INTERVISTA/Luan Pobrati:
Ja emrat te dosja ‘Shehu’

INTERVISTA/Luan Pobrati: <br />Ja emrat te dosja ‘Shehu’
Një dosje sekret për Mehmet Shehun, të cilën askush nuk e njeh veç tij, mund të kthehet në boomerang për disa njerëz që janë sot në politikë, në media a në rangje të larta të shoqërisë civile. Ata janë implikuar rëndë…. Luan Pobrati njohës i mirë i shërbimeve sekrete e di këtë gjë. Përmend emra që mund të tronditin ndërgjegjen e kujtdo që i njeh, por nuk të lejon t’i publikosh në media. Nëse ata e lexojnë këtë rrëfim do ta kuptojnë kush janë. Do të kujtojnë edhe çfarë është shkruar në ato fletë… Janë pikërisht ata që do të donin ta zhduknin një orë e më parë këtë dosje të klasifikuar.


Por çfarë përmban ajo? Si, pse dhe nga kush u hartua?
Pikërisht ato ditë, kur partia kishte nisur të artikulojë kritikat e para për Mehmet Shehun, një grup i madh agjenturor u ngrit me qëllim survejimin e tij. Nga ajo kohë e disa vite pas vetëvrasjes së ish- kryeministrit, ky grup agjenturor hartoi këtë dosje që është pak të thuhet voluminoze. Janë plot 17 volume me nga 700-800 faqe secili, ku përfshiheshin dosjet dhe fashikujt operativë për të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”. Janë aty dosja e Kadri Hazbiut, Fiqrete Shehut, Feçorr Shehut, N.Nastes, M.Ziçishti, LL. Ziçishti, LL.Peçini, S.Shehu, B. Shehu, A. Çeno, G.Kodra e të tjerë.

Kjo dosje e klasifikuar sekret, e ruajtur edhe sot në arkivat e SHISH, nuk është publikuar kurrë. As është folur për të. Por disa vite më parë, Luan Pobrati, atëkohë në detyrën e inspektorit të përgjithshëm për SHISH, e mori dhe e studio këtë dosje. Ngacmuar për çka po flitet këto ditë rreth figurës së Mehmet Shehut, zhvillojmë këtë intervistë, ku ai flet gjerësisht mbi të…

Çështja e Mehmet Shehut, e rikthyer në shtyp në kuadër të 100-të vjetorit të lindjes së tij, është zgjuar sërish. Ç’mund të na thoni për këtë?
Mehmet Shehu si një ish-kryeministër për 27 vjet rresht në regjimin totalitar, mbetet një personalitet historik me ndikim në pesëdhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të kaluar, i lakuar për të mirë dhe për të keq. Duke mos qenë historian, unë s’mund të bëj analizën e veprimtarisë së gjerë e të gjithanshme të tij, por shkurtimisht, nisur nga rasti i njëqind vjetorit të lindjes, do të ndalem në dy aspekte të aktivitetit atdhetar e patriotik të Mehmet Shehut, duke cilësuar rolin e madh e të pamohueshëm si komandant trim e i vendosur antifashist, i njohur si luftëtar i Spanjës dhe me aktivitet të gjerë në luftën për çlirim, gjë që e veçonte atë nga ndonjë tjetër përkrah tij. Ai mbetet një Hero i Popullit nga më të merituarit e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe jo pa arsye e theksova qenien e Mehmet Shehut trim në luftë dhe po kaq i vendosur në paqe, pasi ndaj figurës së tij, ndër absurditetet që lëshuan ata që e sulmuan, ishte se nuk nguruan ta akuzonin deri edhe frikacak.

Me marrjen e detyrës së ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu luajti rol të dorës së parë në drejtimin dhe realizimin me sukses të plotë të Radiolojave agjenturore “Buza e Bredhit”, “Liqeni i Vajkalit” dhe “Fronti i Rezistencës”, përmes së cilave në fillim të viteve ‘50-të, u bë e mundur dështimi i tentimit për një kryengritje të armatosur në Shqipëri, kur për organizimin e saj qenë angazhuar zbulime potente të kohës, siç ishte ai anglo-amerikan, në bashkërendim të ngushtë me zbulimin grekë, italian dhe jugosllavë.

