Islandë/ Dëbohet familja azilkërkuese shqiptare, djali 2-vjeçar e gruaja shtatzënë në muajin e fundit

Foto ilustruese

Një grua shqiptare në muajin e nëntë të shtatzanisë është dëbuar së bashku me bashkëshortin e djalin e saj 2-vjeçar nga Islanda.

Ata kishin shkuar të kërkonin azil atje dhe po prisnin miratimin e kërkesës, por gjatë natës policia erdhi dhe kërkoi dëbimin e tyre.

Sipas rregullave kur një familje dëbohet lajmërohet në fillim që të fillojë përgatitjet.

Gruaja u trondit shumë kur policët mbërritën në kamp saqë filloi të rridhte gjak nga hundët.

Më pas kishte përfunduar në spital, ku kishte marrë edhe një raport mjekësor ku rekomandohej se një fluturim i gjatë do të ishte i vështirë për të.

Por përtej kësaj, Drejtoria e Emigracionit ka deklaruar se çertifikata nuk tregon se fluturimi do ta rrezikonte gruan.

Gruaja 26-vjeçare u deportua herët në mëngjes së bashku me burrin e saj dhe djalin dy-vjeçar.

Policia islandeze siguroi një çertifikatë e cila e quan të përshtatshëm rastin e gruas për të fluturuar.

Këtë e thotë një mjek tjetër, të cilin gruaja shqiptare pohon se nuk e ka takuar kurrë që ta vizitonte dhe ta shihte gjendjen e saj.

Në një njoftim në webfaqen e kompanisë ajrore islandeze “Icelandair” thuhet: "Nënat në pritje të një fëmije duhet të kenë një çertifikatë mjekësore që nuk është lëshuar më herët se 72 orë para fillimit të udhëtimit, nëse ato janë në muajin e tyre të fundit të shtatzanisë, ose kanë kaluar më parë një lindje të parakohshme. Nënat që janë në dy javët e fundit të shtatzanisë nuk do të pranohen për udhëtime.”

Drejtoria e Emigracionit lëshoi ​​një deklaratë rreth mesditës së sotme, duke pohuar se dëbimi ishte i ligjshëm, pasi individët të cilëve iu është mohuar mbrojtja ndërkombëtare dhe nuk kanë asnjë të drejtë tjetër të banojnë në vend, duhet të largohen nga Islanda sipas ligjit.

Megjithatë, në një postim të “No Border Iceland”, një organizatë e cila trajton rastet e emigrantëve, deklaron se familja shqiptare nuk ka marrë një përgjigje me shkrim për kërkesën e tyre nga Drejtoria e Emigracionit, dhe për këtë arsye çështja e tyre nuk duhet të quhet e mbyllur.

Drejtoria e Shëndetësisë në Islandë po e heton rastin dhe thotë se çdo këshillë e ekspertëve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor duhet respektuar dhe ndjekur me rigorozitet të plotë.

E.D./Shqiptarja.com
Komento

Komente

  • sapa: 07/11/2019 08:16

    Duke ditur qe ky vend nuk ka shtet dhe as nuk do kete shqiptaret jane gati te shkojne te jetojne kudo veten ne shqiperi jo.Eshte e vetmja mundesi per te rritur femije te ndershem.Kurre ne historine e saj nuk ka qene shqiperia me kriminale se sot.Edhe neqoftese para disa vitesh kishte nje fare shprese tani kjo fjale duhet hequr nga fjalori shqiptar pergjithmone.

    Përgjigju
  • ca te besh: 06/11/2019 20:12

    Mire shteti i Islandes po burri i saj ku e çon gruan e vete?.Te pakten te çante vete ai i pari por jo sakrifica te tilla se nuk fiton dhe gje,se edhe gruaja e tij te lindte atje prape ata te dy nuk fitonin gje ,dhe femija ne moshen 18 vjec do mirte pas.

    Përgjigju
  • Justice: 06/11/2019 19:21

    Kafshe

    Përgjigju