Intervista e plotë/ Mediu në Report tv: Nuk shkoj pas dëshirës së Bashës, s’punoj si punëtor për ndonjë tjetër! Brenda mandatit të parë realizojmë anëtarësimin në BE

 Pse Fatmir Mediu kërkoi shpërndarjen e parlamentit? Zonja Kryemadhi tha që nuk ka ndonjë rëndësi shpërndarja e këtij parlamenti sepse më 25 prill është beteja finale, ndërsa një shpërndarje mund t’i bënte deputetët që, sipas saj janë të blerë nga mazhoranca, edhe më aktivë ose më të përmendur në skenën politike. Për ju, përse duhet të shpërndahet parlamenti kur kanë mbetur edhe 7 muaj nga zgjedhjet?

          Sepse Kodi Zgjedhor është një kod tërësisht antikushtetues, antidemokratik dhe nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, një kod i ndërtuar në mënyrë të njëanshme si asnjëherë në historinë politike të këtij vendi, nga Edi Rama me qëllimin për të legalizuar vjedhjen dhe grabitjen e votave të qytetarëve shqiptarë. Në këtë pikëpamje unë mendoj që është shumë më i rëndësishëm procesi zgjedhor, liria dhe e drejta e qytetarëve shqiptarë për të votuar dhe për të vendosur për të ardhmen e tyre. Pra për të shmangur një proces manipulativ duhet marrë qëndrim inekstremist me parlamentin në qoftë se e kthen dekretin e presidentit. Duke u nisur edhe nga një fakt tjetër, kam besuar dhe besoj që presidenti ka të drejtë në qëndrimin e tij për shpërndarjen e parlamentit për veprime antikushtetuese, të një parlamenti i cili është antikushtetues. Dhe këtë debat e kam shtruar në tryezën e partive politike të opozitës, që opozita duhet t’i bëjë një kërkesë Presidentit të Republikës që, nëse parlamenti nuk merr në konsideratë dekretin e presidentit, atëherë presidentit duhet të veprojë sipas atij qëndrimi që e ka bërë publik dhe e ka përsëritur herë pas here, bazuar në të drejtën e tij kushtetuese.

Ju mendoni se në gjithë këtë luftë që zoti Meta ka me mazhorancën dhe kryesisht me kryeministrin Edi Rama, po të kishte të drejtë për shpërndarjen e parlamentit, nuk do ta kishte bërë?

          Kjo është një analizë që vlen për ata që duan të shikojnë anën juridike të problemit. Unë shikoj anën politike të problemit dhe në anën politike të problemit unë mendoj që presidenti është autoriteti i vetëm që ka ngelur për të çekuar nga pikëpamja e veprimeve kushtetuese ose jo të qeverisë dhe të parlamentit. Presidenti ka mbajtur një qëndrim publik përballë të gjithë qytetarëve shqiptarë, ka mbajtur qëndrim publik herë pas here në raport me kushtetutshmërinë dhe veprimet kushtetuese ose jo të parlamentit apo edhe të kryeministrit.

Në këto qëndrime, ka dalë nga roli i tij si kryetar shteti dhe është rreshtuar në radhët e opozitës, qoftë për shkak të begraundit të tij politik si ish-kryetar i LSI-së, por gjithashtu edhe për shkak të deklaratave të drejtpërdrejta edhe ndaj mazhorancës?

          Për sa kohë që flet në emër të Kushtetutës, unë mendoj që presidenti është në pozicionin e tij si president. Për sa kohë që qëndrimi i tij ka të bëjë me garantimin e unitetit kombëtar, i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me respektimin e lirive dhe të të drejtave të qytetarëve në mënyrë të veçantë në këtë rast me çështjen e të drejtës së qytetarëve për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme që të votojnë dhe të përcaktojnë se kush do ta qeverisë këtë vend, unë mendoj që presidenti është në pozicionin e tij kushtetues.

Zoti Mediu, ju jeni të kënaqur me përfaqësimin dhe mbrojtjen që u kanë bërë kërkesave tuaja në Këshillin Politik përfaqësuesit e PD-së, në kuptimin që a duhej të ishin ata më këmbëngulës ose t’i hapnin më mirë sytë para se të vendosnin për 5 qershorin, të garantonin të tjera gjëra që PD-ja ka kërkuar, se ju si opozitë nuk është se arritët ndonjë gjë shumë të madhe në Këshill edhe me 5 qershorin, në qoftë se keni mbetur aty dhe thoni që duhej të ishte respektuar.

