Intervista/ Bardh Spahia për Report Tv: Shkodra, qarku më i diskriminuar nga Rama! Rrezikoj se jam i 7-ti? PD po lufton për mandatin e 8

I renditur i shtati në listën e Partisë Demokratike në Qarkun Shkodër, Bardh Spahia rrezikon shumë të mos rikthehet në Kuvendin e Shqipërisë pas 25 prillit, referuar rezultateve të zgjedhjeve të kaluara por edhe parashikimeve. Megjithatë në intervistën e dhënë për Report Tv, Spahia shprehet i sigurt që se PD nuk e diskuton të shtatin dhe po lufton fort për të tetin.  "Ne nuk e kemi garën me njëri-tjetrin, ne garën e kemi për të larguar një orë e më parë Edi Ramën. Thirrja ime për çdo qytetar të Shkodrës është që të votohet nr. 9, të votohet PD-ja dhe alternativa e saj", tha ai.

Bardh Spahia shprehet se Shkodra është qarku më i diskriminuar nga Qeveria e Edi Ramës.  "Ky qark, kjo bashki sidomos, janë parë si armiq të vërtetë të qeverisjes qendrore. Po t’i krahasosh financimet e Shkodrës krahasuar me Durrësin p.sh., janë 21 herë më pak financimet për Shkodrën sesa për Durrësin, apo jemi bashkia e cila financohet 16 herë më pak se Korça p.sh., 14 herë më pak se Elbasani, 12 herë më pak se Fieri apo 11 herë më pak se Vlora", tha ndër të tjera në intervistën për Report Tv, Bardh  Spahia.

            Të nderuar miq, kam kënaqësinë të kem në këtë intervistë kandidatin e PD-së për qarkun e Shkodrës, zotin Bardh Spahia. Ju kam gjetur në momente pune, jemi në shtabin elektoral. Si po shkon kjo fushatë elektorale me këtë energji pozitive të këtyre të rinjve, të cilët janë pozicionuar në shtabin elektoral?

            Siç e shikon, këtu puna vazhdon dhe jemi në përfundimin e një dite jashtëzakonisht të ngjeshur aktivitetesh politike, normale për një fushatë serioze siç pritet tashmë nga çdo qytetar shqiptar. Për hir të së vërtetës duhet thënë që ka një atmosferë jashtëzakonisht pozitive, një atmosferë dhe frymë për ndryshim, e cila perceptohet ashtu si në të gjithë Shqipërinë veçanërisht në qytetin tonë, në bashkinë tonë, në qarkun tonë dhe pa dyshim që kjo na motivon akoma më shumë për të dhënë maksimumin tonë në këtë fushatë. Pritshmëritë nga ana e njerëzve, të gjithë qytetarëve që takojmë, janë të mëdha, mezi presin ndryshimin. Në çdo takim tonin kryefjala e bisedave, e diskutimeve është nevoja e domosdoshme për ndryshim. Kjo është tashmë evidente.

 

            Gjithsesi janë disa pika të cilat ne do t’i diskutojmë së bashku, por do t’ju shkëpus nga angazhimi në shtabin elektoral pikërisht në lidhje me atë se çfarë ofron PD-ja. Është një forcë politike, e cila vjen në këtë përballje me një plan konkret. Edhe gjatë takimeve tuaja elektorale, 25 prilli po cilësohet si dita e ndryshimit të madh, ditë për të cilën forca juaj politike pret prej 8 vitesh për të drejtuar vendin dhe për t’u ofruar një shpresë të re shqiptarëve. Si po perceptohet programi i PD-së nga qytetarët e Shkodrës? Di që keni bërë shumë takime në zona të ndryshme në Shkodër, një qytet që përballet, për hir të së vërtetës, me shumë problematika.

