Ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar Ilir Metën

Ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar Ilir Metën

Presidenti Ilir Meta

Ardian Dvorani është vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një gjyqtar i shquar në betejën kundër korrupsionit, dhe ky fakt ka gëzuar shumë vetë. Disa të tjerë i ka kapur në befasi. Të tjerë i ka hidhëruar pa masë. Dhe të gjitha reagimet kanë lidhje me leximin që i është bërë gjestit të DASH-it.

Por leximi i vetëm që i duhet bërë është një dhe vetëm një: “Amerikanët kanë një qëndrim të njohur lidhur me reformën në drejtësi. Ata e kanë iniciuar, inkurajuar, sponsorizuar që në krye të herës, ndërsa sot janë duke e përshëndetur për rezultatet që po jep. Rezultatet nuk po shfaqen ende, ç’është e vërteta, dhe ata e shohin këtë gjë më mirë se kushdo, por entuziazmi i tyre dhe fjalët e mira në adresë të reformës, më shumë sesa me rezultatet konkrete, lidhen me përpjekjet për të mbajtur gjallë shpresën se reforma do të shkojë mirë.

Amerikanët janë më i rëndësishmi ndër faktorët (përfshirë edhe ata lokalë) e investuar në këtë ndërmarrje. Dhe më të interesuarit që reforma të mos dështojë. Në këtë kuptim, u është dashur të nxjerrin një model suksesi, që do të provonte e legjitimonte optimizmin e fjalët e mira të tyret për reformën dhe që do t’i jepte kuptim suksesit aq të dëshiruar për të. Dhe kanë zgjedhur Ardian Dvoranin.”

Ky është leximi. Nuk ka një të dytë. Por disa faktorë lokalë kanë leximet e tyre. Mes tyre bie në sy Presidenti i Republikës, i cili e ka marrë këtë lëvizje të DASH-it si një çalltisje të posaçme kundër tij. Që është kundër tij, kjo kuptohet, sidomos nën dritën e konfliktit mes tij e Dvoranit që është ende i freskët. Por thjesht ka qëlluar të jetë kështu. Nuk ka gjasa që përmasa anti-Meta në këtë lajm të ketë qenë një qëllim, sido që shumë vetë, sidomos ata që reformën në drejtësi e kanë interpretuar si një marifet për t’i vënë prangat Metës e Berishës, janë të sigurt se është kështu.

Tok me ta është edhe vetë Meta, i cili ngjan më i sigurti se reforma nuk ka tjetër qëllim, veçse ta rrasë atë në ndonjë qeli. Dhe prandaj, prapa çdo shënimi, komenti a veprimi në të mirë të reformës apo në favor të kundërshtarëve të tij politikë (sidozot Ramës), është i prirur të shohë një konspiracion a përbetim kundër tij.

Mirëpo, nuk ka asgjë të keqe që Meta ka një lexim të vetin të gjestit të fundit të DASH-it, apo që ai është duke vuajtur nga ndonjë kompleks përndjekjeje. Nëse ai do të dinte t’i mbante për vete ndjesitë e tij, asnjë problem nuk do të kishte. Problemi shfaqet kur ai nuk mendohet dy herë para se t’i ndajë me dynjanë frikërat e paranojat e veta. Ja, kështu bëri edhe këtë herë.

Në fillim ishte këshilltari i tij, Tedi Blushi, i cili nuk vonoi asnjë sekondë t’i përgjigjej DASH-it. Dhe përgjigja ishte e çuditshme. I drejtohej Ramës, që e kishte përshëndetur vlerësimin bërë Dvoranit (pasojë e të njëjtit lexim, sipas të cilit vlerësimi ndaj Dvoranit ishte shfaqje kundër Metës), dhe e bënte me dije se reforma në drejtësi, pikërisht kjo reformë, për të cilën janë harxhuar aq para, energji, kohë e medalje, si kjo dhënë Dvoranit, do të “ngordhë më 25 prill si pasojë e 3 milionë shpullave e shkelmave”.

Në të njëjtën fjali, të publikuar me këtë rast në profilin e tij në Facebook, flitet për diplomatë të korruptuar. E kishte me ambasadoren amerikane? Apo me DASH-in? Tani, është ok të jesh kundër, apo kritik ndaj, reformës në drejtësi. Është ok edhe të jesh kritik me diplomacinë amerikane. Po e quajmë ok që këto qëndrime t’i ketë edhe një zyrtar i Presidencës shqiptare. Të gjitha këto pra, tek-tuk me pak sforcim, po i llogarisim si normale. Por të flasësh kuturu për diplomatë të korruptuar, dhe ta bësh këtë pikërisht në ditën që DASH-i promovon (për arsye, e me logjikë, të vetën) një gjyqtar të Republikës së Shqipërisë, kjo është të marrësh malet (e Skraparit).

Mendova se Meta do t’i tërhiqte veshin këshilltarit të tij për gjuhën e pakujdesshme, por ai bëri të kundërtën. “Vlerësime të tilla janë si fletët e lavdërimit që merrte Partia e Punës, teksa shqiptarët vdisnin për bukë,” tha ai, ndërsa po komentonte vendimin e Ministrisë së Jashtme amerikane. Iu referua një vlerësimi që OKB-ja e fundviteve ‘990 i bëri regjimit të Ramis Alisë për sukseset në mirëushqimin e popullsisë.

Paralelja është interesante, por nuk është kjo që u mbajt shënim në atë moment. Gazetarët, politikanët, diplomatët, ambasadorët, mbajtën shënim tjetër gjë: “Meta, edhe një herë tjetër, tregoi se amerikanët i llogarit ndër ata që duan t’i bëjnë varrin.” Është e vërtetë kjo e fundit? Nuk ka asnjë provë për këtë. Ose që të jemi të saktë, duhet thënë: e vetmja provë është ky panik i Metës.

Sikur të mos ishte për këtë nervozizëm të tijin, që herë manifestohet me deklarata të papritura dashurie ndaj Amerikës, e herë me sulme të llogaritura ndaj ambasadorëve e diplomatëve të korruptuar, e në një stil më të thekshëm, ndaj mafies ndërkombëtare, as që do të na shkonte mendja se amerikanët kanë ndonjë gjë posaçërisht me Metën. Pse do e kishin vetëm me të, xhanëm? Meta nuk ka bërë asgjë që nuk e kanë bërë edhe të tjerë? Mirëpo, Meta duket sikur na thotë: “Jo, jo, me mua e kanë. Vetëm me mua.”

Nervozizmit për këtë shkak i shtohet edhe nervozizmi për motive të brendshme politike e elektorale. Duket se ka një strategji të PS-së e PD-së “për ta çuar LSI-në për skrap”. PD-së, në fakt, nuk i ka shpëtuar asnjë frazë apo veprim, që do të na bënte të kuptonim se ka ndonjë gjë kundër LSI-së, por thellë-thellë, ajo parti është më e interesuara për ta fshirë partinë e Ilir Metës nga faqja e dheut.

Ndërsa PS-ja nuk e ka fshehur dëshirën e projektin e vet. Shprehja “ta çojmë LSI-në për skrap” është e socialistëve, të cilët i kanë mbushur mendjen vetes se këtë mund ta bëjnë realitet më 25 prill. Nuk kanë për t’ia arritur qëllimit. Vdekja e LSI-së është e pamundur në këto zgjedhje (ajo do të mbijetojë, ndonëse do të dobësohet). Por socialistët janë me mendjen se vdekja e saj do të vijë për shkak të 25 prillit, në mos jo më 25 prill.

Edhe katër vjet të tjera në opozitë janë baras me fundin e saj. Sepse votuesit e LSI-së, të cilët janë njerëzit më praktikë që mund të ekzistojnë, do të binden se nuk do ketë më kuptim të vijohet me besnikërinë e mbështetjen ndaj asaj partie. Kjo është ajo që mendohet.

Ky plan (apo çfarë në LSI e mendojnë si plan), tok me besimin se amerikanët e kanë marrë Metën nishan, ia prishin realisht qetësinë atij. E prandaj, ai as që është duke e vrarë mendjen për punën e tij si President i Republikës. Madje, e vetmja kokëçarje e tij është si ta përdorë Presidencën. Mund të ketë njerëz që e shohin ende si President, edhe teksa vjen vërdallë nëpër Shqipëri duke shpërndarë dekorata, kënduar, pirë raki, por ai ka kohë që nuk është më President.

Ai është thjesht një person, që i ka rënë bixha të jetë President i Republikës, dhe që Presidencën po e sheh si një lodër në funksion të ambicieve të tij politike. Çdo gjë që e bën si President, e bën për t’i shërbyer Ilir Metës. Nuk ka asnjë dyshim që është Presidenti më i keq që kemi pasur ndonjëherë. E ka bërë pis atë institucion. Në një rrethanë normale, do ta kishte pasur hak shkarkimin me ceremoni prej postit.

Me arsyetimin: “Ka shkelur qartazi Kushtetutën, në të cilën përcaktohet se Presidenti është simbol i unitetit kombëtar. Ka shkelur qartazi Kushtetutën, duke u bërë njësh me njërën nga palët politike.” Në fakt, Presidenti është njeriu më opozitar që ka sot vendi. Basha ka të drejtë të ndihet ligsht, dhe i paarrirë, përballë tij.

Disa i njohin për alibi, në këto përpjekje, bindjen e tij se Shqipëria është duke jetuar ditë të zeza, se Edi Rama është rreziku më i madh që i është kanosur vendit ndonjëherë. Ok, personalisht opinione të tilla i konsideroj normale.

Nuk pajtohem me to, por e konsideroj legjitime që dikush t’i ketë. Takoj përditë njerëz që mendojnë si Ilir Meta. Prandaj, nuk kam asnjë problem me këtë bindje të tijën. Problemi im është me njeriun që më ka vjedhur Presidencën. Problemi im është që Presidenca, e cila është institucioni ku secili do të ishte i nderuar të hynte, po përdoret për qëllime që nuk kanë të bëjnë fare me funksionet kushtetuese të saj. Nuk do ta kisha hapur gojën fare (ndonëse betejat politike të tijat as që më fshikin), sikur ai të kishte dhënë dorëheqjen prej postit të Presidentit, e të ishte kthyer në jetën aktive politike.

Madje, ka ende kohë ta bëjë këtë. Ne nuk e meritojmë spektaklin që mund të na dhurojë ai gjatë fushatës elektorale me kostumin e Presidentit.

Nëse është i vendosur të ecë në këtë rrugë, duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë. Deklaratën e dorëheqjes po ia përgatis unë (shumë dashamirësisht): “Të dashur bashkatdhetarë e bashkëqytetarë, kudo që jeni! Vendi po jeton momente dramatike të historisë së tij. Një klikë me në krye Edi Ramën, njeriun më të rrezikshëm që ka parë kjo histori, na ka vënë përfund të gjithëve, ka shtënë gjithçka në dorë, po bëhet e pakontrollueshme, po na armiqëson me SHBA-të, po na pengon të integrohemi në BE, po ju bën juve të merrni arratinë në kërkim të fatit në vende të tjera.

Në këto rrethana, me shpirtin që po më digjet për kombin tuaj e timin, po marr vendimin për ta lënë këtë detyrë. Zyra ku jam sot është një zyrë që më nderon, e që më bën t’u gëzohem shumë privilegjeve e prerogativave, por do të ishte një sjellje spitullaqe nga ana ime të jepesha pas tyre. Sot nuk është koha të marrim me të mirë egon, sedrën, kararin e qejfet tona. Sot është koha për të marrë përgjegjësi. Sot është koha për të dalë në sheshin e mejdanit e për t’u thënë ndal atyre që po e shkatërrojnë këtë vend. Sot është koha të filloj betejën më të madhe të jetës sime. Të jetës sonë.”

Do isha më i lumturi nëse ai do ta bënte këtë gjë. Sepse do na rikthente Presidencën. E do të na bënte me president.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • toni: 26/02/2021 23:37

    po lajmin se ish ambasadori amerikan i kerkoi kreprokurorit te kohes À.Llala arrestimin E metes E ke harruar muço? Kjo E Ben kete palaço président te kete paranoïa se amerikanet Duan ta fundosin

    Përgjigju
  • Ben: 26/02/2021 17:25

    Meten e shpeton vetem burgu

    Përgjigju
  • I tej: 26/02/2021 17:21

    Metmuti President ? Vec nje bajge lope.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

‘1 milion euro për dashni’, komedi tek ‘Eksperimentali’! ‘Marie Kraja’, 2 net spektakli në Opera! Nga Roland Tasho tek Stefano Romano, Tirana me ekspozita!

‘1 milion euro për dashni’, komedi tek ‘Eksperimentali’! ‘Marie Kraja’, 2 net spektakli në Opera! Nga Roland Tasho tek Stefano Romano, Tirana me ekspozita!