          Unë kam pasur dhe kam bindjen dhe këtë e kam shprehur qartë, që Edi Rama nuk do reformë zgjedhore. Kam besuar që çdo truk për “marrëveshje”, e ka përdorur për të shkuar në një hap më tej, për të manipuluar procesin. Besoj që ka qenë ai, kushdo që ka besuar që Edi Rama mund të jetë racional në marrëdhëniet me opozitën. Sjellja e Edi Ramës edhe me mazhorancën edhe me Shqipërinë edhe me opozitën është sjellje e një njeriu i cili do të kontrollojë pushtetin me çdo lloj mjeti dhe do të bëjë çdo gjë për të manipuluar zgjedhjet. Në këtë pozicion, natyrisht është e lehtë për të vlerësuar sot punën e kolegëve të mi, të cilët unë i vlerësoj shumë, edhe zotin Vasili, edhe zotin Bylykbashi, të cilët kanë qenë d.m.th. raporti teknik dhe politik i opozitës në atë komision. Nuk e di nëse do të kisha vepruar në të njëjtën mënyrë ose jo. Kemi pasur diskutime nga më të ndryshmet. Ajo që unë mendoj se opozita duhej të bënte për listat e hapura, që duhej ta kishte kauzën e saj politike hapjen e listave në shërbim të idesë së një republike të re apo një republike parlamentare dhe të mos lejonte që Rama ta përdorte atë si një lloj alibie, për të manipuluar me disa gjynahqarë në parlament procesin dhe për të vajtur pastaj te mbyllja e listave dhe për më keq, që me ligj të mos lejojë që shqiptarët të bashkohen kundër këtij regjimi, i cili është një regjim i korruptuar dhe antishqiptar.

Ju do ta kishit firmosur 5 qershorin si një përfaqësues i PR-së, po të ishit në atë tryezë me të drejtë firme ose edhe me të drejtë vetoje më pas nga ana tjetër?

          Padyshim që unë kam qenë pjesë e diskutimit politik, të nivelit politik dhe për sa kohë kam dhënë pëlqimin për vendimmarrjen, pavarësisht nga gjykimet që mund të kem pasur rreth saj, do të thotë që e konsideroj veten pjesë të firmosjes. Ata kanë firmosur në emër të opozitës dhe unë kam qenë pjesëtar i opozitës.

Zoti Mediu, jeni ju nga ata aleatë që keni pasur edhe qëndrime të kundërta me kryetarin e PD-së zotin Basha ose jeni ju me ata aleatë që keni pasur pakënaqësi edhe me PD-në, se edhe në intervistat që kemi bërë shpeshherë së bashku, ju nuk është se në emër të aleancës që keni me zotin Basha nuk i keni thënë ato që mendoni, që nga një pjesë e portaleve ose opinioni politik mund të jetë lexuar edhe si një çarje, një thyerje ose një krisje e marrëdhënieve mes jush. Pra jeni të kënaqur si ka funksionuar koalicioni nga nisja deri tani?

          Raportet e mia me zotin Basha janë raporte shumë të drejta dhe pa probleme. Unë nuk kam probleme personale. Kur debatoj politikisht, debatoj politikisht dhe ky është historiku im politik. Edhe në qoftë se ka qenë gabim gjykimi im, unë jam përpjekur që të them gjykimin tim dhe të PR-së, në shërbim të interesave të opozitës dhe jo në interesa personale. Këtë e theksoj. Edhe në kohën kur ka drejtuar zoti Berisha, edhe në kohën kur drejton zoti Basha. Zoti Basha ka ndërtuar një marrëdhënie shumë harmonike të opozitës. Unë kam bindjen që një parti demokratike e fortë, me një lidership të fortë, është në shërbim të këtij koalicioni opozitar dhe duhet të qëndrojë e tillë për t’i shërbyer edhe të ardhmes së vendit, edhe një qeverisjeje pozitive në Shqipëri.

Kjo parti demokratike është realitet apo dëshirë, që po thoni, e fortë dhe me lidership të fortë.

          Unë mendoj që është një realitet, i cili duhet forcuar akoma më tej. Amerikanët kanë një shprehje: “Kur në një biznes dy njerëz janë gjithmonë dakord, njëri është i tepërt”.