Vite më vonë, Mehmet Shehut, jo vetëm do t’i mohohej ky kontribut, por sikurse dihet edhe kur Kadri Hazbiu, do të arrestohej si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, ish kryeministri dhe ai do të akuzoheshin si të lidhur me këto zbulime, të cilat në emër të “rritjes së kredibilitetit” dhe “impulsimit të Mehmet Shehut drejt majave të pushtetit”, gjoja teksa “lejuan me vetëdije dështimin” e radiolojave të përmendura, ndikuan në “lartësimin” e tyre. Blofe, që për të mos hyrë në hollësira, koha do t’i nxirrte bojën duke e hedhur atë poshtë, siç është e vërtetuar tanimë se, Kim Filbi nuk ka pasur ndikim në çfarë është arritur përmes radio-lojërave në fjalë. Dhe si për të dhënë një shembull mbi çka fola tani në fund, po ju tregoj diçka që lidhet me tim atë:

Ishte viti 1982. Mbizotërimi i “tezave” të mësipërme, shpjegonte dhe pyetjen në formën e marrjes së mendimit, që një funksionar i lartë partie dhe njëkohësisht ministër i MPB-së, i shtroj në një takim Hekuran Pobratit (personazh i spikatur i radio-lojërave të përmendura): “A përjashtohet mundësia që terroristë të spikatur, të jenë sot gjallë dhe në vend të tyre, të jenë kapur sozitë!?”, të cilit, njeriut që kishte qenë vite, brenda detyrës në mes të banditëve, iu përgjigj: “Kjo që më thoni ju tani, është njësoj, sikur mbas kësaj bisede, unë të pyes veten; ‘a ishte ky që fjalosa ministri i Brendshëm, apo vallë sozia e tij”.

A keni ju një koment për ato çka tha Skënder Shehu në intervistën e pak ditëve më parë?
Çfarë mund të them, nga një këndvështrim më i gjerë sesa pyesni, duke qenë se detyra e inspektorit të përgjithshëm për SHISH-in, kryer nga unë para disa vitesh, më krijonte mundësinë dhe privilegjin të njihja e të studioja dosjen agjenturore, ose e thënë ndryshe, atë operative të Mehmet Shehut dhe pjesëtarëve të tjerë të ‘grupit armiqësor’ të tij, e cila ruhet në arkivin e këtij institucioni; kam pasur rastin të lexoj aty mjaft materiale, deklarata të dhëna me shkrim, deponime e implikime të ndryshme, ndoshta të marra e të dhëna nën trysni e dhunë, për më tepër kur mendojmë kohën që është hapur kjo dosje, atëherë kur në Shqipëri nuk njiheshin e nuk mbroheshin liritë dhe të drejtat e individit, padyshim fryt i demokracisë.

Nga ana tjetër, përmes shtypit periodik, kam parë e lexuar shpesh këto vite, materialet e botuara nëpër gazeta, lidhur me proceset hetimore dhe gjyqësore të këtij ‘grupi’, sikurse mjaft kujtime mbi gjithë atë ngjarje tragjike, dhënë në median e shkruar dhe atë vizive, nga pjesëtarë të ndryshëm të “bandës së Mehmet Shehut”.
Pa anashkaluar dhimbjen që u është krijuar gjithë këtyre njerëzve për çfarë ka ngjarë e ndodhur me ta, tërheq vëmendjen një fakt jo pak i rëndësishëm, që në gjykimin tim, ka të bëjë me karakterin dhe ndërgjegjen e secilit. Pra është në të drejtën e tyre, që të mohojnë ashtu siç po bëjnë sot, atë që kanë firmosur, deponuar, pranuar e pohuar gjatë procesit gjyqësor dje, në një kohë kur u ka munguar çdo e drejtë për tu mbrojtur. Por problemi që flasim nuk mbyllet thjesht dhe vetëm kështu.

