‘Kadri, pas Xhavit Sallakut në Ballsh me xhaxhain agjent të CIA-s, shok i ngushtë i djalit të Mehmetit, i cili…’/ Akuzat e Hajredin Çelikut në Byro, tetor ‘82

‘Kadri, pas Xhavit Sallakut në Ballsh me xhaxhain agjent të CIA-s, shok i ngushtë i djalit të Mehmetit, i cili…’/ Akuzat e Hajredin Çelikut në Byro, tetor ‘82

Hysni Kapo, Enver Hoxha dhe Ramiz Alia

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim.

Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                               TEPËR SEKRET

 

KOMITETI QENDROR

                                                           PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU PROKOP MURRA: Ju flisni për familjaritetin e sëmurë në organet e punëve të brendshme, dhe pohoni se nga kjo gjë ka përfituar armiku, se tek kuadrot u dobësua kërkesa e llogarisë. Dhe këto fakte shoku Kadri, kështu do t’i kalosh me slogane?! Jo, këto slogane nuk hahen. Po kush i kultivonte ato?! Kush i vinte kuadrot në gjumë?! Kush e donte këtë familjaritet, dhe këtë dobësim të kërkesës së llogarisë?! Tani duhet të dalin të qarta, të gjitha nga ana jote. Me mendimet që keni dhënë, jeni konfuz dhe pohoni se kishit familjaritet të sëmurë, dhe zbutje të kërkesës së llogarisë. Kurse na ana tjetër, argumentoni besimin që kishit në fillim se Mehmet Shehu, nuk mund të kishte një rrjet mbështetjeje kaq të gjerë në organet e Punëve të Brendshme. Njëherë ti vëlla i dashur, me të vrarë veten ai, u sqarove nga shoku Enver, të tërë u sqaruan atë ditë, ndërsa ti u sqarove në mënyrë të veçantë.

Megjithatë edhe pas kësaj pune ti, kultivoje pikëpamjen se ai nuk kishte rrjet atje. Si nuk u bën pyetje vetes ti, që ky armik kaq i poshtër e kaq i pabesë, me cilët do t’i bënte këto punë, me fshesaxhinjtë?! Këtë pyetje ti duhet ta bëje, se këtë e bën kushdo dhe jo më ti si ministër. Pra bëhuni më i sinqertë, dhe hapjani zemrën Partisë. Nga sa ju njoh unë shoku Kadri, ju e kishit grurë me Mehmetin dhe nuk keni njohur kurrë as kritikë, dhe as kërkesë llogarie nga ai. Dhe bashkë me të ju, keni bërë karakteristika për ata njerëz që keni dashur.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ku i paskam bërë unë këto?!

SHOKU PROKOP MURRA: Në qeveri, në qeveri. Unë e di këtë, në atë kohë që kam qenë anëtar i saj.

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ti, na ke bërë të gjithë karakteristikat e ministrave, shoku Kadri.

SHOKU PROKOP MURRA: Mos ke bërë ndonjëherë autokritikë shoku Kadri, atje ku keni qenë nëpër mbledhje?! Se unë, nuk di ndonjë rast të tillë. Tani së fundi lidhur me ngjarjen e Pezës, unë nuk do të zgjatem vetëm do të them dy gjëra, që m’i tregoi shoku Simon. Unë e paraqita shokun Kadri, ashtu siç e ndjeva. Kur më foli shoku Simon, për reagimin e Kadriut, pandeha se mos i bëra ndonjë dëm Partisë. Për vete nuk dija gjë, se po të më kishte thënë gjë Simoni, që i ishte ankuar Kadriu, për ideal do t’i jepja përgjigje Simonit, ashtu siç e gjykoj unë.

Kur kam ngritur shëndetin në drekë, e toka gotën dhe me shokun Kadri, pa ditur gjë që ai kishte lëshuar shprehjen “kastravec” për mua. Po ta dija, natyrisht pa prishur gëzimin e festës, do t’ja kisha dhënë përgjigjen. Ajo që thotë shoku Kadri, për atë që i bëri përshtypje në miting se, nuk u fol për funksionin e tij si ministër i Mbrojtjes, unë mund t’i them: Ore shoku Kadri, Partia na ka rritur prandaj, nëse je me Partinë peshon, kurse pa Partinë, nuk peshon gjë.