Do të ndalemi edhe te të tjera zhvillime të rëndësishme që kanë të bëjnë pikërisht edhe me mënyrën se si ju do të shkoni te zgjedhësit dhe tek elektorati shqiptar në zgjedhjet e 25 prillit. Në qoftë se, po themi, mund të diskutohet, se siç është thënë deri tani, ju do të shkoni në dy lista në zgjedhje, ju e keni kusht që të jeni vetëm me PD-në apo pranoni që të shkoni edhe te LSI-ja?

          Partia Republikane ka marrëdhënie me PD-në ose marrëdhënie më vete, sepse historia e marrëdhënieve tona politike është marrëdhënia me PD-në. qëllimet programore dhe qeverisjet tona janë qëllime të përbashkëta me PD-në.

Është ky një mesazh i drejtpërdrejtë për zotin Basha?

          Unë thashë ose vetëm, ose me PD-në dhe me koalicionin që krijon PD-ja. Opozita e sotme është një opozitë nga e majta në të djathtë. Nuk jam për të bërë hesape të vogla, jam për të realizuar qëllime të mëdha, prandaj kam thënë që nuk është vetëm në interesin tonë të mendojmë si mundet Edi Rama, por si bashkohen shqiptarët. Dhe prandaj kam propozuar dhe sugjeruar që duhet të ketë një platformë politike të qartë, e cila përfshin idetë nga e majta në të djathtën, që përcakton qartë qëllimet tona në raport me kombin, me Shqipërinë, me interesat tona, ekonominë familjare, ekonominë personale dhe ekonominë e Shqipërisë në përgjithësi dhe atë status që ne duam të kemi që të gjithë, që të jemi Shqipëri evropiane, jo duke folur as në Berlin, as në Paris, as në Bruksel, por për ta bërë realitetin evropian të mundshëm e të prekshëm këtu në Shqipëri. Dhe kam bindjen se, në qoftë se do të ketë një punë të organizuar mirë, ne mundet që brenda të mandatit të parë të qeverisë të realizojmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndonjëri mund ta shohë me skepticizëm, ashtu siç pa edhe më 2005 anëtarësimin e Shqipërisë në NATO që ne e bëmë të mundur brenda mandatit të parë. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që ne të arrijmë t’i bindim shqiptarët që kjo sjellje e opozitës ka të bëjë në fund të fundit me ndërtimin e shtetit dhe shteti ndërtohet jo vetëm me lidershipin politik të opozitës, por me energji të reja dhe me kapitale e me njerëz që kanë bërë histori pozitive në këtë vend.

Zoti Mediu, ju do të mjaftoheni me listat e PD-së nëpër qarqe me vetëm një emër tuajin në listën e sigurt ose në zonën e sigurt të kandidatëve? P.sh. në Tiranë do të mjaftoheni që vetëm zoti Mediu, po themi, të jetë në një zonë të sigurt të kandidatëve që dihen se mund të dalin fitues dhe zoti Sula që ka postin e nënkryetarit të jetë në Tiranë i 20-i apo i 21-ti që dihet se ka pak gjasa për të fituar?

          Atëherë, e para nuk ka vende të sigurta me sistemin. Ka një mbrojtje d.m.th. pjesa e parë e listës. Megjithatë nuk kam bërë dhe nuk bëj pazar. Raportet duhet të jenë të drejta. Raportet në koalicion i përcakton historiku elektoral i partive politike dhe njëkohësisht edhe autoriteti i kandidatëve, të cilët duhet të marrin përsipër garën.

 Këtu edhe zoti Basha mund të vihet në pozitë p.sh., se për të vënë zotin Mediu dhe një tjetër nga PR-ja në zonë të sigurt, duhet të spostojë dy të sigurt nga partia e vet, që sidoqoftë kanë dhënë kontribute në PD më shumë se ju.

          Atëherë, po e sqaroj edhe një herë. Kur ti bën një koalicion ka një vlerë politike, elektorale, historike, ka edhe një pretendim që e kanë të gjitha palët dhe në raport me të ti bën edhe interpretimin për sa u përket numrave dhe vendeve. Nuk është asnjë gjë që mund të jetë me dëshirë. Unë nuk shkoj pas dëshirës së zotit Basha. Unë përfaqësoj PR-në dhe autoritetin e PR-së. Për sa i përket pastaj se kush ka kontribuar dhe si ka kontribuar, kjo është një çështje që lihet për gjykim në dorën e votuesve shqiptarë. Por asnjë nuk besoj që ka ardhur te pika që të punojë si punëtor me mëditje për tjetrin.

