'Plumbi i Artë', në pranga bashkëpunëtori i Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, së bashku morën pjesë në grabitje me armë! 49-vjeçari arrestohet në Durrës (Emri)

Agim Gjini, bashkëpunëtori i Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës për grabitjet me armë në Shijak është arrestuar nga policia e Durrësit. 49-vjeçari akuzohet për vjedhje me dhunë, armëmbajtje pa leje dhe grup kriminal.

Ndaj tij, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me dhune” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Emri i tij doli në operacionin ‘Plumbi i Artë’ nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, i cili së bashku me Henrik Hoxhajn nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin, për të cilat Shqiptarja.com dhe Report Tv siguruan dosjen.  Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, ka shkuar në 19 numri i të arrestuarve.

Grabitja me armë në 2013

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani rrëfen para prokurorëve të posaçëm se Dorjan Shkoza u kishte dhënë informacion se një person, i identifikuar si Astrit Ademi, mbante shumë para në një çantë gri. Dumani thotë se ai, Talo Çela, Agim Gjini dhe një tjetër person kanë thyer xhamin e makinës, kanë marrë rreth 20 mijë euro dhe janë larguar. Ndërsa makinar që vidhnin në atë kohë, i linin te garazhi i Agim Gjinit.

“Grabitja e radhës ishte po në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza. Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Personi që kishte servisin ishte nga Shijaku dhe kishte një benz C Class, ngjyrë gri, i vitit 2005 dhe jepte lekë me fajde. Dori e kishte informacionin se personi mbante lekë me vete në një çantë gri/valixhe. Emrin këtij personi nuk ia mbaj mend. Në këtë grabitje kam qenë unë Talo Çela, Agim Gjini i cili ishte topall nga Durrësi dhe personi me pseudonimin “………….”. Gimi ka qenë shofer me një Benz 2500 i vjedhur, ngjyrë blu, me targa të vjedhura. Makinat e vjedhura në atë kohë i linim tek garazhi i Gim Gjinit. Kanë zbritur Talo Cela me ………….. dhe servisi ndodhej në aksin rrugor Maminas-Vorë, servis kamionash. Kemi shkuar aty dhe kemi parë se kishte shumë njerëz. Talo Çela kishte në dorë automatik, unë s’kisha gjë, ndërsa …………… kishte dhe ai kallashinkov. Shkova tek makina e personit një C Class dhe theva xhamin e pasagjerit krahu i shoferit dhe kam kontrolluar makinën në brendësi. Kontrollova dhe bagazhin dhe aty gjeta rreth 18-20.000 Euro të cilat ishin të vendosura në gomën rezervë. Morëm lekët dhe ikëm. Kemi shkuar tek garazhi i Gim Gjinit dhe kemi ndarë lekët. Me sa mbaj mend kemi marrë rreth 4500 Euro”, thuhet në dosjen e siguruar nga Report Tv dhe Shqiptarja.com.

Nga hetimi rezulton se më datë 31.05.2013 në fshatin Marikaj, Vorë në pikën e grumbullimit të mjeteve të dala jashtë përdorimit në pronësi të shtetasit Gëzim Mamiu, tre persona të maskuar dhe të armatosur i kanë vjedhur shtetasit Astrit Ademi që kishte shkuar si klient  me mjetin e tij të markës AA887CL, shumën prej 7000 euro dhe një aparat celular të markës samsung me dy karta që i kanë gjetur në xhep si dhe shumën prej 9000 euro, 760.000lek që i kanë marrë në bagazhin e mjetit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar brenda kësaj pike, automjeti Mercedez Benz  me i cili është në pronësi të shtetasit Astrit Ademi, banor i Shijakut Durrës.

Nga këqyrja e këtij automjeti është konstatuar i thyer xhami i pasmë i krahut të djathtë. Po nga këqyrja e këtij automjeti janë gjetur dhe marrë në cilësinë e provës materiale 9 gjurmë papilare të emërtuara me germat përkatëse si dhe u morën sende për ekzaminime laboratorike. Është përpiluar vendim për kryerjen ekspertimit daktiloskopik vlerësues si dhe është marrë deklarim personit të dëmtuar e shtetasve të tjerë.

A.M./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Energji e rinovueshme për objektet publike në Mirditë, BE mbështet realizimin projektit

Energji e rinovueshme për objektet publike në Mirditë, BE mbështet realizimin projektit