I akuzuan se po vidhnin ndihmat për tërmetin, SHÇBA kallëzon penalisht 2 përfaqësues të Aleancës për Teatrin

TIRANË- Pas akuzave se po vjedhin ndihmat që duhet të shkojnë për banorët e prekur nga tërmeti, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesa (SHÇBA) ka kallëzuar penalisht dy përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Mësohet se ka nisur hetimi për 2 përfaqësuesit e "Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit", shtetasen M.J. dhe shtetasin E.M.

Në reagimin zyrtar, ato bëjnë me dije se videoja e cila u raportua në rrjetet sociale si vjedhje, janë pakot me ndihma janë prova materiale të sekuestruara në operacionin e datës 28.11.2019, ku u arrestuan në flagrancë 2 punonjës policie, 1 punonjës i Shërbimit Zjarrfikës, siç edhe ka sqaruar dhe më herët ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik".

"Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) kallëzoi penalisht 2 përfaqësuesit e "Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit", shtetasen M.J. dhe shtetasin E.M. për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik". Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) i kallëzoi penalisht ata, lidhur me pamjet filmike të publikuara në rrjetet sociale e më pas në media online, ku shfaqen punonjës të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) që shkarkojnë disa pako ushqimore, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale gjatë një operacioni të zhvilluar më datë 28.11.2019, për t’u magazinuar pranë magazinës së Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së, me urdhër të Prokurorisë. SHÇBA bën apel për shmangie të dizinformimit të qëllimshëm të publikut", thuhet në njoftimin zyrtar. 

Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e sotme publikuan disa pamje të punonjësve të SHBÇA-së, të cilët po shkarkonin disa qese me ndihma të "Fundjava Ndryshe", për t’i futur në institucionin e Ministrisë së Brendshme, ku edhe kjo strukturë është e vendosur.  Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, pretenduan se ndihmat që ishin për banorët e prekur nga tërmeti, po vidhen nga punonjësit e SHÇBA-së.

B.K./Shqiptarja.com
Komento