Vazhdon të zvarritet në Gjykatën e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm gjyqi ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti.

Seanca e cila ishte parashikuar të zhvillohej këtë të hënë në orën 09.00, u shty më datë 12 maj ora 09.00 për shkak se avokatët mbrojtës për disa seanca radhazi kërkojnë audio të seancave që janë zhvilluar në gjykatën e shkallës së parë.

Pasi u tërhoq për gjykim, togat e zeza e pranuan kërkesën e avokatëve. Nga janari i 2024 deri më tani, seanca në Apel është shtyrë 20 herë.

Procesi ende nuk është çelur pasi avokatët e Francesco Bechetit kanë paraqitur kërkesa të shumta, siç ishte edhe seanca e kësaj të hënë ku u kërkuan audiot e seancave gjatë procesit në shkallë të parë.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani vendosën të pranojnë kërkesën e fundit të avokatëve duke u bërë me dije që do ia vënë në dispozicion me e-mail sa më parë audiot e kërkuara, por edhe faktin që nuk do pranojnë më kërkesa të kësaj natyre.

Ishin avokatët e Bechetit ata të cilët iu drejtuan Apelit, pas vendimit të shkallës së parë që e dënoi biznesmenin italian me 17 vite burg nën akuzën se ai përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash.

Becchetti u akuzua për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.