Opozita në qëndrimet dhe në deklaratat e saj duket shumë vetëbesuese që do t’i fitojë zgjedhjet e 25 prillit. Keni një parashikim se sa mandate mund të fitoni dhe me çfarë platforme mendoni të vini në pushtet, si opozitë e bashkuar?

          Unë nuk kam ndonjë numër të caktuar, d.m.th. i dëgjoj me vëmendje edhe kolegët e mi dhe besoj që janë afër realitetit. Por, nuk e kam bërë atë studim. Ndoshta të tjerët e kanë bërë atë studim. Ajo që është e rëndësishme është që të fitojmë për të qeverisur vendin. Vijmë te pyetja juaj e dytë, d.m.th. se si duhet ta qeverisim vendin. Një platformë politike, e cila vendos interesin kombëtar në plan të parë. Kur them interesin kombëtar, duhet parë e gjithë kjo situatë që po zhvillohet në Ballkan dhe ku është roli i faktorit shqiptar, duke filluar nga organizimi dhe funksionimi i drejtë i një shteti demokratik në Shqipëri. Për të shkuar pastaj në një qeverisje, e cila i shërben interesave të qytetarëve dhe jo interesave korruptive. Çfarë dua të them me këtë? Një qeverisje e vogël që krijon hapësira dhe liri për individin, krijon mundësi për zhvillimin ekonomik. Ekonomia në këtë vend zhvillohet nëpërmjet punësimit, nëpërmjet mbështetjes së biznesit. Qeverisje e vogël nuk do të thotë qeveri si numër, por me autoritet të kufizuar. Ne e krijojmë qeverinë, nuk na krijon qeveria neve. Qeveria duhet të ketë autoritetin brenda funksioneve kushtetuese, kurse sot është zgjeruar kaq shumë në autoritet sa cenon liritë e të drejtat dhe hapësirat që kanë qytetarët. Pra një qeverisje e kufizuar do të thotë një qeverisje, e cila kryen funksionet e saj kushtetuese sipas asaj që i ka përcaktuar Kushtetuta dhe i jep mundësi biznesit, individit që të zhvillojë ato që janë elementet thelbësore të të drejtave të veta. Dhe në këtë pikëpamje unë mendoj që ka shumë mundësi në një vend si Shqipëria, e cila ka resurse të mjaftueshme, ka potenciale intelektuale që duhet t’i rigjenerojë edhe ata që kanë ikur jashtë Shqipërisë, që të ketë një politikë ekonomike të qartë dhe besoj që politika e taksave të ulëta, e taksës së sheshtë 9% është një element i saj, por edhe të tjera që kanë të bëjnë me bujqësinë, me sektorë të rëndësishëm si shëndetësia, arsimi e kështu me radhë, me platforma të qarta politike dhe programore. Unë besoj që edhe opozita duhet ta shprehë më qartë. Zoti Berisha erdhi në pushtet në vitin 2005 me mesazhin “Me duar të pastra”, për të ndërtuar një qeverisje funksionale. Dhe besoj se arriti që të krijonte të gjithë sigurinë në vend dhe të shkonin pas hekurave rreth 1 200 njerëz, të cilët ishin më të fortë se shteti, siç është edhe sot, nga krimi ordiner dhe nga krimi i organizuar.

 Por në atë kohë politikanë të njohur të vendit aspak shkuan pas hekurave. Ju keni një koncept që, d.m.th. çështja ka të bëjë vetëm me politikanët.

Jo vetëm me politikanët.

