Intervista/ Janë mbi 100-vjeçare. Ekspozohen dy veprat e panjohura të Kol Idromenos (FOTO)

Intervista/ Janë mbi 100-vjeçare. Ekspozohen dy veprat e panjohura të Kol Idromenos (FOTO)

Fragment - Parajsa tek 'Dy rruget e Idromenos'

Një tablo gjigante e Kolë Idromenos, e vlerësuar nga kritika si një nga kompozimet më të jashtëzakonshme të pikturës shqiptare është ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo tablo është pjesë e ekspozitës retrospektive me 47 vepra të Kolë Idromenos që u çel dje në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Vepra me një histori të pazakontë udhëtimesh nëpër malësitë e veriut ka edhe një histori të veçantë të restaurimit dhe konservimit të saj. Pavarësisht se tema e kësaj vepre është me karakter religjioz, dhe në regjimin komunist ishte e ndaluar çdo vepër me simbolikë fetare, për mjeshtrin e pikturës shqiptare Kol Idromeno, duket se është bërë një përjashtim. Kjo, sepse Idromeno, me artin talentin dhe filozofinë e tij, ka kapërcyer në këtë vepër çdo koncept religjioz.  Po t’iu referohemi detajeve, në këtë kompozim me përmasa gjigante, bien në sy, zakone, tradita dhe veshje popullore. Është një manifestim i gjallë i etnografisë shqiptare. Janë plot 220 figura, ku janë skicuar qindra njerëz që mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe të Malësisë së Veriut.

Gjithashtu në vepër janë mbartur ngjarje dhe histori reale, ku një nga personazhet është edhe vetë Idromeno, që qëndron me grupin e ahengxhinjve, me violinën e tij të veçantë, me “tetë tela”: një instrument të tillë, vet kisha e pati ndalur dhe e ka quajtur violina e djallit (ndoshta është quajtur kështu për ata katër telat shtesë të lidhur poshtë violinës që lëshojnë tinguj vetvetiu, pa i prekur...).

Tabloja “Dy Rrugët” ka disa kapituj ngjarjesh, ku syri të sheh duke u argëtuar vet Idromenon e Palok Kurtin, që po iu bien instrumenteve. Më tej duken gjahtarët me qentë e tyre pas, malësorët duke kalëruar, mëkatarët duke kryer grabitje apo qejflinjtë që argëtohen dhe bëjnë lojëra të ndryshme, etj. Është një vepër me tematikë mitologjike, ku përshkruhen me vërtetësi etnografike skema të ndryshme nga veprimtaria e përditshme e njerëzve të shtresave shoqërore të ndryshme. Në tablo janë të pashkruar të dyja rrugët: ajo e Ferrit dhe e Parajsës. E në portën e ferrit ka një dyndje të madhe njerëzish.  Në zonën ku përcaktohet ferri pasqyrohet jeta tokësore, e mbushur plot me vese, ndërsa  janë të paktë ata që bëjnë diferencën dhe kanë virtyte. Studiuesja Eleni Laperi thotë se kjo tablo ka përfunduar rreth viteve 1890-1896,  dhe duket një vepër e frymëzuar nga Rilindja italiane, por me veçantitë e stilit dhe talentit të Kolë Idromenos.  

Tabloja e dytë “Kur dreqi të hyn në shtëpi” (1899), bie në sy në mesin e 47 veprave të Idromenos. Një pjesë e mirë e veprave të Idromenos, vitet e fundit janë bërë të njohura për publikun shqiptar. Por kjo tablo ekspozohet për herë të parë.  Është një vepër që fshikullon mëkatet, por që mënyrë  shumë të qartë dhe me ndjeshmëri të lartë përcjell  shqetësimin e vetë Kol Idromenos për prishjen e traditave më të mira dhe moralit të shoqërisë shqiptare. Fryma e djallit, në këtë tablo i ka mbështjellë njerëzit, shpirti i të cilëve nis të torturohet,siç duket, ndërsa një prift po lutet me sytë nga qielli.

