Homazhet/ Largohet nga jeta kompozitori, Ciko: Ja pse u la në hije Kozma Lara

Homazhet/ Largohet nga jeta kompozitori, Ciko: Ja pse u la në hije Kozma Lara

Maestro Zhani Ciko dhe Kozma Lara

Kjo e shtunë erdhi me një lajm të trishtë. Kompozitori Kozma Lara , përfaqësuesi i një brezi të ndritur muzikantësh shqiptarë,  u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.  Përcjellja e kompozitorit u bë me një ceremoni të thjeshtë në Universitetin e Arteve, ku e nderuan  artistë, miq  e familjarë. Ndërsa Kozma Lara ndërroi jetë në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, kwtw tw shtunw, personazhe të artit e politikës e kanë kujtuar me dashuri e përzemërsi, duke i dedikuar mesazhe nderimi e ngushëllime familjes së tij. Muzikologu dhe akademiku Vasil Tole, duke dhënë lajmin e hidhur, u shpreh: “Me dhimbje ndajmë në këtë orë të vonë, lajmin e ndarjes nga jeta të profesorit Kozma Lara (1930-2019), i fundit nga të mëdhenjtë themelues të muzikës shqiptare.”

Edhe kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kompozitorit të njohur Kozma Lara. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka ngushëlluar familjarët dhe të afërmit për humbjen e kompozitorit. Rama thekson se Kozma Lara i kushtoi një jetë të tërë tastierës, ku shkroi vepra të vyera muzikore. “Kozma Lara u nda nga një jetë e tërë mbi tastierën ku shkroi vepra të vyera muzikore. I paharruar kujtimi”, shkroi kryeministri. Gjithashtu , violinisti i njohur, Florian Vlashi, shpreh dhimbjen për humbjen e mjeshtrit të kompozimit. “Më hidhëroi shumë vdekja e profesor Kozma Larës. Brezi i ndritur i muzikës shqiptare po largohet pak nga pak në një “diminuendo” pa “rallentando”., shkruan ndër të tjera violinisti.  

Kozma Lara është një ndër themeluesit e shkollës kombëtare të muzikës, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar krijuese. Ai ka lëvruar thuajse çdo gjini muzikore. Studentët e tij çmojnë vlerat profesionale dhe njerëzore.

Kozma Lara, i fundit nga të mëdhenjtë themelues të muzikës shqiptare, u lind në Durrës, më 10 Korrik 1930. Veprat e tij të para, filluan të dëgjoheshin në vitet ’60-të. Në 1965, u duartrokit sinfonia e tij, një vit më vonë, kompozoi muzikën e baletit “Fatosi Partizan”, që u vu në skenë nga koreografi Panajot Kanaçi. Në vitin 1958 ai studion në Konservatorin P. Iliç. Çajkovski në Moskë (ish BRSS), në degën e Kompozicionit. Ishte student i Profesorit Sergey Artem'yevich Balasanian. Gjatë viteve ka kontribuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë si Koncert Maestër dhe në Shkollën e Mesme të Muzikës “Mujo Ulqinaku”, Durrës.  

Një profil më të zgjeruar të jetës dhe veprës së Kozma Larës na e prezanton në një intervistë të shkurtër për “Shqiptarja.com”, dirigjenti i njohur Maestro Zhani Ciko, ish drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit, i cili kujton ndër të tjera edhe problemet që i kanë dalë artistit me krijimtarinë, dhe arsyet se pse u la në hije  artisti, që siç thotë Zhani Ciko “Albumi i tij pianistik i Kozma Larës është më i pasuri nga të gjithë kompozitorët.”

Intervista

Profesor Ciko, cilat janë vlerat e veprës së kompozitorit Kozma Laro në muzikologjinë shqiptare?

Kozma Laro i përket atij grupi të shkëlqyer të kompozitorëve, të cilët erdhën të dytët pas atij grupi të perkursorëve të parë që filluan studimet në Liceun Artistik si pianistë dhe që studioi më pas dhe në konservatorin e Moskës dhe u kthye këtu pastaj si pedagog në Akademinë e Arteve ose siç thuhej atëherë konservatori shtetëror i Tiranës dhe pastaj u bë Instituti i lartë i Arteve. Krijimtaria e tij përmban kryesisht vepra instrumentore dhe sidomos pianistike, ku shquhet dhe kontributi i tij sidomos me kolegët e  tjerë. Ka shkruar shumë prelude, balada, sonata, pjesë të ndryshme pianistike, të cilat ai i ka konceptuar edhe në stilin e tij të veçantë krijues. Kozma Lara kishte edhe një notë bashkohësie në krijimtarinë e tij që në fillimet e veprave të tij, që i bëri origjinale dhe veçanërisht në repertorin e pianos. Ka shkruar dhe opereta.  Ka katër koncertet për piano, koncerte për violinë, rapsodi për piano dhe sinfoninë e tretë shqiptare për Orkestrën e RTSH. Një nga veprat e rralla.  Ka shkruar suita simfonike dhe një vepër konteporane së fundi “Kujtime nga Kanadaja”, që e shkroi kur ishte tek i biri, dhe kur erdhi solli një album me “kujtime”. Albumi muzikor i Kozma Larës është shumë i pasur, më i pasuri nga të gjithë kompozitorët.