          Unë nuk marr përsipër rolin e gjyqësorit. Atëherë, shteti ka detyrën të luftojë krimin, sidomos krimin e organizuar, pavarësisht se ku fillon dhe ku mbaron. Krimi i organizuar nuk shkon jashtë funksioneve të marrëdhënieve edhe me politikën dhe e ka vendosur sot shtetin nën këmbë. Dhe brenda kësaj përgjegjësie duhet që gjithsecili, përkatësisht Prokuroria dhe gjykata që të veprojnë në këtë drejtim. Por, përpara se të vijmë te kjo pikë, kemi nevojën për organizimin dhe funksionimin e një shteti kushtetues. Sot nuk kemi shtet kushtetues. Kemi vetëm një individ sepse edhe qeveria nuk funksionon. Kemi parlament antikushtetues dhe qesharak, kemi mungesë gjyqësori dhe këto duhet të jenë preokupimet e opozitës për t’i kthyer sa më shpejt në funksionim. Nga ana tjetër, mendoj që nuk kemi politika ekonomike të mirëfillta, duke pasur në konsideratë edhe situatën me kovidin, jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore por edhe nga pikëpamja ekonomike. Dhe këtu ka nevojë për politika afatshkurtra dhe afatgjata, për të frenuar por edhe për të ndërtuar në perspektivë. Politikat që janë kryer në atë kohë në luftën kundër krimit, në ndërtimin e një ekonomie funksionale, të një infrastrukture rrugore dhe energjetike që i shërbente zhvillimit ekonomik të vendit, realizimi i një qëllimi kombëtar siç ishte anëtarësimi në NATO, besoj që kanë qenë d.m.th. programe dhe pika të qarta, të cilat duhet të na bëjnë që të reflektojmë dhe të ecim dhe të përmirësojmë edhe më shumë se ajo që kemi kaluar.

 Zoti Mediu, ndalemi pak te mënyra se si e keni parë ju atë se çfarë po ndodh në PD, me komisionin e vlerësimit të kandidatëve, në të cilin ndodhen edhe personat që ju keni bashkëpunuar në qeveri, p.sh. zoti Nishani ka mbajtur post dhe keni qenë në të njëjtin kabinet, apo figura të tjera të rëndësishme si zoti Ruli. Ka qenë një komision i drejtë, duke pasur parasysh se ka pasur shumë pakënaqësi, shumë akuza, emra të lënë jashtë dhe emra që kanë dhënë sidoqoftë kontribut për PD-në, në mënyrën e tyre.

          Unë nuk mund të hyj në meritë të çështjes sepse nuk kam dijeni, d.m.th. por ajo që dua të them, është një punë e mirë për të thithur të gjithë atë histori ose, le të them, eksperiencë të disa njerëzve që kanë qenë autoritete në politikë dhe në qeverinë e PD-së, për të krijuar një filtër për kandidaturat në bazë të disa kritereve dhe për më tepër, për ta lënë vendimmarrjen në fund të fundit te masa e anëtarësisë së PD-së. Por dua të theksoj që është shumë e rëndësishme që lidershipi politik i PD-së, përveç filtrave dhe kësaj lëvizjeje, e cila është shumë e rëndësishme popullore, duhet të vendosë në lëvizje edhe mekanizmin e vlerësimit politik të kandidaturave sepse dy elementet e para janë të rëndësishme por kur ke një parti politike të organizuar është shumë e vlefshme për të parë edhe rolin që kanë individët me personalitet për të ndërtuar politikë dhe për të fituar zgjedhjet. Besoj që PD-ja si partia më e madhe, por edhe partitë e tjera duhet të ndajnë qartësisht autoritetet konkuruese për parlament dhe autoritetet konkuruese për ekzekutiv.

Ju mendoni që nuk kanë pasur një vlerësim të duhur politik të kandidatëve?

          Besoj që ka pasur një autoritet. Thashë që ai proces që ka ndodhur deri tani besoj që është një proces shumë pozitiv, por koha mund të sjellë përballë stafit të PD-së edhe autoritete të tjera që duhet t’i vlerësojë në procesin e kandidimit. Pra nuk mund ta shikojë si një proces të përfunduar deri në ditën që do të shpallen kandidaturat. Mund të ketë autoritete të tjera, të cilat mund të ofrohen në proces, sidomos fillimi i procesit elektoral, të cilat do t’i vlejnë PD-së. Nëse do të jenë këto autoritete për kandidim për parlament apo autoritete për ekzekutivin, kjo është një çështje që duhet ta mendojë PD-ja dhe e gjithë opozita. Nga ana tjetër, mendoj që duhet lëvizur në aspektin elektoral të kontakteve me qytetarët, duhet vendosur sa më shpejt pjesa më e madhe e kandidatëve, në mënyrë që makineria elektorale të fillojë të lëvizë sa më shpejt për faktin sepse edhe subjektet e tjera kanë filluar, por është shumë e rëndësishme që kandidatët të mos kenë vetëm emër të mirë, të mos kenë vetëm këtë proces filtri, por të krijojnë një raport të drejtë me qytetarët, të cilët në fund të fundit janë ata që do të votojnë.

