Hyn në fuqi ligji/ 22 kategoritë e të burgosurve që do izolohen nga sot

Hyn në fuqi ligji/ 22 kategoritë e të burgosurve që do izolohen nga sot

Foto ilustruese

Nga sot, në burgjet shqiptare do të aplikohet regjimi i posaçëm i izolimit ’41-bis’, në kuadër të masave për goditjen e veprimit dhe të depërtimit të krimit në burgje.

Fillimisht do të izolohen rreptësisht 270 të dënuar apo persona nën hetim nën paraburgim, ku do të kenë zero kontakte me botën e jashtme. Subjekte të ligjit të ndryshuar për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve, janë të dënuarit dhe të paraburgosurit që hetohen apo gjykohen për kryerjen e 22 veprave penale të rënda pe penale.

Sipas ligjit të ndryshuar që ka hyrë në fuqi jo të gjithë këta të dënuar do të izolohen. Izolimi do të bëhet në raste të veçanta, kur për një të dënuar apo të paraburgosur që ka kryer një nga këto 22 vepra penale, ka dyshime se vijon kontaktet me botën e jashtme, në funksion të aktivitetit kriminal.

Sa i takon kategorive, përfshihen të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, për vrasjen e funksionarëve publikë dhe të punonjësve të policisë. Gjithashtu mund të izolohet çdo i dënuar apo i paraburgosur për të gjitha veprat penale me qëllime terroriste, ku përfshihet edhe financimi, dhënia e informacionit, fshehja e fondeve, rekrutimet, rrëmbimet etj.

Mund të izolohen edhe të dënuarit si anëtarë apo drejtues të bandave të armatosura, organizatave kriminale dhe grupeve të strukturuara kriminale. Gjithashtu përfshihen të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin e prodhimit dhe shitjes së drogës, organizimin e trafikut të drogës, kultivimin etj.

Kushtet e izolimit

Të burgosurve dhe të paraburgosurve që do të izolohen u lejohet vetëm një takim familjar në muaj, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera, ndërsa biseda i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video. Gjithashtu të burgosurit që do të konsiderohen të rrezikshëm dhe që dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit jashtë, do t’u lejohet vetëm një bisedë telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta.

Atyre do t’u ndalohet përdorimi i vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund t’i marrin nga jashtë. Do t’u kontrollohet korrespondenca si dhe do reduktohet qëndrimi në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë. Kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit. Kundër vendimit të Ministrit të Drejtësisë, për vendosjen apo zgjatjen e regjimit të posaçëm, i dënuari, i paraburgosuri apo avokati mbrojtës mund të paraqesin kërkesë ankimore brenda 20 ditëve, nga momenti i njoftimit të vendimit.

Ministrja e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi se dje këtij regjimi do i nënshtrohen 270 të dënuar apo që janë në proces gjykimi, pasi dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit jashtë. “Prokurori Federico Cafiero De Raho është për herë të dytë në Shqipëri për çështje që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit.

Ne kemi marrë masa në sistemin e burgjeve dhe konferenca e sotme kishte të bënte me zbatimin e regjimit ’41-bis’ në burgje, që futet në fuqi nesër. Në zbatimin e këtij regjimi do të kemi mbështetjen e Italisë. Sot inspektuam sallën operacionale që është ngritur për monitorimin 24 orë të burgjeve, që të rritet siguria, të ulet korrupsioni dhe për të eliminuar rastet kur subjektet e krimit kanë kontakt me botën e jashtme.

Do të marrim masat dhe do të arrijmë t’i minimizojnë rastet kur krimi vijon aktivitetin edhe në burgje. Në këtë grup përfshihen 270 subjekte që pritet t’i nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm. Ka subjekte që vijojnë veprimtarinë e tyre edhe në burgje”, deklaroi ajo. Deklaratat ministrja i bëri pas konferencës që u organizua sot në Tiranë për luftën kundër krimit dhe izolimin e kokave të krimit, ku ishte i pranishëm edhe Federico Cafiero De Raho.

Të dënuarit dhe të paraburgosurit që do të izolohen

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese (neni 79)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së funksionarëve publikë (neni 79/a)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit (neni 79/b).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për vepra penale me qëllime terroriste (neni 230)

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të financimit të terrorizimit, ku përfshihen: Rrëmbimi i avionëve, veprat kundër personit, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen ose plagosjen e rëndë, kryerjen e akteve të dhunës kundër një personi në bordin e një avioni në fluturim, shkatërrimin e një avioni në funksionim, shkatërrimin ose dëmtimin e pajisjeve të fluturimit apo të pajisjeve të lundrimit detar, përhapjen e informacioneve që dihet se janë të pavërteta, duke rrezikuar sigurinë e një avioni në fluturim, vrasjen ose rrëmbimin e një personi të mbrojtur ndërkombëtarisht, pengmarrjen ose rrëmbimin e personit, vjedhjen e materialeve bërthamore, prodhimin, mbajtjen, blerjen, transportin apo tregtimin e lëndëve plasëse, shkatërrimin e rëndë dhe në përmasa të mëdha të pronës publike, shkaktimin e ndërprerjes së furnizimit me ujë, energji elektrike ose çdo burim tjetër të rëndësishëm etj (neni 230/a i Kodit Penal).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për veprën penale të fshehjes së fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin. (neni 230/b).

Personat që ushtrojnë funksione publike ose që janë në ushtrim të detyrës, të cilët vënë në dijeni dhe u japin informacione personave, për të dhënat për verifikimin ose hetimin e fondeve dhe pasurive të tjera, ndaj të cilave zbatohen masa kundër financimit të terrorizmit. (neni 230/c).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për dhënin e fondeve dhe pasurive personave të shpallur si financues të terrorizimit. (Neni 230/ç).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për rekrutimin e personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit. (Neni 231).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për stërvitje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për nxitje thirrje publike dhe propagande për kryerjen e veprave me qëllime terroriste (neni 232/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për prodhim të armëve luftarake (neni 234).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste (neni 234/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin, drejtimin, pjesëmarrjen dhe financimi i bandës së armatosur (neni 234/b).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin drejtimin e veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së drogës (neni 283, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin ose financimin e trafikut të narkotikëve (neni 283/a, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e organizatave kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve (neni 284/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, fabrikimit, nxjerrjes, rafinimit dhe përgatitjes pa licencë të lëndëve narkotike. (neni 284/c, paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për organizimin, drejtimin dhe financimin e prodhimit, importimit, eksportimit, tranzitimit, tregtimit dhe mbajtjes, në i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse. (Neni 284/ç paragrafi 3).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin, organizimin ose drejtimin e organizatave kriminale (neni 333).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për krijimin e grupit të strukturuar kriminal (neni 333/a).

Të dënuarit dhe të paraburgosurit për kryerjen e veprave penale si pjesë të organizatave kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal (neni 334).

Ministria shqiptare e Drejtësisë organizoi dje një konferencë për luftën kundër krimit dhe masat brenda sistemit te burgjeve, bazuar
në eksperiencën italiane, në kuadër të hyrjes në fuqi të regjimit të posaçëm ’41-bis’. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho. Për më shumë (LEXO KËTU)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Nga mbërritja e Metës me dy gishta, te ‘selfie’ e përzemërta mes Elona Gurit dhe Kryemadhit në mbledhjen e PL-së

FOTO/ Nga mbërritja e Metës me dy gishta, te ‘selfie’ e përzemërta mes Elona Gurit dhe Kryemadhit në mbledhjen e PL-së