Prandaj pse nuk të thashë funksionin si ministër, kjo nuk sjell asgjë negative derisa u vu në dukje përgjegjësia jote kryesore si anëtar i Byrosë Politike dhe udhëheqës nga më kryesorët në Parti. Po unë po të flas hapur që ti, e ke pasur mizën nën kësulë dhe të ka djegur kjo gjë, e bërë pa dashje se nuk ka arsye tjetër. Shoku Kadri, unë nuk dua të zgjatem më me këtë çështje por po ta çosh pak më tej këtë punë, ka qenë rrethi juaj familjar që e ka hapur këtë parullë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mundet.

SHOKU PROKOP MURRA: Dhe ti ke çuar te shoku Hekuran, nipin e gruas tënde, dhe në bisedë me shokun Hekuran, unë e prita atë dhe doli që ai shpifte. Ne, e sqaruam çështjen që kishte të bënte me parullën e parë. Parulla tjetër pastaj, ka dalë një ose dy muaj më pas.

SHOKU KADRI HAZBIU: Domethënë i paskam hapur unë ato?!

SHOKU PROKOP MURRA: Urdhëro, për nder ndoshta dhe të ka pëlqyer. I ke përhapur apo si ke përhapur, këtë unë nuk e di por, që të ka pëlqyer që të masësh pulsin e shokëve ndoshta, këtë e them që të ka pëlqyer me siguri.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ndoshta kishte mundësi të tjera që ta masja pulsin e shokëve, dhe ta masja mirë atë.

SHOKU PROKOP MURRA: Tani që të mos zgjatem, jam dakord me masat që u propozuan këtu. Edhe unë, nxjerr si të thuash mësim nga kjo mbledhje, dhe jam i bindur që Partia do të dalë më e fortë, dhe ne të jemi më vigjilentë.

SHOKU HAJREDIN ÇELIKU: Rrjedha e ngjarjeve armiqësore, me agjentin e regjur dhe të vjetër, të disa shërbimeve të spiunazhit imperialisto-revizionist, Mehmet Shehut, në krye e grupit të tij me Fiqret Sanxhaktarin, Feçor Shehun, e disa të tjerë nga Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të të bënin që ti të reflektoje shumë më parë, pasi këto e kanë dëmtuar jashtëzakonisht rëndë punën e Partisë, kanë rrezikuar udhëheqjen e saj, sidomos jetën e Sekretarit të Parë, si dhe të gjitha fitoret e arritura në atdheun tonë socialist. Për të gjitha këto ju mbani përgjegjësi pasi, keni qenë për vite me radhë, drejtuesi shtetëror i këtyre organeve.

Madje jo vetëm rrjedha e këtyre ngjarjeve por, edhe më parë juve, duhet t’ju tërhiqte vëmendjen vetë fakti se si është e mundur që armiku, paska synuar e depërtuar vetëm në fusha të tilla si, në Art-Kulturë e Radio-Televizion për të liberalizuar tërë jetën e vendit, në Ushtri me njerëzit që mendonte të bënte puçin ushtarak, dhe në ekonomi ku do të bënin sabotim. Dhe siç duket me kaq, e paska “mbyllur” armiku punën e tij?!

Unë mendoj se ju dhe gjithë të tjerët që punonit në këto organe, duhet të mbanit parasysh e të zbërthenit drejt vërejtjen që ju ka bërë Partia e personalisht shoku Enver, për një punë më serioze në këtë drejtim, sidomos pas Plenumit të 6 të Komitetit Qendror të PPSH-së, ai na mëson:

“Armiku i klasës, shfaqet, lufton, dhe hedh helm, në shumë mënyra e në shumë fusha. Rrallë ai, shfaqet hapur siç e kërkon ti por, veprimtaria e tij armiqësore në qoftë se nuk zbulohet e nuk goditet në kohë për vdekje, ajo rritet dhe bëhet më e rrezikshme. Dhe atëherë kur armiku e ndjen veten më të fortë, godet haptazi. Në punën e këtyre armiqve, Partia dhe klasa nuk duhet të shohin vetëm lustrën e jashtme, fjalët bombastike, dhe rrahjen e gjoksit, por të shikojnë e të gjykojnë me vigjilencë dhe veprimet e mëdha të tyre, ashtu si edhe veprimet e vogla”.

Dhe kjo pasi veprimet e mëdha të tyre, mbështillen shumë herë me një iluzion euforik të rremë dhe që u del boja në veprimet e vogla të tyre. Ju thoni se pas Plenumit të VI-të, bëtë një analizë të mirë, po me të drejtë ju pyetëm se cili ishte rezultati i saj?! Armiku Mehmet Shehu, si dhe gjarpërinjtë e tij si dhe Feçor Shehu, me agjentët që kishin depërtuar në radhët e Ministrisë së Brendshme, punonin për t’i vënë kazmën socializmit.

Ata, përgatiteshin për terror si dhe për krime nga më të shëmtuarat për të cilat, komunistët dhe populli në aktivët që u bënë për të dëgjuar fjalën e shokut Enver mbi “Tablonë Sinoptike të veprimtarisë armiqësore e agjenturore të Mehmet Shehut”, shqetësoheshin vetëm për faktin se si kishin menduar armiqtë një plan të tillë, kaq kriminal kundër Sekretarit të Parë e, jo më të arrinin e ta vinin atë në zbatim. Për të gjithë këtë, jo vetëm dënuan me urrejtjen më të madhe veprimtarinë armiqësore e agjenturore të familjes së Mehmet Shehut dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij, por kërkuan që diktatura e proletariatit të godas fort dhe ashpër, derisa t’ju jepej dënimi më i rëndë, deri në likuidimin fizik të tyre.

Në këtë drejtim përsërisim edhe njëherë se përgjegjësia juaj është mjaft e madhe, pasi jo vetëm që nuk duhet t’i lejonit ata deri aty por edhe pas ngjarjeve që u zbuluan ju, duhej të vinit përpara Partisë dhe udhëheqjes së saj e të bënit autokritikë të thellë, ta ndihmonit atë mundësisht në zbulimin e shpejtë të kësaj agjenture mjaft të rrezikshme. Por këtë gjë ju nuk e bëtë as me shkrim, e as me gojë këtu sot, me gjithë ndihmën që ju dhamë. Në autokritikë, na thoni që këtyre gjërave: “u ke shkuar dhe i ke trajtuar cekët, si pasojë e mungesës së vigjilencës politiko-ideologjike dhe trajtimit empirik të fakteve”.

Të bëmë edhe pyetje por, përsëri ju shkoje atyre cekët dhe në mënyrë empirike, në një kohë kur Partia dhe shoku Enver na porosisin që të mos ju shkojmë çështjeve tangjent, por të thellohemi duke bërë analizë të fenomeneve dhe ngjarjeve nën dritën e marksizëm-leninizmit. Aq më tepër që për fenomene dhe raste të tilla që kanë të bëjnë me veprimtari tradhtare ndaj Partisë dhe Atdheut, kërkohet me çdo kusht që të bëhen analiza të thella e t’ju shkohet atyre deri në fund.

“Kapot” kryesorë të të gjitha komploteve si në Art-Kulturë, Ushtri, Naftë, dhe ekonomi, ashtu si dhe në atë të Mehmet Shehut me kompani, i zbuloi shoku Enver, kurse ju që ishit në krye të organeve të specializuara të Ministrisë së Brendshme, nuk u thelluat që t’ju shkonit gjërave deri në fund. A mund të mendosh se këta “kapo” në krye të këtyre komploteve, kanë punuar “pa këmbë e pa duar”?! Përse të mos thelloheshit ju, për ti gjetur këto “këmbë e duar” të tyre gradualisht dhe në sektorët e tjerë madje deri në bazë?!