Është edhe një evidencë historike e etnografike kjo tablo, sepse po prisheshin kodet bazë të besimit katolik në atë kohë, ku burrat kishin nisur të martoheshin me dy gra dhe kisha nuk e pranonte poligaminë.

Ndërsa mësojmë se tabloja “Kur dreqi të hyn në shtëpi”  është pjesë e Fondit të Galerisë Kombëtare, studiuesi Zef Paci rrëfen për “Shqiptarja.com” se pse kjo pikturë e rrallë është lënë në hije.

“Nuk është folur shuam për këtë pikturë. Edhe për karakterin religjioz dhe etikën e krishterë, që ka qenë e pranishme në këtë vepër”, thotë Paci.

Ndaj në këtë ekspozitë kjo vepër, nuk kishte si të mos na shfaqej si një zbulim, së bashku me tablonë e jashtëzakonshme “Dy udhët”. Zef Paci thotë se këto dy vepra janë pjesë e një cikli të madh veprash me temë fetare, ku përfshihen edhe vepra të tilla si “Ora e fundit”, “Të shenjtënuemit e Marisë”, “Gjyqi i fundit”, “Betimi i rremë”, etj, ku disa i ka publikuar edhe konsulli austriak në Shkodër (1893-1896), zoti Ogyst Degrand në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, më poshtë studiuesja Eleni Laperi rrëfen disa nga sekretet e tablove me temë biblike të Kol Idromenos.

“Qershia mbi tortë” në ekspozitën e Kol Idromenos

Në ekspozitë nuk mungojnë edhe fotografitë e rralla të Kolë Idromenos. Ndërkohë studiuesja e njohur e etnografisë Afërdita Onuzi për ta plotësuar lidhjen shpirtërore me tablotë mbi 100-vjeçare, ka punuar shuam për ta shoqëruar ekspozitën e Idromenos me një ekspozitë etnografike, me kostume, veshje e stoli, imazhet e të cilave i gjen në pikturat e tij.   

Intervista

Zonja Eleni, cila është rëndësia dhe vendi që zënë këto dy vepra të panjohura të Idromenos në korpusin e gjerë të krijimtarisë së tij?

-Këto janë pjesë  e një serie veprash që ai i bëri për kishën me porosi të fratit. Fretërit e asaj kohe  e kishin kuptuar se fjalët e tyre dhe studimet që kishin bërë rreth fesë, ishin të vështira që popullsia t’i kuptonte, prandaj menduan se pamjet, imazhet do ta bënin më të lehtë kuptimin e rregullave dhe kodeve të moralit kishtar. Ndaj frati e porositi Kolë Idromenosn që të bënte një seri me piktura të ndryshme sipas këtyre referencave. Ata kishin nisur të shqetësoheshin për mëkatet, për gjakmarrjen, për moralin dhe familjen. Kishte raste që një burrë merrte edhe dy gra. Dhe ndodhte që ndonjëherë vëllai tjetër merrte vejushën e të vëllait, nëse ai i vdiste. Por martesa të tilla po bëheshin pa bekimin e kishës. Këto gjëra kisha nuk i pranonte. Dhe ja në këtë tablo janë një sërë pikturash brenda pikturës së madhe.

Ku ka qenë e strehuar më parë kjo pikturë?

-Piktura ka qenë në galeri mjaft e dëmtuar, sepse ishte telajo e madhe që rrotullohej e palosej sa herë i duhej të udhëtonte në shfaqjet e saj. Me këtë pikturë, në takimet me popullin klerikët udhëtonin në zona të thella e në male. Dhe dua të them se, puna restauruese për këtë tablo me vlerë të jashtëzakonshme në historinë e pikturës shqiptare do të vijojë.

Cili është subjekti i veprës?

