INFOÇIP:KLD të hapet ndaj publikut
Po përkeqëson pozitat e gjyqësorit

INFOÇIP:KLD të hapet ndaj publikut<br />Po përkeqëson pozitat e gjyqësorit
Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP ka reaguar përmes një deklarate për dinamikën konfliktuale në rritje mes KLD dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre shqetësimi nuk është debati mes këtyre dy institucioneve, por mbajtja e tij e mbyllur dhe larg vëmendjes së publikut. 
 
“Korrupsioni në drejtësi dhe masat për ta çmontuar atë nuk mund të trajtohet si një çështje e brendshme e KLD. Kjo është një çështje e të gjithë shqiptarëve.”-thuhet në deklaratën e INFOÇIP.

Reagimi i INFOÇIP lidhet edhe me çështjet e diskutuara në mbledhjen e djeshme të cilat ishin me  interes të jashtëzakonshëm publik, e megjithatë shqiptarët u lanë në terr informativ nga KLD.

“Interesi i trupës gjyqësore dhe i gjithë qytetarëve shqiptarë nuk mund “të kënaqet” me deklarata për shtyp, por duke i lejuar ata të jenë vetë dëshmitarë okularë të diskutimeve në KLD.”-theksohet në deklaratë.
 
Sipas INFOÇIP hapja e mbledhjeve ndaj publikut është në interesin më të mirë edhe të vetë KLD, pasi nëse debatet do të zhvillohen në sytë e publikut ato nuk lënë shteg për teori konspiracioni.
 
“Hapja e vendimmarrjes, sidomos kur ajo është kritike ndaj vetvetes është kusht që publiku të prodhojë besim ndaj KLD, kurse vetë kjo e fundit të vuajë më pak paranojën për komplote, fushata denigrimi, agjitacion dhe propagandë që “inskenohen” kundër saj. Paranoja ndaj “rrezikut të jashtëm” është tipar i strukturave të mbyllura. KLD duhet të zgjedhë njëherë e mirë të jetë një strukture e hapur, pasi vetëm kështu ajo mund të kërkojë dhe të pretendojë mbështetjen e publikut në realizimin e misionit të saj ligjor.”- thuhet më tej në deklaratën për mediat.
 
Gjithashtu në reagimin e  Qendrës për Çështje të Informimit Publik thuhet se hermetizmi e dëmton KLD-në edhe në raportet e saj me faktorin ndërkombëtar, i cili, ndoshta për këtë arsye, në vlerësimet që harton manifeston paqartësi serioze si në kuptimin e rolit ligjor të KLD ashtu edhe të përgjegjësisë së kesaj të fundit lidhur me korrupsionin shumë të shprehur në radhët e gjyqësorit.
 
INFOÇIP konstaton se ligji nuk detyron në asnjë rrethanë KLD të zhvillojë mbledhje të mbyllura, edhe praktika e derisotme ofrojnë modele të suksesshme të hapjes së vendimmarrjes nga KLD. 

INFOÇIP fton KLD ta zhvillojë të hapur për median dhe për publikun mbledhjen e saj të radhës, prania e vëzhguesve të akredituar në çdo mbledhje të KLD nga aktorë të shoqërisë civile të konsiderohet si një opsion alternative.

"Në të kundërt, pozitat e saj në sytë e publikut do të rëndoheshin edhe më shumë. Shqiptarët e kanë mësuar në këto vjet se aty ku nuk futen rrezet e transparencës, mbin myku i korrupsionit."-përfundon deklarata e INFOÇIP.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Aksionet në ankand, presidenti i KF Tiranës kundërpadi në gjykatë! Çfarë kërkon Refik Halili?

Aksionet në ankand, presidenti i KF Tiranës kundërpadi në gjykatë! Çfarë kërkon Refik Halili?