme të Shqipërisë. Një interes të veçantë paraqesin sidomos disa trajta gramatikore, që kanë qenë të gjalla në një fazë të hershme të shqipes dhe janë ruajtur në veprën e poetit të madh. Si trajta arkaike, ato i kanë edhe autorët e vjetër ose gjenden nëpër të folme dialektore; si rrjedhim, një vështrim i tyre në plan krahasimtar ndihmon për të skicuar kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të shqipes në periudha më të hershme të zhvillimit të saj.

Për sistemin emëror, vëmë në dukje ruajtjen e gjinisë asnjanëse, në emra që sot kanë kaluar në gjini të tjera; si ballë, krye, ujë, rrush etj.; p.sh. Ngrëjti ballët e sbuljuar; Pruar e uli kriethit; gjith kaqë ata uj; rrusht i dha të lamahjurve. Siç dihet, kjo gjini ka qenë e gjallë para disa shekujsh, por ka ardhur duke u rrudhur gradualisht, aq sa sot është zhdukur. Në këtë pikë De Rada dëshmon një tipar të shqipes së lashtë, që e pasqyrojnë edhe autorët e vjetër të letërsisë shqipe.

Një tipar tjetër që e gjejmë në veprat e tij, është një trajtë e kallëzores së shquar me mbaresën -t, që shoqërohet gjithnjë me një parafjalë, një formë rasore e krijuar përbrenda shqipes në një periudhë më të hershme se fillimet e shqipes së shkruar, të cilën e kanë pasur të gjitha të folmet, por sot ka mbetur vetëm në përdorime dialektore. De Rada e përdor atë mjaft dendur; p.sh. Ndë çerët e dhezurës; Uj të rī ndë dejtit; Si drita ndë qiellit. Një trajtë tjetër rasore arkaike që përdor De Rada është gjinore-dhanorja shumës me mbaresën e vjetër -et me emrat që mbarojnë me një bashkëtingëllore; p.sh. shpīt e njerëzet; E garruam vëllezëret; Komini i Topenjet. Në shqipen e sotme kjo trajtë rasore përdoret me mbaresën -ve, ku bashkëtingëllorja -v- ka ndërhyrë në fillim tek emrat që mbaronin me zanore dhe më vonë është shtrirë në ata që dilnin me bashkëtingëllore.

Në forma të tilla De Rada ruan edhe një tipar tjetër: nyjën -t në trajtën e shquar, e cila në shqipen e sotme ka rënë e nuk përdoret më; p.sh., Shkundi borën e fushavet; E rëmpiem gjitonevet; Friti ēr e malevet. Shpeshherë De Rada përdor trajtën e vjetër të rrjedhores së shquar shumës me mbaresën ‑shit; si: Dielli i sqepur reshit; Shpejt edhe pra duarshit  t’ona. Edhe kjo formë, që ka dalë jashtë përdorimi në shqipen e sotme, ka qenë e gjallë te autorët e vjetër, si Buzuku, Matrënga etj. duke ardhur përdorimi i saj deri në periudhën e Rilindjes. Gjejmë, gjithashtu, gjurmë të një paradigme lakimi të emrave femërorë, që dilnin me mbaresën ‑ja në trajtën e shquar; si p.sh. e bashk dërgon të fala shëndetës të katundit. Në shumësin e emrave, janë për t’u vënë në dukje disa trajta metafonike, si: shtrete, kuel, rehe, si p.sh. të shprishta ndër shtrete; Gjegji kuel se hinkëlin; çë more rehet?, duke u shtrirë kjo dukuri analogjikisht edhe në klasën e mbiemrave; p.sh. Dushqe të lert rrëjin te rēt.

     Për sistemin përemëror, De Rada përdor trajtën e vjetër u të vetorit unë; p.sh. U pushonj ndë kët dimër; u të më shoh; O e shkreta u. Kjo trajtë, që e ka edhe Buzuku, ruhet edhe sot në krahinat e Veriut të Shqipërisë, si edhe në të folme anësore të Jugut. Përemrin kjo e përdor në trajtën e vjetër me zanoren -ë të ruajtur; p.sh. Kā m’erth te kurmi gjith këjo gadhī. Përemrin e pacaktuar tjetër e ka ruajtur në trajtën e tij të thjeshtë pa përngjitje të nyjës, që është edhe forma më e vjetër; si p.sh. Kalli jetërën te gjiri; ruan nj’īll e jetërin.


("Këngët e Milosaos")

Edhe kjo trajtë, që është zhdukur në shqipen e sotme, gjendet në veprën e Buzukut. Një tjetër përemër, që ka ruajtur formën më të vjetër, është vetvetori vetëhe; p.sh., Vate tha me vetëhēn; Besën e kān mbī vethēn; E ktu vetëhēn time. Kjo trajtë e lashtë përemri gjendet në veprat e të gjithë shkrimtarëve të vjetër gegë e për nga forma pajtohet sidomos me trajtën e të folmeve të Jugut: çam. me vethe, për vethe.