 Zoti Mediu, janë krijuar edhe shumë forca të reja politike nga ish-kolegët tuaj në radhët e PD-së apo në bashkëpunimin që keni pasur gjithnjë si një aleat i djathtë. Zoti Murrizi ka deklaruar diçka të tillë, zonja Hajdari, zoti Patozi nga ana tjetër. Në qoftë se, gjithçka mund të ndodhë se politika është një lojë shahu dhe gjithçka varet nga lëvizja e radhës, në qoftë se ju nuk do të bini dakord për një lloj arsyeje me PD-në, shikoni ndonjërin nga këta emra që përmenda si bashkëpunëtor të mundshëm të zotit Mediu dhe të PR-së në këtë garë?

 Çështja është të mos luajmë shah, çështja është të fitojmë. Mund të luash shah por nuk fiton.

Por politika shah është. Ekziston edhe opsioni tjetër që mund të humbni.

          Çështja është se ajo që unë kam besuar gjithmonë është që një e djathtë e bashkuar është më funksionale, pavarësisht nga diversiteti që mund të ketë brenda. Dhe një lidership i mirë i opozitës duhet të përpiqet që të përfshijë të gjithë gamën, qoftë edhe të një vote të djathtë. Është shumë e rëndësishme kjo. Qoftë edhe të një vote që ka lëvizur majtas etj. Pra të gjitha këto janë vlera politike dhe elektorale që duhet të konsiderohen. Dhe unë kam respektin më të madh për këdo që është marrë me politikë. Mund të kemi mendime të ndryshme, por do të ishte shumë gabim ideja përjashtimore. Unë nuk përjashtoj kënd dhe nuk pranoj, përderisa jam në politikë, të më përjashtojë kush nga pozicioni politik që kam. Nuk kam të drejtën për të gjykuar tjetrin në qasjen e tij politike, në kuptim të sjelljes ose të marrjes pjesë me politikën, por nga ana tjetër kërkoj që të gjithë të kemi një fokus. Dhe fokusi sot është që kemi një pushtet i cili ka shktërruar shtetin, e ka vendosur shtetin nën thundrën e krimit, nuk kemi ekonomi funksionale për shkak të korrupsionit, kemi një krim të organizuar i cili dominon jetën e vendit dhe kemi përgjegjësi si politikanë, edhe si qytetarë, që ta ndryshojmë këtë realitet. Dhe kjo duhet të jetë, në fund të fundit, ajo që duhet të na orientojë. Unë e kam thënë edhe në vende të tjera, por po e përsëris, në qoftë se do të më pyesin PR-ja dhe 20 deputetë dhe Rama kryeministër, apo PR-ja, 2 deputetë dhe Rama të mos jetë kryeministër, padyshim që do të zgjedh këtë të dytën.

Por që të jetë zoti Mediu mes këtyre dy deputetëve.

          Jo, absolutisht jo. Nuk e kam pasur ndonjëherë as këtë qëllim në vetvete. Madje kush e di, di edhe historikun e debateve më 2017. Nuk ka qenë çështje raporti preferencial. Unë përfaqësoj PR-në. Në qoftë se PR-ja arrin në një gjykim tjetër, d.m.th. unë kam pasur fatin e madh që kam punuar me një njeri si zoti Godo, i cili ka ditur të organizojë dhe të ndërtojë jo vetëm një parti etike dhe kombëtare, por edhe limitet e veprimit të gjithsecilit. Edhe siç kam pasur fatin të punoj edhe me zotin Berisha, një shtetar dhe një lider me vizion evropian, për të ndërtuar një qeverisje funksionale. Dhe do të shpresoja që gjithë këto kapitale dhe histori të vlejnë për mua, por të vlejnë edhe për pjesën tjetër të politikës.

A është deri diku një kërkesë abstrakte që të kërkosh një të djathtë të bashkuar, me kaq shumë parti majtas sa ka te ky koalicion. Flas për numrin në total, se p.sh. LSI-ja është parti e majtë, Zoti Duka me PAA-në është parti e majtë.

          Duka bën përjashtim se është edhe i majtë edhe i djathtë.

 Edhe LSI-ja është edhe e majtë edhe e djathtë.

          Jo, jo. Zoti Duka ka qenë deputet edhe i PR-së, pavarësisht se ka qenë majtas. Kur më pyesin se kush është i majtë dhe kush është i djathtë, në Shqipëri është një pikëpyetje shumë e madhe, d.m.th. dallimi ndërmjet të djathtës dhe së majtës, roli që u japin individëve shtetit. Unë nuk besoj që zoti Duka beson se shteti është më i vlefshëm se individi, se vetë nga natyra e organizimit të punës, zoti Duka e ka ndërtuar për shkak të peshës dhe të forcës së tij. Zoti Duka ka disa politika të majta që kanë të bëjnë me politikat agrare apo me politika ambientaliste. Unë kam qenë ministër i Mjedisit, por nuk do të thotë që jam i majtë.

Sigurisht, por e kam fjalën nëse është kërkesë abstrakte të kërkosh një të djathtë të bashkuar, se rregullat e politikës duken sikur me këtë koalicionin tuaj janë ndryshuar pak.

          Mos të ngatërrojmë njësimin me bashkimin. Njësimi politik është i dëmshëm, bashkimi është i vlefshëm. Bashkimi është një lloj mozaiku, i cili duhet të dalë i qartë. E djathta është një mozaik, nuk është si të them unë, një ushtri që dallon vetëm me kë ka në krye, por krijon një konfigurim të tillë për të krijuar një harmoni sa më të madhe ideore dhe kapitalesh njerëzore. Dhe kjo duhet të jetë në konsideratë. Mund të them që duhet të ketë një federatë të djathtë ose një organizim të djathtë, që e kam hedhur prej kohësh, ku gjithsecili e di ku e ka vendin dhe të japë kontributin. Në bazë të vendit dhe të kontributit e ideve që ka, padyshim të ketë pastaj edhe atë që është produkti politik.

Me ndryshimet kushtetuese të Kodit Elektoral, siç është thënë, partitë e vogla janë dëmtuar më së shumti. Ka ndonjë shans apo ekziston ndonjë tezë e mundshme që pas 25 prillit PD-ja dhe PS-ja të qeverisin bashkë?

          Nuk besoj dhe nuk do ta gjykoj aspak të arsyeshme që në situatën ku jemi të kemi një koalicion të madh. E para, sepse mendoj që ka ardhur koha që të dallohet qartësisht e majta nga e djathta. E dyta, nuk besoj që e djathta mund t’u vishet përgjegjësive të drejtpërdrejta të mosqeverisjes nga ana e PS-së. PS-ja është në kushtet e inekzistencës, për gjykimin tim, d.m.th. kemi vetëm të ashtuquajturin sekt të Rilindjes, me përjashtime masive të kontributeve të PS-së, kemi vetëm një njeri që është në krye, që është Edi Rama, që sa ka qenë ekstrem i djathtë, ekstrem i majtë, socialist, demokrat, pra një figurë e cila sa kontroverse aq edhe problematike. Dhe nuk mund të qaset edhe në bashkëpunim arroganca, përbuzja që ka pushteti i sotëm me mirësinë dhe besimin që duhet të ndërtojë opozita e djathtë. Unë mendoj që e djathta ka një mision sot dhe ky është ndërtimi i shtetit, i një raporti shumë të qartë të individit, të qeverisjes, të bizneseve dhe kështu me radhë, të një shteti që funksionon, ku individët janë të barabartë përballë ligjit dhe kanë shanse të barabarta përballë ligjit, gjë që nuk ekziston. Dhe në këtë pikëpamje, mendoj që ne kemi një hapësirë kaq të madhe funksionimi dhe veprimi, që mund të përfshijmë në angazhimin tonë politik autoritete të vjetra dhe të reja, njerëz të cilët mund të sjellin jo vetëm një rigjallërim, por edhe një gjykim tjetër të së djathtës shqiptare sot. Në qoftë se do ta bënim atë, do të shkonim drejt një fashitjeje të politikës dhe të vlerave të politikës. Sot në mënyrë të qëllimshme Edi Rama thotë që politika nuk vlen. Sot në mënyrë të qëllimshme Edi Rama kërkon ta bëjë pis të gjithë politikën. Unë mendoj që ka njerëz të rinj, të cilët po të futen në politikë jo vetëm e gjallërojnë atë, por japin një shans të jashtëzakonshëm për t’u shërbyer interesave të vendit.

