I jepet lamtumira Emin Rexhepit
rockerit dhe promotorit të vlerave

I jepet lamtumira Emin Rexhepit<br />rockerit dhe promotorit të vlerave
Prishtinë, 29 tetor - Ai ishte në gjendje të fliste me orë të tëra për muzikën, artin, kinematografinë.... E këtë Emin Rexhepi e bënte edhe si moderator i disa emisioneve në Radio-Kosovë, studiot e së cilës jo rrallë i shndërronte në vende ku performonin grupet që çonin krye në skenën e brishtë alternative të vendit, shkruan sot “Koha Ditore”.
 
Gjithmonë promotor i vlerave. Atyre që promovonte edhe në kohët e zymta të viteve ’90, kur ishte aktiv edhe si vokalist në skenën e rockut, kur jeta kulturore e Prishtinës zhvillohej nëpër kafene.
 
Në vitet e fundit, kur gjendja sociale nuk lë fort vend për buzëqeshje, nëpërmjet “Sincro Cinema” gjente mënyra për të bërë humor, kur personazhet e njohur, Rocky a Rambo, i bënte të “flisnin” shqip.
 
Pozitiv, enciklopedi e artit, mik i mirë, plot adrenalinë, e deri te ikonë e Prishtinës e rocker i përjetshëm, janë fjalët me të cilat e përshkruajnë Emin Rexhepin kolegët e miqtë e tij. Rexhepit (40) të mërkurën i është dhënë lamtumira e fundit në varrezat e Prishtinës, një ditë pas vdekjes në rrethana ende të pasqaruara mirë.
 
Pak pas ceremonisë së varrimit, pasditen e së mërkurës, veterani i rokut, Luan Tashi, e ka kujtuar takimin e fundit me mikun e tij.
“Para disa ditësh ka qenë te unë në shtëpi, ku e kam një studio të vogël. E ka incizuar një vokal, një këngë të djalit tim, Drinit, i cili e ka kompozuar një këngë. I ka kënduar disa vokale të enjten e kaluar.
 
Mandej kemi dalë në qytet dhe kemi biseduar”, ka kujtuar Tashi, përderisa goxha shumë fjalë i janë zënë në fyt. Tashi ka treguar se tema e fundit që kanë diskutuar ka qenë për një rok-band i themeluar nga fundi i viteve ’60, para se të hynin forcat e ish-Bashkimit Sovjetik në shtetin e atëhershëm, Çekosllovaki. Këtë muhabet Tashi e përdor si një intro për të treguar se Rexhepi kishte njohuri të mëdha në fushën e artit.
 
“Banda quhej ‘The Plastic People of the Universe’. Ishte koha kur kanë filluar të bëjnë muzikë edhe ‘Pink Floyd”. Kanë qenë tema të cilat rrallëkush i diskuton, e lëre më të bëjë analiza të këngëve e kopertinave të albumeve të tyre”, ka thënë Tashi. Emin Rexhepin e ka njoftuar menjëherë pas luftës. Sipas tij, ai moderatori i disa emisioneve në Radio- Kosovë ishte djalë shumë i hapur , i sinqertë e plot jetë.
 
“Pas bisedës së parë me të e kam parë që është një person me të cilin mund të lidh shoqëri. Ka pasur shumë gjëra që na kanë lidhur. Kryesisht ka qenë bota e muzikës, bota e filmit dhe e ngjarjeve kulturore. Ka qenë një djalë me një diapazon të gjerë njohurish”, ka thënë ai. Sipas Tashit, sikur Rexhepi të ishte ligjërues i ndonjë shkolle të kinematografisë, do të ishte profesori më i mirë.
 
“Ai gjatë gjithë kohës ka mundur të fliste për filmin francez të viteve ’50, për filmin japonez të viteve ’60, për skenaristë e regjisorë. Nuk ka pasur gjë që nuk e ka ditur për botën e muzikës dhe të filmit”, ka thënë ai për Rexhepin, i njohur edhe si frontman i bandit “Crème de la Crème”. Tek e ka përshkruar Rexhepin dhe ndjenjën e dhimbjes për të, ka thënë se do t’i mungojë vetëm fizikisht.
 
“Shpirti i tij do të jetë gjithmonë me mua. ‘Creme de la creme’ ishte bandë krejtësisht jokomercial. Ka qenë një njeri, i cili ka pasur dëshirë të takojë artistë të mëdhenj. Ka fotografi me aktorin Franco Nero”, ka thënë Tashi. Sikurse ai, edhe miku tjetër i Rexhepit, Lorik Sylejmani, njëherësh koleg në Radio-Kosovë, kanë treguar se Rexhepi ishte ngjitur në skenë në Shkup për të kënduar bashkë me rockerin e famshëm Iggy Pop, ku ai mbajti koncert me grupin “The Stooges” në “Taksirat Festival”. Ishte 12 shkurti i vitit 2006.
 
“E ftoi vetë Iggy Pop që nga publiku t’i bashkohet në skenë. Është i vetmi shqiptar që ka arritur ta bëjë këtë”, ka kujtuar Sylejmani koncertin në të cilin kishin qenë bashkë me Rexhepin ashtu si në shumë koncerte të tjera të bandave të njohura të muzikës që janë mbajtur në rajon.
 
