Ja kush është Kash Patel, i përzgjedhuri i Trump për të udhëhequr FBI-në

Ja kush është Kash Patel, i përzgjedhuri i Trump për të udhëhequr FBI-në

Kash Patel

Kash Patel ka kërkuar ndryshime radikale në FBI dhe ka qenë një kritik i ashpër i punës së agjencisë gjatë hetimeve mbi lidhjet midis Rusisë dhe fushatës presidenciale të Donald Trump në vitin 2016.

Tani, si një aleat besnik i Trump, ai është zgjedhur për të drejtuar agjencinë federale të zbatimit të ligjit që ka synuar ta reformojë.

Përkrah Trump

Patel ka qenë për vite me radhë një aleat i ngushtë i Trump, i bashkuar me të për shkak të skepticizmit të përbashkët ndaj mbikëqyrjes qeveritare dhe të ashtuquajturit “shtet i thellë” – një term që Trump përdor për të përshkruar burokracinë qeveritare.

Ai ishte pjesë e një grupi të vogël mbështetësish që e shoqëruan Trump-in gjatë një gjyqi penal në Nju Jork, ku deklaroi se Trump ishte viktimë e një “cirkut antikushtetues.”

Ky afërsi do të shënonte një largim nga tradita moderne ku drejtorët e FBI-së përpiqen të ruajnë një distancë nga presidentët. Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, i shkarkuar nga Trump në maj 2017, refuzoi t’i premtonte besnikëri Trump-it gjatë një darke private. Ndërsa Christopher Wray, i cili nuk kishte lidhje personale me Trump kur u emërua për të zëvendësuar Comey, u distancua prej tij në çështje të ndryshme të nxehta dhe drejtoi FBI-në gjatë hetimeve që përfunduan me ngritjen e akuzave kundër Trump.

Vendosmëria për të reformuar FBI-në

Patel ka shprehur hapur synimin për të ndryshuar në mënyrë radikale misionin e FBI-së përmes intervistave dhe deklaratave publike.

Ai ka kërkuar reduktimin drastik të rolit të FBI-së, kufizimin e autoritetit të saj dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që japin informacione për gazetarët.

Në një intervistë në “Shawn Ryan Show,” Patel premtoi se do të ndante aktivitetet e inteligjencës nga pjesa tjetër e misionit të FBI-së dhe se do të “mbyllte” ndërtesën e selisë së FBI-së në Uashington për ta rihapur si “muze të shtetit të thellë.” “Do të dërgoja 7,000 punonjës që punojnë atje nëpër Amerikë për të ndjekur kriminelët,” shtoi ai.

Në një intervistë tjetër me strategun konservator Steve Bannon, Patel tha se ai dhe të tjerët “do të ndjekin konspiratorët jo vetëm në qeveri, por edhe në media.”

“Do të ndjekim ata në media që gënjyen për qytetarët amerikanë që ndihmuan Joe Biden të manipulojë zgjedhjet presidenciale,” tha Patel, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2020. “Ne do të vijmë pas jush, qoftë penalisht apo civilisht. Do ta zbulojmë këtë, por ju kemi vënë në dijeni.”

Kritik i zëshëm i hetimit për Rusinë

Patel u bë i njohur si kritik i hetimit të FBI-së për lidhjet e mundshme midis Rusisë dhe fushatës së Trump në vitin 2016.

Si anëtar i stafit të Komisionit të Përzgjedhur të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, të drejtuar nga Devin Nunes, Patel ndihmoi në hartimin e një raporti katërfaqësh që pretendonte se Departamenti i Drejtësisë kishte bërë gabime në marrjen e një urdhri për të përgjuar një ish-këshilltar të fushatës së Trump. Ky dokument, i njohur si “memorandumi Nunes,” u publikua pavarësisht kundërshtimeve të forta nga drejtori Wray dhe udhëheqësit e Departamentit të Drejtësisë.

Një raport pasues nga Inspektori i Përgjithshëm identifikoi probleme të mëdha me mbikëqyrjen e FBI-së, por arriti në përfundimin se hetimi ishte hapur me një qëllim të ligjshëm.

I përfshirë në çështjet ligjore të Trump

Patel ka luajtur rol në disa hetime ligjore që lidhen me Trump. Ai dëshmoi para një jurie të madhe në Uashington për çështjen e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago, pasi i ishte dhënë imunitet për dëshminë e tij.

Ai gjithashtu dëshmoi në një gjykatë në Kolorado në lidhje me përpjekjet e Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020. Gjykata e Kolorados më vonë e cilësoi Patel-in si një “dëshmitar jo të besueshëm” për këtë çështje.

Përfitime personale: “Fight with Kash”

Pas largimit të Trump nga detyra, Patel themeloi organizatën “Fight with Kash,” që financon padi për shpifje dhe shet mallra me logon “K$H.”

Ai ka publikuar gjithashtu libra që glorifikojnë Trump, përfshirë “The Plot Against the King,” një libër për fëmijë ku Hillary Clinton paraqitet si antagoniste dhe Kash luan rolin e një magjistari që pengon planet e saj./ AP

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bim: 01/12/2024 10:14

    Hahahaha demokracia me e madhe ne bote ku ka perfunduar

    Përgjigju
    • Tekniku: 01/12/2024 12:59

      Na jepni Nard Ndoken ta bejne minister te jashtem

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dardha turistike nën petkun e bardhë, vizitorët argëtohen duke luajtur me topa bore

VIDEOLAJM/ Dardha turistike nën petkun e bardhë, vizitorët argëtohen duke luajtur me topa bore