            Ka një intensitet të jashtëzakonshëm takimesh gjatë kësaj periudhe dhe pa dyshim, ka edhe një ndjesi të jashtëzakonshme që e perceptojmë vazhdimisht nga çdo takim që kemi me qytetarët e Shkodrës. Ka një nevojë urgjente, emergjente për ndryshim. Gjendja reale dhe situata e këtyre qytetarëve dhe e familjeve të bashkisë sonë, të qarkut tonë, është jashtëzakonisht e vështirë. Ajo tashmë perceptohet në çdo diskutim dhe sigurisht që ka edhe një nevojë emergjente për t’u ofruar qytetarëve shkodranë alternativën e PD-së, e cila pa dyshim që do të jetë alternativa fituese. Ju e thatë me të drejtë që gjatë takimeve tona ne, në qoftë se e keni vënë re, nuk fokusohemi shumë tashmë te kundërshtari ynë apo tek ajo çfarë nuk është bërë këto 8 vite që është shumë, apo tek ajo çfarë është bërë gabim dhe në mënyrën e gabuar gjatë këtyre 8 viteve. Por sigurisht që tashmë ajo është evidente, është një libër i lexuar tashmë për çdo qytetar të qarkut tonë. Qeverisja e Edi Ramës pa dyshim, nuk ka nevojë për shpjegim tanimë. Qytetarët shqiptarë madje na informojnë dhe na tregojnë vazhdimisht episode reale nga jeta e tyre, të vështirësive të tmerrshme që janë të detyruar të kalojnë për të mbijetuar apo për të arritur fundin e muajit. Sigurisht që në të gjitha aspektet e jetës ka pasur një regres të jshtëzakonshëm gjatë këtyre 8 viteve. Situata realisht është aty ku nuk mban më. Nevojitet ndryshimi dhe ndryshimi mund të vijë vetëm nëpërmjet një force politike serioze, nëpërmjet një programi qeverisës serioz siç është programi i PD-së dhe ju me të drejtë e thatë që ne, gjatë këtyre ditëve, jemi munduar ta shpalosin atë program në detaje. Shpeshherë me qytetarët diskutojmë dhe u ofrojmë aspekte apo sektorë të ndryshëm të këtij programi. Sigurisht që është një program i cili në fokusin e vet kryesor ka pa dyshim ekonominë, pa lënë mënjanë pastaj edhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të jetës së shoqërisë sonë, sektorë jetikë madje, siç është shëndetësia, e cila gjatë këtyre 8 viteve ka pësuar regresin dhe degradimin më të madh në historinë e vet. Pa dyshim pastaj sektorë tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm siç janë arsimi, bujqësia, me një sensibilitet të lartë edhe ajo prej shumë banorëve të qarkut tonë, por edhe rendi e siguria, të gjitha aspekte këto të cilat prekin në mënyrë direkte apo indirekte çdo qytetar të qarkut të Shkodrës tonë dhe çdo familje tonën. Pa dyshim, e thashë jo pa qëllim që fokusi kryesor ka qenë tek aspekti ekonomik dhe në këtë drejtim ofertat e PD-së tashmë janë jashtëzakonisht të mirëpritura nga qytetarët e qarkut tonë. E kam fjalë këtu të paktën për ato kryesoret, pra angazhimi në programin tonë për hapjen e 110 000 vendeve të reja të punës apo rritja e pagës minimale në 36 000 lekë të rinj apo 360 000 lekë të vjetër, ashtu siç është edhe një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij plani ekonomik, rritja e pensioneve me jo më pak se 5% në vit për pensionistët shqiptarë etj., etj., ulja e taksës nga 15% në taksën e sheshtë 9%, apo ulja e detyrimit për kontributet e sigurimeve shoqërore nga 24% që është aktualisht në 18%. Të gjitha këto aspekte të parashikuara në programin tonë, të marra si angazhime për PD-në gjatë qeverisjes së saj të ardhshme pas datës 25 prill, sigurisht që synojnë përmirësimin e gjendjes skandaloze ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, synojnë frenimin e asaj rrokullisjeje të frikshme që po ndodh, të kësaj ekonomie drejt një gremine jashtëzakonisht të rrezikshme dhe fillimin e rikuperimit dhe kthimin në shinat e duhura të këtij sektori kaq jetik për qytetarët shqiptarë. Të gjitha propozimet tona, të gjitha angazhimet tona në program, sigurisht që prekin direkt interesin e qytetarëve dhe sigurisht që në fokusin e vet kanë pasur kryesisht edhe zbatueshmërinë. Pra, janë jo thjesht premtime, janë angazhime serioze të cilat do të realizohen me patjetër.

 

            Duke iu referuar asaj çfarë deklaron mazhoranca aktuale, që e ka cilësuar mandatin e tretë si një mandat për Shkodrën me idenë për të kthyer investimet në këtë 4-vjeçar të ardhshëm, me pretendimin se do të jetë fituese e zgjedhjeve të 25 prillit, por cili ka qenë, ju ndoshta e keni denoncuar shpeshherë edhe nëpër intervista të tjera, edhe në dale të tjera publike, por sjellja e kësaj qeverie me Shkodrën besoj është një tjetër pikë me të cilën shkodranët janë njohur dhe cila do të jetë ndoshta edhe qasja që do të ndryshojë PD-ja?

            Në fakt gjatë të gjithë qeverisjes së vet 8-vjeçare, kryefjala e kësaj mazhorance, e kësaj qeverisjeje të kësaj mazhorance ka qenë dështimi, dështimi në çdo aspekt, në çdo sektor të jetës shoqërore shqiptare, dështim i cili tashmë është evident. Asgjë më mirë sesa humbja e shpresës së qytetarëve shqiptarë ndaj qeverisë së tyre, karshi qeverisë së tyre, nuk e reflekton këtë dhe e kam fjalën këtu, atë humbje shprese e cila pasqyrohet më së miri tek ai fenomen aq i trishtë që ka prekur shoqërinë tonë dhe që është pa dyshim emigracioni masiv që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit në Shqipëri. Dua të risjell në vëmendjen tuaj që vetëm nga qarku i Shkodrës janë largur gjatë viteve të fundit rreth 86 000 persona dhe kjo është shifra zyrtare, pasi mendohet që shifra reale duhet të jetë mbi 110 000 persona të larguar vetëm nga qarku i Shkodrës dhe renditemi të dytët në rang kombëtar, menjëherë pas qarkut të Fierit, çka tregon edhe njëherë depresionin e jashtëzakonshëm të shoqërisë sonë dhe të qarkut tonë në veçanti, gjatë këtyre viteve të fundit, që ka sjellë edhe një plagë tmerrësisht të trishtë për të gjithë ne, siç është largimi masiv i familjeve të tëra dhe kryesisht madje i të rinjve nga Shqipëria, duke i kthyer në një fenomen prej të cilit do të vuajmë pasojt në vitet dhe në dekadat e ardhshme. Sigurisht që të flasësh për qasjen që ka pasur qeveria e kësaj mazhorance, qeveria e Edi Ramës ndaj Shkodrës dhe qarkut të Shkodrës, është sigurisht gati-gati e tepërt, pasi tashmë është publike, është evidente. Ky qark, kjo bashki sidomos, janë parë si armiq të vërtetë të qeverisjes qendrore. Jo më kot kemi theksuar me forcë vazhdimisht mungesën e tmerrshme të financimeve nga ana e qeverisë qendrore karshi Bashkisë së Shkodrës. Ka pasur një tendencë, sigurisht me sfond të theksuar politik, për ta trajtuar me një arrogancë, me një agresivitet, një komunitet të tërë siç janë shkodranët, duke u mohuar të drejta minimale apo duke u mohuar trajtimin e barabartë me qytetet e tjera, vlerat e financimeve nga ana e qeverisë qendrore në raport me Shkodrën, krahasuar me qytetet e tjera të mëdha të Shqipërisë dhe pasqyra kompletohet. E kam fjalën këtu për, po t’i krahasosh financimet e Shkodrës krahasuar me Durrësin p.sh., janë 21 herë më pak financimet për Shkodrën sesa për Durrësin, apo jemi bashkia e cila financohet 16 herë më pak se Korça p.sh., 14 herë më pak se Elbasani, 12 herë më pak se Fieri apo 11 herë më pak se Vlora. Janë të gjitha shifra të shkruara e zeza mbi të bardhë, të cilat të japin të kuptosh dhe të krijojnë idenë apo tablonë ekzakte qytetarëve shqiptarë të një raporti absolutisht të zhdrejtë, të një raporti absolutisht të padrejtë të qeverisë së tyre në raport me qytetarët e Bashkisë së Shkodrës, çka tregon edhe njëherë një tendencë për ta parë këtë komunitet si një komunitet armiqësor apo për ta trajtuar politikisht, duke i mohuar atë çka do të ishte më normale, financimin nga qeveria qendrore. Sigurisht që është refletuar pa dyshim edhe te mungesa, jo vetëm e financimeve, por edhe te mungesa e theksuar e miratimit të projekteve të dërguara nga ana e pushtetit lokal.

            Faktikisht ka pasur përplasje mes bashkisë dhe qeverisë pikërisht për këtë tematikë.