Personazhet në fjalë-ata që kanë mbetur gjallë-objekt i këtij procesi mjaft të diskutuar veçanërisht në këto njëzet vite të demokracisë, me të drejtën për të folur si njerëz në liri, teksa nuk ngurojnë të shpjegojnë të vërtetat që kanë jetuar dhe torturat e përdorura mbi ta dje; do të ishte korrekte-në funksion të fisnikërisë që përcjell ndjesa në vetvete-të kërkojnë e të mos hezitojnë ta bëjnë këtë, jo në kuptimin e të pranuarit të fajit, por duke shpjeguar arsyet dhe motivet e rënies preh në pjesëmarrjen e tyre në një manipulim të imponuar, qoftë dhe kur kjo ka ndodhur në pamundësi rezistence, me synimin e përligjur për ta kthyer pendesën dhe ndjesën në tribunë të diskreditimit të intrigave apo alibive që janë përdorur gjerazi për goditjen e tyre.
Nuk di në munda të shpjegoj me pak fjalë esencën e asaj çfarë nuk dëgjova nga Skënder Shehu, por unë kuptoj se në atë çfarë ai duhet të thoshte edhe më mirë, nuk është vetëm problem i tij.

Zoti Pobrati, deri tani, në media janë shfaqur gjithfarë dëshmish e kujtimesh, deri dhe dosja gjyqësore e Mehmet Shehut. Por nuk është folur asnjëherë, për dosjen agjenturore të tij. Mos ndoshta ju, do të na thoni diçka më shumë rreth saj?
Sa të mundem, do të përpiqem t’ju them diçka përmbledhtazi për të dhe që në fillim, nuk hezitoj të dëshmoj se nga këndvështrimi im, e kam vlerësuar fat, faktin që dosja agjenturore e Mehmet Shehut ruhet dhe nuk shpejtoj kur mendoj se ndaj saj, ka ende njerëz të interesuar, të paktën për dy arsye, që kjo dosje të zhduket.

Së pari: Ndonëse dosja është mjaft voluminoze, ç’materiale gjenden brenda saj janë pa vlerë dhe në këtë kuptim, pra të pa vlefshmërisë së tyre (të mos harrojmë që me këtë pavlefshmëri, është ndikuar për të dërguar drejtë pushkatimit katër pjesëtarë të ‘grupit armiqësorë’, pa folur këtu për vitet e burgut të të tjerëve), dosja duhet të ruhet. Jo vetëm se brezat që do të vijnë do të njohin më mirë praktikat e gabuara të së shkuarës, por veç të tjerash, aty dëshmohet paaftësia e kuadrove që janë marrë me të dhe nga ana tjetër, në tërësinë e volumeve të saj, gjenden materiale që komprometojnë persona publikë, aktivë në këto vite të demokracisë, pjesëmarrës në të katër pushtetet, të cilët përmes të pavërtetave të djeshme, kanë ndikuar negativisht në jetën e të arrestuarve, dënuarve dhe të pushkatuarve të këtij procesi politik, pavarësisht se një pjesë e tyre mund të jenë marrë nën trysni e dhunë.

Së dyti: Kur flasim për njerëz të interesuar në asgjësimin e dosjes, unë shoh si rrezik të mundshëm për kryerjen e këtij akti, sa kategorinë e mbetur të atyre që e ndërtuan keq këtë dosje, aq edhe të të tjerëve në rolin e denoncuesve dhe dëshmitarëve, që përmes lëshimit me shkrim të gjoja dëshmive të tyre, të marra qoftë dhe nën trysni dje, mbushur plot paragjykime dhe alibi politike; një pjesë e së cilave, veç sa thamë i janë bashkangjitur dosjes si materiale që vinin nga mbledhjet e organizatave bazë. Është me interes të nënvizojë se dosja agjenturore e Mehmet Shehut, u hap pikërisht atëherë kur partia nisi kritikat ndaj ish kryeministrit, për të cilat ai zgjodhi rrugën e vetëvrasjes.

