Idajet Beqiri në Kolegj: Luftë me mullinjtë e erës...KQZ: Precedent që do të banalizonte zgjedhjet

Idajet Beqiri në Kolegj: Luftë me mullinjtë e erës...KQZ: Precedent që do të banalizonte zgjedhjet

Idajet Beqiri

Në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor, Idajet Beqiri është shprehur se kundërshton vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që rrëzoi kërkesën e partisë së tij Uniteti Kombëtar për tu çregjistruar nga zgjedhjet dhe që PUK të hiqet nga fleta e votimit.  Pranë trupës gjykuese të Kolegjit Zgjedhor, Beqiri tha se dekreti i Presidentit ka çuar në një përplasje institucionale të cilën duhet ta zgjidhë Kolegji. Ai tha se nuk e bëri këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi ky institucion e ka dhënë një vendim lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve në rastin e vitit 2017, duke thënë se ky vendim nuk është kompetencë e tyre por e Kolegjit Zgjedhor. Kreu i PUK-së tha se elektorati është vënë në pozitë të vështirë me KQZ-në që vazhdon procesin zgjedhor dhe me presidentin që i ka anuluar me drekt ato. Një luftë me mullinjtë e erës, e ka quajtur Beqiri atë se çfarë po ndodh.

"Kemi qenë edhe parti parlamentare. Sot kemi 15 këshilltarë bashkiak, kemi dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak Kukës. Nuk kemi qenë dakord me datën 30 qershor 2019. Kemi menduar që zgjedhjet duhet të ishin lënë më parë. U përgatitëm për këto zgjedhje. Prej 2001 ne nuk marrim asnjë lek nga buxheti i shtetit. Kur u caktuan zgjedhjet na pyetën. Për zhdekretim nuk na pyeti njeri dhe nuk u la një date tjetër zgjedhjesh. Ne jemi parti e unitetit kombëtar dhe Shqipëria me të gjitha pjesët e territorit të bashkohet. Ne kemi qëllim unitetin. Në rastin kombëtar ky unitet u cenua. E kur u vu mes dy zjarreve, KQZ thotë zgjedhjet më 30 qershor dhe presidenti thotë nuk ka zgjedhje. Elektorati ynë u vu në pozitë të vështirë. Kjo është si luftë me mullinjtë e erës. Gjykatës Kushtetuese nuk mund t'ia çonim pasi kjo gjykatë e kishte thënë verdiktin e saj. Kërkesa jonë është të hiqemi nga fletët e votimit. Por KQZ pasi shqyrtoi kërkesën tonë u mor me shkakun përse ne bëmë padi. Shkaku i vetëm është dekreti presidentit. Është i vlefshëm apo jo ky dekret, deri sa Kushtetuesja e ka dhënë njëherë një vendim. Në këto kushte ne nuk kishim zgjidhje tjetër dhe e sollëm këtu. KQZ na thotë dekreti i presidentit është absolutisht i pavlefshëm. Presidenti thotë që këto janë zgjedhje moniste por në fletë ka 50 parti politike. Kolegji zgjedhor duhet të zgjidhë ngërçin e krijuar midis institucioneve më të larta të shtetit", u shpreh Beqiri.

Në seancën e Kolegjit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se i qëndron vendimit të marrë për të mos pranuar kërkesën e Beqirit. KQZ tha se dekreti i presidentit është i pavlefshëm në shkelje të ligjit dhe nuk sjell asnjë pasojë.

"Partia Uniteti Kombëtar është regjistruar, kemi miratuar fletët e votimit dhe renditjen e partive në këto fletë. Fletët janë printuar. PUK renditet në fletë aty në ato bashki ku ka marrë pjesë. Kërkesa e Beqirit është e pabazuar në ligj dhe duhet rrëzuar. Legjislatori nuk e ka parashikuar tërheqjen me ligj. Heqja e një partie automatikisht do sillte asgjësimin e fletëve të votimit. Ky precedent do të banalizonte zgjedhjet", u shpreh përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Olsi Peto.

Njëzëri edhe përfaqësuesi i KQZ edhe Idajet Beqiri e kanë quajtur dekretin e presidentit Ilir Meta një akt adminsitrativ individual dhe jo kushtetues.

Artur Malaj, gjyqtar i Kolegjit Zgjedhor ju drejtua me pyetje juristit të KQZ-së duke u shprehur: Thoni që dekreti i presidentit është i pavlefshëm. Si e konsideroni dekretin e presidentit? Çfarë natyre ka kushtetuese, administrative?

Juristi i KQZ: Është akt administrativ individual

Artur Malaj: Ju z.Beqiri dekretin çfarë akti e konsideroni?

Beqiri: Nuk është në natyrën time të bëj intepretim. Për këtë u jemi drejtuar ju. Dekreti i presidentit është akt individual administrativ sipas vlerësimit tim si jurist dhe avokat.

Juristi i KQZ: Nëse presidenti do kishte nxjerr dekret më datë të re atëherë do ishte në rregull. Presidenti ka kompetencë për të caktuar datë jo për të anuluar zgjedhjet.

Përfaqësuesi i KQZ

*Raportoi për redaksinë online të Shqiptarja.com gazetari i Report Tv, Arsen Rusta


Lajmi kryesor:

Kolegji rrëzon 5-0 dekretin e Presidentit Meta! Më 30 qershor do të ketë zgjedhje


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Morinë/ Qentë endacakë kthehen në problem për udhëtarët

Morinë/ Qentë endacakë kthehen në problem për udhëtarët