            Jo, janë fakte, janë faktike tashmë, mungesa e miratimit të projekteve të dërguara nga ana e pushtetit lokal të Shkodrës drejt qeverisë qendrore, të cilat në 35 raste kanë marrë përgjigje negative. Shumë të tjera presin miratimin apo firmën e qeverisë për të kalur në vlerësim. Fakt është që projekte madhore, shumë jetike për këtë komunitet, kanë gjetur një mungesë absolute vëmendjeje dhe shpeshherë kriminale nga ana e qeverisë. E kam fjalën, marr për shembull ujësjellësin në fshatin Trush, i cili është pa dyshim fshati më i madh në Shqipëri, në rang kombëtar, për numër banorësh. Disa herë pushteti lokal i Shkodrës i ka dërguar projektet e ujësjellësit të fshatit Trush në qeverinë qendrore për miratim dhe gjithmonë ka marrë përgjigje negative, ashtu siç ka ndodhur edhe me projekte të tjera ujësjellësish p.sh., për zonën e Dobraçit apo për fshatin Bardhaj. Janë disa edhe rrugë të tjera pastaj apo projekte financimesh nga ana e qeverisë qendrore, të cilat pa dyshim, jo pa qëllim janë mohuar nëpërmjet përgjigjes negative. E gjithë kjo të jep idenë e qartë që kemi pasur të bëjmë me një qeveri absolutisht të papërgjegjshme, me një kryeministër absolutisht të papërgjegjshëm, i cili zgjedh t’i trajtojë qytetarët e vet si njëri i nënës e tjetri i njerkës, ndërkohë që do të duhej të mendonte dhe të kishte një përqasje të barabartë të paktën, me qytetarët në të gjithë Shqipërinë. Por unë jam i bindur, t’ju them të drejtën, se tashmë qytetarët e kanë absolutisht të qartë se kush është shkaktari madhor i shumicës absolute të problemeve të tyre, i shumicës absolute të vështirësive të tyre gjatë këtyre 8 viteve, kush është shkaktari i vërtetë i degradimit dhe i rrënimit ekonomik të tyre, kush është shkaktari i vërtetë i kolapsit në sektorë të rëndësishëm jetikë siç janë shëndetësia, arsimi, rendi dhe siguria, bujqësia etj., dhe pa dyshim i identifikojnë të gjitha këto dështime me emrin e Edi Ramës dhe të qeverisë së tij dhe jam i bindur që përgjigjen, pa dyshim, do të dinë t’ia japin në datën 25 prill nëpërmjet votës, nëpërmjet atij detyrimi moral, qytetar, për të kontribuar sadopak në zgjedhjen e administratorëve të rinj të tyre për 4 vitet e ardhshme, për të kontribuar sadopak në përzgjedhjen dhe vlerësimin e asaj oferte të jashtëzakonshme që PD-ja u ka bërë qytetarëve të vet.

 

            Duke shfrytëzuar këtë intervistë që kemi së bashku, duke iu referuar edhe vendimit më të fundit të Komitetit Teknik për zgjatjen e orarit të orës policore nga ora 20:00 në orën 22:00, por edhe një reagimi tuaj në rrjetet sociale, sa i takon situatës së pandemisë, e përdori kjo qeveri edhe politikisht menaxhimin e pandemisë në vend, duke iu referuar edhe rastit të fundit?

            Ekstremisht. E ka përdorur për hir të së vërtetës vetëm politikisht. Në qoftë se ka pasur një qeveri, e cila ka dështuar plotësisht në menaxhimin e një situate jashtëzakonisht alarmante, e një situate jashtëzakonisht shqetësuese, e cila kishte të bënte me gjënë më të shtrenjtë, kishte të bënte direkt me jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë, ka qenë pikërisht kjo qeveri, kjo mazhorancë, të cilat nuk bënë as edhe një hap të vetëm në drejtimin e duhur, nuk bënë absolutisht as edhe një ndërhyrje në kohën e duhur për ta frenur apo për ta ngadalësuar apo për të ulur efektet e një pandemie të jashtëzakonshme, të një situate jashtëzakonisht alarmante, përkundrazi, dhe këtë e them, ma beso, përtej bindjeve të mia politike, e them me një trishtim të madh, e shfrytëzoi këtë pandemi për të pasuruar xhepat e një enturazhi të vogël rreth e rrotull kryeministrit dhe ministres së Shëndetësisë, çka ishte një akt i turpshëm dhe madje kriminal do ta quaja, kur në kohë pandemie vazhdonin tenderat korruptivë dhe thellësisht abuzivë, pa absolutisht  as më të voglën transparencë, pas as edhe më të voglin informacion. Ndërkohë që shqiptarët përballeshin me një situatë katastrofike, me një situatë jashtëzakonisht të vështirë emergjence për shëndetin dhe jetën e tyre, kryeminitri Edi Rama dhe qeveria e tij, ministrat e tij, mendoheshin si e si të pasuroheshin dhe kjo ishte me të vërtetë pika e cila mbushi gotën plot tashmë të një dështimi katastrofik në menaxhimin e situatës së pandemisë, e cila, për hir të së vërtetës, duhet thënë që ka filluar që në ditët e para të shfaqjes së këtij problemi madhor. Ne kemi bërë vazhdimisht denoncimet tona, ne madje nuk jemi frenuar vetëm te denoncimet, por kemi dhënë edhe sugjerimet tona për të ndikuar sadopak në përmirësimin e kësaj gjendjeje jashtëzakonisht të vështirë. Jeni dëshmitarë të gjithë se si zgjodhi Edi Rama të tallej me ofertat tona, me sugjerimet tona, se si vazhdonte të mbulonte me propagandë fasadë mediatike të gjithë atë realitet të zymtë, i cili ishte evident në çdo nivel të sistemit tonë shëndetësor.

 

            Madje një nga akuzat që ju keni bërë, edhe për fshehjen e viktimave të pandemisë.