Por nuk kanë munguar dhe veprat e tjera instrumentore të tij, suita për orkestrën simfonike, veprat të tjera, si edhe baleti “Fatosi partizan”. Ky balet është një nga veprat më e rëndësishme skenike të rëndësishme të tij, i cili pati marrë kritika të shumta ideologjike në kohën e tij.

Për cilat arsye mori kritika ideologjike?

-Për shkak se Laro solli nëpërmjet muzikës së tij temën e Luftës Nacionalçlirimtare, sipas poemës së Fatmir Gjatës “Kënga e partizanit Bejko”. Edhe libreti ishte përsëri i Fatmir Gjatës me koreografi të Panajot Kanaçit. Mirëpo vepra nuk i pëlqeu udhëheqjes, sepse nuk dilte në dukje armiku, sepse kishte një trajtim të veçantë atëherë më të avancuar se koha, siç duket. Kjo temë e luftës, që nga mosdija e udhëheqësve komunistë u gjykua sepse  kujtonin që do të bëheshin beteja në skenë..., e histori të tilla. Këtë balet me muzikë të Kozma Larës, koreografi i madh Panajot Kanaçi e kishte zgjidhur që të ngjitej në skenë me një gjuhë më simbolike, dhe kjo nuk po kuptohej nga udhëheqja. Unë isha violinist në atë kohë në Opera dhe e mbaj mend që po punohej që të korrigjohej kjo vepër.

Për cilat vite bëhet fjalë?

-Bëhet fjalë për vitin 1967. Atëherë kam nisur punë në Teatrin e Operës. Ishte një situatë e komplikuar dhe e rënduar psikologjikisht, sepse ishte koha kur Teatri i Operës kishte shumë pak vepra, sepse ishte ndaluar krijimtaria e huaj. Ishin hequr veprat e kompozitorëve të mëdhenj dhe koreografëve të njohur botërorë dhe kjo ishte si rezultat i Revolucionit Kinez. Dhe kishin mbetur vetëm katër vepra: në balet “Halili dhe Hajria”, opera “Mrika”, “Detashmenti i kuq”, një balet kinez dhe “Fatosi partizan”, ishte vepra e katërt. Shfaqja u dha e përmirësuar në ato drejtime që kërkonte udhëheqja atëherë. Madje pas këtij korrigjimi, mbeti një butafori skenike me malet e rënduara dhe peizazhet e egra që simbolizonin luftën. Më vonë, ky balet nuk u dha më. Ndërsa Kozma Lara vazhdoi të shkruante muzikë. Madje duhet theksuar se ai ishte një pedagog shumë i kujdesshëm i analizës së formës.

Është vënë re një lënie në hije e Kozma Larës, jo vetëm nga kolegët, institucionet, por e rrjedhimisht e fatkeqësisht edhe nga ne të medias, pse ka ndodhur kjo?

-Kjo ka ndodhur edhe për faktin e kritikës që iu bë baletit “Fatosi partizan”. E dyta, Kozma Lara nuk shkroi vepra të tilla si këngët të festivalit, apo vepra të karakterit që do t’i bënin më shumë jehonë në atë kohë.  Por shkroi muzikë serioze. Kjo muzikë edhe pse e përkorë nuk mundet të bëjë jehonë masive. Ai ishte një kompozitor që nuk hapej tek tematika dhe veprat e  politizuara. Ka dhe një arsye tjetër, që kolegët e tij kompozitorë ikën në moshë të re. Kozma Lara jetoi më gjatë. Por nga ana tjetër, ai pati edhe një largim disavjeçar në Amerikë. Kur drejtoja operën ne si staf i bëmë një përmbledhje koncertore me veprat e tij, koncert që e meritonte më shumë se askush tjetër, sepse Kozma Lara ka lënë gjurmë që nuk zhduken në artin muzikor shqiptar.

Vlerësimi i ish studentit/ Kozma Lara, ikja e një brezi të ndritur

Nga Florian Vlashi

Më hidhëroi shumë vdekja e profesor Kozma Larës. Brezi i ndritur i muzikës shqiptare po largohet pak nga pak në një “diminuendo” pa “rallentando”. Marr partiturën e tij nga një dosje e vjetër ku është bashkë me veprën e Feim Ibrahimit. Të dyja titullohen “Scherzo”. Po qeshin me ne më duket? Pse jo? Kanë të drejtë. Ata, bashkë me shumë emra të ndritur, e kryen detyrën e tyre, e krijuan korpusin sonor shqiptar në kohën më të vështirë për artin. Po ne?

Në këtë të ashtuquajturën liri plot “panem et circenses” (bukë e cirk) shpesh harrojmë se ka një dallim të madh nga “të luash veprën e tyre” apo “të luash me veprën e tyre”. Ky korpus është orientimi më i mirë për të mos humbur në kaosin e përditshëm që i ngjan një pikture abstrakte. Partitura e Kozma Larës është me shënimet e tij dhe të profesor Ibrahim Madhit nga koha kur unë përgatitja premierën e veprës në koncertet e majit. Janë shënime me laps të kuq dhe lapsat e kuq nuk kanë gomë. Ato shenja nuk prishen. Nuk ndërrohen. Nuk shuhen. Janë tatuazhet tona.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet