Ja kush ishin 7 Papët me origjinë
ilire dhe shqiptare

Ja kush ishin 7 Papët me origjinë<br />ilire dhe shqiptare
Të dhënat sipas enciklopedisë italiane në historinë e Papëve të Vatikanit. Kontributet e tyre për kombin shqiptar dhe unitetin e kishës katolike.

Në periudhën e lavdishme të sundimit të kryetrimit të Arbërisë, marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit me Vatikanin kanë qenë pasqyrë e një prej aspekteve më të rëndësishme të personalitetit të tij prej burri shteti dhe diplomati. Gjergj Kastrioti u lind në Dibër më 6 maj 1405 dhe vdiq në Lezhë më 17 janar 1468, ndërsa varri i të cilit gjendet edhe sot në kishën e Shën Nikollës në qytetin e Lezhës. Duke qenë se Selia e Shenjtë në Mesjetë kishte pushtetin qendror në Evropë dhe ushtronte autoritetin e saj si mbi aspektet fetare të banorëve të këtij kontinenti, ashtu edhe mbi të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre, ishte zgjuarsi dhe shkathtësi nga ana e Gjergj Kastriotit që të përpiqej të fitonte vëmendjen e Selisë së Shenjtë dhe ta përdorte në një fare mënyre këtë kujdes për qëllimet e tij luftarake dhe atdhetare.

Qysh në fillim duhet theksuar se marrëdhëniet midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë u ndërtuan mbi bazën e një interesi të ndërsjellët,si nga ana e Skënderbeut, ashtu edhe nga ana e kësaj Selie,interesa këto që erdhën duke u forcuar me kalimin e kohës dhe me rritjen e famës së Gjergj Kastriotit si strateg në luftë kundër pushtuesve osmanë. Që Skënderbeu të fitonte plotësisht besimin e Selisë së Shenjtë iu desh kohë dhe shumë fitore kundër pushtuesve turq dhe për këtë arsye papët Eugjen IV (1431-1447) dhe Nikolla V (1447-1455) e afruan dhe e ndihmuan mjaft kryetrimin, por nuk mund të thuhet se ata të vetmen shpresë e kishin tek ai dhe si rrjedhim duhej ta përqendronin të gjithë vëmendjen e tyre për luftën kundër otomanëve te ai.

Ata e kishin përqendruar vëmendjen e tyre edhe tek shteti Hungarez, por dhe tek Kostandinopoja, që aso kohe mbanin barrën kryesore të luftës së krishterimit kundër jobesimtarëve,ndërkohë që në kohën e Papës Kalisti III (1455-1458),sidomos në fund të pontifikatit të tij, vëmendja ndaj Shqipërisë rritet, për të arritur kulmin në periudhën e sundimit të Papa Piu II (1458-1464), i cili e konsideronte Gjergj Kastriotin si komandant të ushtrisë së krishterë europiane kundër pushtuesëve turq. Që në fillim të fushatës së tij antiosmane, Skënderbeu tregoi qartë që po kërkonte një orientim perëndimor-katolik. Disa historianë thonë se papët e ndihmuan Skënderbeun vetëm me bekime apostolike,por Noli e hedh poshtë këtë gjë, duke pohuar se “…papët e ndihmuan Skënderbeun me të holla tingëlluese që arrinin në mijëra dukatë ari të thesarit papal…”, si duket për luftën që po bënte kundër pushtuesit osman duke u bërë mburojë ndaj depërtimit të osmanëve në brendësi të Europës..

       Marrëdhëniet diplomatike midis Skënderbeut dhe Selisë së Shenjtë,si dhe përkrahja financiare e papëve për fushatat e tij kundër turqve, kishte qëllime politike në sfond. Kryqëzata kundër turqve ishin shpallur nga të gjithë papët e shekullit XV, por me Papa Piun II,i njohur si predikues e promovues i kryqëzatës dhe që kishte treguar interes për Shqipërinë e për Skënderbeun,ngrihej në përfytyrimet papnore si një bazë për planet kryqtare dhe Skënderbeu si udhëheqës i kryqëzatës së planifikuar. Kjo duket qartë në një dokument të prillit të vitit 1463, në të cilin Papa Piu II, Republika e Venedikut, si dhe aleatët e tjerë i kërkonin Skënderbeut që të nënshkruante një marrëveshje me ta për luftë kundër turqve. Pas fitores së Skënderbeut në vitin 1464, Papa Piu II ishte përfundimisht i bindur që Skënderbeu do të ishte udhëheqësi i ushtrisë kryqtare të krishterë kundër turqve. Por,Papa Piu II vdiq në Ankona,kur po fillonte kryqëzatën dhe bashkë me vdekjen e këtij pape,u shuan edhe idetë e tij.
 
Papa Klementi XI ose Gjon Francesk  Albani - Laçi     

 
Padyshim një kontribut të shquar në lëvizjen për zhvillim kulturor dhe arsimor në trojet shqiptare dhe më gjerë ka dhënë edhe biri i Arbërisë Papa Klementi i XI – Gjon Francesk Albani, papë ky që la gjurmë në historinë shumëshekullore të Selisë së Shenjtë. Në listën e gjatë të 282 papëve që kanë udhëhequr Selinë e Shenjtë deri në ditët tona, figurojnë edhe disa emra papësh dhe kardinalësh shqiptarë që kanë drejtuar këtë institucion të shenjtë. Sipas fakteve dhe dokumenteve historike janë katër papë shqiptarë qe e kanë drejtuar këtë Seli duke filluar nga Shën Eleuteri (174-189), Shën Kaji (283-296), Shën Gjoni IV (640-642), por papa që la gjurmë në historinë shumëshekullore të Selisë së Shenjtë është papa Klementi XI, Gjon Francesk Albani-Laçi ose Xhian Francesko Albani De Lazio.

Edhe patër Vincens Malaj mendon se për origjinën e tij nuk ka kurrfarë dyshimi se është shqiptare ,sepse “...familja Albani e ka prejardhjen nga dy emigrantë shqiptarë Gjergji dhe Filipi, dy djemtë e Mëhill Laçit që dikur kishin qenë luftëtarë nën urdhrat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Këta burra trima e të njohur për patriotizëm, duke mos duruar zgjedhën turke braktisën atdheun e tyre dhe u strehuan në Urbino…”.Kështu mendon edhe studiuesi i njohur italian Giovani Armilota ku thekson se ”…Familja Albani u krijua nga dy vëllezërit shqiptare,Gjergji dhe Filipi të Mikelit nga Laçi…”.Këtu,Frederiku dhe Guidoboldi i Montefeltros shfrytëzuan aftësitë e tyre duke i caktuar si nëpunës për çeshtjet diplomatike dhe ushtarake.

Në fillim u njohën me mbiemrin Albanezi, që më vonë Altobeli, djali i Gjergjit e ktheu në Albani. Më pas ,”…nga Altobeli (1495-1564), lindi Hanibali (1530-1591), nga Hanibali lindi Horaci (1576-1653). Nga djali i tij Karli (1623-1684), martuar me Helena Moskën nga Pezara më 1649 lindi Gjon Francesku…”. Të habit fakti se në shumë jetëshkrime të tij nuk përmendet prejardhja e tij nga Laçi, që i përket Kurbinit. Mbiemri i tij Laçi është i justifikueshëm,pasi ky qytet del në dokumente me emrin Laç, më 1467, më 1557 del me emrin Sebaste, ndërsa më 1644 dhe 1672 përsëri del me emrin Laç. Prandaj edhe emërtimi Laçi përputhet plotësisht me periudhën e lindjes së tij. Këto të dhëna që na i sjell Dr.Vincens Malaj vërtetojnë se Papa Klementi XI ka pasur origjinë nga Laçi i Kurbinit, pikërisht nga fshati i sotëm Shullaz, ku nga dokumentet Turke del ky mbiemër dhe përmendet një farë Pjetër Laçi.

Nuk është e rastit edhe letra që u dërgon Vincens Smajeviku gjithë Ipeshkvinjve të Shqipërisë për t’i mbledhur ato në kuvend sipas porosisë së Papa Klementit. Dhe kjo letër drejtohet nga Kisha e Kurbinit, vendlindja e Papa Klementit ku thuhet: : “…Ju pra, o vëllezërit e mi, kryeipeshkvinj, jeni thirrë prej meje, e ju o ipeshkvinj që jeni nën mua dhe meshtarë të tjerë, të parët e kishave, duke ju urdhëruar po ju bëj të ditur që të vini e të mblidheni në Kuvend të Arbnisë …” Shkruar në Kurbin në të  dhjetën ditë të dhjetorit 1702.

Prejardhjen e tij nga Laçi, e ka vënë në dukje edhe gazetari dhe studiuesi italian Giovanni Armilota, studiuesi kosovar Engjell Sedaj, studiuesja Engjëllushe Varfi, gazetari Altin Kreka si dhe publicisti i njohur Adrian Beshaj, duke vërtetuar origjinën e saktë të Gjon Francesk Albanit –Laçit. Nga kjo familje me tradita kulturore dhe fetare rrodhën papë,kardinalë, diplomatë dhe burra të shquar shteti. Gjon Francesk Albani, i biri i Karlit dhe Elenës nga Laçi, lindi me 23 korrik 1649 në Urbino, ku  vite më parë familja e tij kishte ardhur nga Laçi i Kurbinit për t’i shpëtuar regjimit osman.

Që në fëmijëri Gjoni u dallua për zgjuarsi, shkathtësi dhe këmbëngulje për kryerjen e detyrave. Kur ishte vetëm 11 vjeç, filloi studimet në Romë në kolegjin roman të jezuitëve me rezultate të shkëlqyera. Puna e tij bie në sy të mbretëreshës Cristina Sversia që e ndihmoi. Pasi përfundoi filozofinë dhe teologjinë mori me shumë devotshmëri pushtetin meshtarak. Shpejt fitoi simpatinë e Papës qe e caktoi në  detyra të ndryshme të nivelit të lartë si Ipeshkv i Rietit, pastaj i Sabinës e Orvietas e deri Sekretar i letrave papnore, ndërsa Papa Aleksandri i VIII e shunguroi cardinal në vitin 1690. Ishte i biri i Karl Abanit, nga familja e njohur shqiptare Albani, që u bë njeriu më i shquar në Selinë e Shën Pjetrit.

Me 1 Nëntor 1700 vdes Karli II, mbreti i fundit i dinastisë së absburgëve,i cili duke mos pasur më pasardhës të tij, testamenoi në fronin mbretëror Filip D’Anzhu, nip i Luigjit XIV mbret i Francës. Pikërisht me 6 nëntor të vitit 1700 Filip D’Auzhu u shpall mbret i ri i Spanjës me emrin Filip V, që shënonte fundin e dinastisë së absburgëve dhe fillimin e dinastisë burbone. E gjithë kjo ndodhte kur Selia e Shenjtë kishte humbur që me 27 shtator të vitit 1900 Papa Inocens-Automio Pignotelli, fisnik napolitan dhe po bëheshin përgatitjet për zgjedhjen e papës së ri.

Duke ndjerë rrezikun që i kanosej aso kohe, Selia e Shenjtë mblodhi Konklavën 3 ditë pas shpalljes së mbretit Filip V i Spanjës, pikërisht me 9 nëntor 1700, ndërsa me 8 dhjetor të vitit 1700, pikërisht kjo Konklavë zgjodhi si pasardhës të Inocencos XII Kardinalin shqiptar Giovanni Francesko Albani, në moshën 51 vjeçare. Në punimet e Konklavës morën pjesë 57 kardinalë,nga 66 të tillë që përbenin Kolegjin e Shenjtë, mes të cilëve edhe Ipeshkvi i Faences Marcello Duroria – Durrësi.

Konklava e Kardinalëve e zgjodhi Gjon Francesk Albanin papë, nisur nga cilësitë e tij të vyera morale dhe fizike. Aftësitë e tij të mëdha intelektuale, sjelljet e përpikta e të shkëlqyera, dinjiteti i jashtëzakonshëm, përvoja e gjatë në zbatimin e së drejtës komunare dhe kishtare, njohja e thelluar e situatës politike… aftësia e formulimit me shkrim dhe me goje e qëndrimeve, puna e palodhshme, temperamenti i përzemërt dhe kujdesi ndaj të varfërve…”, vlerësoheshin në gjithë rrethin e kardinalëve. Me tej G.Moroni e përshkruan këtë fisnik nga Laçi, me trup të lartë, me pamje të bukur. Ishte i pari pas Klementit VII qe u ul në fron pa mjekër. Ballëlart, me shikim të mprehtë, me pamje disi të zbehtë, flokë dhe sy të zezë, kishte zë tingëllues, mendjemprehtë, kujtesë fenomenale… Zotëronte bukur gjuhën greke dhe latine. Ishte erudit i madh dhe njeri i drejtë”.

Me ardhjen e Papës Klementi XI në Selinë e Shenjtë për kishën katolike shqiptare fillon rilindja shpirtërore, Jezuitët fillojnë të interesohen për shqiptarët. Nën kujdesin e tij mblidhen letra,qarkore ipeshkvnore dhe dokumente të tjera nga trevat shqiptare me qëllim që të kompletohet përmbledhja “Illirikum Sacrum”. Bëhej fjalë për dokumente të rëndësishme që flisnin për historinë e trojeve të Arbërisë dhe për mbledhjen e materialeve në këto territore flet edhe Daniel Farlati në veprën “Ilirikum Sacrum”. Ai na bën më dije se Papa Klementi XI dërgoi në territoret e Arbnisë, përgjatë bregdetit Mesdhe një anije, e cila do të mblidhte dokumente historike për këtë territor. Kjo anije venedikase preku brigjet e “Arbnisë venedikase” deri në Tivar, pastaj kaloi edhe në “Arbninë osmane”. Kështu Atë Riceputi hodhi një bazë të fuqishme dokumentare duke mbledhur dhe renditur togje të mëdha dokumentesh që përmbanin të dhëna dokumentare për Arbninë, sipas porosisë së Papës Gjon Françesk Albani.

Për sa i përket “Arbnisë osmane” thuhet se një qerre e madhe e tërhequr meqë dhe e ngarkuar me dorëshkrime, libra dhe dokumente të tjera historike, pasi kapërceu baltat e vështira të Zadrimës, u mbyt aksidentalisht duke kapërcyer lumin e Drinit, bashkë me të gjithë dokumentet e grumbulluara. Kishte dashuri të madhe për vendlindjen dhe deklaronte me krenari prejardhjen e tij shqiptare. U dhuroi D.Farlatit dhe F.Riceputit një sasi dokumentesh të mbledhura në rininë e tij me qëllim që të shkruanin për origjinën dhe vjetërsinë e Ilirisë. Kërkoi nga Marin Bici që ndodhej në tokat shqiptare të interesohej për prejardhjen shqiptare të familjes Albani. Edhe arqipeshkv Vencens Zmajevic bën fjalë për prejardhjen e Papa Klementit XI. Ai i shkruan profesorit të tij A.Patricia: “...

Më gëzon së tepërmi zgjedhja e eminencës Albani në fronin e Papës, duke ditur se është miku yt...”.
Gjon Francesk Albani është pasardhësi i 261-të i Selisë së Shenjtë, ai e drejtoi këtë Seli për 21 vjet me radhë. Ai shquhej për një kod të lartë moral. U interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet. Identitetin e tij shqiptar e pohon edhe Papa Pavli VI, në letrën e tij të botuar me 17 janar 1968 në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ku mes të tjerave thuhet: “Nuk i harrojmë as ata burra, të cilët ruajnë edhe fenë e tyre baras me përkushtimin ndaj Selisë Apostolike për shërbim të së cilës ato dhuruan njerëz të përmendur për dituri dhe virtyte, si me kënaqësi po përkujtojmë paraardhësin tonë Klementi XI nga popullsia Albane, i cili krenohej me prejardhjen e vjetër të tij shqiptare”.

Në vitin 1701, Papa Klementi themeloi për shqiptarët e Italisë një kolegj në San Dimitria Korone dhe me 1708 siguroi një vend të përhershëm për një student shqiptar në këtë kolegj. Kur u emërua në Selinë e Shenjtë në territorin shqiptar kishte vetëm katër ipeshkvinj: Pjeter Zymi-arqipeshkv në Durrës, Pjetër Karaxhiq-ipeshkv i Pultit, Nikollë Veldonjin-ipeshkv i Lezhës dhe Gjergj Theodhori-ipeshkv i Sapës. Ai emëroi Vencens  Zmajevikun në kishën metropolitane të Tivarit, Anton Babin në kishën e Shkodrës më 1701 dhe Marin Gjinin ipeshkv të Pultit… duke plotësuar kështu selitë vakante në dioqezat kryesore shqiptare.

