INVESTIGIMI 2/ Nëndeklarimi i pagave rrezikon të ardhmen, pensione çdo vit e më të ulta! Ekspertët: Duhet reformë e re pensionesh

Fenomeni barbar i nëndeklarimit apo i mosdeklarimit fare të pagave që vijon në shumicën e bizneseve prej dekadash, përveçse po rrezikon të ardhmen e ekonomisë së vendit, po sjell një situatë dramatike në skemën e pensioneve. Sa më e ulët të deklarohet paga aq më pak kontribute për sigurimet paguhen.

Në këtë investigim të dytë të Report Tv, ekspertë shqiptarë dhe të huaj, dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet fiskale dhe ekonomike ngrenë alarmin që situata duhet të ndryshojë urgjent me masa të forta anti informalitetit.

“Mbledhja e kontributeve është derivat i sundimit të ligjit dhe tatimet e taksat duhet të bëjnë detyrën e tyre jo vetëm për të punësuarit por edhe për punëdhënësit, për të respektuar ligjin”, thotë Ish ministri i Ekonomisë Zef Preçi.

Pasojat e rënda të mos pagesës së kontributeve apo pagesës së pjesshme të tyre kanë nisur të ndjehen në xhepat e moshës së tretë, të cilët po përballen me pensione të ulta, madje edhe më të ulta se pensioni mesatar.

“Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë kontribute që i kthehen pas punëmarrësit, por dhe skemat tona të sigurimeve nuk janë të kuptueshme për një pjesë të madhe të shoqërisë. Qytetarët duhet ta kuptojnë që duke kontribuar çdo muaj, ai do të ketë përfitime kur të dalë në pension, apo do marrë shërbime shëndetësore, por qytetari nuk e percepton sot dhe thotë më mirë disa para sot sesa të pres nesër. Mendoj se duhet një fushatë e madhe nga ISSH, për tu shpjeguar sesi ata përfitojnë duke kontribuar në skemë”, thotë eksperti për çështjet e punësimit, Erald Pashaj.

Për shkak të vlerës së ulët të kontributeve apo të mospagimit fare të tyre, me mijëra qytetarë që do dalin në pension rrezikojnë të kenë të ardhme të varfër. Konkluzion i frikshëm mbështetet në të dhënat e vetë institucioneve shtetërore, pensioni vit pas viti po ulet ndjeshëm në raport me pagën mesatare që ka vendi, ndërkohë që nuk arrin as sa gjysma e rrogës minimale.

“Ky alarm është lëshuar prej kohësh dhe qeveria po merr disa masa por janë në fazë fillestare dhe duhet ti përshpejtojë ato. Qeveria duhet të kishte ndërtuar një politikë me bazë më të gjerë për të luftuar informalitetin i cili është në të njëjtat nivele si përpara 10 vitesh. Tregu i fermerëve ka problematika jashtë këtij realiteti që po themi, dhe është edhe më keq se në sektorin jo bujqësor”, thotë Eduart Gjokutaj ekspert fiskal.

Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore nga janari në qershor, pensionet e reja për qytetarët që kanë mbushur moshën janë vlerësuar mesatarisht 15,304 lekë, ose përafërsisht 38% më pak se paga minimale prej 40 mijë lekësh.

“Mungesa e lidhjes mes pagës minimale dhe pensionit, ka bërë që pensioni të jetë një ndihmë ekonomike që në shumicën e rasteve nuk mbulon as ilaçet”, thotë Preçi.

Ndërsa në raport me pagën mesatare që deri në qershor ishte 70,905 lekë, pensionet e reja nuk arrinin as 22% të kësaj vlere. (Ndërsa në vitin 2020 pensionet e reja ishin sa 28% e pagës mesatare). Thellimi i hendekut të pabarabartë mes pagave dhe pensioneve, në kushtet edhe të çmimeve që vetëm rriten, është një kambanë alarmi për vendin, dhe që cenon mirëqenien e mijëra pensionistëve të të ardhmes.

Por pensionet e reja po dalin edhe më të ulta se vlera mesatare e totalit të pensioneve. Nëse deri në qershor 2023 pensioni mesatar përllogaritej 17,306 lekë  (tani është 18.7 mijë lekë pas indeksimit). E gjithë kjo situatë sipas sigurimeve lidhet me vlerën e kontributeve që derdhet për sigurimet shoqërore, e që në shumicën e rasteve dëmtohet nga mos deklarimi real i rrogave të punonjësve.

Me këto pensione që po dalin bazuar në kontributet e paguara, pensionistët nuk arrijnë dot as minimumin e përllogaritur nga INSTAT, për të mos u klasifikuar i varfër. Në matjet e fundit të INSTAT që i takojnë vitit 2022, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person është vlerësuar me 225.931 lekë, ose rreth 18.8 mijë lekë në muaj. Por pensionet e reja po luhaten në vlerën 15.3 mijë lekë në muaj.

Sipas përllogaritjes së shifrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në fund të muajit qershor 2023 numri i personave që trajtoheshin me pension urban ishte 491,504, por nga këto ishin 243.296 që merrnin pension të pjesshëm.

E njëjta situatë edhe për pensionet rurale, ku nga 88.837 përfitues, janë 35.560 persona që marrin pension të pjesshëm pleqërie.

Kjo situatë ka ardhur drejt përkeqësimit vit pas viti, dhe nëse numri total i pensionistëve në fund të muajit qershor 2023 ishte 694,546, nga ato ishin 278,856 persona merrnin pension pleqërie të pjesshëm, pra 40% e totalit.

“Mbajtja peng për 7-8 vite e pagave duke mos i rritur, ka bërë që statusi ekonomik i moshës së tretë të jetë përkeqësuar, që shprehet tek pensioni mesatar”, tha Zef Preçi.

“Aksionet asnjëherë nuk sistemojnë situatën, por asnjëherë nuk ndikojnë në përmirësimin e situatës. Shteti duhet ti orientoje si qytetarët ashtu edhe bizneset drejt skemave private sepse aty edhe deklarimi do të ishte më i plotë”, thotë Danaj.

E gjithë kjo situatë është përkeqësuar në vitet e tranzicionit ekonomik, pasi aktualisht po mbushin moshën e pensionit, ata qytetarë që vitet më të mëdha të punës i kanë pas viteve 90’, dhe jo në kooperativë.

“Kemi nivele të tilla informaliteti që duhet të shqetësonin prej kohësh të gjithë ata që kanë në dorë të ndërhyjnë, dhe nga ana tjetër të rindërtojnë politikat, pasi ato që janë hartuar të pjesshme, si një medikament që nuk e jep efektin mbi sëmundjen e zgjatur”, thotë Gjokutaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:30
2.1 mld euro kostoja për buxhetin, ekspertët: Skema e pensioneve çalon nga vitet e punës, kontributet e mosha e pensionit

 

Reforma e pensioneve që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, parashikon rritje graduale e moshës me dy muaj për çdo vit dhe të vjetërsisë në punë, faktorë që lidhen direkt me masën e pensionit. Aktualisht që një grua të dalë në pension këtë vit i duhet të jetë 61 vjeç e 8 muaj, dhe duhet të ketë 38 vite punë, po kaq vjetërsi duhet të kenë edhe burrat të cilët moshën e pensionit e mbushin 65 vjeç.

“Zgjatja e moshës së daljes në pension e vështirëson periudhën pas pensionit por pakëson mundësit për punësimin e të rinjve”, tha Preçi.

Sipas kuadrit ligjor, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, e barabartë me pensionin social, i cili shumëzohet me vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Pra, qartësisht kontributi dhe puna ndër vite, janë kyç për të përfituar pension dhe për vlerën që do të ketë ai.

“Skema ka çaluar tek injorimi i peshës që ka kontributi për tu mbajtur në konsideratë kur del në pension, por edhe zgjatja e viteve të punës ka rritur numrin e atyre që dalin në pension dhe të marrin masën e plotë. Duhet të ishte ai që kontribuon më shumë të marrë më shumë pension, kjo skemë e ka sheshuar”, thotë Preçi.

Për shkak se që kur ka nisur zbatimi i kësaj reforme, ajo ka rezultuar me deficit, pra kontributet nuk mbulonin të gjitha pensionet, shteti është detyruar ta financojë atë vit pas viti, për të mbuluar boshllëkun e krijuar.

Sipas hulumtimit të dokumenteve nga Report TV, rezulton se që prej 2015-ës kur hyri në fuqi kjo skemë e deri në fund të vitit 2023, buxhet i shtetit ka harxhuar 2.1 miliardë euro për të financuar sistemin e pensioneve.

Nëse kontributet do të ishin të mjaftueshme për të mbuluar pensionet në vend, praktikisht këto para ose do ishin përdorur për ti rritur më shumë pensionet, dhe jo thjeshtë për ti indeksuar me inflacionin mesatar siç ndodh çdo vit, ose mund të ishin përdorur për të nxjerrë nga varfëria me dhjetëra familje me ndihmë ekonomike, me përkrahje sociale apo me paaftësi për punë.

Ndërsa Ministria e Financave, thotë se edhe pse në deficit situata është përmirësuar vit pa viti.

“Të ardhurat kontributeve të drejtpërdrejta ndër vite kanë patur rritje dhe nga 59 miliardë ose 4.1% e PBB në vitin 2015 kanë arritur në 124.6 miliardë ose 5.7 % e PBB në vitin 2023. Të ardhurat kontributive totale nga 64.8 miliardë në vitin 2015 kanë arritur në 134 miliardë në vitin 2023 ose më shumë se dyfish në më pak se 10 vjet. Kjo rritje e të ardhurave kontributive ka ndikuar në qëndrueshmërinë financiare të skemës duke ulur transfertën e buxhetit të shtetit në drejtim të skemës së pensioneve dhe ulur deficitin e pensioneve. Më konkretisht, deficiti i skemës së pensioneve është ulur nga 27.6 miliardë lekë në vitin 2015 në 17 miliardë lekë në vitin 2023 ose nga 1.93% e PBB në rreth 0.8 % e PBB”, thotë Ministria e Financave.

E thënë e gjitha kjo, duke pasur parasysh shifrat e frikshme ku veçohet fakti se 158 mijë qytetarë janë prekur nga nën deklarimi i pagave prej vitit 2021, ndërkohë që 600 mijë qytetarë rrezikojnë të mbeten pa pension, duhet të lexohen si kambanë alarmi nga institucionet.

Shteti duhet të ndërhyjë për të rregulluar tregun, konkurrencën e ndershme dhe për të garantuar të ardhmen e ekonomisë dhe të pensionistëve shqiptarë, të rrezikuar seriozisht nga gremina financiare që sa vjen edhe thellohet.

PENSIONET E REJA QË PO DALIN

Viti 2017 Pensionet e reja të pleqërisë      14,443 lekë mesatarja

Viti 2018 Pensionet e reja të pleqërisë      14,449 lekë mesatarja

Viti 2019 Pensionet e reja të pleqërisë      14,841 lekë mesatarja

Viti 2020 Pensionet e reja të pleqërisë      15,024 lekë mesatarja

Viti 2021 Pensionet e reja të pleqërisë      14,643 lekë mesatarja

Viti 2022 Pensionet e reja të pleqërisë      15,115 lekë mesatarja

Janar-Qershor 2023 Pensionet e reja         15,304 lekë mesatarja

SUBVENCION PËR MBULIMIN E DIFERENCËS

Viti 2015           25,705 mld lekë

Viti 2016           28,398 mld lekë

Viti 2017           25,936 mld lekë

Viti 2018           23,317 mld lekë

Viti 2019          23,979 mld lekë

Viti 2020          27,648 mld lekë

Viti 2021          28,023 mld lekë

Viti 2022          22,990 mld lekë

Viti 2023              18.4 mld lekë

Totali             224,396 mld lekë

Ora 20:25
Detyrimet ligjore vetëm në letër të biznesit për punonjësit, që nuk respektohen!

 

Sipas Kodit të Punës, çdo punëdhënës në Shqipëri, në sektorin publik dhe privat, është i detyruar me ligj të deklarojë punonjësit në Drejtorinë e Tatimeve, të paguajë për secilin prej tyre sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe të hedhë pagën mujore në bankë.

Ndërsa në nenin 119 të ligjit për procedurat tatimore specifikohen gjoba të majme, ndaj atyre subjekteve që në Tatime deklarojnë vetëm një pjesë të pagës, që në shumicën e rasteve është paga minimale dhe diferencën ia japin punonjësve në dorë. Nëse nga kontrollet e tatimorëve identifikohen punonjës që gjysmën e pagës e marrin në bankë e gjysmën dorazi, bizneset gjobiten.

Biznesi i madh (që kalon xhiron vjetore 10 milionë lekë) gjobitet në masën 200% të kontributit të papaguar për pjesën e pagës së padeklaruar, ndërsa biznesi i vogël (me xhiro vjetore nën 10 milionë lekë), gjobitet me 100% të sigurimeve për pjesën e pagës në dorë. Po në nenin 119 të ligjit për procedurat tatimore, bizneset e vogla që nuk deklarojnë pranë Tatimeve punonjësit, gjobiten me 50 mijë lekë për secilin prej tyre. Ndërkohë i njëjti ligj, parashikon gjobë me 200 mijë lekë për bizneset e mëdha që janë subjekte të TVSH-së nëse nuk deklaron punonjës.

Sa i përket atyre biznesevse që edhe pse i kanë të deklaruar punonjësit ne Tatime, nuk derdhin kontributet shoqërore e shëndetësore, në ligjin për sigurimin e detyrueshëm (neni 37) parashikohet gjobë aq sa është vlera totale e sigurimeve të papaguara. E njëjta gjobë vendoset edhe në rastet kur nuk i paguan të plota kontributet. Ligji parashikon gjoba edhe kur punëdhënësit i derdhin sigurimet me vonesë, jashtë afateve të përcaktuara, e në këtë rast do duhet të ndëshkohen me 5% të kontributeve të papaguara, por asnjëherë më pak se 10 mijë lekë. Megjithatë, këto parashikimet ligjore duket se nuk kanë bërë asgjë për ta ndalur fenomenin.

Ora 20:15
E ardhmja e pensionistëve në sy të ndërkombëtarëve: Të rritet numri i kontribuesve, rrezikojnë mijëra qytetarë

 

Ekskluzivisht për Report TV, Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas përmes shifrave dhe sugjerimeve thotë se situata me pensionet në vend e lidhur me informalitetin është një e vërtetë që kërkon ndërhyrje emergjente.

“Shifrat tregojnë një sfidë kyçe të sistemit të pensioneve me rreth 40 përqind të individëve të punësuar që nuk kontribuojnë në sistem”, thotë Emanuel Salinas .

Shkaqet për këtë situatë shqetësuese e mbështetur me fakte dhe dëshmi nga investigimi i parë i Report TV, evidentohen edhe në intervistën e dhënë nga  Banka Botërore.

“Ka shumë arsye që mund të shkaktojnë në këtë mbulim relativisht të ulët të kontribuuesve, përshembull punësimi i vazhdueshëm informal dhe rritja e formave të tjera të punësimit jo-standard; hezitimi për të kontribuar si i vetëpunësuar nëse individët mendojnë se nuk ka gjasa të plotësojnë 15 vitet e nevojshme për t'u kualifikuar për pension”, pohon Banka Botërore.

Informaliteti në vetvete thotë shefi i Bankës Botërore sjell 2 sfida për sistemin e pensioneve.

“Nga njëra anë, qeveria nuk mund të varet nga të ardhurat prej pagave që të mbështetin skemën e pensioneve. Në vendet me informalitet të lartë, por me mbulim të lartë të përfituesve (si Shqipëria), shpesh ekziston presioni për të rritur normat e kontributeve ose për të kufizuar rritjen e përfitimeve për të mbajtur në një hap me rritjen e kostos së pensioneve. Nga ana tjetër, përdorimi i listës së pagave ose punësimit formal si kriter për marrjen e pensionit do të përjashtonte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë nga përfitimi i  pensionit në të ardhmen, dhe shpenzimet për pensionet sociale do të rriteshin pasi më shumë njerëz do të kualifikoheshin për të”, pohon Salinas.

Por Banka gjykon se nuk mundet që kjo pjesë informale të mos përfitojë pension.

“Në planin individual, atyre që punojnë në sektorin informal, pra që nuk kontribuojnë në sistemin e pensioneve do t'u mungojë siguria e të ardhurave kur të dalin në pension. Ndërlidhja e pensioneve me tregun e punës, kufizimet fiskale, çështjet gjinore etj. e bëjnë të rëndësishme që të shikohet skema e pensioneve (pensionet e detyrueshme, vullnetare, sociale) në tërësi dhe të identifikohen opsionet e politikave që balancojnë qëndrueshmërinë, përshtatshmërinë, drejtësinë dhe objektivat e mbulimit, duke përdorur instrumente të ndryshme në dispozicion të politikë-bërësve”, vijon më tej intervista.

Tre janë sfidat kryesore me të cilat po përballet sot skema e pensioneve thotë Banka Botërore, e cila kërkon një rishikim të kujdesshëm për të mos e rënduar më tej atë.

“Së pari, një bazë relativisht e vogël kontribuesish 60 për qind e fuqisë punëtore aktualisht kontribuon në skemën e pensioneve. Kjo mund të paraqesë sfida që lidhen me qëndrueshmërinë e skemës, sepse kontributet që mblidhen përdoren për të paguar pensionistët. Sfida e dytë lidhet me atë se sa të përshtatshme janë përfitimet, veçanërisht për pensionistët e rinj. Vite më të pakta kontributi sjellin përfitime më të ulëta për pensionistët e rinj. Sfida e tretë, e cila shpesh nënvleftësohet, por është jashtëzakonisht e rëndësishme për të siguruar integritetin e sistemit të pensioneve, është drejtësia e sistemit”, pohon Banka Botërore.

Krahas këtyre sfidave, shefi i Bankës Botërore, gjykon se emigracioni është një tjetër anë kritike që impakton direkt skemën e pensioneve në vend, dhe cenon të ardhmen e pensionistëve të rinj.

“Emigracioni i vazhdueshëm, vijimësia e punësimit informal, plakja e shpejtë e popullsisë dhe ndryshimi i tregut të punës ushtrojnë presion mbi mbulimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Ndërkohë kontributi me më pak vite si dhe presionet inflacioniste po ngrenë shqetësime se sa i përshtatshëm është sistemi për disa grupe pensionistësh”, pohon ai.

Mbi këto problematika të evidentuara thotë Salinas do t’i bëhen edhe propozimet Ministrisë së Financave dhe asaj të Ekonomisë për të rishikuar skemën e pensioneve. 

Situata demografike në vend po përkeqësohet, nga emigrimi dhe rënia e lindshmërisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në një analizë të bërë në fillim të këtij viti thekson se deri në vitin 2070, rreth 40% e popullsisë do të jetë e moshuar, gjë që do të shoqërohet edhe me ulje të fuqisë punëtore.

Më tej institucioni ndërkombëtar nënvizon se pensionistët e të ardhmes rrezikojnë varfërinë për shkak se nuk përmbushin kriteret për përfitimin e pensionit të plotë. Informaliteti dhe mos deklarimi real i pagave ishin dy nga shqetësimet kryesore që evidentonte FMN në analizën e bërë.

Ora 20:11
Qytetarët përballë siguracioneve të munguara! Ja kostoja për pagimin e sigurimeve që të plotësojnë vitet e punës

1696513106_leke.jpg

Në momentin që qytetarët përballen me mungesë të viteve të siguruara nga sigurimet ju ofrohet mundësia e një sigurimi vullnetar, ku qytetarët kanë të drejtë të paguajnë vitet e punës së pa siguruara.

Pra nëse një qytetar që ka mbushur moshën për të dalë në pension këtë vit dhe ka 38 vite punë por ka 36 vite të siguruara, ai dy vitet që i mungojnë mund t’i paguajë por kostoja është e lartë. Kjo pasi sigurimi që do të paguhet varet nga paga minimale që ka vendi aktualisht.

Tani paga minimale është 40 mijë lekë, kuota për sigurimin vullnetar përllogaritet me 21.6% të pagës minimale, për një muaj për 8.460 lekë shumëzoje me 12 muaj 103,680 lekë. Me rritjen e pagës minimale rritet edhe vlera minimale për të paguar për siguracionet e munguara?

Edhe kur kanë vetëm 14 vite pune dhe ju duhet edhe një vit për të marrë pension social, ata mund të paguajnë vitin e munguar që mos t’u digjet kjo mundësi.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Lindja e Mesme, Houthi godet cisternën e naftës në Detin e Kuq!Izrael: Negociata të shpejta për lirimin e pengjeve ose hyjmë në Rafah

Lindja e Mesme, Houthi godet cisternën e naftës në Detin e Kuq!Izrael: Negociata të shpejta për lirimin e pengjeve ose hyjmë në Rafah