-Idromeno në tablonë “Rrugët e jetës” ka bërë parajsën dhe ferrin dhe ka zgjedhur si pejzash vende nga qyteti i Shkodrës, ku duket edhe Rozafa. Është bimësia që  zhvillohet në ato vende. Më parë ka qenë edhe një liqen dhe një lëndinë ku vallëzohet e ku bëhet aheng. Kjo pjesë është e lidhur edhe me vetë jetën e Idromenos, sepse ai ka pasur një violinë. Është shumë interesante  historia e violinës së tij, sepse Idromeno  e kishte modifikuar vet dhe e kishte bërë me tete tela. Katër tela i ka vetë violina sipër dhe katër të tjerë i vendosin poshtë saj, por pa u rënë. Mirëpo duke i rënë violinës, telat poshtë lëshojnë tinguj. Kjo violinë ka qenë e ndaluar nga kisha, sepse quhej violina e djallit.

A ka një filozofi të vetën autori, që e kapërcen simbolikën e asaj për të cilën shërbente vepra dhe të asaj për të cilën i është kërkuar Idromenos që ta bëjë pikturën.

-Në tablo është jeta e përditshme, ku njerëzit duket se nuk e vrasin mendjen për punët e Ferrit apo të Parajsës. Në këtë kompozim nuk shquhet shumë fryma mistike. Idromeno shfaq veprimtarinë e përditshme dhe komplekse të njerëzve, ashtu siç ai i njeh. Këta njerëz nuk janë krijuar nga një botë ideale.  Vepra të prezanton me artin popullor, pavarësisht tematikës fetare. Këtu njerëzit sipas veprimtarisë dhe statusit shoqëror që gëzojnë ndajnë rrugët e jetës që janë Ferri dhe Parajsa. Imazhet e tyre janë të pasqyruara gjatë veprimtarive familjare e shoqërore. Këtu janë pasqyruar të gjitha natyrat e mëkatarëve: ata që marrin gjak, gratë që tradhtojnë burrat, koprracët, fëmijë që keqtrajtojnë nënën; pra janë 220 figura me kompozim, të gjithë të punuara me kujdes.

A ka personazhe të njohur të kohës në këtë tablo?

-Po ka personazhe reale, përderisa këtu Kolë Idromeno ka pikturuar edhe veten, edhe mikun e tij Palok Kurtin me të cilin luan me instrumente muzikore. Dhe në hyrje të portës së Ferrit ka pikturuara Edith Durham dhe konsullin francez Alexandre Degrand.   Është kënaqësi më vete, sesa me dashuri ka punuar Idromeno në këtë kompozim, dhe kjo dashuri e ky kujdes i ka dhënë vlera të mëdha veprës.

Kur u zbulua kjo pikturë?

-Në mos gaboj kjo vepër është zbuluar në vitet ’70, sepse atëherë është restauruar nga Instituti i Monumenteve, që ishte restaurimi i parë. Kjo pikturë u vendos në Muzeun Etnografik në Shkodër. Më kujtohet atëherë kur po restaurohej, që kam lexuar një artikull të Avenir Sadikaj për vlerat e veprës dhe pastaj është restauruar edhe më vonë, dhe kjo vepër do rifreskohet edhe përmes një restaurimi tjetër nga Galeria Kombëtare e Arteve.

Në cilat vite është e ka punuar Kol Idromeno tablonë “Dy rrugët”?

-Puna me veprën ka përfunduar në vitet 1890-1896, por e ka restauruar edhe vet Idromeno këtë vepër , sepse nga udhëtimet pësonte dëmtime. Duket që e ka restauruar vetë, sepse në ndryshimet e pas 1909-s ai ka pikturuar Edit Durhanin, dhe dihet që ajo nuk ka qenë në Shqipëri gjatë kohës që ai krijoi tablonë.

Ora 08:55
Veprat e Kolë Idromenos ekspozohen në Galerinë e Arteve
  • B.K./b.ha./Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    Komente

    • Fredi: 28/06/2019 11:03

      Gjeniale!

      Përgjigju
    • Sondazhi i ditës:

      Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



    ×

    Lajmi i fundit

    U dënuan bashkë me ish-sekretarin e Financave Arlind Gjokutaj, Apeli liron nga qelia Ilir Thanën dhe Alban Rulin

    U dënuan bashkë me ish-sekretarin e Financave Arlind Gjokutaj, Apeli liron nga qelia Ilir Thanën dhe Alban Rulin