Rexhepin e ka kujtuar si njërin prej më aktivëve në Radio-Kosovë, pasi ai drejtonte emisionet si: “On air”, “Jazz”, “Techno” e “Radio-Kosova prezanton”.
“Ka qenë një person me veti të rralla njerëzore. Ka pasur energji dhe pozitivitet që ndoshta ka qenë i rrallë edhe në rruzullin tokësor. Ishte koleg i nderuar dhe shpesh na ka zbavitur me humorin e tij”, ka thënë ai. Për aktivitetin e tij në skenën muzikore ka thënë se ishte i veçantë.
 
“Kemi bande që këndojnë, por sikur Emini që ka bërë shou në skenë nuk ka. Ai ka qenë i posaçëm edhe sa i përket stilit të mbajtjes së emisionit. Shumë njerëz ia kanë dëgjuar emisionet dhe kanë mësuar nga to për artistë të ndryshëm”, ka thënë Sylejmani. Pothuajse secili që e ka njohur e ka përshkruar me të njëjtat fjalë Rexhepin, i cili njihej për coverat që ua bënte këngëve të bandave me nam në botë.
 
Frontmani i rock-bandit “Jericho”, Petrit Çarkaxhiu, ka kujtuar se përveçqë ka bashkëpunuar në disa emisione, meqë e ka pasur Rexhepin koleg në Radio - Kosovë, këtë e ka bërë edhe në muzikë.
“Në rastin e realizimit të CD - kompilacionit ‘Rrajtë e Prishtinës’”, ka kujtuar ai. Ka thënë se Rexhepi ka pasur njohuri të gjëra për artin urban në përgjithësi dhe në veçanti për skenën e muzikës urbane, për kinematografinë botërore, për sportet ekstreme e fusha të tjera.
 
“Eminin do ta kujtojmë sidomos për interpretimet fantastike të këngëve të grupeve si ‘The Who’ apo ‘The Clash’. Ka një kohë që nuk ka qenë aktiv në skenën e muzikës, mirëpo kjo besoj për shkak se ka qenë një rocker i pakompromis ndoshta në diskrepancë me audiencën kosovare”, ka thënë Çarkaxhiu. Aktin e vdekjes së tij, që është cilësuar si vetëvrasje, ka thënë se nuk e sheh si akt të izoluar e spontan të një personi të mërzitur nga jeta.
“Ai si duket na bëri me dije të gjithë neve se shpirti i Prishtinës, i atij qyteti përplot me jetë e me ëndrra, ashtu siç ka qenë edhe vetë Emini, është përdhunuar e është vrarë qe një kohë të gjatë.
 
Ai ishte shumë i ndjeshëm dhe nuk e përballoi dot”, ka thënë Çarkaxhiu. Duke pasur parasysh muzikën që bënte dhe emisionet që realizonte, shoqëria e thërriste edhe me nofkën “Techno”, ashtu siç titullohej njëri nga emisionet e tij në radio.
E kjo nofkë ka një domethënie të madhe për Naser Gjinovcin e grupit “Minatori”.
 
“Kjo tregon edhe respektin që kanë pasur njerëzit për të. Mendoj që i ka dhënë Radio-Kosovës një sharmë urban me emisionet e tij dhe muzikën e përzgjedhur. Është një thënie që për të vdekurin duhet thënë fjalët më të mira, por Emini e meriton”, ka thënë Gjinovci.
 
Grupi “Armadillo Blues Band” nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” e ka kujtuar Rexhepin si “rocker dhe njeri”.
“Kur dielli lind sërish dhe gjithçka nis prej fillimit, do të të kujtojmë, miku jonë. Aty pranë, në këndin tënd, me buzëqeshjen e përhershme, rockun në zemër dhe shpirtin e njeriut, do të jesh gjithmonë me ne”, janë fjalët me të cilat “Armadillo Blues Band” e ka kujtuar Rexhepin.
 
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se është e pamundur për ata që janë rritur në lagjet e Prishtinës e që e kanë përcjellë skenën muzikore të rockut dhe kanë dalë nëpër “Kurriz” e në vende të tjera të mos e takojnë e të mos e njohin Emin Rexhepin.
 
“Siç tha një mik imi, Emini, ‘një nga ikonat e Prishtinës’”, ka shkruar Ahmeti në “Facebook”.
Para lamtumirës së fundit, në nderim të tij kolegët dhe miqtë janë bërë tok në bufenë e Radio-Kosovës, në atë që është quajtur komemoracion.
Drejtori i Radio-Kosovës, Azem Bujupi, ka thënë se institucioni që drejton ka humbur njërin nga punëtorët më të palodhshëm dhe mikun e bashkëpunëtorin e ngushtë.
 
“Ai ishte ndër punëtorët e vyeshëm, i cili vazhdimisht tek të tjerët reflektonte pozitivitet”, ka thënë Bujupi. “Bota e artit dhe e muzikës ka humbur një vlerë të madhe”, ka thënë ai në vendin ku Emin Rexhepi zakonisht pinte kafenë e parë të ditës./Koha.net/

 
 Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Formula 1/ Rosberg sulmon Hamiltonin: Russell e mposht gjithmonë, Lewis gjen justifikime

Formula 1/ Rosberg sulmon Hamiltonin: Russell e mposht gjithmonë, Lewis gjen justifikime