Jep dorëheqjen kryepeshkopi i Kishës Angleze, mbrojti mikun e tij që abuzoi seksualisht me qindra fëmijë

Jep dorëheqjen kryepeshkopi i Kishës Angleze, mbrojti mikun e tij që abuzoi seksualisht me qindra fëmijë

Justin Welby

LONDËR - Kryepeshkopi i Canterbury-t, autoriteti më i lartë i Kishës Anglikane pas mbretit Çarls, është dorëhequr pas një skandali për abuzim seksual ndaj të miturve, të cilin ai nuk e kishte hetuar siç duhet.

Justin Welby, 68 vjeç, i martuar dhe me tre fëmijë, më parë kishte deklaruar: “Më vjen shumë keq për viktimat; megjithatë, kurrë nuk kam pasur asnjë dyshim për ngjarje të tilla, prandaj nuk do të jap dorëheqjen.”

Megjithatë, sot pozita e tij u bë e paqëndrueshme, sidomos pas deklaratave të kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili, në një konferencë shtypi gjatë samitit Cop26 në Baku, i kishte ngarkuar kryepeshkopit përgjegjësinë për skandalin. Në këto kushte, Welby u detyrua të largohej.

Dje, peshkopja e Newcastle-it, Helen-Ann Hartley, ishte e para që kërkoi publikisht dorëheqjen e tij, duke deklaruar: “A mund të kemi vërtet besim që sot në krye të Kishës është dikush që na bën të ndihemi të sigurt? Nuk besoj. Dorëheqja e kryepeshkopit do të shënonte një vijë të qartë për të ardhmen.” Një qëndrim i tillë gjeti mbështetje dhe sot kjo çështje është në faqet e para të gazetave britanike.

Pse po akuzohet Welby?

Gjithçka filloi nga një hetim i Channel 4 në vitin 2017 që akuzonte John Smyth, një avokat që drejtonte kampe rinore të Kishës, për abuzime seksuale dhe fizike ndaj rreth njëqind djemve të rinj në Dorset gjatë viteve ’70 dhe ’80.

Një skandal i tillë nuk kishte ndodhur kurrë në Kishën e Anglisë. Më vonë, Smyth u transferua në Afrikë dhe dyshohet se atje abuzoi me rreth njëqind fëmijë të tjerë para se të ndërronte jetë në vitin 2018, pa u ndjekur penalisht.

Smyth jo vetëm që kërkonte akte seksuale nga viktimat e tij, por gjithashtu i ndëshkonte ato fizikisht në mënyrë brutale. Sipas dëshmive, ai ka kryer rreth 14 mijë goditje me kamxhik ndaj tetë djemve të vegjël dhe dy viktima të tjera raportuan rreth 8 mijë goditje.

Denoncimi i parë për këto abuzime të rënda mbërriti në polici vetëm në vitin 2013, por Smyth kishte ikur tashmë në Zimbabve dhe më pas në Afrikën e Jugut, ku vazhdoi abuzimet pa pengesa.

Megjithatë, arsyeja kryesore e akuzave ndaj Welby-t është një raport i pavarur i sapo publikuar nga juristi Keith Makin, i cili deklaron se “Kisha e Anglisë kishte dijeni për veprimet kriminale të Smyth që prej vitit 2013, por nuk ndërmori asnjë veprim për ta denoncuar atë tek autoritetet britanike ose afrikane, duke i dhënë atij mundësinë të vazhdonte abuzimet.”

Sipas raportit, nëse do të ishte vepruar në kohë, Smyth do të ishte përballur me drejtësinë.

Pas hetimit të Channel 4 në 2017, Welby kishte thënë se “nuk kishte pasur kurrë dijeni për këto fakte të tmerrshme më parë. Nëse do të kisha ditur për një skandal të tillë, patjetër do të kisha vepruar.”

Por hetimi i pavarur pretendon se nivelet më të larta të Kishës së Anglisë, përfshirë Welby-n si Kryepeshkop i Canterbury-t që nga viti 2013, e dinin për këtë fakt që nga viti 2013.

Një faktor tjetër që rëndon pozicionin e Kryepeshkopit është se për një periudhë të gjatë ai kishte një miqësi të ngushtë me Smyth. Pavarësisht kësaj, Welby deklaron se nuk kishte asnjëherë dyshime për sjelljet e shëmtuara të mikut të tij.

Kjo ka nxitur kundërshtarët e tij, të cilët tani e akuzojnë se mund të ketë mbuluar krimet e Smyth-it./ La Repubblica

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

SHBA, kufizon eskportet e pajisjeve që mund të përdorë Kina për armatimet

SHBA, kufizon eskportet e pajisjeve që mund të përdorë Kina për armatimet