A mund të na thoni diçka konkrete për implikimet që përmbante kjo dosje, të paktën na flisni për një rast?
Çfarë më është fiksuar, ka të bëjë me një informacion të Nevzat Haznedarit, ku gjoja argumentohej ‘lidhja armiqësore’ në mes ‘grupit’ të Mehmet Shehut dhe atij të Todi Lubonjës. Për mua ishte e pabesueshme kur lexova: Unë, Nevzat Haznedari jam dëshmitar i lidhjes armiqësore të tyre, pasi në një përvjetor lindje të ish kryeministrit, duke qenë prezent, kam parë afinitet në biseda midis tyre”.

Sa voluminoze është kjo dosje agjenturore dhe a mund të na flisni diçka më shumë për kuadrot që janë marrë me të?
Përgjigje: Thashë pak më sipër, që dosja agjenture apo ndryshe dosja operative në ngarkim të ‘grupi armiqësor’ të Mehmet Shehut, përbëhet nga 17 volume dhe çdo njëri prej tyre kishte nga 700-të deri në 800-të faqe secili. Në të, përfshiheshin dosjet dhe fashikujt operative për të gjithë pjesëtarët e ‘grupit’, si për shembull dosja e K.Hazbiut, Fiqrete Shehut, Feçorr Shehut, N.Nastes, M.Ziçishti, LL. Ziçishti, LL.Peçini, S.Shehu, B. Shehu, A. Çeno, G.Kodra e të tjerë.

Siç shpjegova, dosja agjenturore ishte hapur thuajse në ato ditë kur partia fillojë ‘kritikën’ ndaj Mehmet Shehut dhe kuadrot që përbënin grupin operativ (këtu duhet pasur parasysh e marr në konsideratë dhe dinamika e zhvillimit të vet ngjarjes, nga diktohej shpesh lëvizja ose largimi nga grupi i anëtarëve të ndryshëm të tij), i cili merrej me grumbullimin dhe përpunimin e materialeve për çdo ‘pjesëtar të organizatës’, ishte përqendruar-ai më kryesori në Ministrinë e Brendshme-ndërsa tjetri, pranë Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë. Atëherë, pretendohej se përzgjedhja e atyre që u morën si anëtarë të grupeve operative, mbështetej në pastërtinë politike dhe morale të secilit, por ata që i njihnin s’mendonin të gjithë kështu, pa folur se çfarë përfaqësonin të ‘përzgjedhurit’ profesionalisht.

Dhe së fundi, a mund të na shpjegoni dallimin mes dosjes agjenturore ose operative që ruhet në arkivin e SHISH-it, me dosjen gjyqësore e cila tashmë është botuar thuajse e gjitha në shtyp?
Në princip, dosja agjenturore, në dallim nga ajo hetimore dhe gjyqësore, ndryshojnë nga njëra-tjetra pasi në të parën, materialet e grumbulluara janë ilegale (të dhëna nga agjentura, denoncime e implikime, ekstrakte të nxjerra nga arkiva, etj.), të cilat forcën e tyre ligjore e marrin vetëm atëherë, kur vërtetohen në seanca gjyqësore, pra gjatë zhvillimit të gjyqit.
Problematika e kësaj dosje, pra dosjes operative, në gjykimin tim flet shumë për implikim të rëndë të politikës dhe prezencës së saj në të. Gjithsesi koha do të na japë mundësinë të flitet përsëri për të.


Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 5 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri spanjoll mendon dorëheqjen ndërsa bashkëshortja akuzohet për korrupsion, Rama: Mos u dorëzo, e vërteta do mbizotërojë

Kryeministri spanjoll mendon dorëheqjen ndërsa bashkëshortja akuzohet për korrupsion, Rama: Mos u dorëzo, e vërteta do mbizotërojë