Ju mendoni që mungesa e zonjës Topalli, e zotit Bode, e zotit patozi dhe e figurave të tjera të PD-së, e dëmton në këtë fushatë këtë forcë politike?

          Ju doni patjetër që unë të hyj në një polemikë me kolegët e mi.

Jo, nuk është polemikë fare. Ju i keni pasur të gjithë bashkëpunëtorë të rëndësishëm.

          Padyshim dhe kam vlerësime maksimale. Historia politike e së djathtës nuk është histori e 30 viteve, është përpara 30 viteve, është me të përndjekurit politikë, me pronarët, me klerikët e persekutuar, është me ata që ndërtuan Lëvizjen e Dhjetorit, me ata që kanë shërbyer në pushtetin lokal, në administratë, në parlament, në pushtetin qendror. Ka një histori politike jashtëzakonisht pozitive e djathta. Në mënyrë të padiskutueshme hapja karshi Perëndimit, zhvillimet ekonomike, ndërtimi i parlamenteve pluraliste, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave e shumë gjëra të tjera, të cilat janë meritë e kësaj të djathte. Dhe kjo nuk është histori vetëm në letër, është histori njerëzish dhe këta që përmendët ju, kanë qenë pjesë e këtij kontributi. Dhe çdo njeri tjetër, pavarësisht se i del emri apo nuk i del, është një kapital politik dhe elektoral shumë i vlefshëm për zotin Basha, për PD-në, për PR-në dhe për të gjithë të djathtën. Mënyra e angazhimit të këtyre njerëzve është një detyrim për të gjithë ne, për të gjetur se si do t’i përfshijmë. Natyrisht që këtu ka të bëjë, në mënyrë të padiskutueshme, një vendimmarrje e drejtë nga e djathta dhe nga opozita dhe padyshim një vullnet prej këtyre njerëzve për t’iu bashkuar kësaj çështjeje. A do ta kishit besuar ndonjëherë ju që zoti Imami mund të bëhej bashkë me zotin Berisha? Që zoti Pashko mund të bëhej me zotin Berisha?

Që zonja Kryemadhi do të bëhej me zotin Basha?

          Unë po flas njëherë brenda këtij spektri politik. Pra, rikthimi i figurave të PD-së nga zoti Berisha, ishte rikthim i një marrëdhënieje të qenësishme për t’u shërbyer interesave të vendit dhe po ashtu, ndërtoi edhe një vektor tjetër të rëndësishëm që ishte KOP-i në atë kohë, ku erdhi zoti Basha, zonja Bregu e të tjerë me radhë. Këto janë histori politike shumë pozitive, të cilat duhen vlerësuar për të arritur tek ajo që thatë ju, një e djathtë e bashkuar. Do ta bëjë PR-ja, do ta bëjë PD-ja, ka parti tradicionale të cilat përmenden pak sot por janë një vlerë e historisë së këtij vendi siç është Partia e Legalitetit, Partia e Ballit Kombëtar. Pra të gjitha këto janë elemente të së djathtës, të cilat duhen patjetër të jenë pjesë e një kontributi

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Like: 10/05/2021 03:29

    Ik o jashteqitje e ketij vendi qe bete masakren e Gerdecit. Ju te gjithe e keni vendin ne biruce dhe jo te merrni mandate e te beheni deputete. Zhdukuni nga faqa e dheut me soj e sorollop

    Përgjigju
  • QENI FATMIR: 21/10/2020 11:59

    O JEVGJITI FATMIR MEDIU ME DUART ME XHAK AKOMA TË GËNJEN MENDJA TY SE DO SHPËTOSH NGA BURGU O FUNDËRRIN. DO TA SHIKOSH SE SI DO TA MBASH POLITIKËN AKOMA O QELBËSIR KRIMINEL. ORËT PO TROKASIN PËR TU LIDHUR DUART E TUA ME GJAK O JEVGJIT.

    Përgjigju
  • lemi: 21/10/2020 09:09

    o haleeeeeee...o gerdec, o plere !!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale