Jaupi për Report Tv: 550 krime më pak gjatë pandemisë COVID! Ulen vjedhjet e banesave dhe makinave! I pazbardhur ende atentati ndaj Preng Gjinit

TIRANË- Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi në një intervistë për Report Tv tha se se përgjatë muajve të pandemisë është ulur kriminaliteti. Referuar shifrave, janë 550 vepra penale më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulje kanë sidomos vjedhjet e banesave dhe automjeteve.

"Ju vë në dijeni se për periudhën krahasuese me një vit më parë janë rreth 550 vepra penale më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Natyrisht që periudha e mbylljes në mars, prill dhe maj bëri që të kemi një numër më të ulët të veprave penale, edhe per shkak të kufizimeve. Patëm një ulje drastike të vjedhjeve nëpër banesa, po kështu ulje edhe të vjedhjeve të automjeteve, një problem i madh ndër vite edhe për numrin e ulët të zbulueshmërisë së tyre", tha Jaupi.

Jaupi shton se zbulueshmëria e vrasjeve në vitet e fundit është në masën 100%, ndërsa e pazbardhur vijon të jetë atentati ndaj Preng Gjinit në datën 15 shtator të këtij viti. Drejtori i Policisë së Tiranës shprehet se përgjatë këtij viti janë dy vrasje më pak se një vit më parë. Punonjësit e policisë, pavarësisht riskut të shtuar për shkak të pandemisë, do të jenë në krye të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve.

"Mendoj se ngjarjet më të rënda në Tiranë janë zbuluar. Ka gati tre vjet që vrasjet janë të zbuluara 100%. Aktualisht kemi dy vrasje më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Natyrisht që ka ngjarje të pazbuluara, dua të përmend ngjarjen e eksplozivit, që ende nuk jemi duke e zbardhur. Natyrisht që Policia po punon maksimalisht me grup pune, që nga dita e ndodhjes së kësaj ngjarjeje por për momentin ende nuk kemi një emër që mund t’a japim. Natyrisht që personi që iu bë atentat ka patur problematika të hershme, ngjarjet janë të zhvilluara jashtë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës. Kemi patur disa ngjarje që kemi patur konflikte që kanë ndodhur jashtë territorit të drejtorisë sonë, edhe jashtë territorit të Shqipërisë, por që ngjarjet e fundit kanë ndodhur në Tiranë. Ne u jemi përgjigjur me punë të vazhdueshme. Siç jeni në dijeni, ne kemi zbardhur edhe ngjarje të vjetëra të ndodhura disa vite më parë dhe jemi në punë të vazhdueshme në zbardhjen e ngjarjeve të pazbardhura, por për këtë rastin në fjalë, ndoshta konfliktet e ndodhura ndër vite, kanë sjell një vështirësi. Nuk dua të flas më shumë për shkak të sekretit hetimor", tha Jaupi për Report Tv.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:34
Drejtori i Policisë së Tiranës për Report Tv: Nga COVID 3 policë humbën betejën, 70 të karantinuar, si i kemi zëvendësuar! Jemi treguar tolerantë me gjobat

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi në një intervistë për Report Tv ka dhënë shifra sa i përket situatës së COVID. Fatkeqësisht kanë humbur këtë betejë me virusin 3 policë në Komisariatet në Tiranë, teksa 70 të tjerë janë të karantinuar në banesë.

"Ka pasur efektivë të infektuar me keqardhje them që 3 punonjës policie të Tiranës kanë humbur jetën nga virusi, aktualisht rreth 70 punonjës policie për shkak të simptomave që kanë shfaqur janë karantinuar në banesë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të COVID. Kjo shifër është aktualisht", tha Jaupi.

Numri një i policisë së kryeqytetit ka dhënë detaje se si janë zëvendësuar këta policë të prekur me COVID.

"Natyrisht që ne kemi marrë masa të kalimit në shërbimin 12 orë për ato komisariate që kanë pasur raste më të shumta të efektivëve, e kemi dupluar dhe me shërbime të tjera të Shigjetave dhe Shqiponja, për të mbuluar territorin ku kemi pasur mundësi, nuk kemi lënë territor pa mbuluar. Dhe natën, lëvizja dhe për shkak të kufizimit, ne marrim masa që të mbulojmë territorin në të gjithë komisariatet. Edhe pse kemi njerëz të infektuar kemi marrë masa që të mos lëmë territor pa u mbuluar", shtoi ai.

Ndalur te gjobat e vendosura për shkelje të orës policore, Jaupi tha në intervistën me gazetarin Sokol Dema se qëllimi nuk është ndëshkimi i qytetareve dhe ka theksuar se policia është treguar tolerante në këtë drejtim.

"Nëse kanë qenë në kufi të mbylljes, ne i kemi toleruar. Ato që lëvizin pas orës 22:300 janë ushtruar dhe masa e gjobës, që të mos jenë përsëritës në lëvizje jo të domosdoshme. Kemi qenë dhe për ato rastet që për shkaqe të domosdoshme kanë lëvizur, policia i ka toleruar dhe disa herë edhe i ka shoqëruar në destinacion", përfundoi Jaupi në Report Tv.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Rritje graduale temperaturash dhe diell, parashikimi i motit për sot

Rritje graduale temperaturash dhe diell, parashikimi i motit për sot