Intervista/ Njihuni me Aurelën, studentja ekselente e mjekësisë me dy medalje ari, bursë studimi në Gjermani

Aurela Kulloli është studentja ekselente e Fakultetit të Mjekësisë e cila është diplomuar me të gjitha dhjeta. Mundi dhe përkushtimi i Aurelës është vlerësuar me dy medalje ari.

Aurela ishte vetëm 18 vjeç kur la shtëpinë e saj në Elbasan për të ndjekur ëndrrën e mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Ajo na shoqëroi për në konviktin ku ka qëndruar përgjatë viteve të studimit, larg familjes. Qëndrimin në konvikt, Aurela e ka ndarë së bashku me shoqet e saj.

Si u ndjeve kur erdhe fillimisht në Tiranë për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë?

Fillimi I çdo gjëje është i vështirë, sidomos kur largohesh për herë të parë nga familja ku je rritur me mamin, babin, motrën dhe duhet të vish në një ambient ku nuk ke vetëm ndryshimin e shtëpisë. Do rrish në një dhomë me vajza të tjera në konvikt, por nga ana tjetër do kesh shumë njohje të reja në fakultet, do kesh njohje në konvikt, në mendjen tënde bëhet një kaos i vërtetë. Njohja me rrugët e Tiranës, shumë gjëra, por aq është e vështira sa të ambientohesh dhe pastaj mësohesh dhe je njësoj si në shtëpinë tënde.

A u përshtate me jetesën në konvikt?

Jam përshtatur dhe ja kam kaluar shumë mirë me shoqet që kam pasur. Më shumë më ka pëlqyer të rrija në sallë të studimit. Kuptohet dhe me rezultatet që kam patur, salla më ka ndihmuar shumë dhe ja kam kaluar shumë mirë dhe me vajzat aty duke studiuar, ndonjëherë duke bërë edhe shaka sepse salla ishte e vogël dhe me kalimin e kohës jemi njohur me të tëra vajzat.

Në çfarë ore zgjoheshe për të shkuar në fakultet?

Duke qenë se QSUT dhe konvikti janë afër, mua më duhej vetëm 40 minuta përpara se të kisha orën e mësimit,që të zgjohesha, të haja vezën e zier pastaj me vrap të shkoja në fakultet.

Aurela na ka treguar rrugën që përshkonte nga konvikti drejt Fakultetit të Mjekësisë çdo mëngjes përgjatë 6 viteve të studimit.

Si ja ke kaluar 6 vite në fakultet?

Kur mendoj se kanë kaluar 6 vite, mua më duket sikur jam akoma këtu në ditën e parë. Gjashtë vite, nëse do ti merrja ditën e parë do thoja uou sa të rritur që janë këta që po diplomohen. Ndërkohë tani që jam diplomuar më duket vetja akoma studente, nuk e kuptoj se ku kanë ikur këto 6 vite.

Për një student të ekselencës, e cila është vlerësuar gjithmonë me notën 10, duket se vendimi për të qëndruar në Shqipëri apo për tu larguar jashtë, nuk është i lehtë.

Ke pasur oferta punësimi këtu në Shqipëri?

Për sa i përket punësimit si mjeke, unë tani jam duke kryer praktikën sepse me Urdhrin e Mjekut duket të kemi licencën që të punësohemi si mjek.

Ke aspirata për tu larguar jashtë apo dëshiron që të qëndrosh në Shqipëri?

Unë tani jam në një dilemë sepse siç thashë jam duke kryer praktikën dhe jam duke parë ku janë mundësitë më të mira. Kam marrë një bursë në Gjermani. Faktikisht Shqipëria më pëlqen si vend, ka vështirësi por çështja është sa vlerësohet një student që ka mbaruar mjekësinë në Shqipëri. Po shikoja portalin që është bërë për studentët që kanë mbaruar ekselentë dhe po aplikojnë për punë në administratë shtetërore. Për sa i përket vendeve në mjekësi nuk janë shumë, por duke parë dhe vendet e tjera, një student që është diplomuar jashtë ka disa herë më shumë pikë se sa një studentë që është diplomuar në Shqipëri. Kjo është dhe në varësi të mundësive ekonomike dhe në varësi të mundësive që ka pasur dikush për të shkuar jashtë apo jo. Nëse bën një diferencim të tillë, atëherë dhe unë nesër që kam mbaruar me të gjitha 10-ta, nuk do të njohi njeri që ke mbaruar në Universitetin më të mirë në Shqipëri që të gjithë studentët duan ta kapin, do thonë mjekë Shqipërie. Ndërkohë që dikush tjetër që mund të bëjë çfarëdolloj gjëje tjetër jashtë, thotë jam diplomuar jashtë dhe ne më shumë vlerësojmë ato që vijnë nga jashtë pavarësisht se çfarë niveli kanë, krahasuar me ata që janë lodhur dhe kanë sakrifikuar në Shqipëri.

Tre vitet e dyta gjatë studimit të saj 6 vjeçar, për Aurelën kanë qenë praktikë, të cilën e ka zhvilluar në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Arsyeja pse Aurela zgjodhi të bëhet mjeke ishte sëmundja e babait të saj.

Duke qenë se je diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, çfarë të ka shtyrë që ti hyje kësaj rruge?

Kur kam qenë e vogël, babai ka pasur disa herë kriza nga gurët në veshka. Tani ai vuan nga insuficenca renale, por të shikoje ato kriza, ato dhimbje, apo babin që është figura, mashkulli më i fortë, superheroi për një fëmijë, është pak e vështirë për një fëmijë që ta përfytyrojë babin të shtrirë. Por shikoja mjekët aty në Ersekë me përparset e bardha që e ndihmonin, por dhe mjekët në Elbasan, dhe më ka pëlqyer mjekësia që të ndihmoja sadopak njërëzit që janë aty dhe kanë nevojë.

Arela është kthyer sërish në Elbasan për të jetuar me nënën, babain dhe motrën e saj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Julius: 13/03/2020 07:26

    Notat ne Shqiperi jane jo vetem fiktive, por kjo tregon qe Shkollat shqiptare jane ne mjerim te plote. Nuk ka 10 absolute, po ta krahasoni me Perendimin, te tilla cudira nuk ndodhin, aq me te per ne shkolat e Mjekesise..

    Përgjigju
  • Rezarta: 18/09/2019 00:45

    Te lumte arela,,;shko dhe specializohu ne gjermani,,,por kthehu ne shqiperi sepse kemi nevoje per ekselente si ju....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Zhgënjen Denver, Golden State dhe Lakers fitore play-offi

Zhgënjen Denver, Golden State dhe Lakers fitore play-offi