     Në sistemin foljor, janë për t’u vënë në dukje disa forma arkaike, që janë zhdukur në shqipen e sotme, por janë ruajtur të gjalla në disa të folme anësore. Në trajtat e së tashmes, është ruajtur mbaresa e vjetër -nj; si p.sh. t’i frīnj ajrin. Paradigma e zgjedhimit të foljeve në -mi, që në shqipen e sotme e kanë ruajtur vetëm foljet jam, kam e them, në veprat e De Radës ka një shtrirje më të madhe, duke përfshirë edhe folje të tjera; si p.sh. na ju ruami; Pas vëdekur, tha, na rromi; mbi anī shkomi detin.

Një mbaresë tjetër e foljeve në të tashmen është -ën, që në shqipen e sotme e marrin pak folje njërrokshe, si ikën, ecën, hipën., kurse në veprën e De Radës ka shtrirje më të madhe, si p.sh. Ajo e gjegjën; Lulevet çë tundën era. Edhe kjo paradigmë foljore, që është një zhvillim i brendshëm i shqipes, ka qenë mjaft e gjallë para disa shekujsh, sikurse e dëshmon edhe Buzuku; por ajo ka ardhur duke u rrudhur, sa kanë mbetur vetëm disa gjurmë të saj në gjuhën e sotme. Në trajtën joveprore, ka raste kur ajo është formuar drejtpërdrejt nga trajta veprore, duke hyrë në përbërjen e saj edhe mbaresa; si p.sh.

E zëgjonem e garepsur; Mos zgjonet mëma. Këto trajta janë të pranishme në veprën e Buzukut dhe në disa të folme anësore të Jugut të Shqipërisë, sidomos në çamërishte. Më të larmishme janë nga kjo anë format e së pakryerës, sidomos në vetën e tretë numër njëjës, që del pa mbaresë, sepse mbaresa -te është relativisht e re.

Kësisoj, De Rada ruan format më të lashta kur atyre nuk u ishte ngjitur mbaresa; si p.sh. Çë mi dil tek udha e lumit. Edhe këto forma i kanë autorët e vjetër të Veriut dhe e folmja e çamërishtes në Jug. Një përdorim të dendur ka edhe një trajtë tjetër e së pakryerës me mbaresën -ej, që është e njëjtë me mbaresën e trajtës joveprore; p.sh. Por lumbārdh e Anakreontit / Ronej Tēmp e moçëme; E u pruar t’ ikënej; Shkonej vajza mespurtek; Vucën ajo ngrënej. Edhe kjo formë është e gjallë sot në krahinat e Jugut të Shqipërisë, sidomos në të folmen çame; p.sh.: edhe rronej mirë me gja. Në të kryerën e thjeshtë, trajta e krijuar me anë të tkurrjes në vetën e dytë është shtrirë edhe në vetën e parë; p.sh. Bardhullore u më e pē. Kjo trajtë është popullore në të gjitha të folmet arbëreshe; madje, ajo gjendet edhe te shkrimtarët e vjetër të Veriut. Interes paraqet edhe folja vete, që përdoret me mbaresën -te edhe në të kryerën e thjeshtë, ashtu si në disa të folme të Jugut të Shqipërisë; p. es. Nd’uj një ditë vate te mali. Në format e së kryerës së thjeshtë përdoret shpesh bashkëtingëllorja -t, si një mbaresë dytësore; p. sh. Sbardhëtin anīzit, Ruatin pranë u shegëtin; muartin frēnt e zaljevet; e porsitëtin të të ndërrōnj.

Trajtat e së ardhshmes, ashtu si në të gjitha të folmet arbëreshe, janë të formuara me foljen ndihmëse kam dhe me lidhoren; si p.sh. Kā të niset e magjepsur?; E pse kē t’e thuash?. Kjo formë që del edhe te autori i parë i letërsisë arbëreshe, Lekë Matrënga, nuk përdoret përkëtej Adriatikut, me përjashtim të ndonjë gjurme në Bregdetin e Poshtëm. Ndërmjet formave të pashtjelluara, vërehet edhe ndonjë rast i përdorimit të paskajores gege me pjesëzën  me; p. sh. mënōj ca hēr me rruar. Përdorimi i kësaj trajte, në një të folme që ka si bazë dialektin jugor, e ka burimin në përzierjen e elementit të emigruar kryesisht nga Jugu me grupe nga krahinat veriore. Përcjellorja shfaqet me tre formante të ndryshme: tuke, tue e ture; p.sh., djalin tuke ninulur të sëmurëm; tue mbjedhur tërkuzën; Prā të vëhej ture tjērr. Nga këto, pjesëza tuke i përket dialektit toskë, tue është e dialektit gegë, kurse ture është një risi e të folmeve arbëreshe.

     Ndër pjesët e paeptueshme, parafjalët ndë, mbë kanë ruajtur formën e tyre të vjetër, ashtu siç i ka edhe Buzuku e shkrimtarë të tjerë pas tij; p. sh. Ndë çerët e dhezurës; Fjisin, se ndë vatërët s’īn të j’atërat e vrërët; Kallëzoret mbë dhemat mbajn kangjele. Formën e saj më të vjetër ruan edhe pjesëza mohuese së; p. sh. Së leu ndër të mundasha; Së doi t’ikënej.

Zhvillimet në fushën e sintaksës

Me interes të veçantë gjuhësor janë edhe zhvillimet në fushën e sintaksës. Ka ndërtime e struktura të vjetra, që janë zhdukur nga shqipja e sotme, por kanë qenë të pranishme në shqipen e lashtë. Nga këto vëmë në dukje përdorimin e rrjedhores pa parafjalë; si p.sh. Mua më zëgjoi tue fjuturuar qelqevet finestërës; Dielli i sqepur reshit. Me rasën rrjedhore përdoret edhe parafjala për; p. sh. Më rëmpeftë për dorje; Si garea çë del për sish. Në shqipen e sotme këtij përdorimi mund t’i ketë mbetur vetëm ndonjë gjurmë në të folme dialektore. Në veprën e De Radës gjejmë të përdorur gjithashtu një emër pa parafjalë për të shprehur një rrethanor vendi; p.sh. Vet Fjokat u m’u hjimisa; Kur jesh djāl e Salonik vajta; Po ndë javet vemi Art. Kemi të bëjmë me një tipar të lashtë, që dëshmohet në gjuhët më të vjetra; khs. lat. Eo Romam. Në ndonjë rast lakohet mbiemri së bashku me emrin që ka përpara; p.sh. Deljet ona u kīn gapur / Ljumravet të kaljthërve. Raste të tilla të lakimit të dy gjymtyrëve të togfjalëshit gjenden edhe tek shkrimtarët e vjetër e aty-këtu nëpër të folme dialektore; p.sh. te Buzuku: ata lanë Zotnë e ujënavet gjallave; Bogdani themeli i gjithë vepëravet mirave; në folklor: Kur ka dalë m’bjeshkën ma t’naltën. Për përdorimin e nyjave janë për t’u vënë në dukje dy raste me rëndësi për historinë e gjuhës shqipe. De Rada përdor më shpesh se në shqipen e sotme të ashtuquajturën nyjë pronore me emrat e farefisnisë, sidomos në numrin shumës; p.sh. se ndë vatërët / S’īn të j’atërat e vrërët; te i emti ndë Pëllast. Rasti tjetër është përdorimi i nyjës së përparme përpara emrave etnikë; p.sh. Po nd’ān streksi një i Arbresh, të cilin e kanë gjithashtu autorët e vjetër; p.sh., te Bardhi: I katundas; te Bogdani:  të gjytetasitë.

De Rada përdor shpesh dhanoren etike, një formë përemërore që tregon afërsi; p.sh. Mos më jē ti e dheut guaj?; Kā bāllt u më ja e reshta; Më ja e vū ndë dorjet; E më j’u duk i jati. Për përemrat pronorë, është për t’u vërejtur përdorimi i shpeshtë i tyre në pozicion para emrit; p.sh. itë vëllā erdh me dhëntërrin; Po jot motër martoghet; Ahier īn-zot i njomur prori; i biri t’īn zoti. Në këtë pozicion, që gjendet edhe në disa të folme në Shqipëri, është ruajtur më mirë trajta e hershme e pronorit.

Interes të veçantë paraqesin edhe disa ndërtime të vjetra e me karakter popullor me parataksë në vend të hipotaksës, që përdoret në shqipen e sotme; p.sh. Ç’ësht e ikën si ajri?. Edhe ky është një tipar i shqipes së lashtë, gjurmët e së cilës i gjejmë te shkrimtarët e vjetër e në të folme dialektore; si p.sh.:  te Budi: E prifti mbet e j tha; në rapsoditë e Veriut: me shpata kanë nisë e po priten; Ça ka qitun e ka thanë. Trajtat e së ardhshmes De Rada i përdor shpesh pa pjesëzën të; p. sh. e s’kam vinj më; Dua vete mbë kjish. Së fundi, vëmë në dukje një rast të veçantë në rendin e fjalëve në ndërtimet foljore me mënyrën urdhërore dhe trajtat e shkurtra të përemrave; si p.sh. Thomnie ju të dashurit; po mbamnie se jasht m’e vrasën. Këtu kemi dy trajta përemërore, që ndahen nga njëra-tjetra nga mbaresa foljore (tho-më-ni-e, mba-më-ni-e), ndryshe nga shqipja e sotme, ku trajtat e shkurtëra të bashkuara vendosen të dyja para mbaresës.

     Si përfundim, mund të thuhet se veprat e De Radës kanë ruajtur mjaft tipare që janë zhdukur në shqipen e sotme. Në veprat e tij gjejmë të folmen e vendlindjes së poetit, në një vështrim më të gjerë, dialektin arbëresh, që në shumë aspekte është arkaik dhe ruan karakteristika të shqipes mesjetare. Për këtë arsye veprat e poetit të madh të Makit kanë një rëndësi të veçantë për kërkimet në fushën e historisë së gjuhës shqipe.

(Shënim.Titujt dhe mestiyujt jane redaksionalë)

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Finalja e Kupës së Shqipërisë! Zbulohet data, orari dhe stadiumi se ku do luhet

Finalja e Kupës së Shqipërisë! Zbulohet data, orari dhe stadiumi se ku do luhet