POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

I ftohti polar në SHBA, 21 viktima
dhe temperatura rekord në 118 vjet

SHBA - Ka arritur në 21 numri i viktimave nga i ftohti polar që po gjunëzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vecanërisht pjesën verilindore.

Autoritetet raportojnë për 21 persona të vdekur në mbarë vendin që prej së dielës, përfshirë këtu 7 viktima në Ilinois dhe 6 në shtetin e Indianës. Shumë prej viktimave ishin të pastrehë të cilët nuk ia kanë dalë të gjejnë një strehë të ngrohtë për ti shpëtuar acarit. Një i ftohtë rekord ka përfshirë thuajse të gjithë Amerikën e Veriut, ku 50 shtete amerikane po përballen me një mot të acartë.

I ftohti ka arritur shifra rekord në Nju Jork. Sot në mëngjes në të famshmin Central Park termometri arriti -15,5 gradë celcius, rekord absolut për muajin janar në 118 vitet e fundit. Ngricë rekord edhe në Long Island dhe aeroportet kryesore ku temperaturat kanë arritur në -20 gradë.

shba i ftohti polar
Shikoni foto të tjera

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në 14 konte, ndërsa është dyfishuar stafi i shërbimit për të pastrehët. “Vit të mbarë e rrini ngrohtë”-ka qenë batuta e Presidentit Amerikan Barak Obama në daljen e tij të parë për 2014 para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Edhe kryeqyteti Washington ndodhet nën morsën e të ftohtit acar, me temperatura që arrijnë në -11 gradë.

Ndërkaq është paralizuar trafiku ajror me 6 mijë fluturime të anuluara në dy ditë. Probleme ka patur edhe në transportin hekurudhor, ndërsa për këdo që udhëton me makinë mbetet rreziku i akullit në rrugë. Temperaturat më të ulëta janë regjistruar në Cikago me -35 gradë dhe në Minesota në kufi me Kanadanë ku termometri arriti -45 gradë.


(v.gj/shqiptarja.com)

Komento