Mos vallë ju munguan sinjalizimet, apo dhe ato që ju vinin i kaluat e trajtuat siç thoni vetë në mënyrë të cekët dhe empirike?! Po të trajtoheshin ato siç duhej, ngjarjet dhe fijet do t’ju çonin medoemos deri tek kokat e, ndoshta deri tek kryetari i këtyre. Le të marrim për shembull punimet në hekurudhën Elbasan-Përrenjas, ndërtimet dhe montimet në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit dhe në Rafinerinë e Naftës në Ballsh. Në hekurudhë e në kombinat, fillimisht sabotoi armiku Shkëlqim Bumçi, ndërsa në Ballsh, sabotoi armiku Xhavit Sallaku. Fakte ka plot, në të gjithë sektorët.

Pyesim, pas këtyre sabotimeve u thelluan këto proçese sa e si duhet më tej?! Mendoj se jo, pasi më vonë puna armiqësore e tyre u zëvendësua në kombinat me Feruz Matajn, dhe nga disa të tjerë që po na dalin sot atje, në Ballsh e gjetkë, pa përmendur këtu atë çka ngjarë në Koman. A dihej në fakt se kush ishte Feruz Mataj, dhe se ç’punë bëri ai të paktën atëherë kur ne bërtisnim për punën sabotuese me, aq sa dinim në bazamentin e Furrnaltës Nr. 2, kur nuk u vu armatura prej 2.500 kg hekur, si pasojë e së cilës do të ishte shembja e saj (hajde ta gjeje pastaj shkakun e vërtetë të shembjes), dëm i madh i ekonomisë, pezullim i punës në Kombinat, e deri tek aksidentet në njerëz?!

Përse ju nuk ngulët këmbë që aksidentet në Uzinën 12, t’ju shkohej deri në fund, kur unë në praninë tuaj (atëherë ishit Ministër i Punëve të Brendshme) i thashë Mehmet Shehut në qeveri, se në Kombinat, ka punë jo të paqme?! Sepse fijet e sabotimeve në ndërtim dhe montim, do të çonin tek Feruz Mataj, babai i të cilit dihet që kishte qenë federal fashist, ndërsa xhaxhai i tij, Ajdin Mataj, ka qenë kriminel i egër në Gjirokastër, dhe agjent i regjur i CIA-s, derisa vdiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Më pas Feruz Mataj, u bë favorit i Mehmet Shehut dhe shok i ngushtë i djalit të tij Vladimirit. Mehmet Shehu, disa herë ka synuar që t’i jepej Feruzit, drejtimi i sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë, që nga Drejtor i Portit të Durrësit, pastaj Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, e anëtar i Byrosë së Partisë në Durrës dhe Elbasan, si dhe Drejtor i Ndërtim-Montimit në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, pas Shkëlqim Bumçit.

I themi këto pasi, siç theksuam, sinjale ka pasur që po të vlerësoheshin ashtu siç duhej “dhe në kaçubet e vogla”, do të zbuloheshin lepuj dhe ujq të mëdhenj që fshiheshin në to. Mendoj se këto gjëra nuk duhet të shikoheshin si akte të veçuara, por të merreshin të lidhura sepse sabotimi i veprave në ekonomi, ka qenë dhe mbetet një drejtim kryesor i punës armiqësore ashtu siç janë dhe drejtime të tjera të saj si spiunazhi në favor të Zbulimeve të huaja, diversioni, terrori individual ndaj udhëheqjes së Partisë të cilat, i shërbejnë qëllimit final të armiqve që ishte likuidimi i socializmit në Shqipëri, dhe likuidimin e lirisë dhe sovranitetit të vendit.

Mos i quani këto, gjëra të vogla të rastit, që nuk meritojnë vëmendjen tuaj?! Është për t’u shënuar se ndër disa punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe në aparatet e tyre në rrethe, ka pasur njëfarë prirjeje që të minimizoheshin që denonconim dhe dërgonim ne për procedim që këto të fundit, të mos merrnin në asnjë mënyrë vulën e veprimtarisë armiqësore, edhe kur kjo ishte e tillë. Dhe kjo së pari pasi ju nxirrnin telashe pasi mbeteshin “dosje të hapura”.

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Autoriteti Palestinez formon kabinetin e ri

Autoriteti Palestinez formon kabinetin e ri