Mbërrin në atdhe trupi i pajetë, major Klodian Tanushi shpallet Dëshmor i Atdheut (VIDEO)

Kur e përcollën disa muaj më parë në Letoni, familjarët e Klodian Tanushit nuk e kishin menduar kurrë, se ajo do të ishte hera e fundit që po e takonin. Të veshur me të zeza, mes lotëve dhe dhimbjeve, ata dolën sot për të pritur në aeroport trupin e tij të pajetë, në një arkivol të mbuluar me flamurin kombëtar, në një ceremoni të denjë për një "Dëshmor të Kombit".

Pranë familjes, të pranishëm ishin edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, zëvendësministri Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat, si dhe familjarët e dëshmorit të atdheut. Sot ministrja Xhaçka u ka dorëzuar edhe dekoratën e 'Dëshmorit të Kombit'.

VIDEO\Mbërritja e trupit të major Klodian Tanushit

Pasi u përcoll me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e tij, trupi i pajetë i Tanushit mbërriti me të njëjtin avion ushtarak si nëntetarja Zarife Hasanaj në Aeroportin “Nënë Tereza”. Homazhet për nder të tij dhe ceremonia shtetërore do të zhvillohet ditën e enjte tek Muzeu Historik Kombëtar. Majori do të prehet në paqe në "Varrezat e Dëshmorëve", pranë dëshmorëve të tjerë.

Tanushi nuk mundi që t'i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Ai ishte i shtruar në spitalin e Rigës në gjendje të rëndë, e ndërsa u nda nga jeta mbrëmjen e së premtes më 10 maj. Majori la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë, më të voglin vetëm një vjeç.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:44
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Shanahan: Ngushëllimet më të thella familjeve të Nëntetares Hasanaj dhe Major Tanushit


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, ka dhënë një mesazh ngushëllues për ministrem e Mbrojtjes, Olta Xhaçka për dy humbjet e ushtarakëve në Letoni.

Shanahan ka thënë se në zitë për humbjen e Nëntetares Hasanaj dhe Major Tanushit bashkohet edhe Amerika. Më pas Shanahan i ka uruar shërim të shpejtë edhe Rreshter Kapajt i cili mbeti i plagosur nga shpërthimi i minës që u mori jetën Nëntetare Hasanajt dhe MAjor Tanushit.

"Pranoni ngushëllimet e mia të thella për vdekjen tragjike të nëntetare Hasanajt dhe major Tanushit. Mbajmë zi për humbjen e tyre dhe ndajmë dhimbjen me Shqipërinë. Humbja e tyre, një kujtesë e dhimbshme për  rrezikun me të cilin përballen ushtarët tanë ndërsa mbrojnë lirinë. Ngushëllimet më të thella familjeve të Nëntetares Hasanaj dhe Major Tanushit. I urojmë shërim të shpejtë Rreshter Kapajt. Vlerësojmë aleancën tuaj dhe nderojmë kujtimin e heronjve tuaj të rënë." thuhet në mesazhin e Patrick Shanahan.

Ora 18:43
Momente prekëse, Forca Tokësore nderon major Klodian Tanushin

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ditën e sotme me anë të një statusi në rrjetet sociale ka shpërndarë një video teksa njofton se Forcat Tokësore e Shqipërisë nderon komandantin e rënë në krye të detyrës në Letoni, major Klodian Tanushi.

" Forca Tokësore nderon komandantin e kontingjentit shqiptar në NATO enhanced Forward Presence Battle Group Latvia, major Klodian Tanushi, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s." shkruan minstrja Xhaçka.

Ora 16:38
Major Klodian Tanushi shpallet 'Dëshmor i Atdheut'


Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka shpallur major Klodian Tanushin, “Dëshmor i Atdheut”.

Ndërkohë njoftohet se homazhet në nder të "Dëshmorit të Atdheut", do të zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nga ora 10:00-12:00.

Më pas, po në mjediset e Muzeut, do të mbahet ceremonia shtetërore në nder major Klodian Tanushit, përpara se arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve.

Ora 16:36
Flamuri ulet në gjysmështizë, nesër ditë zie në nder të major Tanushit


Dita e nesërme, datë 16 maj 2019 është shpallur, ditë zie kombëtare në nder të major Klodian Tanushit i cili ra në krye të detyrës pas shpërthimit të një mine në Letoni. Mina që shpërtheu së bashku me Tanushin i mori jetën edhe nëntetares Zarife Hasanaj.

Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e enjte, në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Ora 13:00
Mbërrin në atdhe trupi i Tanushit, Xhaçka i dorëzon familjes dekoratën 'Dëshmor i Kombit'

Ka mbërritur në atdhe trupi i pajetë i major Klodian Tanushit. Për të pritur trupin e major Tanushit, në Aeroportin “Nënë Tereza” kanë dalë  ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, zëvendësministri Petro Koçi, kolegë ushtarakë nga të gjitha forcat dhe familjarët e të ndjerit. Ditën e sotme, ministrja Xhaçka u ka dorëzuar familjarëve të majorit dekoratën dëshmorët e kombit.

Ora 12:41
Major Tanushi përcillet me nderime në atdhe nga kolegët e tij në Letoni (FOTO)

Komandanti i kontingjentit shqiptar në Letoni, major Klodian Tanushi, i rënë në krye të detyrës në misionin e NATO në vendin baltik, u përcoll me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e tij.

Efektivë të nëntë vendeve pjesëmarrëse në misionin "Enhanced Forward Presence”, përfshirë Letoninë, përcollën në Aeroportin e Rigës arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar, me trupin e major Tanushit, i cili do të transportohet me avion ushtarak në atdhe. 

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ERP: 15/05/2019 14:01

    Te qofte i lehte dheu. Shpresoj qe familja te trajtohet ai duhet ekonomokisht. Ka lene gruan me femijet e vegjel. Shume gjynah

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Drejt përfundimit shkolla 'Jusuf Hoti' në Katund të Ri, Rama ndan pamjet (VIDEO)

Durrës/ Drejt përfundimit shkolla 'Jusuf Hoti' në Katund të Ri, Rama ndan pamjet (VIDEO)