Historia e pazakontë, i grabit 24
mln lekë cigare, i vë edhe gjobë

Historia e pazakontë, i grabit 24<br />mln lekë cigare, i vë edhe gjobë
TIRANE- Të të vjedhin miliona lekë mall dhe të të kërkojnë para që t’jua kthesh, “pasi iu duhen të paguajnë punëtorët që ndihmuan në grabitje”, veç në Shqipëri dëgjohet. “Unë e kam mallin tënd, por t’i më jep lek që të paguaj punëtorët që më ndihmuan të ta vidhja, pastaj ta kthej”.

Është kjo me pak fjalë fabula e një trilleri të ndodhur në Pogradec, që ka habitur prokurorët e Krimeve të Rënda në Tiranë, pasi dosja u transferua tek ata për çështje kompetencash. Sipas dokumentacionit të mbërritur në organin e akuzës, ngjarja zë fill më 28 tetor të vitit të kaluar, në lagjen 4 të Pogradecit, ndërsa çështja është regjistruar më datën 31 tetor, tri ditë më vonë.

Gilbert Kaprit, një distributor cigaresh në qytetin e Pogradecit, i është grabitur magazine me cigare, ku i janë vjedhur një sasi e madhe kolish. Konkretisht, sipas financierit të tij, i cili është marrë në pyetje nga policia, mungonin në magazinë, 345 koli me cigare të markës “PRESTIGE” dhe sipas vlerësimit paraprak, rezultoi, se këto koli të vjedhura arrijnë në shumën 24.440.000 lekë, çmimi i blerjes.

Nga ana e grupit hetimor, në vendngjarje janë gjetur gjurmë daktiloskopike, të cilat i janë nënshtruar ekspertimit. Veç denoncimit për vjedhjen, ai ka treguar edhe emrin e autorit të mundshëm, për të cilin ai dyshonte. Por, në kohën që ai ende nuk ishte arrestuar, biznesmeni i dëmtuar ka negociuar vetë me të.

Por, është ndeshur me një kërkesë, të cilët as nuk i kishte shkuar mendja që mund t’ia bënte një hajdut. Sipas materialit që disponojnë Krimet e rënda në Tiranë, më datën 29 tetor, Kapri ka thënë, se nga telefoni i një shoku me nr. 069 xxxxx ka telefonuar Ilir Berberi, 45 vjeç, në numrin 069 xxxxx dhe i ka thënë që t’i kthejë cigaret që i kishte vjedhur.

Grabitësi e ka pranuar veprën, ndërkohë që i ka premtuar, se do t’ia kthente të nesërmen e telefonatës, pra më datën 30 tetor. Por, veç telefonatës, ai ka negociuar edhe në mënyra tjera. Më datën 3 nëntor, kur dhe ka denoncuar në komisariatin e Pogradecit, Gilbert Kapri ka shpjeguar veç të tjerave, se në datën 31.10.2012, rreth orës 21.00, me ndërmjetësimin e A.Berberit dhe Y.Mingës, është takuar me Ilir Berberi.

Ky takim është realizuar në një lokal në Tushemisht, ku kanë qenë të pranishëm Gilbert Kapri, Ilir Berberi dhe dy persona të tjerë. Pikërisht në këtë takim, ka nisur dhe historia më e çuditshme e gjithë kësaj historie. Kapri i ka kërkuar shpjegime Ilirit në lidhje me vjedhjen e cigareve.

Gjatë bisedës, Kapri i ka kujtuar Ilirit, se i kishte bërë ndere dhe nuk duhej t’i vidhte cigaret. Për një moment, kur Berberi ka pranuar vjedhjen, është duket se gjithçka do të zgjidhej. Por, biznesmeni i dëmtuar është përballur me një kërkesë të çuditshme.

“...unë e kam të gjithë mallin që të është vjedhur dhe unë ta kthej atë, por duhen 100 mijë euro, se do të paguaj njerëzit që më kanë ndihmuar për të vjedhur kolitë e cigareve dhe se të gjitha kolitë i kam aty, por dua 100 mijë euro...”. Kjo ka qenë kërkesa e parë, e cila është refuzuar nga Kapri, i cili i ka thënë që lekë nuk i jepte, por mund të mbante 50 apo 100 koli me cigare.

“Pazari” nuk është mbyllur dhe më vonë, më datën 5 nëntor, sipas dëshmisë së biznesmenit në polici e prokurori, me datën 4 nëntor, rreth orës 11.00, e ka marrë në telefon Ilir Berberi, nga numri 069 xxxxxxx, tek numri 069 xxxxxxx dhe i ka thënë këtij të fundit: “... meqenëse nuk më jep 100 mijë euro në këmbim të cigareve që të kam vjedhur, atëherë më jep një sipërfaqe toke, ku unë jam në dijeni se është me leje dhe me projekt ndërtimi dhe me taksa të paguara në bashki... ky është kushti që të të kthej cigaret që të kam vjedhur, në të kundërt unë nuk t’i kthej cigaret dhe do sajoj fjalë të paqena për ty...”.

Biseda e kryer në dt. 31.10.2012  në Tushemisht konfirmohet dhe nga deklarimet e dy shtetasve të cilët kanë qenë të pranishëm dhe ndërmjetës së bisedës mes Ilir Berberit dhe G. Kaprit.

PËRGJIMET

Grabitësi hapte fjalë se ishin ortakë në biznes

Përveç deklarimeve, duket se telefonat janë vënë në përgjim. Siç thuhet në aktet që disponon prokuroria, nga hetimi me metoda speciale, ndër të tjera, është zbuluar, se i pandehuri Ilir Berberi komunikon me të dëmtuarin Gilbert Kapri.

Në bisedë rezulton, se i dëmtuari i thotë shprehimisht të pandehurit se, “ti më kë nxjerrë bojën mua, sikur jam ortak me ty. Ti më kë nxjerrë bojën mua, sikur unë të kam borxhe ty. Unë po të të kem borxhe ty, ti të nxjerr sytë”.

Ndërsa i pandehuri i përgjigjet, “Ore Gile qetësohu, se këtë më tha dhe Edi. Unë po thosha kështu kot, po tallesha me Edin”. Në këtë bisedë, i pandehuri i thotë të dëmtuarit, se ajo që ai ka konsumuar është vetëgjyqësi, pasi ai ka kërkuar të drejtën e tij.

BISEDAT MES GRABITËSIT E BIZNESMENIT

Data 3.11.2012 në Tushemisht, takimi

Ilir Berberi: “...unë e kam të gjithë mallin që të është vjedhur dhe unë mallin ta kthej, por duhen 100 mijë euro. Se, do të paguaj njerëzit që më kanë ndihmuar për të vjedhur kolitë e cigareve dhe se të gjitha kolitë i kam aty, por dua 100 mijë euro...”

G.Kapri: Nuk mund të jap 100 mijë euro, por mbaj 50 apo 100 koli cigaresh dhe më kthe pjesën tjetër të kolive.

Iliri Berberi: Të bëjmë një kontratë noteriale, ku duhet të deklarosh që më ke 100 mijë euro borxh dhe paratë mund të m’i japësh kur t’i kesh.

Biseda në telefon e datës 4.11.2012


Ilir Berberi: “... meqenëse nuk më jep 100 mijë euro në këmbim të cigareve që të kam vjedhur, atëherë më jep një sipërfaqe toke, ku unë jam në dijeni se është me leje dhe me projekt ndërtimi, si dhe me taksa të paguara në bashki... ky është kushti që të të kthej cigaret që të kam vjedhur, në të kundërt unë nuk t’i kthej cigaret dhe do sajoj fjalë të paqena për ty...”.

G.Kapri: “Ti më kë nxjerrë bojën mua sikur jam ortak me ty. Ti më kë nxjerrë bojën mua sikur unë të kam borxhe ty. Unë po të të kem borxhe ty, ti të nxjerr sytë”.

Ilir Berberi: “Ore Gile qetësohu, se këtë më tha dhe Edi. Unë po thosha kështu kot, po tallesha me Edin.”

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Skandal trukimi në futbollin belg, Westerlo dhe Genk barazojnë 1-1! Lojtarët 'shëtisin' në fushë (VIDEO)

Skandal trukimi në futbollin belg, Westerlo dhe Genk barazojnë 1-1! Lojtarët 'shëtisin' në fushë (VIDEO)