Inva Mula risjell ‘MIK Festival’: Meraku im për të rinjtë e homazhi ndaj artistëve të traditës! Flet për rikthimin në ‘Opera’ dhe drejtimin e teatrit

Që Shqipëria të shihet jo thjesht si destinacion turistik, por edhe kulturor, sopranoja Inva Mula rikthen në tri ditët e fundit të korrikut, magjinë e “MIK Festival”, duke çelur siparin në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë.

“MIK Festival mund të shihet si një festë e bukur e muzikës, ku ka për të gjitha shijet”, thotë sopranoja Inva Mula.

Gërsheton në këtë edicion të pestë të gjitha zhanret e muzikës, duke zgjedhur talente të huaja e shqiptare, të cilat siç zbulon do të këndojnë në qoshket kulturorë të qytetit të serenatave edhe këngë korçare. Nga sopranoja Emilie Rose Bry, këngëtaret Elina Duni e Ledina Çelo, tek pianisti Eklant Hasa e Gent Rushi në firzamonikë e të tjerë artistë të njohur, “Vallëzimin nën yje” me yje të muzikës ia beson Ilir Shaqirit. Dhe nuk harron, merakun e saj të kahershëm angazhimin e artistëve të rinj, e gjitha nën kujdesin e mjeshtres Suzana Turku.

“E kam të brendshme merakun për t’i dhënë një dorë të rinjve, sepse tek e fundit detyra jonë është që të sjellim në skenë sa më shumë prej tyre. Dhe jam përpjekur ta konceptoj këtë program ashtu siç do të doja ta shikoja edhe vetë si spektatore”, thotë Mula.

Festivali, nën konceptin artistik të Mulës, nuk mund të mos ishte “MIK” me artistët e traditës. Nga edicioni i parë me homazhin për Tefta Tashkon e më tej me familjen Papadhimitri e këngëtaren Rozmari Jorgaxhi, tradita vijon me magjinë e pikturave të Vangjush Mios, e ndalesën përmes muzikës në shtëpinë muze të Sterjo Spases në 31 korrik, si Dita e Prespës.

“Prandaj është shumë i bukur ky festival i Korçës, sepse po të gërmosh gjen brenda qytetit të Korçës shumë personalitete që i kanë dhënë kulturës, që e kanë ngritur dhe mbajtur në shtylla artin shqiptar”, shton më tej sopranoja.

Mula e ka zhveshur korrikun nga angazhimet e tjera, për të vijuar 3 koncerte në gusht e shtatorin me të tjera aktivitete. Së fundmi skenat e huaja i ka ndarë edhe me të tjerë emra shqiptarë me famë, si violinisti Olen Cesari.

“Kur ne artistët shqiptarë bëhemi bashkë krijojmë edhe një imazh më të bukur për Shqipërinë dhe tashmë artistët shqiptarë janë pjesë e skenës ndërkombëtare, nuk janë më të importuar. Janë pjesë e artit ndërkombëtar! ”, tregon artistja.

E megjithatë dashamirësit e muzikës klasike, presin ta shohin në skenën e “OPERA-s”.

“Inva në ‘Opera’ do të vijë në momentin që do të më thërrasin. Dhe jam shumë e lumtur që ‘Opera’ tashmë ka një skenë të re dhe ajo skenë është e hapur tashmë për të gjithë...”, rrëfen Mula...

Ishin të shumtë artistët që lakuan emrin e Mulës, ndërsa për “Operan” kërkohej një drejtues i ri.

“Jam e lumtur me zgjedhjen që është bërë. I uroj drejtoreshës së re shumë suksese. Jam e bindur që ka vlera artistike dhe organizative të nivelit për ta drejtuar teatrin dhe besoj se do kem një bashkëpunim me të”, thotë më tej sopranoja.

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës