Lezhë- Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike UNUM që po mbahet në Shëngjin prej pesë ditësh dhe përfundon sot (e martë), është kthyer edhe në një ‘treg’ të mirë dhe fitimprurës për shpërndarësit e drogave të forta dhe atyre sintetike.

Prej fundjavës së kaluar policia e lezhës ka goditur disa raste të trafikimit të lëndëve narkotike në aksin Kurbin-Lezhë-Shëngjin, me rreth 40 persona të arrestuar apo proceduar penalisht në gjendje të lirë deri tani.

Edhe sot, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve njoftuan se arrestuan në flagrancë një tjetër person të përfshirë, që është një 23-vjeçare, teksa morën nën akuzë edhe 9 të rinj pas shoqërimit, që pretenduan se ishin përdorues.

Burime policore thanë se aksioni lidhet me aktivitetin festiv te UNUM, ku edhe shpërndarësit vijnë vërdallë për të shitur dozat tek turistët dhe pjesëmarrësit.

Në cilësinë e provës materiale iu gjetën sasi kokaine, kanabisi, ekstazie dhe droga e re 2C-B.

“Shërbimet arrestuan L. Sh., 23 vjeçe, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit: A. J., 25 vjeç, F. Y., 30 vjeç, D. A., 34 vjeç, T. D., 46 vjeç, E. Ç., 30 vjeç, D. H., 19 vjeç, A. B., 27 vjeç, E. P., 30 vjeç dhe G. B., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik ndaj tyre dhe në automjetet me të cilat ata qarkullonin, në Shëngjin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të vogla të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë, kanabis, ekstazi dhe 2C-B”, bëri me dije sot (10 qershor) policia vendore.

Ditën e djeshme u arrestuan 2 të rinj dhe proceduan 4 turistë të huaj pasi u kapën me kokainë, ekstazi, kanabis dhe MDMA. Kurse të shtunën u arrestuan dhe proceduan 14 persona të përfshirë në këtë aktivitet në aksin Lezhë-Kurbin dhe u sekuestruan sasi të konsiderueshme droge dhe të dielën 9 të tjerë.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Elektronike UNUM ka çelur më 5 qershor edicionin e tij të gjashtë në bregdetin e Shëngjinit, duke mbledhur mijëra të rinj nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Ky event unik, e ka kthyer zonën e Ranës së Hedhur në një qendër të muzikës dhe argëtimit, por dukshëm edhe të shitjes së drogës.

Mbi 70 artistë me famë botërore luajtën muzikë elektronike përgjatë 24 orëve, në tri skena të ndryshme të vendosura në bregdet, duke sjellë një atmosfere elektizuese dhe përvojë unike për të gjithë pjesëmarrësit.