Për të nxitur reformën kishtare në Shqipëri sipas vendimeve të Koncilit të Trentas, ai caktoi si vizitor apostolik në të gjitha dioqezat e Shqipërisë më 8 qershor 1702 ipeshkvin Vincens Zmajevic. Ky i fundit, nga vendlindja e tij e informonte se: “...Në Kurbin: Gjendet kisha abaciale e Shën Prendes, katedralja e ipeshkvit të Durrësit, me tri piktura të Shën Marisë, njëra e madhe e punuar nga Monsinjor Skura me portretin e tij dhe dy të vogla vendosur me shije mes disa pikturave të tjera. Në këtë kishë është froni i arqipeshkvit, dy kryqe arqipeshkvnore argjendi të gjata tri pëllëmbë të dala në reliev mbi dru, një ostembajtëse, një këmbanë 400 libresh”. Më tej vijon lista e priftërinjve që shërbenin atë kohë në Diocenzin e Durrësit. Ja disa prej tyre: Arqipeshkv i Durrësit ishte Monsinjor Pjetër Zymbi, D.Martin Bushalla, vikar i përgjithshëm është mësues shkolle, D.Primo Prodani, D.Primo Shkjezi në Kurbin, D.Llesh Perlati në Skuraj,… D.Lazër Dajçi në Selitë, D.Llesh Çeza në Zhejë, etj.

Është interesant fakti se në këtë listë meshtarësh ka edhe mësues, që mesa duket jepnin mësim në shkollën e Shenpremtes në Kurbin. Pikërisht në këtë dokument flitet edhe për shkollën e Kurbinit, për të cilën interesohet drejtpërdrejt edhe Papa Klementi XI. Në relacionin e Zmajevikut drejtuar Papës thuhet: ”…Është për t’u numëruar është edhe ndërtimi i shkollës në Kishën e Kurbinit me përgatitje mjeshtërish për çdo vit, pra ata xhakonë që përgatiten këtu të rriten në rrugën e Tënzotit e të mësojnë letrat, shkrim dhe lexim shqip… ”Ky relacion e njohu Papa Klementin XI me gjendjen dhe e detyroi të merrte masa urgjente në përmirësimin e gjendjes.

Nisma e parë ishte vendimi për mbledhjen e Kuvendit të Arbrit mbajtur në Merqi të Lezhës në vitin 1703. Këto dokumente autentike dëshmojnë se arsimi shqip ka lindur në Kurbin, në shkollën e Shënpremtes rreth tre shekuj më parë, dhe jo më 7 Mars 1887, siç dëshmohej në periudhën e sundimit komunist. 

 
Urdhëri i Papa Klementit XI kur autoritet turke konvertonin fenë

 
“…Mos braktisni vëllezërit tuaj që u kthyen në myslimanë. Zoti është nji...
 
Shqipëria në atë periudhe vuante nën thundrën e sundimit osman. E harruar dhe e braktisur nga Europa që dikur e shihte me zili për luftërat që pati bërë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit, që luftoi për 25 vjet rresht për mbrojtjen e krishterimit dhe qytetërimit europian, kishte ardhur momenti që të dilte në dritë lufta dhe përpjekjet e saj për ekzistencë. Pikërisht në këto momente të errëta ndriti për popullin shqiptar një rreze shprese. Biri i saj i shquar Gjon Francesk Albani tre vjet pasi u zgjodh papë, urdhëroi që të mblidhej Koncili i Dheut të Arbrit.

Ky Koncil u mbajt në Mërqi të Lezhës në vitin 1703 në kishën e Shwn Gjonit nën drejtimin e arqipeshkvit të Tivarit Vinko Zmajevic. Ky Koncil u mor me problemet kyçe të jetës së krishterë. E ndër ta, padyshim është problemi i apostoezise së madhe të popullit shqiptar, përkatësisht të kalimit të tij në islamizëm. Shenjat e ringjalljes e të shpresës i pasqyron në letrën e tij vetë arqipeshkvi i Tivarit që më 10 korrik 1703 ia dërgon Papës Klementi XI, ku thuhet: “...Ti më urdhnove o i shenjti Papë me i shkue e me i vu oroe porsi si vizitor apostolik kishat e Shqipërisë, dheut t’em.

E unë urdhnit tan i ndigjova, dheut iu solla rreth e rreth, gjithë mbarë kërkova e pashë nevojat e Shqipërsisë. Pashë shumë mjerime… Nën hijen tende, o Atë i Shenjtë, dheu i Shqipërisë po gazmohet e pas shumë vjetësh po merr frymë e po çilë sytë. Kjo Shqipni që deri tash ka ndejë si e harrueme, mbulue e vorfnue prej mjegullës, nën nji Papë shqiptar po del në dritë e mezi prêt me fitue emnin dhe lumninë… Me kaq unë me të tjerët vllaznit e mi e me gjithë popullin e Shqipërisë, bashkërisht i lutna Zotit që ty Papë shqiptar me të ruejtun për të gjatë mot e jetë e me shëndet, për të mirë të kishës e për fatin tonë.

Arqipeshkvi i Tivarit Vincens Zmajeviku”
Ishte hera e parë që Papa po njihte gjendjen reale ekonomike dhe shpirtërore të popullit shqiptar. Gjendja ishte e rëndë, prandaj Papa Klementi XI u trondit shumë. Nuk mjaftonte gjendja e rendë ekonomike, por tani ishte shtuar edhe presioni i autoriteteve turke për konvertimin e popullsisë, nga katolikë në myslimanë. Për këtë arsye Papa lëshoi disa urdhra, të cilat kishin qëllim forcimin e unitetit të popullit rreth kishës katolike. Në një prej tyre ai theksonte: “…Mos braktisni vëllezërit tuaj që u kthyen në myslimanë. Zoti është nji, edhe në qiellin shqiptar është vetëm nji Zot, i cili do t’u mëshirojë duke u futur në mbretërinë e tij Qiellore...”.

Përpjekjet e tij për përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe në atdheun e tij janë të hershme. Pas kërkesës së Franceskaneve në Shqipëri dhe të arqipeshkvit të Tivarit, Vicko Zmajeviq, me urdhër të Papa Klementit XI,që nga prilli i vitit 1711 deri në fund të shek.XIX u mësua gjuha shqipe. Gjatë gjithë periudhës kur sundoi në Selinë e Shenjtë,ai u interesua për zhvillimin e kulturës shqiptare. Posti papnor, ndikoi që edhe në mjedise të tjera letrare dhe shkencore të zgjohej interesimi për gjuhën shqipe. Ai mbështeti fuqimisht botimin e veprës së albanologut Luibnici, ku shfaqeshin pikëpamjet mbi origjinën ilire të shqiptarëve, botuar me 1709. Me guxim dhe vendosmëri hapi një seminar arbëresh në Palermo duke i dhënë një hov të paparë lëvizjes së gjerë patriotike dhe kulturore, dhe me 20 prill 1711, me iniciativën e tij, hapet e para katedër e gjuhës shqipe ne Universitetin e kryeqendrës së Perandorisë Romane, në Romën e Qytetëruar, që do të ndikonte në zhvillimin e albanologjisë në Europë.

Në vitin 1711 Papa Klementi XI ndërhyn pranë Republikës së Venedikut për t’i ndihmuar shqiptarët në luftë. Këtë thirrje ia bëri gjithë Europës, por Europa përsëri qëndroi indiferente ndaj çështjes shqiptare. Vlen të përmendet këtu miqësia e ngushtë që pati Papa Klementi XI me Gjergj Guxetën (1682-1756), themelues i Seminarit papnor të Palermos. Ky seminar arbëresh që u hap me 30.11.1730, do të luante një rol të madh në përhapjen e kulturës shqiptare tek arbëreshët dhe arsimin e shumë intelektualëve të shquar arbëreshe si Pjetër Andrea,P.Parina,Nikoll Keta) etj. Nikollë Keta thotë se Gjergj Guxeta i kushtoi Papës Klementi disa sonete ku tregoi lidhjet e ngushta miqësore mes tyre. Dallohet veçanërisht një poezi e tij që ka rreth 56 vargje njëmbëdhjetërrokëshe me rimë të alternuar,ku thuhet:

“…Gjergji i dashur është dhe i denjë i Klementit,/ Yt vëlla,sikur Serafinin i vdekur,/ S’është e vërtetë jo,s’vdes heroi i fjalës,/ Jeton shpirti i madh i tij mbi qiellin e lartë,/ Edhe emri i tij jeton më amshim,në botë…”.
Në korrespondencën e Gjon Francesk Albanit ruhen dy letra që shprehin pikëpamjet dhe qëndrimin e tij kundër Jonsemizmit. Ai ndërtoi shumë shkolla edukimi dhe jetimore për t’u ardhur në ndihmë shtresave të varfëra. Me emrin e tij lidhet ndërtimi dhe funksionimi i spitaleve të para publike. Pasuroi shumë bibliotekën e Vatikanit dhe restauroi shumë statuja dhe obeliske.

Bibliotekën e tij shumë të pasur ua la nipave të tij kardinalë dhe intelektualë të zotë dhe bashkë me të edhe një apigram që është shkruar në bazilikën e kishës së Shën Pjetrit,në të cilën thuhej: “Klementi XI-Albani, Papë, më parë vikar, e pastaj kanonik i kësaj bazilike, vdiq pas një pontifikati… Lutuni për të”. Vdiq me 19 mars 1721 ditën e Shën Jozefit, pajtorit të të vdekurve. Në dhomën e tij u gjetën vetëm 60 skude, bashkë me një listë me emrat e 600 familjeve, shumica me origjinë arbëreshë që jetonin me lëmoshat e Selisë së Shenjtë.

Vdekja e tij nuk bëri jehonë të madhe, pasi kronikat dhe historia nuk na japin informacionin e duhur. Pati dëshiruar të varrosej me një ceremoni të thjeshtë dhe ashtu u bë. Eshtrat e tij u varrosën në dyshemenë e korit të Bazilikës së Shën Pjetrit, ku prehen edhe sot pas 286 vjetësh, mbuluar nga një pllakë e thjeshtë mermeri ku është skalitur me germa ari emri i këtij kurbinasi të ndritur. Veprimtaria e Klementit XI për çështjen kombëtare, shqiptare ishte aq e madhe sa edhe emri i tij Albani që mbi të gjitha ishte një emër krenarie për të qenit shqiptar. Ky Papë me personalitetin e tij të spikatur ndikoi fuqimisht në zhvillimin kulturor dhe fetar të arbëreshëve dhe për këtë ai duhet të vlerësohet nga historiografia shqiptare. Duhet ditur se nën kujdesin e tij janë thirrur 15 koncile, janë gjetur 1412 letra, 28 ligjerata, 2 biseda me rëndësi të veçantë dhe shumë materiale të tjera të rëndësishme. Prandaj studiuesi Engjëll Sedaj mendon se “pavdekësia e këtij Pape qëndron në aktivitetin e tij të vazhdueshëm kundër turqve dhe mbrojtjen e krishtërimit”.

Gjatë ushtrimit të detyrës së Atit të Shenjtë ai u përball me shumë sfida. E përjetoi me hidhërim nënshkrimin e traktatit të Utrehtit me 2 prill 1713, por edhe atë të 6 marsit 1714. Kjo i dha mundësi të punonte për rritjen e autoriteteve dhe famës brenda vendit. Themeloi një akademi pikture, nxiti zbulimet arkeologjike me qëllim zbulimin e rrënjëve të lashtësisë dhe pasuroi bibliotekën e Vatikanit. Obelisku në sheshin e Panteonit është vepër e Papa Klementit të XI, ashtu si dhe porti i Ripetës mbi Tibër, i cili u shkatërrua në vitin 700, ku u ndërtua ura Covour, Universiteti i Urbinas, ku u shkollua ky Papë pati prioritet e kujdesit të tij të vazhdueshëm. Vdekja e tij nuk bëri jehonë të madhe,pasi kronikat dhe historia nuk na japin informacionin e duhur. Pati dëshiruar të varrosej me një ceremoni të thjeshtë dhe ashtu u bë. Eshtrat e tij u varrosën në dyshemenë e korit të Bazilikës së Shën Pjetrit ku prehen edhe sot pas 286 vjetësh.
 

Papa Eleuteri dhe sfidat për udhëheqjen e Vatikanit në periudha të vështira
 
Një nga papët shqiptare, më të rëndësishmit që kanë drejtuar Vatikanit ka qënë edhe Papa Eleuteri. Në listën e gjatë të papëve në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ai është i 13-ti. Ka drejtuar Selinë e Shenjtë rreth 15 vjet rresht nga viti 174 deri në 189. Ai ka lindur në Pervezë të Nikopojës, por në 169 u vendos në Romë pranë papës Antiket. E udhëhoqi Vatikanin në një periudhë të vështirë historike atëherë kur Roma udhëhiqej nga perandori Mark Aureli. Ai e kreu me përkushtim detyrën duke shuguruar me urdhrin e shenjtë edhe 12 meshtarë, 8 dhjakë dhe 15 peshkopë. Papa Eleuteri punoi me përkushtim për përhapjen e krishterimit dhe forcimin e traditave apostolike. Një portret i tij është punuar me kujdes dhe mjeshtëri nga piktori i madh Mikelanxhelo, një vepër e jashtëzakonshme në llojin e vet.        
  
         Sipas enciklopedisë italiane në historinë e papëve të Vatikanit,kanë qenë plot shtatë papë me origjinë ilire dhe shqiptare. Këta janë Shën Eleuteri, Shën Urbani I, Shën Kai, Shën Pali IV, Papa Gjoni IV, Papa Sisti V dhe Papa Klementi XI.

Shën Eleuteri papë ishte me origjinë prej Nikopolit të Epirit - Preveza, në jug të Çamërisë, i cili është shpallur martir. Eleuteri e mbajti fronin papnor në vitit 171-185. Festa e tij është me 26 maj. Renditet i katërmbëdhjeti në listën e papëve. Është biri i Abondit të Nikopolit. Një nga papët shqiptarë, më të rëndësishmit që kanë drejtuar Vatikanit ka qenë edhe Papa Eleuteri. Ka drejtuar Selinë e Shenjtë rreth 15 vjet rresht nga viti 174 deri në 189. Në vitin 169 u vendos në Romë pranë papës Antiket. E udhëhoqi Vatikanin në një periudhë të vështirë historike atëherë kur Roma udhëhiqej nga perandori Mark Aureli. Ai e kreu me përkushtim detyrën duke shuguruar me urdhrin e shenjtë edhe 12 meshtarë, 8 dhjakë dhe 15 peshkopë. Papa Eleuteri punoi me përkushtim për përhapjen e krishterimit dhe forcimin e traditave apostolike. Një portret i tij është punuar me kujdes dhe mjeshtëri nga piktori i madh Mikelanxhelo dhe sot gjendet në katedralën e San Pietros në Vatikan, një vepër e jashtëzakonshme në llojin e vet.       
   
Shën Urbani I Papë ishte me origjinë nga Iliria, edhe ky i shpallur martir. Urbani e mbajti fronin papnor në vitet 222-230. Festa e tij është më 25 maj. Renditet i tetëmbëdhjeti në listën e papëve të Selisë së Shenjtë.
Shën Kai Papë ishte me origjinë ilire, prej Salone në Dalmaci, edhe ky i shpallur martir. Kai e mbajti fronin papnor në vitet 283-296. Festa e tij është me 22 prill. Renditet i njëzetenënti në listën e papëve.
Papa Pali IV - Karafa me origjinë shqiptare e mbajti fronin papnor në vitet 1555-1559. Renditet i dyqind e njëzetepesti në listën e papëve. Gjatë kohës së tij, më 1555 botohet në gjuhën shqipe “Meshari” prej klerikut shqiptar, Gjon Buzuku. Sot një fshat arbëresh i Kalabrisë – Katanzaro, mban emrin Karafa.

Ndërsa Papa Gjoni IV- i mbiquajturi Dalmati, me origjinë edhe ky nga Iliria, e ka mbajtur fronin papnor në vitet 640-642. Papa Gjoni renditet i shtatëdhjetë e katërti në listën e papëve të Romës.
        Nga emrat e tjerë që dolën nga familja Albani dhe që lanë gjurmë të rëndësishme në histori janë edhe Giovanni Girdoma (1509-1591), kardinal dhe kaut, Orozia (1576-1653) diplomat dhe senator i Romës, Anibali (1682-1751) President i dhomës Apostolike Alessandro (1692-1779) kardinal,sekretar i Memorialëve,ndërtues i Villa Albanot, Gion Francesko (1720-1803) kardinal, peshkop i Sabinës dhe më pas i Ostias. Mendohet se familja e madhe Albani u shua në vitin 1852 dhe i fundmi i kësaj familje qe Filipi. Këto figura të shquara kanë ngritur më lart lavdinë e vendit të tyre Arbërisë.
papa







































papa










































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Greqia do të abstenojë votën për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës

Greqia do të abstenojë votën për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës