'Ka ndërruar emrin dhe ka qenë i arrestuar', kandidati i LSI reagon pas verifikimit të Prokurorisë: S'kam fshehur asgjë në formularin e dekriminalizimit, s'kam qenë kurrë i pandehur

Artur Baku, kandidati për deputet i LSI-së në qarkun e Durrësit, ka reaguar pasi Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi dje KQZ përfundimin e verifikimeve për të. Në verifikimet e thelluara të Prokurorisë evidentohej se Baku kishte ndryshuar emrin nga Afrim në Artur, si dhe rezultonte se ka qenë i ndaluar apo i arrestuar për shpërdorim detyre dhe më pas për të është vendosur masa ‘arrest shtëpie’.

Avokati i tij, Alban Qafa thotë se Baku nuk ka fshehur asgjë në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në KQZ dhe se nuk ka qenë asnjëherë i pandehur.

"Ka patur një procedim për shpërdorim detyre, është pushuar nga organi i akuzës dhe është gjykuar nënë masën arrest shtëpie që u revokua më pas në detyrim paraqitje. Kundrejt oficerëve të policisë që kanë montuar atë farsë në atë periudhë kemi depozituar kallëzim penal. Është pushuar çështja nga organi i akuzës, kemi bërë ankim dhe u urdhërua prokuroria të regjistrojë procedimin penal për hetimin e 4 oficerëve të policisë për falsifikim dhe shpërdorim detyre që montuan farsën ndaj Artur Bakut. Dua të sqaroj që në formularin e dekriminalizmit të depozituar në KQZ nuk është fshehur asgjë, është evidentuar që ka qenë person nën hetim, kurrë i pandehur dhe nuk ka asnjë vendim penal të formës së prerë për fajësi. Nuk kemi fshehur as ndërrimin e emrit", u shpreh ai.

Sipas tij, Baku është akuzuar për "shpërdorim detyre", kur ka qenë drejtor i shërbimit pyjor Durrës, pas ndalimit të një furgoni me dru, pa faturë tatimore. Ndaj tij u pushua procedimi penal pasi rezultoi se drutë ishin blerë nga një subjekt privat pa faturë tatimore.

Baku shprehet se ka bërë kallëzim penal në prokurorinë e Krujës ndaj dy oficerëve të policisë gjyqësore dhe 4 punonjësve te policisë për veprën penale, shpërdorim detyre dhe falsifikim dhe se ende po pret zbardhjen e kësaj çështje.

"Kam 6 vite që kam bërë kallëzim penal për falsifikimin e dokumentit dhe akoma po pres të zbardhet kjo çështje", tha ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Velipojë, IKMT nis aksionin gjatë bregut, 11 objekte do të shemben

Velipojë, IKMT nis aksionin gjatë bregut, 11 objekte do të shemben