            Ajo ishte e fundit dhe pa dyshim që nuk mund të ngelej e pazbuluar. Sigurisht që u tentua në mënyrë të turpshme të mbahej për muaj të tërë i fshehur numri i viktimave reale, të cilat nuk janë regjistruar si të tilla nga covid, vetëm e vetëm për faktin e turpshëm të fshehjes së dështimit skandaloz të kësaj qeverie në trajtimin e një emergjence të tillë, jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare. Në këtë aspekt mendoj se asgjë më mirë se emergjenca apo viti i përballjes me pandeminë, nuk nxori në pah dështimet e jashtëzakonshme dhe situatën reale të një shëndetësie, e cila u trumbetua me të madhe si një arritje e qeverisë, ajo e famshmja shëndetësi falas, por që në fakt kishte degraduar në mënyrën më skandaloze të mundshme në të gjitha nivelet e saj dhe pa dyshim pasojat, me keqardhje të madhe e them, se pasojat i vuajtën qytetarët shqiptarë, të cilët përballuan apo iu drejtuan strukturave shëndetësore shqiptare në kohën më të vështirë të mundshme. Dhe dua të them edhe diçka tjetër, nuk ka qenë vetëm aspekti shëndetësor vështirësia e këtij viti pandemik. Pa dyshim ka qenë edhe aspekti ekonomik me të cilin apo situata ekonomike tmerrësisht e vështirë me të cilën u është dashur të përballen qytetarët shqiptarë apo edhe familjet e tyre. Shumë, në shumicën absolute të rasteve, familje të tëra janë lënë në mëshirë të fatit në përballimin edhe të atyre kostove jashtëzakonisht të mëdha të trajtimit të personave afër tyre, të trajtimit të prekjes nga covid, shpeshherë më shumë se një pacient brenda një familjeje, me kosto jashtëzakonisht të mëdha, me kosto ekstremisht të papërballueshme nga familjet shqiptare. Madje, gjatë studimeve tona, kemi realizuar studimet tona dhe i kemi bërë publike vazhdimisht, gjatë fazës së parë shpeshherë kemi denoncuar që kostot mesatare të trajtimit të një personi nga një familje arrinin deri në 1 500 euro. Madje, madje, kjo kosto gjatë fazës së dytë të shfaqjes së virusit anglez apo të një mutacioni anglez, sigurisht që shtohej akoma më shumë, pasi kohëzgjatja ishte pak më e madhe dhe arrinte diku te rreth 3 000 euro kosto për trajtimin e një pacienti në shtëpi. Imagjinoni sikur, ashtu siç ndodhte rëndom në shumë raste, ishte më shumë se një pacient brenda së njëjtës familje, imagjinojeni pak se me çfarë vështirësish të jashtëzakonshme ekonomike është dashur të përballeshin familjet shqiptare të abandonuara, e them edhe njëherë, plotësisht nga ana e strukturave shtetërore, të cilat e kishin për detyrë t’u gjendeshin afër në këto momente jashtëzakonisht të vështira. Pa folur këtu pastaj për problematikat e jashtëzakonshme të mungesës së ilaçeve, të mungesës së mjeteve dhe aparaturave të duhura.

            Edhe largimit të mjekëve dhe të infermierëve.

            Mungesat e jashtëzakonshme në personel, me të drejtë e shtroni ju këtë.

            Është një nga plagët e këtyre 3-4 viteve të fundit, është më se evidente.

            E thamë që në fillim, është një plagë e jashtëzakonshme e shoqërisë sonë largimi i një numri kaq të madh shqiptarësh nga Shqipëria drejt vendeve të Perëndimit dhe sigurisht, brenda këtij kontigjenti, një vend të jashtëzakonshëm zënë infermierët kryesisht por dhe mjekët, çka e kthen largimin e tyre në një problematikë të jashtëzakonshme për një sistem të tërë, pasojat e të cilit pastaj sigurisht që do t’i vuajnë pacientët shqiptarë, qytetarët shqiptarë.

            Në Shkodër të paktën, sa i takon PS-së trumbetohen me të madhe dhe si sukses disa prej investimeve të qeverisë shqiptare në spitalin e Shkodrës, i referohem repartit të Kardiologjisë, repartit të Urgjencës, rikonstruksionit të ambienteve të Urgjencës, disa prej reparteve në Shkodër. Madje, zoti Beqja në një intervistë që unë kam pasur me të, ka deklaruar që është gati që spitali i Shkodrës të kthehet edhe në një qendër spitalore universitare, e para e këtij lloji pas QSUT-së në kryeqytet. I ka kapacitetet spitali i Shkodrës, duke pasur parasysh që ju jeni zëri i shëndetësisë në PD, por edhe sa i takon këtyre investimeve, janë thjesht investime për shoë politik apo janë investime konkrete me të cilat qeveria shqiptare e ka pasur vëmendjen te spitali i Shkodrës?

            Atëherë absolutisht të flasësh për investime në shëndetësi dhe konkretisht në spitalin e Shkodrës nga kjo qeveri, është gjëja më qesharake e munshme, vetëm personat e mësuar tashmë, të vendosin të gjitha forcat e tyre dhe arsenalin e tyre dhe të fokusohen vetëm te propaganda, vetëm ata mund të deklarojnë të tilla broçkulla. Investimet e vërteta në shëndetësinë shqiptare, për hir të së vërtetës, ashtu si në spitalin e Shkodrës, janë realizuar gjatë qeverisjes së PD-së. Mjafton të hapim letrat.

            U referoheni dy fazave të para të rikonstruksionit të spitalit të Shkodrës?

            Po sigurisht, ato kanë qenë investimet reale, konsistente në përmirësimin e situatës reale të spitalit të Shkodrës. Ato vazhdojnë të jenë edhe sot investimi i vetëm serioz i bërë në Shkodër, për sa i përket spitalit, pastaj lyerje, bojatisje etj., etj., hapja e minisallave për kabinete të ndryshme janë absolutisht, është e turpshme të konsiderohen si investime madhore të qeverisë. Në qoftë se kjo është vëmendja reale e qeverisë shqiptare ndaj spitalit të Shkodrës dhe shëndetësisë së Shkodrës, tani e kuptoj më së miri edhe vizionin që kanë ata për përmirësimin e sistemit dhe arsyen e vërtetë pse kemi përfunduar këtu. Pra, edhe njëherë e them, me keqardhje e konstatoj se objektivi i vetëm i tyre gjatë këtyre 8 viteve ka qenë thjesht dhe vetëm mbushja e xhepave të tyre dhe nuk kanë pasur absolutisht as më të voglin vizion se si duhet të zhvillohet dhe se si duhet të investohet në një sistem shëndetësor për të përmirësuar performancën e këtij sistemi në mënyrë që të përmirësohej edhe shërbimi ndaj shëndetit dhe jetës së qytetarëve. Sigurisht që, e thashë edhe më përpara, kjo kërkon vizion, seriozitet, kërkon përgatitje, kërkon që në qendër të të gjitha sforcove të një sistemi të tërë të vendosësh pacientin dhe jo interesat e drejtuesve të sistemit. Ne këtë po kërkojmë sot, ne këtë ofrojmë sot nëpërmjet programit tonë për sektorin e shëndetësisë. Jo më kot e kemi deklaruar me forcë vendosjen në qendër të sistemit dhe të gjitha sforcove tona dhe të sistemit shëndetësor në shërbim të shëndetit dhe të jetës së pacientëve, rikthimin e dinjitetit të pacientit shqiptar nëpërmjet disa ndërhyrjeve, siç janë dhënia e mundësisë pacientit për të zgjedhur vetë, në çdo nivel të sistemit shëndetësor, në çdo institucion, të zgjedhë vetë se ku dëshiron të kurohet dhe nga kush dëshiron të kurohet, ashtu siç ndërhyrjet të cilat do të bëhen me patjetër mënyrën e organizimit dhe të formulimit të listës së rimbursimit, e cila në fokus duhet të ketë shëndetin e qytetarëve, më të mirën për shëndetin e tyre dhe do të bazohen vetëm në bazë të përshkrimit të mjekut, do të jetë mjeku ai i cili do të vendosë, i palimituar, i pakondicionuar, se kush është më e mira për shëndetin e qytetarit, për trajtimin e sëmundjes së tij dhe sigurisht rimbursimi do të bëhet në bazë të, do të ndjekë gjykimin dhe vlerësimin e mjekut dhe jo e kundërta, ashtu siç do të kthehet edhe dinjiteti i personelit të sistemit shëndetësor, si ai mjekësor, e kam fjalën këtu për rritjen e pagave të mjekëve në 1 200 euro në muaj, tanimë angazhimin tonë nëpërmjet programit qeverisës dhe do të jetë në pikat kryesore, të cilat do të realizohen menjëherë pas rikthimit të PD-së në krye të punëve të vendit pas datës 25 prill, ashtu edhe për rritjen e pagës së infermierëve në 700 euro në muaj, një tjetër aspekt i rëndësishëm apo për rritjen e pagës së specializantëve në 900 euro në muaj. Përtej kësaj janë disa ndërhyrje, të cilat synojnë jo vetëm rikthimin e dinjitetit të një personeli kaq jetik për shoqërinë tonë, por edhe frenimin e asaj hemorragjie të tmerrshme që ka ndodhur në këto dy shtresa të shoqërisë sonë, si mjekët ashtu edhe infermierët, por edhe të stimulojmë sa më shumë që të jetë e mundur rikthimin e atyre mjekëve dhe infermierëve që janë larguar gjatë këtyre viteve të fundit. Pra, këto janë ndërhyrje serioze dhe pa dyshim nuk do të lihen vetëm me kaq, por fokus të veçantë do të kenë edhe investimet në infrastrukturë, në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese të spitaleve tona apo shtimi me spitale të reja rajonale, ashtu siç një rëndësi të veçantë do të ketë rritja e numrit të studentëve të mjekësisë në fakultetet tona apo edhe shikimi i mundësisë së hapjes së një fakulteti të dytë mjekësie, të gjitha këto me synimin për të rritur numrin e mjekëve për numër banorësh dhe për ta çuar atë, të paktën ta barazojmë me vendet e rajonit, me vendet fqinje tonat, pasi është një e dhënë jashtëzakonisht e trishtë fakti që jemi vendi i fundit për sa i përket numrit të mjekëve në raport me numrin e popullsisë. E thashë edhe më përpara, investimet nuk do të ndalen këtu, por do të synojnë në përmirësimin si të infrastrukturës spitalore, ashtu edhe të teknologjisë së tyre.

            Zoti Spahia, 25 prilli na ofron edhe një garë disi më ndryshe kësaj here prej zgjedhjeve të kaluara. Nëse votuesit shkodranë do t’ju zgjedhin juve, do të duhet të shkojnë te nr. 7 i listës së PD-së në qarkun e Shkodrës. Është edhe një garë individësh, emrash, të cilët do të garojnë për të treguar se kush është më i votuari në këto zgjedhje,  një përballje ku përveç kundërshtarit është edhe një lloj sfide edhe brenda llojit në PD. Megjithatë pyetja që vjen në këtë fund të kësaj interviste është se, a do të arrijë PD-ja objektivin e saj në këto zgjedhje në qarkun e Shkodrës? Është deklaruar që numri 7 është objektivi kryesor i PD-së, por fryma që po përcillet në Shkodër dhe më shumë se sa ju e keni kontaktin me zgjedhësit shkodranë, pritet të ketë një rezultat historik në Shkodër PD-ja?

            Ne nuk e kemi garën me njëri-tjetrin, ne garën e kemi për të larguar një orë e më parë Edi Ramën. Thirrja ime për çdo qytetar të Shkodrës është që të votohet nr. 9, të votohet PD-ja dhe alternativa e saj. Kjo është e rëndësishme. Ne u ofrojmë qytetarëve të qarkut të Shkodrës një listë emrash, një listë kandidatësh për deputetë, të cilët shprehin më së miri virtytet dhe vlerat më të mira të shoqërisë sonë, të qarkut tonë. Si asnjëherë më parë, ka një shpërndarje jashtëzakonisht të mirë të kontributeve, vlerave, aftësive profesionale, historikut personal, familjar etj., etj., apo edhe shpërndarjes territoriale gjeografike, mbulimit territorial gjeografik të këtyre kandidatëve, çka e bën listën tonë një listë fituese, një ofertë të jashtëzakonshme për qytetarët e qarkut tonë. Ky do të jetë objektivi ynë, të maksimalizojmë votën në mbështetje të PD-së të qarkut tonë. Sigurisht objektivat i kemi të qarta, nuk diskutojmë mandatin e shtatë, duhet të synojmë për mandatin e tetë. Sot, t’ju them të drejtën, nuk shoh qoftë edhe një arsye të vetme se pse një qytetar i qarkut tonë duhet të votojë kundërshtarët tanë. Patjetër ne jemi të bindur se fitorja e datës 25 prill do të jetë një fitore spektakolare. Fryma është e atillë, ka një frymë të jashtëzakonshme fitoreje, ka një atmosferë të jashtëzakonshme fitoreje, e perceptojmë në çdo takim tonin. Të jeni të bindur se dallga e madhe e atyre qindra mijëra personave që mezi presin datën 25 prill të japin përgjigjen e duhur nëpërmjet votës së tyre një qeverie krejtësisht të papërgjegjshme, është e jashtëzakonshme. Shqiptarët tashmë e kanë vulosur verdiktin e tyre, shqiptarët do të bëjnë ndryshimin e madh në datën 25 prill dhe kjo tashmë nuk ka absolutisht as edhe një diskutim. I ftoj të gjithë qytetarët e qarkut tonë sidomos, por të gjithë teleshikuesit tuaj, të na ndjekin, të bëhen pjesë e këtij ndryshimi të jashtëzakonshëm, le të bëhen pjesë e kësaj dallge, siç e thashë, e cila do të fshijë njëherë e mirë këtë bandë apo sekt abuzues që ka uzurpuar zyrat e shtetit për 8 vite me radhë dhe le ta rikthejmë edhe njëherë vendin tonë në shinat e duhura, le t’i rikthehemi edhe një herë atyre objektivave madhorë që kemi pasur, për hir të së vërtetës, që prej 30 vitesh dhe e kam fjalën këtu për objektivat madhorë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në komunitetin evropian, gjë e cila do të garantonte pa dyshim, jo vetëm stabilitetin politik, por edhe stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Kush mund ta bëjë këtë? Sigurisht që nuk mund ta bëjë Edi Rama pasi ka dhënë prova, ka dështuar në çdo tentativë të tij. Atë mund ta bëjë vetëm PD-ja me kryeministër z. Lulzim Basha.

            Ju falënderoj shumë për kohën, për këtë intervistë së bashku. Shpresoj që pas 25 prillit të jeni i pari sërish në një tjetër intervistë, për të diskutuar për fitoren e PD-së ashtu siç ju pretendoni.

            Faleminderit shumë juve!

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • KUJDES!: 13/04/2021 22:35

    Fatkeqësi, fatkeqësi, pa fund fatkeqësi. E si mund ta duash e ta besosh se ekziston 'demokracia', kur ajo i len hapësirë të mendojnë e të thonë e mbi të gjitha të veprojnë vemjeve e ........ të tilla. Fjala 'demokraci' është zvogëluar pa fund e shkronjat e saja vinë gjithmonë e duke u zvogëluar e zvogëluar pa rreshtur, e tani mund të shihen me zor vetëm me një xham zmadhues. Pa dyshim që ajo nuk ekziston e është vetëm një demagogji e mashtrim i pashoq, për të arritur ato që në fakt nuk arrihen: kapjen dhe mbarështrimin e rracës njerëzore dhe fundosjen e njeriut në honet e errëta dhe të thella të ferrit tokësor (se ferri qiellor është tjetër gjë, dhe pakush mund ta arrijë atë). Për parajsën qiellore as që bëhet fjalë, dhe mendoj se askush nga rraca njerëzore nuk e ka arritur. Është ëndërr, e do të ngelet ëndërr. Tani me një sforcim të paparë mund të arrij që ti mbyll këto rradhë me ndjesinë e të qënit sa më real e sa më pak sarkastik, duke pyetur veten e të gjithë të tjerët, (po më shumë veten), se si mund të guxojë një njeri (dykëmbësh) që të ulurijë e pëllasë për ditë 'më votoni mua', si mund të arrihet kjo?!!!!...... Pa dyshim që janë thyer barrierat dhe të gjitha kufitë, padyshim që e keqja ka kapluar dhe urdhëron e udhëheq pa teklif e pa u ndrojtur nga asgjë. Po nga asgjë po ju them. Vetëm thjesht e shkoqur: Të bësh krime e mynxyra e të dalësh pa turp e të paktën një ndrojtje të vogël, e të kërkosh që të udhëheqesh turmën, atë turmë që me gjakftohtësinë e një krimineli biologjik, e keni çuar në humnerë, kjo është maja (e ajzbergut) të kotësisë e njëkohësisht tragjedisë njerëzore. Mos harroni o njerëz, se për tu shkatërruar është gjithmonë shumë më e lehtë. Mjafton një lëvizje e gabuar dhe 'shejtani rrin gati gjithmonë në pritë duke të ruajtur', një kallëp dinamiti dhe shkatërron për një sekondë punën e shumë mëndjeve e krahëve që janë munduar për shumë kohë. Një fije e vogël shkrepseje, djeg një pyll të tërë për një orë. E kështu një votë e hedhur gabim, merr në qafë një komb e një vënd të tërë. KINI KUJDES! VOTËN TUAJ JEPJANI ATYRE QË KANË PUNUAR E MENDUAR MË MIRË. DHE KËTO SOT PËR SOT NË SHQIPËRI JANË PADYSHIM VETËM SOCIALISTËT ME EDI RAMËN. Të gjithë të tjerët janë llum kazani qe DUHEN hedhur në zjarr. Lërini ATA të vazhdojnë punën e tyre edhe të paktën edhe 4 vjet e më pas të shohim. Të gjithë e dimë se çfarë DUHET në fakt, por tani për tani ato janë ëndrra e në realitëtin e vrazhdë dhe konjukturat dhe tmerret e sotme, vetëm Partia Socialiste mund ta drejtojë Shqipërinë dhe Popullin Shqiptar drejt zhvillimit dhe përparimit, ose në rastin më të keq drejt mbijetesës. Bëhu i zgjuar o popull e shfrytëzoje të vetmen mundësi që ke për të ardhmen tënde e të fëmijëve të tu. Duhet që ta duam Atdheun jo vetëm me fjalë. Duhet që ti duam Vlerat jo vetëm me fjalë. Duhet që ti duam Fëmijët tanë jo vetëm me fjalë. "Amor Vincit Omnia" ('Dashuria Triumfon Mbi Çdo Gjë'). KUJDES!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen

GJKKO firmos masë të dytë sigurie për Taulant Tushen